2. Bekare · Ajeti 124 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:124–2:134
Zoti e provoi Ibrahimin me obligimet që po shënohen në vazhdim, të cilat ai i plotësoi. Zoti e bëri Ibrahimin shembëlltyrë të njerëzve që vinë pas tij, andaj është i pranishëm ndër të gjithë popujt. Atij dhe birit të tij, Ismailit i takoi ndërtimi i Qabes që është vend në ç'drejtim kthehen të gjithë besimtarët e drejtë, vend sigurie, pse në afërsi të saj lufta gjithnjë ka qenë e ndaluar dhe pasiqë ata e pastruan prej besimeve të kota, e lutën Zotin ta furnizojë atë vend shkretëtirë me fruta të ndryshme, e lutën besimtarët, por Zoti u tha se në këtë botë nuk bëj dallim, furnizoj edhe ata jo besimtarë, por ata në botën tjetër i hodhi në zjarr. Duke ndërtuar Qaben e lutnin Zotit t'ua pranojë atë vepër, t'i udhëzojë në rrugë të drejtë ata dhe pasardhësit e tyre. U lutën që të dërgojë pejamber prej tyre për ta udhëhequr popullin. Kur erdhi Muhammedi pejgamber, tha: "Unë jam fryt i lutjes së Ibrahimit".
Ibrahimi ishte pejgamber i dalluar, i cili sinqerisht iu dorëzua Zotit. Ai porositi pasardhësit I e vet t'i përmbahen vetëm fesë, të cilën e zgjodhi Zoti, fesë islame. Ashtu bënë edhe pasardhësit e tij, si Jakubi që i porositi bijtë e vet për të njëjten fe.
E derisa Muhammedi ishte pasardhës i Ibrahimit, porositi mësimet që i praktikoi Ibrahimi. Ai ndoqi fenë e Ibrahimit, refuzimi i arabëve idhujtarë që edhe ata rridhnin prej birit të Ibrahimit, refuzimi i jehudive që edhe ata rridhnin nga biri tjetër Is-haku dhe i të gjithë atyre që thonin se pasojnë fenë e Ibrahimit, nuk ishte i drejtë, por ishte një kokëfortësi dhe zili kundër Muhammedit dhe Kur'anit, pa pasur kurrnjë fakt tjetër për kundërshtim.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:124
- Kujtoni kur Allahu e sprovoi Ibrahimin me disa urdhërime, dhe ai i përmbushi ato - Kujtoju, o Muhamed, këtyre idhujtarëve dhe atyre që u është dhënë libri para teje, jehudë dhe të krishterë, të cilët pretendojnë se pasojnë fenë e Ibrahimit, por që në të vërtetë nuk janë të tillë, sepse ai që pason fenë e Ibrahimit është në rrugë të drejtë dhe e do rrugën e drejtë! Kujtoju atyre, pra, ti dhe besimtarët që janë me ty e të pasojnë ty, rreth sprovave të mëdha të Zotit për Ibrahimin. Kujtoju urdhëresat dhe ndalesat me të cilat Zoti e ngarkoi Ibrahimin dhe vuri në provë besimin e tij! Tregoju atyre, gjithashtu, se Ibrahimi i plotësoi më së miri ato. Kur përshkruan Ibrahimin, Allahu i Madhëruar thotë: "Vallë, a nuk ka dëgjuar ai për atë që thuhet në Fletët e Musait dhe të Ibrahimit, i cili i plotësoi të gjitha detyrimet (e Zotit): ....". [Nexhm 36, 37]. Pra, ai i përmbushi të gjitha dispozitat, që i caktoi Zoti. Ai i zbatoi dhe jetoi sipas ligjeve dhe porosive të Zotit. Allahu i Lartësuar ka thënë : "Ibrahimi nuk ishte as çifut, as i krishterë, por ai ishte në besimin e vërtetë (në një Zot të vetëm) . Ai ishte musliman (i nënshtruar ndaj Zotit) dhe nuk ishte idhujtar. Sigurisht, ndër njerëzit më të afërt të Ibrahimit janë ata që e pasuan atë dhe ky Profet (Muhamedi) së bashku me ata që e kanë besuar. Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve." [Al Imran 67, 68]. Allahu i Lartësuar e ngarkoi Ibrahimin me urdhëresa dhe ndalesa, që duhen respektuar dhe ruajtur. Në ajet përmendet termi “kelimat” (fjalë), pra, Zoti e sprovoi Ibrahimin me disa “fjalë”. Termi “fjalë” në Kur 'an vjen me dy kuptime: 1. “Fjalë e Zotit, si caktimi (kaderi) i Tij, “fjala e Zotit” në përcaktimin e gjërave. Për këtë flet ajeti kuranor në lidhje me Merjemen: "Ajo i besoi plotësisht fjalët (kaderin) e Zotit të saj dhe Librat e Tij dhe ishte nga të devotshmit." Domethënë, ajo iu dorëzua dhe e pranoi me përunjësi caktimin e Zotit të saj dhe i besoi Librat e Tij, që shtjellojnë ligjet dhe Sheriatin e Zotit, sipas
të cilit robi duhet të jetojë dhe ta adhurojë Atë. 2. Shpallja e Zotit për njerëzit. Kjo mund të jetë ose lajme e rrëfime, të cilat janë veçse të vërteta, që nuk kanë asnjë gënjeshtër, ose janë urdhëresa e ndalesa, të cilat janë tërësisht të drejta e plot mirësi e bekim . Ky ajet flet për këto lloj “fjalësh” të Zotit: "... ai i përmbushi ato", pra, Ibrahimi i përmbushi rregullat e Zotit. Pastaj i Lartësuari thotë: - Ai (Allahu) tha: “Unë do të të bëj ty imam të njerëzimit”. - Si shpërblim i përkushtimit në përmbushjen e urdhëresave e ndalesave të Tij, Allahu e bëri atë shembull për njerëzimin, me të cilin ata udhëzohen e gjejnë rrugën. Janë dhënë mendime të ndryshme rreth “fjalëve”, ose urdhëresave, me të cilat u sprovua Ibrahimi e të cilat ai i zbatoi me përpikmëri. Muhamed Ibn Is’haku sjell me senedin e tij rrëfimin e Ibn Abasit, që ka thënë: “Fjalët” me të cilat Zoti e sprovoi Ibrahimin dhe që ai i përmbushi ishte braktisja dhe largimi nga populli i tij për hir të Allahut, kur Allahu e urdhëroi për diçka të tillë. Gjithashtu, ishte polemika me Nemrudin kur Allahu e urdhëroi për këtë, edhe pse dukej sheshit rreziku që i kanosej nëse e kundërshtonte atë; ishte durimi i tij kur e hodhën në mes të zjarrit, dhe këtë e bëri veçse për të kënaqur Allahun, edhe pse kjo ishte shumë e tmerrshme. Pas gjithë këtyre, ishte mërgimi i tij nga vendi i vet, kur Zoti e urdhëroi për këtë; ishte urdhri i Zotit që Ibrahimi të priste mirë gjithmonë miq në shtëpinë e tij dhe durimi i madh i Ibrahimit në zbatimin e këtij urdhri, me pasurinë e veten e vet. Pastaj ishte sprova e madhe, kur Zoti e urdhëroi që të bënte kurban djalin e vet. Pasi kaluan të gjitha këto dhe pasi ai u tregua i sinqertë në zbatimin dhe përmbushjen e gjithçkaje, Allahu i Madhëruar i tha Ibrahimit: “Unë do të të bëj ty imam të njerëzimit”. Ibn Ebu Hatimi sjell në senedin e tij deri tek Ebu Nexhih, që përcjell nga Ibn Abasi, i cili, duke shpjeguar se cilat ishin fjalët e Allahut, ka thënë: “Allahu i Madhëruar i tha Ibrahimit: “Unë do të të vë në provë me disa porosi...”. Ibrahimi tha: “A do të më bësh mua imam dhe shembull të njerëzimit?” - “Po.” - tha Allahu i Madhëruar. - “Po nga pasardhësit e mi?” Allahu tha: “Premtimin tim nuk e përfitojnë të padr ejtët.” Atëherë Ibrahimi tha: “A do ta bësh Shtëpinë (Qaben) si vend sigurie e paqeje? - “Po.” - “Vend sigurie e paqeje?” - “Po.” - “A do të na bësh muslimanë ne të dyve (Ibrahimin dhe të birin, Ismailin) dhe pasardhësit tanë?” - “Po" - tha Allahu i Madhëruar." Ibn Xheriri, në mënyrë të përmbledhur, thotë se është i mendimit që fjala “kelimat” ka për qëllim të gjitha sa u përmendën, ashtu siç ka edhe mundësi që të jetë pasur për qëllim diçka e veçantë. Nuk mund të themi prerë, duke e përcaktuar qartë, se çfarë kanë për qëllim këto fjalë; veçse nëse kanë ndonjë hadith ose unanimitet dijetarësh. Por rreth kësaj çështjeje nuk ka ndonjë hadith të saktë të përcjellë nga dikush që i pranohet transmetimi. - Ai tha: “Edhe prej pasardhësve të mi (bëj të tillë) !” - Kur Allahu i Madhëruar e bëri Ibrahimin si Imam, ai e luti Allahun që udhëheqësit pas tij të jenë nga familja e pasardhësit të tij. Por atij i erdhi si përgjigje se nga mesi i pasardhësve të tij do të ketë edhe zullumqarë, dhe të tillë njerëz kurrsesi nuk mund të përfitojnë nga premtimi i Allahut. - Ai (Allahu) tha: “Premtimin Tim nuk mund ta gëzojnë të padrejtët.” - Ata nuk mund të jenë imamë dhe të merren si shembull nga njerëzit. Sidoqoftë, Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes së të dashurit të Tij, siç thotë në suren Ankebut 27: "Ne i dhuruam Ibrahimit Is’hakun dhe Jakubin dhe ndër pasardhësit e tij zgjodhëm profetë dhe shpallëm Librat e Shenjtë. Ne i dhamë atij shpërblimin në këtë botë, ndërsa në botën tjetër ai do të jetë ndër më të mirët. " Kështu, çdo profet që u dërgua në këtë botë dhe çdo libër që u shpall kishte lidhje me pasardhësit e Ibrahimit ﷺ ,- salavatet dhe selami i Zotit qoftë mbi të dhe Profetin Tonë!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:124–2:126
- “Dhe kujtoni kur Allahu e sprovoi Ibrahimin me disa urdhërime, dhe ai i përmbushi ato, …” - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na flet rreth Profetit dhe të dashurit të Tij, Ibrahimit (a.s.), për gradën e lartë të të cilit pajtohen të gjithë njerëzit. Të gjitha grupet fetare pretendojnë se janë pasues të tij: çifutët, të krishterët, madje edhe politeistët. Allahu i Lartësuar e sprovoi atë me disa fjalë, pra, me disa dispozita. Ai e sprovoi duke e ngarkuar me disa urdhra dhe duke e ndaluar me disa ndalesa. Në këtë mënyrë i ka sprovuar njerëzit Allahu i Lartësuar gjithmonë, për t'u dalluar i sinqerti dhe gënjeshtari. Përballë sprovave, gënjeshtari poshtërohet sepse ai thyhet para tyre dhe nuk tregon durimin e kërkuar prej Allahut. Nga ana tjetër, i sinqerti lartësohet dhe nderohet, sepse qëndron i palëkundur dhe i duruar. Veprat e tij të mira tregojnë sinqeritetin që fshihet në zemrën e tij. Ndër të përzgjedhurit më të mirë është Ibrahimi (a.s.), i dashuri i Zotit të botëve. Ai e çoi në vend amanetin e ngarkuar prej Zotit të tij. Ai i plotësoi me përpikmëri të gjitha dispozitat e ngarkuara. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shpërbleu përkushtimin e lartë që ai kishte, saqë edhe sot e kësaj dite vazhdon të ndihet ky shpërblim. I Madhëruari thotë: - “Ai (Allahu) tha: “Unë po të bëj ty imam të njerëzimit.”” - Allahu i Lartësuar e bëri Ibrahimin (a.s.) udhëheqës të njerëzimit. Kështu, fjalët që Allahu i Lartësuar i thotë atij kanë këtë kuptim: “Të gjithë duhet të ndjekin udhëzimin dhe rrugën tënde. Të gjithë duhet të ecin pas teje, pas gjurmëve të tua, për të arritur lumturinë e përjetshme. Kjo do të jetë fama
dhe lavdia jote ndër breza. Të gjithë do të të duan dhe do të të respektojnë. Ky do të jetë shpërblimi yt në përjetësi.” Betohem në Allah se kjo është grada më e lartë, për arritjen e së cilës punojnë garuesit dhe ata që përpiqen. Ajo qe shkalla më e lartë, të cilën e arritën profetët më të shquar dhe pasuesit e denjë të rrugës së Allahut. Atë shkallë e kanë synuar të gjithë ata që ftuan njerëzimin në rrugën e lumturisë. Ibrahimi (a.s.), pasi u gëzua me këtë gradë që ia dhuroi atij Zoti i gjithësisë, e dëshiroi atë edhe për pasardhësit e tij: - “Ai tha: “Edhe prej pasardhësve të mi (bëj të tillë) !”” - Pra, e kërkoi një gradë të tillë edhe për pasardhësit e tij, që të lumturoheshin më tepër edhe ai, edhe ata. Ky është një tregues tjetër i madhështisë së këtij Profeti, i cili kërkonte të mirën për njerëzimin, duke e dëshiruar me ngulm udhëzimin e tyre në rrugën e drejtë. Ai dëshironte që të shtoheshin të mirët dhe të udhëzuarit. I lavdëruar qoftë Allahu i Lartësuar, për këta njerëz që ka krijuar dhe për këta gjigandë që ka sjellë në jetë! Më pas, Allahu i Ditur dhe i Mëshirshëm i përgjigjet, duke thënë: - “Tha (Allahu): “Premtimin Tim nuk mund ta gëzojnë të padrejtët. ”” – Kuptimi: Statusin e udhëheqësit të botës dhe të udhëzuesit të saj në rrugën e drejtë nuk do ta meritojnë ata q ë janë të padrejtë, zullumqarë. Çdokush që e dëmton vetveten duke kryer padrejtësi, nuk ka për ta aritur kurrë atë gradë të lartë, sepse janë dy gjëra krejt të kundërta. Ajo mund të arrihet veçse me dy cilësi: me durim dhe me siguri. Durimi duhet për zbatimin e ligjeve hyjnore, ndërsa siguria, e cila ndërtohet mbi diturinë e vërtetë dhe të saktë, sjell qetësinë dhe shpresën e fortë në premtimin e Allahut. Kësisoj, kjo gradë kërkon besim të lartë, vepra të mira, cilësi të bukura të moralit, drejtësi, dashuri totale vetëm për të Madhëruarin, frikë nda j Tij dhe rendje pas çdo gjëje që e kënaq Atë. E si mund t'i afrohet kësaj grade, i padrejti ndaj vetvetes dhe ndaj gjithçkaje që e rrethon?! I padrejti as që mund ta mendojë këtë lloj nderimi. Nëse e shohim ajetin anasjelltas, kuptojmë se kush nuk është i padrejtë do ta arrijë këtë gradë. Me fjalë të tjera, pasojat kanë nevojë për shkaqet, dhe kjo gradë nuk mund të arrihet pa realizuar shkaqet që e sjellin atë. Pastaj Allahu i Lartësuar na sjell një shembull, që shpjegon përse Ibrahimi (a.s.) ishte prijësi i njerëzimit. Është pikërisht Shtëpia e Lashtë, Qabja, e cila u rindërtua nga Ibrahimi (a.s.). Vizita e saj përbën një nga shtyllat mbi të cilat ngrihet Islami dhe një nga mënyrat më të mira për fshirjen e gjynaheve dhe faljen e tyre nga Allahu i Lartësuar. Në të ndodhen gjurmët e të dashurit të Allahut, Ibrahimit (a.s.), dhe të pasardhësve të tij. Më tej, i Madhëruari thotë: - “Kujtoni kur Shtëpinë (Qaben) e bëmë vendtubimi për njerëzit dhe vendsigurie për ta (duke thënë):…” – Kuptimi: Allahu e bëri Qaben vendin ku vizitorët synojnë të arrijnë mirësitë e kësaj jete dhe të jetës tjetër, mirësitë për dynjanë dhe për fenë e tyre. Ata shkojnë dhe vijnë në të, dhe gjithmonë ndiejnë dëshirën dhe mallin për t'u kthyer tek ajo. Po ashtu, Allahu i Lartësuar e ka bërë atë një vend paqeje dhe prehjeje për të gjithë njerëzit që hyjnë në të. Ajo është e sigurt për të gjithë, madje edhe për kafshët e bimët. 3 Ajo ka qenë vend sigurie për të gjithë edhe në kohën para Islamit. Atëherë, për shembull, nëse dikush shihte vrasësin e babait të vet në atë vend, nuk e prekte me dorë dhe as nuk e kërcënonte, në shenjë nderimi për Shtëpinë e Lashtë. Ndërsa pas Islamit, ky nderim dhe kjo siguri u shtua edhe më shumë. Në përfundim, kjo Shtëpi është bërë vendi më i sigurt dhe më i nderuar në faqen e dheut. Allahu i Lartësuar na urdhëron që edhe ne ta adhurojmë Atë si një të vetëm duke pasuar gjurmët e Prijësit të njerëzimit, Ibrahimit (a.s.), kur thotë: - “Vendin ku qëndroi Ibrahimi bëjeni vend adhurimi!” – Togun: “ Meķâmi Ibrâhîme” (Vendin e Ibrahimit) mund ta kuptojmë në dy mënyra:
1. Ai mund të tregojë pikërisht vendin që kështu quhet edhe sot ( Meķâmi Ibrâhîme), i cili ndodhet përballë portës së Qabes. Në këtë mënyrë, urdhri i Allahut të Madhëruar mund të nënkuptojë faljen e dy rekatëve namaz, veprim që kryhet te ky vend i njohur, pasi ka përfunduar tavafi. Është e pëlqyeshme që këta dy rekatë të falen duke u vendosur në një pozicion të tillë, që Meķâmi Ibrâhîme të jetë mes personit që falet dhe Qabes. Të këtij mendimi janë shumica e shpjeguesve të Kur’ânit. 2. Por ka mundësi që me togun Meķâmi Ibrâhîme të jenë pasur për qëllim vendet ku Ibrahimi (a.s.) kreu adhurimet e tij gjatë haxhit, duke filluar nga tavafi, sa’ji, qëndrimi në Arafat, qëndrimi në Mu zdelife, gjuajtjet e gurëve, kurbani e rite të tjera të haxhit. Në këtë rast, fjala “ muŝal-lâ”, që në mendimin e mësipërm kishte kuptimin: “vendfalje e namazit”, tani do të kishte kuptim më të gjerë. Në mënyrë të përmbledhur, sipas mendimit të parë, fjala: “muŝal-lâ” domethënë: “vend për faljen e namazit”, ndërsa sipas mendimit të dytë: “vend ku kryhen adhurimet”. Gjithsesi, Allahu i Lartësuar në këtë ajet na urdhëron që, në të gjitha veprimet dhe adhurimet që kryhen gjatë haxhit, ne duhet të marrim si shembull Ibrahimin (a.s.). Ndoshta ky kuptim është më parësor për t’u marrë në konsideratë, sepse ai e përfshin edhe kuptimin e parë. - “Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: “Pastrojeni Shtëpinë Time (nga idhujt) për ata që bëjnë tauaf, për ata që qëndrojnë në të (për i'tikaf) dhe për ata që bien në ruku dhe në sexhde! ”” – Kështu, Allahu i Lartësuar u shpalli atyre të dyve urdhrin që ta pastronin Shtëpinë e Allahut nga idhujtaria, mohimi dhe poshtërsitë ndaj tij, por ta pastronin edhe nga gjërat e pista. Më pas, Allahu thotë: “…për ata që bëjnë tavaf”. Edhe pse namazi është më i miri ndër tri adhurimet e përmendura, Allahu i Lartësuar ka përmendur së pari tavafin, sepse ai nuk mund të bëhet gjetkë, por veçse në Qabe. Pastaj ka përmendur itikafin, i cili, gjithashtu, mund të bëhet veçse në xhami, dhe më pas e ka përmendur namazin, i cili mund të falet edhe diku tjetër. Pra, Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar dy profetët e Tij që ta pastronin Shtëpinë e Tij, me qëllim që ajo t'u shërbente të lartpërmendurve në mënyrat që i shtjelluam. Allahu i Lartësuar thotë: “Pastrojeni Shtëpinë Time”, duke e përcaktuar Qaben si Shtëpinë e Tij, për të treguar kështu shumë dobi dhe urtësi. Ky përcaktim, për shembull, do të bënte që Ibrahimi dhe Ismaili (a.s.) të tregonin një përkujdesje maksimale për pastrimin e saj. Ata do të derdhnin të gjitha energjitë e tyre për pastrimin e shtëpisë së Allahut. Ky përcaktim është një nderim i madh i kësaj Shtëpie. Kjo nënkupton që të gjithë duhet ta nderojnë dhe respektojnë këtë Shtëpi. Është pikërisht kjo përkatësi e Qabes shkaku i tërheqjes së habitshme drejt saj. Zemrat gjithmonë anojnë për nga ajo, duke qenë gjithnjë të përmalluara të shkojnë drejt saj: - “Dhe kujtoni kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Bëje këtë një qytet të sigurt! Furnizoji banorët e tij që besuan Allahun dhe jetën tjetër me fruta të shumëllojshme!”” - Kjo ishte lutja që Ibrahimi (a.s.) bëri për këtë vend. Ai u lut që Allahu i Lartësuar ta bënte atë një vend të sigurt dhe t'i furnizonte banorët e tij me lloje të shumta mirësish e frutash. Më pas, Ibrahimi (a.s.) e veçoi duanë për besimtarët, duke treguar në këtë mënyrë një edukatë të lartë ndaj Allahut të Lartësuar. Në fillim, Ibrahimi (a.s.) u lut për të gjithë pasardhësit e tij, por Allahu i Lartësuar ia kufizoi lutjen, duke përjashtuar të padrejtët. Ndërsa kur u lut për furnizimin e banorëve të Qabes, ai e kufizoi këtë lutje vetëm për besimtarët. Por dihet që furnizimi i Allahut është gjithëpërfshirës, si për qafirët, edhe për besimtarët, si për të bindurit dhe për të pabindurit. Prandaj i Madhëruari thotë: - “Ai (Allahu) tha: “Edhe atij që nuk beson, do t’ia mundësoj kënaqësinë e furnizimit Tim për një kohë të shkurtër.” - Kuptimi: Unë do t'i furnizoj të gjithë,
muslimanët dhe qafirët. Por muslimanët, furnizimin Tim do ta përdorin për punë të mira, për të adhuruar Allahun e Lartësuar. Dhe, në fund, ata do të kthehen për të shijuar mirësitë e Xhenetit. Ndërsa qafirët do të shijojnë mirësitë e Mia gjatë kësaj jete të shkurtër, por pastaj: - “Por, pastaj, do ta flak në dënimin e Zjarrit...”. - Do ta zhys atë me detyrim, duke e poshtëruar në një ndëshkim të madh, në zjarrin e Xhehenemit. - “Sa përfundim i shëmtuar është ai!” - Ky është përfundimi më i keq.