2. Bekare · Ajeti 136 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:135–2:145

"Ehli kitab" - ithtarë të librit, janë jehuditë dhe të krishterët, ngase Musai pati shpalljen e Zotit, Tevratin që quhet: "Dhjata e Vjetër" ose: "El Ahdu el kadim", e Isai Inxhilin, "Dhjata e Re" ose "El Ahdu el xhedid"' Kur'ani mposht të gjitha pretendimet e jehudive e të tjerëve se ndjekin fenë e Ibrahimit, pse feja e tij ishte Islame. Myslimanët janë të obliguar t'u besojnë të gjithë pejgamberëve që i dërgoi Zoti, qofshin beni israilë ose të tjerë, andaj feja e myslimanëve është fe me karakter unik ndaj të gjitha shpalljeve dhe ndaj të gjithë pejgamberëve. Është pra fe e natyrshme për çdo njeri, është stoli me të cilën Zoti pajisi çdo shpirt, është ngjyrë e pastër me të cilën Zoti i pastroi njerëzit, e jo vënie e njeriut në ujë, ose lyerje me vaj në shenjë pastrimi e që quhet kryqëzim.

Zoti është i të gjithëve, e jo vetëm i një populli. Ai dërgoi pejgamberë nga të gjithë njerëzit, e jo vetëm prej një kombi, andaj nuk duhet polemizuar rreth Tij.

I "Kible" i thuhet anës kah e cila orientohet dikush, e këtu është fjala për orientimin e atij që falet. Pasiqë shkoi Pejgamberi në Medinë nja 16-17 muaj u fal kah Bejtul Mukaddesi, xhamia në Jerusalem, sepse Qabja, përveç që ishte në duart e idhujtarëve, ishte e mbushur me plot idhuj, i megjithqë dëshira e Muhammedit ishte të kthehet drejt Qabes.

Para se të urdhërohet Muhammedi dhe myslimanët që gjatë faljes së namazit të kthehen kah Qabja, Kur'ani paralajmëron se disa të marrë do të përgojojnë këtë çështje, dhe me të vërtetë i u vërtetuan parashikimet e Kur'anit, sepse disa përgojues u përpoqën të mbjellin dyshim ndër i besimtarë për ata njerëz që ishin falur kah Kudsi dhe kishin vdekur pa u kthyer kah Qabja, se çka do të bëhet me besimin dhe faljen e tyre? Zoti shpalli në Kur'an se nuk u humb as besimin i as namazin e tyre. Pejgamberi dhe myslimanët u gëzuan shumë, kur pasoj urdhëri i Zotit që të kthehen kah Qabja, pse ishte edhe një paralajmërim e ajo do të kalojë me vonë në duart e myslimanëve siç edhe ngjau.

Ndryshimi i kibles ishte edhe një sprovë me anën e së cilës do të dalloheshin besimtarët e sinqert e të vendosur nga ata të luhatshmit, duke u pastruar radhët e tyre nga të dyshimtit, pra ashtu edhe ngjau. Muhammedit i thuhet që të mos brengoset për përgojimet rreth kibles, sepse jehuditë dhe krishterët, përveç që nuk do të kthehen kah kibla e myslimanëve, ata nuk do të kthehen as kah kibla e njëri-tjetrit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:136

Allahu i Madhëruar i udhëzon adhuruesit e Tij besimdrejtë që të besojnë Shpalljen që i dha Muhamedit në detaje, si edhe të besojnë edhe atë që i shpalli profetëve të shkuar, në mënyrë të përgjithshme. Pastaj Ai përmend në mënyrë të veçantë disa prej tyre dhe i lë të përgjithësuar të tjerët. Ai i urdhëron besimdrejtët që të mos bëjnë dallim mes profetëve, por t’i besojnë që të gjithë dhe të mos bëhen si ata për të cilët Allahu thotë: "Ata që e mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë (besimin në) Allahun nga (besimi në) profetët e Tij, duke thënë “Disa i besojmë e disa nuk i besojmë” dhe duan të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur një dënim poshtërues për mohuesit." [Nisa 150, 151]. Ebul Alije, El Rabia dhe Katadja kanë thënë se, "Esbatët" janë bijtë e Jakubit, 12 burra. Nga secili prej tyre lindën kombe të mëdhenj, që u quajtën Esbatë. Fjala Esbat nënkupton popujt e bijve të Izraelit dhe shpalljet që Allahu u dha përmes profetëve, që dolën nga mesi i tyre. Musai u tha: “O popull im, kujtoni mirësinë e Allahut ndaj jush, kur nga mesi juaj nxori profetë, ju bëri të jeni sundues (në Tokë) dhe ju dha atë që nuk i kishte dhënë asnjë populli (tjetër)." [Maide 20]. Ibn Ebu sjell me senedin e tij hadithin nga Meakil Ibn Jesari, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 136 . “Besoni Teuratin, Zeburin dhe Ungjillin, por të mjaftojë për ju Kur'ani!”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:136–2:138

- “Thoni: “Ne besojmë në Allahun,…” – Kjo fjali i përmbledh të gjitha çështjet e parimet që janë të detyrueshme të besohen. Iman-i është pranimi i plotë dhe i sigurt me zemër i themeleve të fesë, pranim i cili duhet të shfaqet në aktet e zemrës (si: frika,

shpresa dhe dashuria ndaj Allahut) dhe në veprimet konkrete të trupit. Kësisoj, zemra dhe gjymtyrët e njeriut duhet të sillen dhe punojnë të diktuara nga besimi. Sipas këtij përkufizmi, në iman hyjnë jo vetëm pesë shtyllat kryesore të Islamit, por edhe të gjitha veprat e mira, të cilat nxiten nga imani. Kështu, kur në Kur’ân dhe Sunet përmendet në një kontekst vetëm fjala ‘iman’ (e pashoqëruar me fjalën “Islam”), ajo nënkupton të gjitha ato që sapo i përmendëm. Po kështu thuhet edhe për fjalën ‘Islam’, e cila vërtet i nënkupton pesë shtyllat e njohura të fesë, që janë Shehadeti, falja e namazit, agjërimi i Ramazanit, dhënia e zekatit dhe kryerja e haxhit, por , kur ajo përmendet e vetme në kontekst, e pashoqëruar me fjalën “ iman”, atëherë ajo përfshin në kuptimin e saj edhe çështjet e imanit. Nga ana tjetër, nëse në një tekst të caktuar përmenden së bashku edhe fjala ‘Islam’, edhe fjala ‘ iman’, atëherë secila prej tyre shihet me kuptimin e vet specifik, domethënë: “Islami" nënkupton veprat të jashtme ose të dukshme, ndërsa "Imani" tregon pranimin me zemër të çështjeve themelore të fesë. Po kështu thuhet edhe kur në një tekst përmenden të shoqëruar bashkë termat ‘ Iman’ dhe ‘ vepra të mira’ , ku me “vepra të mira ”, nënkuptohen punët e dukshme, të shfaqura me gjymtyrë dhe me gjuhë. Më konkretisht, kur Allahu i Lartësuar thotë: “Thoni: “Ne besojmë…””, ky nuk është një urdhër për të thënë vetëm një fjalë goje, por është urdhër për të shprehur me fjalë diçka që është në përputhje të plotë me atë që ndien zemra. Fjalët duhet të jenë zëdhënëse të zemrës, dhe vetëm ato lloj fjalësh e meritojnë shpërblimin. Kurse fjalët që thuhen të pashoqëruara nga besimi me zemër, konsiderohen hipokrizi dhe kufër. Fjalët e thëna thjesht me gojë, duke mos u shoqëruar me akte zemre, kanë pak dobi dhe nuk janë ndikuese tek të tjerët. Megjithatë, njeriu mund të shpërblehet ndonjëherë për to, nëse janë fjalë të mira dhe nëse ai ka në zemër themelet e besimit. Kësisoj, ka një ndryshim shumë të madh mes një fjale të thënë me gojë, të pashoqëruar me akte zemre, dhe një fjale të thënë me gojë, të shoqëruar me akte zemre. Fjala e Allahut të Lartësuar: ‘ Ķûlû’ (Thoni…) tregon një urdhër, një nxitje për të ngritur zërin lart në shfaqjen haptazi të besimit të drejtë, në ushtrimin e tij dhe në ftesën e të tjerëve për ta pranuar dhe përqafuar të vërtetën, sepse besimi i drejtë është themeli i kësaj feje, mbi të cilin ajo ngrihet. Më tej, Allahu i Lartësuar na urdhëron të themi: “Ne besojmë…”. Edhe nga ky fragment mund të përfitojmë diçka shumë të vlefshme. Allahu i Lartësuar na urdhëron ta themi këtë fjalë jo në vetën e parë të numrit njëjës, por në shumës: “Ne besojmë…”. Kjo është një këshillë shumë e vlefshme, që na e dhuron Zoti ynë. Forma e saj na tregon se ne duhet të jemi si një trup i vetëm. Umeti duhet të bashkohet kur vjen çështja te besimi. Të gjithë duhet ta shtrëngojmë fort ‘litarin’ e Allahut dhe duhet të nxisim njëri tjetrin për bashkëpunim. Vetëm kur ne të mblidhemi rreth besimit të pastër dhe autentik, mund ta kemi të drejtën të themi: “Ne besojmë…”. Vetëm kur punët tona të synojnë kënaqësinë e Allahut dhe të jenë të mbështetura në fe, do të jemi një trup i vetëm, ku të gjithë thonë njëzëri: “Ne besojmë…”. Ky urdhër për bashkim dhe unitet përmban edhe ndalesën nga e kundërta e tij, që është përçarja dhe kundërshtimi mes njëri -tjetrit. Besimtarët duhet të jenë si një trup i vetëm, ku secili kujdeset për tërësinë e quajtur ‘umet’. Fjala e Allahut të Lartësuar: “Thoni: “Ne besojmë në Allahun…” dëshmon se lejohet të pohojmë dhe të deklarojmë për vetet tona që ne besojmë. Madje, kjo është e detyrueshme dhe nuk konsiderohet si mburrje, nga e cila jemi ndaluar. Ndërsa te deklarata tjetër: “Unë jam besimtar” vërehet një lloj lëvdimi i vetvetes, prandaj duhet që, pas saj, të themi: “Inshâ Allâh ” (Në dashtë Allahu). Pra, duhet të themi: “Unë jam besimtar, në dashtë Allahu”. Në këtë mënyrë, largohet

edhe ajo nuancë vetëmburrjeje që ndihet në këtë fjali. Po çfarë kuptimesh përmbledh në vetvete shprehja: “Ne besojmë në Allahun…”? Kjo shprehje do të thotë: Ne besojmë që Ai ekziston dhe është Një i vetëm e i Pashoq. Ne besojmë se Ai është absolut në të gjitha atributet e Tij dhe larg çdo mangësie apo dobësie. Allahu meriton të adhurohet i vetëm, me të gjitha llojet e adhurimit. Asnjë lloj adhurimi nuk lejohet t’i përkushtohet dikujt tjetër, veç Tij. - “…në atë që na u shpall neve” – Shpallja hyjnore, të cilën jemi të detyruar ta besojmë, përfshin në kuptimin e saj jo vetëm Kur’ânin, por dhe Sunetin e Profetit (a.s.), sikurse thotë Allahu i Lartësuar në suren Nisa: “Dhe Allahu të shpalli ty Librin (Kur’ânin) dhe Urtësinë (Sunetin).” Kështu, Allahu i Lartësuar na urdhëron që të deklarojmë besimin në gjithçka që përmban Libri i Allahut dhe Tradita profetike, duke filluar nga cilësitë e Krijuesit, cilësitë e profetëve të Tij, e duke vazhduar me lajmet rreth Ditës së Gjykimit, përshkrimet e ngjarjeve të së kaluarës dhe të së ardhmes, e pastaj me dispozitat ligjore, të cilat vijnë nga urdhrat e Krijuesit dhe nga ndalesat e Tij. Kur’âni dhe Suneti përmbajnë gjithashtu përshkrime të dënimit dhe të shpërblimit në ahiret, por edhe shumë e shumë gjëra të tjera, të cilat duhen besuar në mënyrën që u tha më sipër, pra: duke i besuar me zemër, duke i deklaruar me gojë, duke i zbatuar në jetë dhe duke i ftuar të tjerët në të. - “…dhe në atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (dymbëdhjetë bijve të Jakubit) dhe në atë që iu dha Musait e Isait …” – Pra, ne jemi urdhëruar të deklarojmë hapur edhe besimin në të dërguarit e Zotit dhe në të tëra shpalljet hynore në përgjithësi. Ne i besojmë të gjithë profetët përgjithësisht, por në mënyrë të veçantë duhet të besojmë profetët e cilësuar në këtë ajet, sepse ata u pajisën nga Zoti i tyre me ligjet më të urta e të mrekullueshme. - “Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre” – Pra, ne i besojmë të gjithë profetët, sepse ata kanë qenë të gjithë prej Allahut të Lartësuar. Ky element është ai që i karakterizon muslimanët dhe i dallon ata nga të tjerët, si: çifutët, të krishterët, sabijinët etj., të cilët, duke mëtuar që besojnë librat dhe profetët e tyre, ata mohojnë të tjerët, duke bërë, në këtë mënyrë, dallim mes të dërguarve të Allahut. Ata bëjnë dallime mes profetëve dhe shpalljeve të Allahut, duke pranuar disa prej tyre dhe duke mohuar disa të tjera. Këto veprime të tyre e hedhin poshtë pretendimin se ata i besojnë librat dhe profetët e Zotit. Madje, edhe vetë Profeti të cilin ata pretendojnë se e besojnë dhe e ndjekin, edhe ai vetë i ka besuar dhe pranuar të gjithë të dërguarit e Zotit dhe, në mënyrë të veçantë, të Dërguarin e fundit, Muhamedin (a.s.). Kështu ata, duke mohuar dhe duke mos besuar Muhamedin (a.s.), kanë mohuar edhe Profetin e tyre, i cili i ka lajmëruar qartë rreth tij. - “…dhe në gjithçka që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre ” - Dhurata e

përmendur këtu është feja që iu dha profetëve nga Zoti i tyre. Kjo është dhurata më e madhe, që garanton lumturinë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne të besojmë dhe të pasojmë diturinë e dobishme dhe mirësitë me të cilat Ai i pajisi profetët. Ai na urdhëron që të besojmë dhe të pasojmë dhuratën më madhështore që u bëri atyre, Shpalljen hyjnore. Gjithashtu, nga ky fragment kuptojmë se profetët janë veçse përçues të qartë të mesazhit të Zotit, e asgjë më tepër. Ata nuk kanë në dorë asnjë mundësi që t’i bëjnë dobi dikujt, sepse gjithçka është në dorën e Krijuesit. Pjesa: “…nga Zoti i tyre” tregon se Allahu i Lartësuar është absolut në rububije-n e Tij (pra, në pozitën e Tij si Zot, Krijues dhe Kujdestar i krijesave të Tij). Në rububije-n e Tij përfshihet edhe shpallja e librave dhe dërgimi i profetëve, sepse Ai nuk do ta lejonte kurrë lënien e krijesave në çoroditje, pa orientim dhe pa ditur se ku shkojnë dhe si jetojnë. Ky fragment tregon edhe dallimin e qartë mes profetëve të vërtetë dhe profetëve të rremë, sepse ajo që u është dhënë profetëve është “…nga Zoti i tyre”. Mjafton të shohësh me vëmendje se çfarë kanë thënë ata dhe se për çfarë i kanë ftuar njerëzit, për të kuptuar ndryshimin mes tyre. Profetët e Zotit kanë ftuar veçse në ato gjëra që janë të mira dhe të dobishme dhe kanë ndaluar veçse nga ato gjëra që janë të këqija dhe të dëmshme. Secili prej tyre ka pranuar dhe miratuar profetët e tjerë të Zotit, duke dëshmuar për vërtetësinë e tyre. Mes mësimeve të tyre nuk ka ndryshime dhe kundërshtime esenciale, sepse të gjitha ato kanë patur një burim të vetëm, Zotin e botëve. I Lartësuari thotë: “Sikur Shpallja të ishte prej dikujt tjetër veç Allahut, do të gjeje në të kundërshti të shumta”. [Nisa 82]. Ndërsa ata që hiqen si profetë të Zotit, janë kontradiktorë në ato që thonë. Ata kundërshtojnë profetët e tjerë, madje edhe vetveten, në mesazhet që sjellin dhe në dispozitat që ligjërojnë. Urdhrat dhe ndalesat e tyre janë larg Ligjit të përhershëm të Zotit. Këtë mund ta kuptojë shumë thjesht çdokush që lexon fjalët e të gjithë profetëve, kumtet e tyre dhe dispozitat ligjore që ata kanë sjellë. Pasi sqarohet se çfarë duhet besuar në mënyrë të përgjithshme dhe çfarë duhet besuar në mënyrë të shtjelluar, ajeti vijon me një thënie tjetër, e cila nënkupton se, përveç besimit, të cilin duhet ta shfaqim dhe ta deklarojmë, duhet që edhe të punojmë sipas rrugës që kushtëzon ky besim: - “Ne vetëm Atij i jemi nënshtruar.” – Pra, nuk mjafton vetëm besimi, por duhet deklaruar edhe nënshtrimi i plotë ndaj Allahut të madhëruar me vepra, sipas rrugës që na udhëzon besimi. Pra, thoni: Ne vetëm ndaj Tij jemi të nënshtruar, vetëm para madhështisë së Tij dhe duke adhuruar vetëm Atë. Ne e adhurojmë Atë me adhurime të shfaqura e të dukshme dhe me adhurime të fshehura e të padukshme. Në fakt, Allahu i Lartësuar nuk ka thënë: “Ne i jemi nënshtruar Atij” (Ue naĥnu muslimûne lehû), por ka thënë me rend të ndryshëm të fjalëve: “Ne Atij i jemi nënshtruar” ( Ue naĥnu lehû muslimûn ), pra, ndaj askujt tjetër veç Tij. Kjo ka kuptimin: Ne jemi të sinqertë në adhurimin tonë ndaj Tij dhe nuk adhurojmë asnjë tjetër veç Tij. Ky ajet, edhe pse i shkurtër, përmban në vetvete shumë mësime dhe këshilla. Kështu, së pari, ai nxit për njësimin e Allahut me të trija llojet e teuhidit: rububije, uluhije dhe esma ue sif at. Së dyti, ajeti nxit për të besuar të gjithë profetët dhe të gjitha shpalljet e Allahut, por në mënyrë të veçantë ata profetë që përmenden aty dhe shpalljet që u zbritën atyre. Ky veçim i tyre në ajet tregon për rëndësinë e madhe të tyre. Besimi i tyre duhet të jetë patjetër me zemër dhe i shprehur me gojë e me gjymtyrë. Me fjalë të tjera, ajeti nxit për të qenë të sinqertë në këtë besim dhe në veprat që duhen kryer. Së treti, ajeti tregon kriterin për të dalluar profetët e vërtetë të Allahut nga profetët e rremë. Së katërti, ai tregon mëshirën e Allahut të Lartësuar, i Cili i mëson adhuruesit e Tij se si të shprehen drejt, për

të shfaqur besimin e tyre. Së pesti, në këtë ajet shfaqen dhuratat dhe mirësitë e mëdha të Tij në sqarimin e fesë së drejtë, e cila i udhëzon adhuruesit e Tij drejt lumturisë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. I lavdëruar qoftë Allahu i Lartësuar, që në Librin e Tij ka sqaruar gjithçka dhe që e solli atë si udhëzim dhe si mëshirë për ata që besojnë sinqerisht tek Ai! - “Kështu, nëse ata do të besojnë siç besoni ju, …” – Kuptimi: Nëse ithtarët e Librit do të besonin në të njëjtën mënyrë siç besuat edhe ju, ata do të ishin të udhëzuar drejt. Nëse ata do të besonin të gjithë profetët, të gjithë librat e Zotit dhe, në mënyrë të veçantë, sikur të besonin Muhamedin (a.s.) dhe Kur’ânin; pra, nëse ata do t'i dorëzoheshin dhe nënshtroheshin vetëm Allahut, Një të vetëm dhe të Pashoq dhe nuk do të bënin asnjë dallim mes profetëve të Allahut, atëherë për ta do të thuhej me të drejtë se: - “…atëherë do të jenë në rrugën e drejtë.” – Pra, do të konsideroheshin të udhëzuar në rrugën e drejtë. Vetëm kjo është rruga që të çon në Kopshtet e mirësive. Me fjalë të tjera, ata nuk kanë asnjë mundësi tjetër të gjejnë udhën e saktë, përveçse duke ndjekur mënyrën e besimit që ka umeti i fundit (muslimanët). Ata thonë: “Bëhuni çifutë ose të krishterë, që të gjeni rrugën e drejtë!”. Por ky pretendim hidhet poshtë, sepse ‘udhëzim’ quhet vetëm pranimi i dijes së saktë, të vërtetë dhe të sigurt, i shoqëruar me punën sipas asaj që ajo dikton. Kësisoj, e kundërta e udhëzimit shfaqet në dy forma: me mospranim të dijes së saktë, të vërtetë dhe të sigurt, dhe me moszbatim të asaj çfarë dikton kjo dije e saktë. Këto janë dhe shkaqet e fjalëve dhe veprave të tyre kontradiktore. Ata gjithmonë janë në kundërshti me njëri tjetrin, madje edhe me vetveten. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: - “Por nëse refuzojnë, atëherë ata gjithmonë do të jenë kundërshtarë. ”. - Nëse ata i kthejnë shpinën udhëzimit, me të dyja mënyrat e lartpërmendura, atëherë ata do të jenë gjithnjë të zhytur në kontradikta pa fund e pa krye. - “ata gjithmonë do të jenë kundërshtarë” - Domethënë, do të jenë kundër së vërtetës, kundër Allahut dhe kundër Profetit të Tij. Ky lloj pozicionimi i tyre shoqërohet gjithmonë me një armiqësi të ashpër, e cila i nxit ata vazhdimisht që të tallen me figurën e Profetit (s.a.u.s.). Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar premton se do ta ruajë Profetin dhe figurën e tij të nderuar, të respektuar e të dashur. - “Por Allahu ju mjafton kundër tyre. Ai dëgjon dhe di gjithçka. ” – Pra, Allahu i Lartësuar do të jetë i mjaftueshëm kundër çdo përpjekjeje të tyre për të ulur figurën e Profetit, të nxitur nga pozicionimi i tyre i keq, në anën e kundërt të udhëzimit. Allahu i Lartësuar është i mjaftueshëm, sepse Ai është El semiu Gjithëd ëgjuesi, që dëgjon të gjitha zërat e krijesave, në çfarëdo gjuhe të thuhen, për të gjitha nevojat që paraqesin, dhe Ai është El alimu i Gjithëdituri, që di gjithçka: të fshehtat dhe të shfaqurat. Në fakt, Allahu i Lartësuar e mbajti premtimin e Tij dhe e ndihmoi Profetin e Tij kundër çdo armiku që qëndronte me palën tjetër. Shumë prej tyre u vranë dhe shumë u dëbuan. Secili mori atë që meritonte. Kjo është një mrekulli e Kur’ânit, sepse Allahu i Lartësuar ka lajmëruar për diçka para se ajo të ndodhte, dhe ngjarja ka ndodhur pikërisht ashtu sikurse është paralajmëruar. - “Kjo (fe) është ngjyra e Allahut.” - Kuptimi: Qëndrojini besnikë “ngjyrës” së Allahut, domethënë fesë së Tij. Jepini përkujdesjen maksimale kësaj feje, duke zbatuar gjithçka që ajo udhëzon, sepse ajo zbukuron pamjen tuaj të jashtme dhe të brendshme. Besojini të gjitha çështjet e fesë dhe zbatojini ato gjithmonë, derisa feja t’ju bëhet si “ngjyra” juaj. Vetëm duke qenë si ngjyrë apo natyrë e juaja, kjo fe do t’ju udhëzojë dhe do t’ju nxisë që t’i nënshtroheni urdhrave dhe dispozitave të saj. Ju duhet t'i zbatoni dispozitat e Allahut me vullnet të lirë, të bindur, të nënshtruar dhe të kënaqur, duke qenë të prirur dhe të

motivuar nga dashuria për Të. Nëse ndodh kështu, atëherë feja është kthyer për ju në natyrën tuaj, e cila do t'ju udhëzojë ju drejt lumturisë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. E si mund të ndodhë ndryshe me një njeri, natyra e të cilit e nxit atë që të shfaqë moralet dhe cilësitë më të larta dhe të kryejë veprat më të pastra dhe më të nderuara? Më pas, vjen kjo pyetje, e cila habit çdo mendjendritur që e merr në konsideratë: - “E kush jep ngjyrë më të mirë se Allahu?! Ne jemi adhurues të Tij” – Pra, nuk ka “ngjyrë” më të mirë se ajo që ju jep Allahu i Lartësuar, domethënë nuk ka cilësi më të mira, sesa cilësitë që fal Allahu i Lartësuar. Nëse do të njohësh cilësitë me të cilat Allahu i Madhëruar i pajis adhuruesit e Tij, dhe të bësh dallimin mes tyre dhe cilësive të tjetërkujt, mjafton të krahasosh të bukurën me të kundërtën e saj. Po ashtu, vështroni një adhurues të sinqertë të Allahut, që e beson Zotin e tij me një iman të saktë. Ju do të shihni se ky iman ka lënë shenja të dukshme në qenien e këtij adhuruesi, pasi zemra e tij i është nënshtruar totalisht Allahut, kurse gjymtyrët i punojnë vazhdimisht për të kënaqur Krijuesin. Ai stoliset gjithnjë e më shumë me cilësi dhe sjellje të bukura, nga njëra anë dhe largohet nga çdo cilësi e shëmtuar dhe e mangët, nga ana tjetër. Përshkrimi i tij është: i sinqertë në fjalët që thotë dhe në veprat që bën, i durueshëm, tolerant, i vetëpërmbajtur, i ndershëm, guximtar, fjalëartë dhe punëmirë. Atë e karakterizon dashuria e fortë për Allahun e Lartësuar dhe frikërespekti ndaj Tij. Udhërrëfyesit e këtij njeriu janë gjithmonë frika dhe shpresa ndaj të Adhuruarit, ndërsa bashkudhëtarë të tij janë sinqeriteti ndaj të Adhuruarit dhe bamirësia ndaj krijesave. Nga ana tjetër, vështro një njeri që mohon Zotin e Tij dhe endet larg Tij. Ai u drejtohet krijesave, në vend që t'i drejtohet Krijuesit. Ky njeri është i mveshur me cilësitë më të shëmtuara, si: kufri, idhujtaria, mashtrimi, tradhëtia, pabesia dhe pandershmëria. Ai është keqbërës ndaj krijesave, me fjalët dhe me punët e tij. Ai nuk njeh as sinqeritet ndaj Krijuesit dhe as bamirësi ndaj krijesave. Duke krahasuar këto dy raste, mund të kuptojmë ndryshimin mes cilësive që jep Allahu i Lartësuar dhe cilësive që ofrojnë të tjerët. Është e qartë: “ngjyra” që jep feja e Allahut është e pakrahasueshme dhe e paarritshme nga ndonjë fe tjetër. Madje, nuk ka cilësi me të poshtra sesa ato që formon çdo fe tjetër, veç fesë së Allahut të Lartësuar. Më pas, i Madhëruari tregon shkakun e dhënies së këtij “ngjyrimi”: - “Ne jemi adhurues vetëm të Tij.” – Domethënë, kjo natyrë ndërtohet mbi dy shtylla, të cilat i përmban në vetvete kuptimi i fjalës “adhurim”. Shtyllën e parë e përbën çdo fjalë apo vepër, e shfaqur apo e fshehur, të cilën Allahu i Lartësuar e do dhe është i kënaqur me të dhe e cila mund të jetë e tillë veçse nëse është Allahu i Lartësuar Ai që e ka ligjëruar atë, nëpërmjet Profetit të Tij. Pra, është e domosdoshme që, për një adhurim të caktuar, të kemi argument nga Allahu i Lartësuar dhe profetët e Tij, sepse përndryshe ai nuk quhet adhurim. Kjo është shtylla e parë, mbi të cilën krijohet “ngjyra që jep Allahu”, domethënë: adhurimi i mbështetur në fe. Ndërsa shtylla e dytë është sinqeriteti në adhurim. Pra, nuk mjafton vetëm adhurimi i mbështetur në fe, nëse ai nuk kryhet me sinqeritet vetëm për hir të Allahut të Lartësuar. Po si kuptohet ky kusht i dytë nga fragmenti i mësipërm? Në ajet thuhet (në arabisht): Lehû âbidûn (Fjalë për fjalë: “Jemi vetëm të Tij adhurues”), dhe nuk thuhet: “ Abidûne lehû” (Jemi adhurues të Tij). Domethënë, gjymtyrët e fjalisë nuk janë në rendin e tyre të zakonshëm. Me ndryshimin e rendit, theksohet që adhurimi i përket vetëm Allahut, ndërsa rendi normal i fjalëve lë hapësirë në domethënie, duke u kuptuar ndoshta që: përveç Tij, ata të mund të adhuronin edhe ndonjë tjetër. Ky është pikërisht treguesi i kushtëzimit të sinqeritetit në adhurim. Kjo fjali përmban edhe diçka tjetër shumë të bukur. Në të është përdorur emri foljor “ âbidûn”

(adhurues), dhe nuk është përdorur folja “adhuroj”. Në gjuhën arabe, emri foljor tregon vazhdimësinë dhe qëndrueshmërinë e veprimit të foljes nga e cila ai rrjedh. Kjo tregon që, cilësitë që të fal feja e Allahut të Lartësuar janë të qëndrueshme ose të pandryshueshme dhe, më konkretisht, adhurimi është bërë cilësi e pandashme e këtyre besimtarëve.

← Bekare 2:136