2. Bekare · Ajeti 108 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:104–2:115
"Raina" ishte fjalë, që shokët e Pejgamberit e shprehnin kur ai i mësonte, pra me te i thonin: përcillna, pritna deri ta mësojmë etj. Mirëpo, edhe jehuditë e kishin një fjalë të gjuhës së tyre ebreje po të asaj forme, por me përmbajtje fyese, dhe me qëllim të caktuar e përdornin pranë Pejgamberit, andaj Zoti i urdhëreoi besimtarët që në vend të saj të përdorin fjalën "Undhurna".. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit Abrogimi ose pezullimi i një dispozite me një tjetër quhet:,,Nes'hun". Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit se në Kur'an ka abrogim të dispozitave, të citateve. Disa të tjerë nuk pranojnë mundësinë e pezullimit të ndonjë dispozite a teksti të Kur'anit, e mendojnë se fjala është për pezullimin e dispozitave në shpalljet e mëparshme.
Myslimanët porositen që të mos bëjnë shumë pyetje, e të kërkojnë tepër sqarime, sepse populli i Musait pat shkuar aq larg duke bërë kërkesë pas kërkese derisa haptazi kërkuan ta shohin Zotin, andaj u dënuan. Prandaj Zoti i thotë Muhammedit dhe besimtarëve se ata i mundon zilia për besimin tuaj, andaj largohuni njëherë prej tyre, kryeni detyrat fetare, e Zoti do të shpallë më vonë urdhërin e vet rreth tyre.
Ithtarët e librit nuk donin të pranojnë ndonjë pejgamber a shpallje tjetër pos të vetën. Prandaj ata të tjerët i mendonin të pafë dhe të pa xhennet. E Kur'ani sqaron se xhenneti dhe mëshira e Zotit është për besimtarët e drejtë e të sinqert që iu kanë bindur mësimeve të Tij, është për myslimanët.
Herë romakët, e herë persianët e rrënonin xhaminë Aksa në Jerusalem. Ashtu bënin edhe idhujtarët mekas duke mos lejuar njerëzit të shkojnë e ta vizitojnë Qaben. Ata nuk e lejuan as Pejgamberin me shokët e vet që ta vizitojnë Qaben në vitin e gjashtë hixhrije. Ata e poshtëruan veten në këtë dynja, e në ahiret i pret dënim i madh, kurse besimtarët e kanë lehtë, ata mund të falen e të luten kudo qoftë, sepse Allahu i ka lejuar t'i kthehen cilësdo anë kur janë të penguar t'i kthehen kibles, ose nuk dinë se kah është ajo.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:108
Allahu i Lartësuar i ndaloi besimtarët që ta pyesin shpesh dhe dendur Profetin ﷺ sidomos për çështje që ende nuk kanë ndodhur, para se të ndodhin, siç thotë i Lartësuari: "O ju që ke ni besuar! Mos pyesni (pa nevojë) për gjëra që, sikur t'ju kthehej përgjigjja e drejtpërdrejtë, nuk do t'ju pëlqente, e nëse do të pyesnit për to kur shpallej Kurani, ato do t’ju bëheshin të qarta (e do të rëndoheshit). Allahu jua ka falur kërshërinë (e tepruar). Allahu është Falës i Madh dhe i Butë." [Maide 101]. Pra, nëse pyesni pasi të ketë zbritur ajo, do t’ju qartësohet. Por nëse pyesni për diçka para se të ndodhë, ndoshta ajo ju bëhet haram, për shkak të asaj pyetjeje. Në një hadith të saktë thuhet: 103. “Nga muslimanët më gjynahqarë (e dëmsjellës ) është dikush që pyet për diçka që nuk është e ndaluar dhe bëhet haram për shkak të pyetjes së tij.” Në dy Sahih-ët vjen hadithi i Mugirate Ibn Shubete se Profeti ka thënë: 104 “Hiqni dorë nga thashethemet, humbja dhe harxhimi i kotë i pasurisë dhe nga pyetjet e shumta.” Në Sahih-un e Muslimit, në një hadith, Profeti ka thënë: 105 “Më lini në atë që ju kam sjellë, sepse ata që ishin para jush u shkatërruan nga pyetjet e shumta dhe kundërshtimi i profetëve të tyre. Nëse ju urdhëroj për diçka, bëni sa të mundeni prej saj, dhe nëse ju ndaloj nga diçka, largohuni prej saj!” Allahu i Lartësuar thotë: "A doni ta pyesni të Dërguarin tuaj ashtu si u pyet Musai?" Kjo fjalë përfshin si besimtarët, ashtu edhe mohuesit, sepse Muhamedi ﷺ ishte Profeti i të gjithëve. Kjo i përngjan fjalës së Tij: "Ithtarët e Librit kërkojnë prej teje (o Muhamed) t’u zbresësh një libër nga qielli. Në fakt, ata i kërkuan Musait diçka edhe më të madhe dhe thanë “Na trego Allahun haptazi!” Atëherë, ata i kapi rrufeja, për shkak të poshtërsisë që bënë." [Nisa 153]. Kështu, Allahu qorton ata që e pyesin Profetin ﷺ me pyetje konfliktuese dhe imponuese prej kryeneçësh ashtu siç e pyetën bijtë e Izraelit Musain ﷺ .Ata bënin pyetje që synonin të justifikonin mosbesimin, mosnënshtrimin e mosbindjen e tyre. Më pas, i Lartësuari thotë: "Ai që e ndërron besimin me mosbesim ..." - pra, ai që e blen mohimin duke dhënë si çmim imanin, ai: "...e ka humbur rrugën e drejtë", pra, ka dalë nga “ Siratul mustekim”, për të humbur në injorancë e devijim.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:108–2:110
- “A doni ta pyesni të Dërguarin tuaj ashtu si u pyet Musai?” - Allahu i Lartësuar i ndaloi besimtarët muslimanë, ose çifutët, që të pyesnin Profetin (a.s.) ashtu sikurse u pyet Musai më përpara. Po cilat janë ato pyetje që u ndaluan t’i bëhen Profetit (a.s.), ose cilat pyetje, në përgjithësi, janë të ndaluara të bëhen?
Pyetjet dhe kërkesat e ndaluara janë ato që bëhen thjesht për të polemizuar dhe për të kundërshtuar të vërtetën, domethënë ato që nuk drejtohen për të mësuar të vërtetën, por për të polemizuar rreth saj dhe për ta hedhur poshtë atë. Ja një shembull në Kur’ân: “Ithtarët e Librit kërkojnë prej teje (o Muhamed) t’u zbresësh një libër nga qielli. Në fakt, ata i kërkuan Musait diçka edhe më të madhe dhe thanë “Na trego Allahun haptazi!” Atëherë, ata i kapi rrufeja, për shkak të poshtërsisë që bënë. Pastaj adhuruan (për zot) viçin, edhe pasi u patën ardhur shenja të qarta. Ne i falëm ata dhe i dhamë Musait pushtet të qartë. ” [Nisa 153]. Ose: “O ju që keni besuar! Mos pyesni (pa nevojë) për gjëra që, sikur t'ju kthehej përgjigjja e drejtpërdrejtë, nuk do t'ju pëlqente, e nëse do të pyesnit për to kur shpallej Kur’âni, ato do t’ju bëheshin të qarta (e do të rëndoheshit) . Allahu jua ka falur kërshërinë (e tepruar) . Allahu është Falës dhe i Butë. Të tilla pyetje i kanë bërë edhe njerëz para jush, por pastaj u bënë jobesimtarë.” [Maide 101, 102]. Pra, këto lloj pyetjesh e kërkesash janë të ndaluara, ndërsa pyetjet dhe kërkesat nëpërmjet të cilave synohet udhëzimi dhe e vërteta janë të pëlqyeshme të bëhen. Madje, Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t’i bëjmë të tilla pyetje: “ Pyesni, pra dijetarët nëse nuk dini!”. [Nahl 43]. Po ashtu, Allahu i Lartësuar i ka miratuar besimtarët muslimanë në shumë pyetje e kërkesa të drejtuara Profetit të Tij dhe nuk i ka qortuar për të tilla pyetje, si për shembull, në suren Bekare: “Të pyesin ty për alkoolin dhe bixhozin. Thuaju …”. Ose: “Të pyesin ty për jetimin…” etj., që tregojnë se të tilla pyetje a kërkesa nuk janë të qortueshme. Pyetjet dhe kërkesat e ndaluara mund të çojnë edhe në mohim. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka tërhequr vërejtjen dhe ka thënë. - “Ai që e ndërron besimin me mosbesim, e ka humbur rrugën e drejtë.” Më pas, Allahu i Lartësuar na zbulon një ndjenjë të brendshme të fortë, që vlon brenda gjoksit të tyre: - “Shumë ithtarë të Librit do të dëshironin që, pasi keni besuar, t’ju kthejnë në jobesimtarë, ” - Ata përpiqen me të gjitha mënyrat për të arritur këtë qëllim të poshtër. Ata i provojnë të gjitha llojet e kurtheve, por nuk e kuptojnë që ato u kthehen mbrapsht, për të goditur pikërisht ata. Kurthet e tyre janë të larmishme. Duke na treguar një mënyrë të tyre për të dëmtuar muslimanët, i Lartësuari thotë në suren Al Imran, ajetet 72 -74: “ Disa nga ithtarët e Librit thonë: “Besojeni në mëngjes atë që u është shpallur atyre që kanë besuar, dhe mohojeni në mbrëmje! Ndoshta kështu edhe ata do të tërhiqen (nga besimi)”. Dhe mos i besoni askujt, përveç atyre që ndjekin fenë tuaj!” Thuaju: “Udhëzim i vërtetë është vetëm udhëzimi i Allahut!” (Ata i thoshin njëri-tjetrit): “Kurrë mos besoni se ndokujt po i jepet (profecia, dija urtësia dhe mirësitë e mëdha) , sikurse ju është dhënë juve, përndryshe, (ditën e gjykimit) , do të polemizojnë kundër jush para Zotit tuaj! Thuaju: “E gjithë mirësia është në Dorë të Allahut! Ai ia jep atë kujt të dëshirojë. Allahu është i Gjerë (në mëshirën e Tij) dhe i Gjithëditur”. Ai dallon kë të dojë me mëshirën e Vet. Allahu është Zotërues i mirësisë së madhe.”.”Ajo çfarë i shtynte në këtë veprim ishte thjesht smira e tyre, sepse ata e dinin mirë të vërtetën, siç thotë i Lartësuari: - “të shtyrë nga zilia e tyre, edhe pasi u ishte bërë e qartë e Vërteta. ” – Por, si gjithmonë, Allahu i Lartësuar urdhëroi që, përballë kësaj sjelljeje dhe synimi të keq të tyre, besimtarët t’i falnin dhe t’i toleronin, derisa Ai të sillte një gjykim përfundimtar për ta: - “Falini dhe tolerojini ata, derisa Allahu ta sjellë urdhrin e Vet. ” – Dhe, vërtet, Allahu i Lartësuar e solli vendimin për ta, duke i urdhëruar besimtarët për xhihad. Në këtë mënyrë, u shua flaka e ndezur në zemrat e besimtarëve, të cilët kishin duruar dhe toleruar për aq kohë. Ata vranë atë që
meritonte vrasjen, robëruan atë që meritonte robërimin dhe dëbuan ata që e merituan dëbimin. Allahu është i Plotfuqishëm që të ligjërojë çfarë të dëshirojë për robërit e Tij, siç thotë edhe Vetë: - “Allahu ka pushtet për gjithçka” Në ajetet e mëposhtme, Allahu i Lartësuar i udhëron besimtarët që t’i përkushtohen adhurimit të Allahut të Lartësuar: - “Përkryejeni namazin dhe jepeni zekatin!” - Duke falur namazin, duke dhënë zekatin dhe duke vepruar çdo gjë që kënaq Allahun e Lartësuar, Ai u premton se do t'i shpërblejë me mirësinë e Tij. Për çdo gjë që do të kryejnë për hir të Tij, atyre nuk do t’u humbë kurrë shpërblimi, pasi do ta gjejnë atë të plotë tek Allahu i Lartësuar, madje edhe më tepër se aq, prej mirësisë së Tij: - “Çfarëdo të mire të përgatitni për veten tuaj, do ta gjeni tek Allahu. ” - Dhe kush mund t'i llogarisë veprat më mirë dhe më drejt sesa Allahu i Lartësuar, që shikon dhe di gjithçka?! - “S’ka dyshim se Allahu shikon gjithçka që bëni ju. ” - Ai i ka parë dhe i ka ruajtur saktësisht të gjitha veprat e tyre.