2. Bekare · Ajeti 139 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:135–2:145
"Ehli kitab" - ithtarë të librit, janë jehuditë dhe të krishterët, ngase Musai pati shpalljen e Zotit, Tevratin që quhet: "Dhjata e Vjetër" ose: "El Ahdu el kadim", e Isai Inxhilin, "Dhjata e Re" ose "El Ahdu el xhedid"' Kur'ani mposht të gjitha pretendimet e jehudive e të tjerëve se ndjekin fenë e Ibrahimit, pse feja e tij ishte Islame. Myslimanët janë të obliguar t'u besojnë të gjithë pejgamberëve që i dërgoi Zoti, qofshin beni israilë ose të tjerë, andaj feja e myslimanëve është fe me karakter unik ndaj të gjitha shpalljeve dhe ndaj të gjithë pejgamberëve. Është pra fe e natyrshme për çdo njeri, është stoli me të cilën Zoti pajisi çdo shpirt, është ngjyrë e pastër me të cilën Zoti i pastroi njerëzit, e jo vënie e njeriut në ujë, ose lyerje me vaj në shenjë pastrimi e që quhet kryqëzim.
Zoti është i të gjithëve, e jo vetëm i një populli. Ai dërgoi pejgamberë nga të gjithë njerëzit, e jo vetëm prej një kombi, andaj nuk duhet polemizuar rreth Tij.
I "Kible" i thuhet anës kah e cila orientohet dikush, e këtu është fjala për orientimin e atij që falet. Pasiqë shkoi Pejgamberi në Medinë nja 16-17 muaj u fal kah Bejtul Mukaddesi, xhamia në Jerusalem, sepse Qabja, përveç që ishte në duart e idhujtarëve, ishte e mbushur me plot idhuj, i megjithqë dëshira e Muhammedit ishte të kthehet drejt Qabes.
Para se të urdhërohet Muhammedi dhe myslimanët që gjatë faljes së namazit të kthehen kah Qabja, Kur'ani paralajmëron se disa të marrë do të përgojojnë këtë çështje, dhe me të vërtetë i u vërtetuan parashikimet e Kur'anit, sepse disa përgojues u përpoqën të mbjellin dyshim ndër i besimtarë për ata njerëz që ishin falur kah Kudsi dhe kishin vdekur pa u kthyer kah Qabja, se çka do të bëhet me besimin dhe faljen e tyre? Zoti shpalli në Kur'an se nuk u humb as besimin i as namazin e tyre. Pejgamberi dhe myslimanët u gëzuan shumë, kur pasoj urdhëri i Zotit që të kthehen kah Qabja, pse ishte edhe një paralajmërim e ajo do të kalojë me vonë në duart e myslimanëve siç edhe ngjau.
Ndryshimi i kibles ishte edhe një sprovë me anën e së cilës do të dalloheshin besimtarët e sinqert e të vendosur nga ata të luhatshmit, duke u pastruar radhët e tyre nga të dyshimtit, pra ashtu edhe ngjau. Muhammedit i thuhet që të mos brengoset për përgojimet rreth kibles, sepse jehuditë dhe krishterët, përveç që nuk do të kthehen kah kibla e myslimanëve, ata nuk do të kthehen as kah kibla e njëri-tjetrit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:139–2:141
Allahu i Madhëruar e udhëzon profetin e Tij në mënyrën se si të polemizojë e diskutojë me idhujtarët. - Thuaju: “A kërkoni të polemizoni me ne për Allahun, kur Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj?! - Pra, për çfarë po polemizoni dhe po më kundërshtoni? Mos vallë, për faktin se ne e njësojmë Allahun dhe e adhurojmë si një të vetëm, duke iu nënshtruar e zbatuar urdhëresat e Tij e duke lënë ndalesat e Tij?! Por kjo është rruga jonë, sepse "Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj." Allahu është i vetmi që vepron dhe administron çështjet tona dhe, si i tillë, është i vetmi që meriton adhurimet tona. - Ne përgjigjemi për veprat tona, e ju përgjigjeni për veprat tuaja. - Ne distancohemi nga ju dhe ajo që ju adhuroni. Edhe ju jeni larg Atij që ne adhurojmë. - Ne vetëm Atij ia përkushtojmë adhurimet tona. - Dijeni se rruga jonë është sinqeritet i plotë vetëm për adhurimin e Allahut. Vetëm Atij i drejtohemi e nënshtrohemi dhe vetëm Atë e adhurojmë. Në vijim, Allahu i Madhëruar ua hedh poshtë pretendimin se Ibrahimi e profetët e tjerë të përmendur pas tij, ishin pasues të fesë së jehudëve apo të krishterëve. Ai tha: - A po thoni se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe Esbatët kanë qenë çifutë ose të krishterë?” Thuaju: “A jeni ju më të ditur apo Allahu? - E pra Allahu është më i ditur dhe Ai na ka njoftuar se ata nuk ishin as jehudë e as krishterë. - E ku ka më të padrejtë se ata që e fshehin të vërtetën që u është dhënë prej Allahut?! - Hasan el Basriu ka thënë: “Ata e kishin lexuar në Librin e Allahut, që iu dha atyre, se feja e Allahut është Islami, se Muhamedi është Profet i Allahut dhe se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe Esbatët ishin larg Jehudizmit e Krishtërimit. Ata ishin dëshmitarë për këtë para Zotit dhe e pranuan këtë fakt, por pavarësisht nga kjo, e fshehën dëshminë e tyre. Megjithatë, dëshmia e tyre mbetet tek Allahu. - Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju”. - Ky është një kërcënim e qortim i frikshëm. Allahu u kujton se Ai është i Gjithëdituri, që ka për t’i shpërblyer për çdo veprim të tyre. - Ai ishte një popull që shkoi. Atyre u takon ajo që fituan dhe juve ju takon ajo që keni fituar. - Ata ishin një popull i së shkuarës. Ju keni veprat tuaja dhe ata kanë punët e tyre. - Ju nuk jeni përgjegjës për gjërat që kanë bërë ata. - Nuk ka për t’ju sjellë asnjë dobi përkatësia dhe lidhja me ta, nëse nuk pasoni rrugën e tyre. E vetmja mënyrë shpëtimi është që të nënshtroheni njëlloj si ata, në lidhje me zbatimin e urdhëresave dhe në pasimin e udhës së profetëve, të cilët u dërguan përgëzues e qortues, e në mënyrë të veçantë e të theksuar, në pasimin e vulës së të gjithë profetëve, Muhamedit, - paqja e bekimet e Zotit qofshin me të dhe të gjithë të dërguarit!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:139–2:141
- “Thuaju: “A kërkoni të polemizoni me ne për Allahun” - Polemika ( el meĥâxhxhetu) është një diskutim që zhvillohet mes dy palëve, për çështje mbi të cilat ata kanë mendime të ndryshme. Secila palë synon që të vërtetojë tezën e vet dhe të hedhë poshtë tezën e tjetrit, duke bërë maksimumin në grumbullimin e argumenteve dhe në trajtimin e tyre. Është e domosdoshme që polemika të zhvillohet në mënyrën më të mirë dhe më paqësore. Gjatë saj, duhet synuar ndjekja e rrugës më të shkurtër për të hedhur poshtë qëndrimin e gabuar dhe për ta udhëzuar palën tjetër në qëndrimin e saktë. Polemikat kanë edhe një qëllim tjetër. Nëpërmjet tyre, u shpalosen faktet kryeneçëve, të cilët, me polemikat e tyre, nuk kanë për qëllim të zbulojnë të vërtetën, dhe kështu atyre u hiqet mundësia për t’u justifikuar para Krijuesit. Ata nuk do të mund të thonë se nuk e dinin. Polemikë e frytshme dhe e dobishme është ajo nëpërmjet së cilës kërkohet qartësimi i së vërtetës dhe hedhja poshtë e të gabuarës. Ndërsa çdo polemikë që nuk e ka këtë qëllim, është thjesht tregues mendjemadhësie dhe dëshire për të shfaqur vetveten. Të tilla polemika nuk kanë mirësi, por ato sjellin veçse të këqija. Ithtarët e Librit pretendonin se ishin të përzgjedhurit e Zotit. Ata thonin se askush tjetër nuk i meritonte mirësitë e Zotit, pasi ata ishin të zgjedhurit e Tij, por Allahu i Lartësuar sqaron se ky qe një pretendim i kotë dhe i pabazuar. - “…kur Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj?!” – Pra, nëse Zoti i të gjithëve është vetëm një, atëherë çfarë argumenti keni ju për të vërtetuar se Ai është vetëm Zoti juaj? A keni fakte që tregojnë se Ai përkujdeset veçse për ju? E vërteta është se të gjithë jemi të barabartë para Tij. Ndryshimi qëndron vetëm në veprat që ne bëjmë për Të. - “Ne përgjigjemi për veprat tona, e ju përgjigjeni për veprat tuaja. ” – Domethënë, secili prej nesh kryen punë me të cilat dallohet prej tjetrit. Allahu i Lartësuar i sheh veprat e secilës palë, ndërkohë që të dyja palët janë të barabarta para Zotit, përsa i përket llogaritjes së këtyre veprave. Të dyja palët kanë një Zot të vetëm dhe të dyja ato kryejnë punë, nëpërmjet të cilave kërkojnë të afrohen te Zoti i tyre. Atëherë, ku qëndron ndryshimi mes dy grupeve? Ata që mëtojnë se ka ndryshim, duhet të sjellin argumente, ose, në të kundërt, kemi të bëjmë vetëm me një tezë të pavërtetu ar, e cila nuk meriton vëmendje. Në fakt, ajo është veçse shprehje e mendjemadhësisë së tyre. I vetmi kriter dallues mes krijesave është sinqeriteti që ato tregojnë në adhurimin e Zotit të tyre. Të zgjedhurit e Zotit janë vetëm ata që pasojnë mësimet e vërteta të Tij dhe që e adhurojnë Atë si një të vetëm, me mënyrën që Ai e ka sqaruar nëpërmjet Profetit të Tij. I
Lartësuari e tregon këtë cilësi të të përzgjedhurve, kur thotë: - “Ne vetëm Atij ia përkushtojmë adhurimet tona. ” – Të tillë janë të përzgjedhurit e Zotit. Ky është dallimi mes miqve të Rrahmanit dhe miqve të Shejtanit: sinqeriteti. Në varësi të kësaj vetie zhvillohen cilësitë e tjera të të dyja grupeve. Secila palë duket nga veprat që kryen. Siç u tha më lart, në këtë ajet jepet një mësim i mirë për metodën se si duhet të zhvillohet një polemikë. Kështu, gjatë saj, është e këshillueshme që të nxirren të përbashkëtat dhe të kundërtat e diskutuesve. Në këtë mënyrë, do të arrihet që, për të përbashkëtat, të bihet dakord, ndërsa për të kundërtat do të diskutohet me argumente të shëndosha, derisa të gjendet zgjidhja e duhur dhe e vërteta. - “A po thoni se Ibrahimi, Ismaili, Is’haku, Jakubi dhe Esbatët kan ë qenë çifutë ose të krishterë? ” - Ky qe një tjetër pretendim i tyre. Ata tho shin se të gjithë këta profetë kanë qenë predikues të fesë së tyre. Allahu i Lartësuar e hedh poshtë këtë pretendim të gënjeshtërt, duke thënë: - “Thuaju: “A jeni ju më të ditur apo Allahu?” - Allahu i Lartësuar thotë në suren Al Imran, ajetet 64 -67: “ Thuaju: “O ithtarë të Librit! Ejani në një fjalë të përbashkët, mes nesh dhe mes jush: “Të mos adhurojmë asnjë tjetër, përveç Allahut e të mos i bëjmë Atij shok në adhurim! Të mos e konsiderojmë njëri -tjetrin si zota përveç Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, thuaju: “Dëshmoni se ne jemi muslimanë (të nënshtruar ndaj Tij) !” O ithtarë të Librit! Pse po polemizoni me ne rreth Ibrahimit, kur Teurati dhe Ungjilli janë shpallur pas tij?! A nuk e kuptoni? Ja, ju polemizoni për atë që keni njëfarë njohurie. Po përse polemizoni për atë për të cilën s’keni kurrfarë dijenie? Është vetëm Allahu Ai që e di (dhe e shpall) të vërtetën, kurse ju nuk e dini. Ibrahimi nuk ishte as çifut, as i krishterë, por ai ishte në besimin e vërtetë (në një Zot të vetëm) . Ai ishte musliman (i nënshtruar ndaj Zotit) dhe nuk ishte idhujtar. ”Kurse ata tho shin që Ibrahimi ishte çifut ose i krishterë. E kështu, të drejtë kishin ose ata, ose Allahu i Lartësuar; nuk ka mundësi të tretë për këtë çështje. Atëherë, përgjigjja është aq e qartë dhe e sigurt, saqë është e panevojshme të citohet. Kjo është njëlloj si t’i përgjigjesh pyetjes: “Nata është më e shndritshme apo dita?” Ose: “Më i nxehtë është zjarri apo uji?” Ose: "Idhujtaria është më e mirë apo teuhidi?". Përgjigjja e këtyre pyetjeve është, pra, shumë e qartë dhe e sigurt. Edhe ata vetë e dinin shumë mirë se Ibrahimi dhe të gjithë profetët që ata numëruan, nuk ishin as çifutë, as krishterë. Por, pavarësisht nga kjo, ata e fshehën këtë fakt të vërtetë, që është si drita e diellit. Prandaj i Lartësuari thotë më tej: - “E ku ka më të padrejtë se ata që e fshehin të vërtetën që u është dhënë prej Allahut?!”-E vërteta e pakundërshtueshme gjendej mes librave të dhënë prej Zotit. Ata duhej ta respektonin këtë të vërtetë dhe ta nxirrnin në pah atë. Por ata, jo vetëm që e fshehën, por vazhdojnë të mbrojnë me forcë të kundërtën e saj. Krimi i tyre ishte i shumëfishtë, sepse ata: - Së pari, e fshehën të vërtetën, duke mos u folur njerëzve rreth saj. - Së dyti, shfaqën të kundërtën e të vërtetës, domethënë mashtrimin. - Së treti, ata i ftonin të tjerët që ta besonin mashtrimin si të vërtetë, duke i penguar në këtë mënyrë ata prej së vërtetës së sigurt prej Zotit. Kjo është padrejtësia më e madhe që mund t’u bëhet krijesave. Për këtë arsye, ata do të meritojnë ndëshkimin, siç thotë i Lartësuari: - “Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju ”. – Kuptimi: Ai e ka ruajtur me saktësi çdo vepër të tyren dhe e ka bërë gati “shpërblimin” për ta. Ndëshkimi më i rëndë është ai i përgatitur për krimet e tyre. Zjarri është vendi më i keq dhe më i tmerrshëm që është përgatitur për të padrejtët dhe mizorët. Ky është stili i mrekullueshëm i Kur’ânit, që, pasi përmend veprat e krijesave të cilat kërkojnë shpagim
të merituar, vijon menjëherë të tregojë dy cilësi të Krijuesit: dijen dhe pushtetin e Tij për gjithçka. Kjo mënyrë nxit shpresën, por edhe frikën. Ajo nxit dëshirën për të bërë vepra të mira dhe për t'iu larguar veprave të këqija. Përmendja e këtyre cilësive është tregues edhe për diçka tjetër: çdo dispozitë e ligjëruar prej Zotit dhe çdo shpërblim për to në dynja dhe në ahiret, vjen si rrjedhojë e emrave, cilësive dhe veprave të Zotit. Me fjalë të tjera, emrat, cilësitë dhe veprat e të Madhërishmit nënkuptojnë që duhet të ekzistojnë si dispozitat e sjella në këtë jetë prej Krijuesit të botës, ashtu edhe shpërblimet dhe shpagimet që lidhen me zbatimin ose jo të këtyre dispozitave. Asgjë nuk del jashtë domethënies së emrave, cilësive dhe veprave të mrekullueshme të Zotit të gjithësisë. Pastaj thotë i Lartësuari: - “Ai ishte një popull që shkoi. Atyre u takon ajo që fituan dhe juve ju takon ajo që keni fituar. Ju nuk jeni përgjegjës për gjërat që kanë bërë ata.” - Këto ajete u sqaruan edhe më sipër, por Allahu i Lartësuar i përsërit me qëllim që askush të mos e lidhë shpëtimin e vet me krijesat ose me faktin që është pasardhësi i këtij apo i atij njeriu të mirë. Çdokush do të merret në përgjegjësi për punët e veta, jo për të parët e tij. Askush nuk do të përjetojë shpërblimin apo ndëshkimin që meriton tjetri. I vetmi kriter përzgjedhjeje tek Allahu janë veprat e mira, sipas mësimeve të sjella nga profetët. Prejardhja e njeriut nuk e ndihmon atë në marrjen e shpërblimit apo të ndëshkimit.