2. Bekare · Ajeti 11 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:6–2:20

Ata të cilët mohuan argumentet e Zotit dhe mohuan Muhammedin si pejgamber, ata janë mohues të hapët, ata nuk do të besojnë, andaj i thuhet Muhammedit që të mos brengoset për ta, sepse në zemrat e tyre nuk depërton drita e besimit, veshët dhe sytë e tyre nuk e dëgjojnë dhe nuk e shohin të vërtetën, thuajse i kanë të mbuluar me plaf.

Fjala "kufr" d.m.th.: mbulim i së mirës, përbuzës i nimetit, refuzues i së vërtetës, pra, ai që nuk e beson Kur'anin as Muhammedin. Vetëm këto dy ajete përshkruajnë veset e atyre që nuk besojnë, ngase ata ishin të hapët dhe rreziku prej tyre nuk mund t'i befasojë myslimanët.

Në trembëdhjetë ajetet vijuese, bëhet fjalë për hipokritët, rreziku i të cilëve është edhe më i madh, sepse shprehen haptazi si myslimanë, e në të vërtetë nuk besojnë dhe përpiqen t'i mashtrojnë myslimanët, por ata nuk mund të mashtrojnë tjetër, pos vetëvetën.

Hipokritët ishin të sëmurë në shpirt, ishin të dyshimtë në besimin e tyre, andaj shkaktojshin çrregullime ndërmjet njerëzve, sepse bënin intriga dhe vepra të këqia, por nuk donin t'i pranonin.

E kur u thuhej atyre bëhuni të sinqertë në besim sikur që ishin shokët e Pejgamberit, ata merrnin si shembull disa shokë të Pejgamberit, si: Bilalin, Suhajbin, Ammarin, të cilët kishin qenë robër më parë dhe nuk gëzonin ndonjë autoritet në mesin e pabesimtarëve, e i quanin edhe të marrë. Hipokritët me tjetër fytyrë bisedonin kur gjendeshin ndër besimtarë, i e kur ktheheshin te ata paria e tyre kriminele, që Kur'ani i quan shejtan, ndërronin fytyrën dhe u thonin se jemi tallur i me myslimanët, e derisa ata do ta kenë dënimin më të rëndë, Allahu nuk ngutet, i lë ta shtojnë krimin ashtuqë ai dënim të jetë sipas meritës së tyre. Kuptohet se ajo punë e tyre është e dështuar derisa ikin prej dritës e shkojnë në errësirë. Shembulli i hipokritëve, të cilët e përqafuan të shtrembtën duke e mohuar të drejtën, është si ai që ndez një zjarr i për t'i bërë dritë, e kur i fiket drita ata mbeten në errësirë si me qenë të shurdhër, memecë e të verbër. Edhe ata njëherë besuan, e panë dritën e besimit, por pasiqë u larguan prej besimit, mbetën në errësirë.

Ose shembulli i tyre është si ndonjë furtunë e madhe me shi, bubullimë dhe vetëtimë dhe, prej errësirës nuk mund të ecin, e kur veton u ndriçohet rruga dhe bëjnë disa hapa, por i frikësohen vdekjes nga rrufeja, andaj i mbyllin veshët me maje të gishtave. Atyre herë pas here u ndriçohet rruga e besimit, sikur shiu që ngjallë tokën ashtu besimi ua ngjallë zemrat, por për një kohë të shkurtër, sepse ata përsëri mbesin në errësirë, e megjithatë, ata as nuk mund t'i i shpëtojnë vdekjes, as t'i shmangen dënimit, pse Allahu ka fuqi të plotë për çdo gjë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:11–2:13

- E, kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!”, ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (rregullues)! – Shkatërimi për të cilin aludohet këtu është mohimi i Zotit, hipokrizia dhe shfrenimi në gjynahe, shkelja e kufijve të Allahut dhe mosbindja ndaj Tij. Atëherë, kuptimi është: Mos shkatërroni në Tokë me mohimin tuaj, me hipokrizinë që shfaqni dhe me poshtërsitë dhe gjynahet që bëni! Kështu, çdokush që nuk i bindet Allahut dhe urdhëron për mosbindje e mosnënshtrim ndaj Tij, në të vërtetë ka përhapur shkatërrimin në Tokë. Nga ana tjetër, rregullimi i Tokës arrihet përmes bindjes ndaj Zotit. Munafikët mendojnë se me pretendimet dhe shtirjen e tyre si besimtarë mund t’ua hedhin besimtarëve dhe t’i mashtrojnë ata, por Allahu ua nxjerr bojën dhe i demaskon ata dhe rrugën e tyre të poshtër, në mënyrë që besimtarët të mos mashtrohen dhe t’i konsiderojnë si miq e aleatë, që t’u besojnë sekretet e tyre, ndërkohë që në të vërtetë ata janë munafikë. Marrja për miq e aleatë e munafikëve, ndërkohë që ata janë armiqtë më të përbetuar të besimtarëve, konsiderohet si shkatërrimi më i madh në tokë. Për besimtarët mund të jetë e ngatërruar çështja e munafikëve dhe ata nuk mund ta arrijnë t’i identifikojnë ata. Ky fakt e nxjerr më në pah rrezikun e madh të veprimit të munafikëve dhe tregon se sa real, i komplikuar dhe i pranishëm është ky rrezik. Munafiku përpiqet të mashtrojë besimtarët përmes shtirjes dhe fjalëve të bukura. Nga ana tjetër, ai është në aleancë me qafirët kundër besimtarëve. Kështu, është plotësisht e drejtë të thuhet se ky lloj shkatërrimi në tokë vjen nga munafikët. Madje, shkatërrimi i tyre është më i frikshëm, sepse ofrohet e prezantohet si rregullim e paqëtim: “E, kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!”, ata thonë: “Ne jemi vetëm përmirësues (rregullues)!” Pra, ne

dëshirojmë veçse harmonizim dhe paqëtim mes besimtarëve dhe qafirëve të të gjitha kategorive, si idhujtarëve paganë, ashtu edhe atyre që kanë pasur libër, pra, ithtarëve të Librit, jehudë e krishterë. Por Allahu i Madhëruar, që e sheh atë që fshihet në gjokset e tyre dhe çdo fshehtësi, ua nxori në dritë mashtrimin se janë rregullues. Ai tha: - Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë. - Kështu, ai që ata e pretendojnë se është përmirësim dhe rregullim, në fakt është shkatërrimi vetë, por nga injoranca e tyre, nuk e ndiejnë se është shkatërrim. O Allah, na forco e përqëndro në fenë Tënde dhe në bindjen ndaj Teje! Na bëj nga ata besimtarë të sinqertë, veprimet e të cilëve nuk bien ndesh me atë që ata kanë në zemra. - Dhe kur u thuhet atyre: "Besoni, sikurse besuan njerëzit (e mirë)! " Ata thonë: “A të besojmë edhe ne ashtu sikurse besuan mendjelehtët?” Pra, kur u thuhet munafikëve: Besoni, ashtu siç duhet të besojnë njerëzit në Allahun, melekët, shpalljet e Tij, profetët, ringjalljen, Xhenetin, Zjarrin e të gjitha çështjet e besimit që Zoti urdhëroi të besohen, - pra, me një iman të saktë, korrekt e të vërtetë, që sjell bindjen ndaj Allahut dhe Profetit dhe nënshtrimin për të zbatuar urdhëresat dhe për t’iu larguar ndalesave të tyre, - ata thanë: “A të besojmë edhe ne, ashtu sikurse besuan mendjelehtët?” Me këtë fjalë, ata të mjerë kishin për qëllim sahabët e Profetit. Pra, ata thanë: “A të besojmë njëlloj si këta mendjelehtë e të biem në nivelin e tyre?” Por është vetë Allahu që u del në mbrojtje robërve të vet besimtarë, duke thënë: - Në të vërtetë, mendjelehtët janë pikërisht ata, por nuk e dinë. - Pra, këta të mjerë as nuk dinë se në ç’gjendje të mjerueshme dhe në ç’humbje të thellë e kanë zhytur veten. Përshkrimi i tyre si të paditur është një poshtërim dhe nënçmim më i madh për ta, tregues i qartë i verbërisë dhe largësisë së tyre nga rruga e drejtë. Me këtë verbim dhe injorancë të ndërthurur me njëri tjetrin, ata do ta shtojnë edhe më shumë shfrenimin dhe kalimin e kufijve, dhe atëherë zemërimi i Zotit mbi ta do të shtohet e po kështu edhe dënimi i Tij. Dënimi jepet në varësi të punëve të njeriut dhe Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:11–2:12

- “E kur atyre u thuhet: “Mos shkatërroni në tokë!” - Këta hipokritë këshillohen që të ndalen nga shkatërrimi që bëjnë në tokë. Ky shkatërrim shfaqet në shumë forma: në formën e kufrit (mohimit të Zotit dhe shpërfilljes së të drejtave të Tij), në formën e veprimit sipas rrugës ku i çon mosbesimi dhe mosbindja e tyre, në

formën e shpërfilljes së urdhrave dhe të kryerjes së veprave të ulëta, në formën e nxjerrjes së sekreteve të muslimanëve, për t’ua treguar ato qafirëve, në formën e miqësisë së tyre me jobesimtarët etj. Por kur ata këshillohen për t'u frenuar nga shkatërrimi që bëjnë në tokë, - Thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues.” – Kështu, ata bëjnë njëkohësisht dy të zeza: përhapin shkatërrimin në tokë dhe këtë shkatërrim e paraqesin si rregullim dhe përmirësim, duke e shtrembëruar të vërtetën. Ata shkatërrojnë dhe besojnë se kjo është rruga e drejtë. Ky, pa dyshim, është krim shumë më i rëndë se i atyre që bëjnë poshtërsi, por e dinë dhe janë të ndërgjegjshëm se këto janë poshtërsi. Këta të fundit janë më afër udhëzimit dhe shpresës për t’u kthyer nga rruga e gabuar, sesa ata të parët. Munafikët thonë: “Ne jemi të vetmit përmirësues”. Kështu, ata pretendojnë se të qenurit rregullues (të rendit në tokë) është cilësi e posaçme vetëm për ta, duke nënkuptuar se besimtarët nuk e kanë këtë cilësi. Por Allahu i Madhëruar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke thënë: - “…në të vërtetë, pikërisht ata janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë” – Sigurisht që nuk ka shkatërrim më të madh se ai që shkakton e përhap mohimi i Zotit dhe i argumenteve të Tij. A ka shkatërrues më të madh se ai që pengon njerëzit nga rruga e Allahut dhe që përpiqet të mashtrojë Allahun dhe të zgjedhurit e Tij?! Shkatërrues janë të gjithë ata që miqësohen me këdo që i ka shpallur luftë Allahut dhe Profetit të Tij, të cilët, si pa të keq, pretendojnë paturpësisht se ky quhet rregullim. Po a ka shkatërrim më të madh se ky?! Në fakt, ata nuk mund ta ndiejnë dhe kuptojnë këtë, sepse nuk e kanë dijen e nevojshme, që do t`u mundësonte ta kuptonin. Dija (rreth besimit dhe fesë) që ata kanë u vlen thjesht dhe vetëm për një gjë: që të mos kenë asnjë justifikim para Allahut Ditën e Gjykimit. Atyre u janë përcjellë njohuri të mjaftueshme për të hedhur poshtë çdo argumentim dhe justifikim të tyre para Allahut. Veprimi i poshtërsive është konsideruar si shkatërrim, sepse është ai që e shkakton prishjen e të gjitha të mirave në tokë: bimësisë, farërave, frutave, pemëve etj. Shkak i çdo shkatërrimi janë veprat e ulëta (dhe kalimi i kufijve të Zotit). Ndërsa rregullimi i tokës nënkupton që ajo të mbushet me mirësi dhe të lulëzojë, si pasojë e bindjes ndaj Allahut dhe e besimit tek Ai. Allahu i Madhëruar i krijoi krijesat veçse për këtë qëllim dhe, pikërisht për këtë arsye, i vendosi në tokë. Ai i krijoi ata dhe u dhuron furnizim dhe të mira të shumta, me qëllim që t`i ndihmojë në bindjen dhe adhurimin kushtuar Atij. Por nëse krijesat veprojnë të kundërtën, atëherë ky është shkatërrim, pasi e nxjerr tokën nga natyra e saj, në të cilën ajo është krijuar.

← Bekare 2:11