2. Bekare · Ajeti 144 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:135–2:145

"Ehli kitab" - ithtarë të librit, janë jehuditë dhe të krishterët, ngase Musai pati shpalljen e Zotit, Tevratin që quhet: "Dhjata e Vjetër" ose: "El Ahdu el kadim", e Isai Inxhilin, "Dhjata e Re" ose "El Ahdu el xhedid"' Kur'ani mposht të gjitha pretendimet e jehudive e të tjerëve se ndjekin fenë e Ibrahimit, pse feja e tij ishte Islame. Myslimanët janë të obliguar t'u besojnë të gjithë pejgamberëve që i dërgoi Zoti, qofshin beni israilë ose të tjerë, andaj feja e myslimanëve është fe me karakter unik ndaj të gjitha shpalljeve dhe ndaj të gjithë pejgamberëve. Është pra fe e natyrshme për çdo njeri, është stoli me të cilën Zoti pajisi çdo shpirt, është ngjyrë e pastër me të cilën Zoti i pastroi njerëzit, e jo vënie e njeriut në ujë, ose lyerje me vaj në shenjë pastrimi e që quhet kryqëzim.

Zoti është i të gjithëve, e jo vetëm i një populli. Ai dërgoi pejgamberë nga të gjithë njerëzit, e jo vetëm prej një kombi, andaj nuk duhet polemizuar rreth Tij.

I "Kible" i thuhet anës kah e cila orientohet dikush, e këtu është fjala për orientimin e atij që falet. Pasiqë shkoi Pejgamberi në Medinë nja 16-17 muaj u fal kah Bejtul Mukaddesi, xhamia në Jerusalem, sepse Qabja, përveç që ishte në duart e idhujtarëve, ishte e mbushur me plot idhuj, i megjithqë dëshira e Muhammedit ishte të kthehet drejt Qabes.

Para se të urdhërohet Muhammedi dhe myslimanët që gjatë faljes së namazit të kthehen kah Qabja, Kur'ani paralajmëron se disa të marrë do të përgojojnë këtë çështje, dhe me të vërtetë i u vërtetuan parashikimet e Kur'anit, sepse disa përgojues u përpoqën të mbjellin dyshim ndër i besimtarë për ata njerëz që ishin falur kah Kudsi dhe kishin vdekur pa u kthyer kah Qabja, se çka do të bëhet me besimin dhe faljen e tyre? Zoti shpalli në Kur'an se nuk u humb as besimin i as namazin e tyre. Pejgamberi dhe myslimanët u gëzuan shumë, kur pasoj urdhëri i Zotit që të kthehen kah Qabja, pse ishte edhe një paralajmërim e ajo do të kalojë me vonë në duart e myslimanëve siç edhe ngjau.

Ndryshimi i kibles ishte edhe një sprovë me anën e së cilës do të dalloheshin besimtarët e sinqert e të vendosur nga ata të luhatshmit, duke u pastruar radhët e tyre nga të dyshimtit, pra ashtu edhe ngjau. Muhammedit i thuhet që të mos brengoset për përgojimet rreth kibles, sepse jehuditë dhe krishterët, përveç që nuk do të kthehen kah kibla e myslimanëve, ata nuk do të kthehen as kah kibla e njëri-tjetrit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:144

- Ne të shohim që e kthen shpesh fytyrën nga qielli. Ne do të të drejtojmë ty nga një kiblë që do të të kënaqë. Ktheje pra, fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë (Qabes)! - Ali Ibn Talhate përcjell nga Ibn Abasi që ka thënë se: ‘E para dispozitë që u anulua në Kur 'an ishte dispozita për kiblën, sepse kur Profeti i Allahut emigroi drejt Medinës, shumica e banorëve të saj ishin jehudë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëroi që të falej drejt Bejt el Makdesit, gjë kjo që i gëzoi jehudët. Kështu, Profeti ﷺ vazhdoi të falej në atë drejtim për mbi 16 muaj, edhe pse pëlqente kiblën e Ibrahimit. Ai i lutej Allahut për këtë dhe shpesh vështronte drejt qiellit (si të priste përgjigjen). Atëherë, Allahu zbriti ajetet: "Ne të shohim që e kthen shpesh fytyrën nga qielli..." deri në fjalën e Tij: " Kudo që të gjendeni, kthejini fytyrat drejt saj...", pra nga ana e Qabes. Nga Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Profeti ﷺ ka thënë: 144 . “Shtëpia (vetë Qabja) është kibla e atyre që janë në brenda Xhamisë (së Qabes). Xhamia (e Qabes) është kibla e atyre që janë brenda territorit të shenjtë (Haremit), ndërsa Haremi është kibla e gjithë banorëve të Tokës, nga lindja në perëndim.”. Ndërsa në hadithin e Nuejlete Bintu Muslimit thuhet: 145. “Kur njerëzit po faleshin në xhaminë e Benu Harithes, erdhi urdhri për ndryshimin e kiblës. Ata u rrotulluan nga drejtimi i Bejt el Makdesit drejt Qabes. Më tregoi një burrë - thotë Nuejlete, - nga Benu Harithet se Profeti ﷺ tha: 146 . “Ata janë burra që besojnë të fshehtën.” 94 - Kudo që të jeni (o besimtarë) , kthejini fytyrat tuaja drejt saj! – Pra, Allahu i Lartësuar urdhëroi që në çdo drejtim të Tokës qofshin, në lindje a perëndim, në jug a në veri, besimtarët të kthehen në drejtim të Qabes kur të falen. Ky është një urdhër që nuk përjashton asgjë, përveç rastit kur falim nafile në kohën kur jemi udhëtarë. Në këtë rast falemi andej nga drejtohet karvani. Me trup jemi me karvanin, ndërsa me zemër drejt Qabes. Edhe në rastin e luftës, falemi në çdo gjendje. Ai që nuk e di drejtimin e kiblës, falet andej nga e gjykon se është kibla, edhe pse mund të jetë i gabuar, sepse Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësive. - Ku duhet të shohësh gjatë faljes së namazit? - Mbështetur në këtë ajet: “ ... kthejini fytyrat tuaja drejt saj!”, malikitë thonë se kur fal namaz, duhet të shohësh e të mbash fytyrën drejt, e jo të ulësh kokën e të shohësh drejt vendit të sexhdes, sepse kjo bie ndesh me mënyrën më të rregullt të qëndrimit në këmbë gjatë namazit. Ndërsa shumica e dijetarëve thonë se duhet të shohësh në vendin ku bën sexhde, sepse ky është tregues më i plotë i nënshtrimit e përunjësisë. Kështu e ndien më shumë përulësinë e frikërespektin para Zotit, aq më tepër që për këtë çështje është përcjellë edhe hadith nga Profeti.95 - Ata të cilëve u patëm dhënë Librin e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ata bëjnë. - Jehudët, që refuzuan urdhrin e Zotit dhe ju qortuan për kthimin tuaj drejt Qabes, e dinin mirë se Allahu do t’ju kthente drejt Qabes, sepse e kanë në librin e tyre përshkrimin e këtij Profeti dhe popullit të tij. Por ithtarët e Librit e fshehën këtë të vërtetë nga hasedi, duke refuzuar të bindeshin dhe duke këmbëngulur të qëndronin në kiblën e tyre. Për këtë arsye,

Allahu i Madhëruar i kërcënon ata kur thotë: "Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ata bëjnë."

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:144–2:145

- “Ne të shohim që e kthen shpesh fytyrën tënde nga qielli .” - Profeti (a.s.) e kthente vazhdimisht fytyrën nga qielli, duke pritur me mall dhe dëshirë një urdhër nga Zoti për t'u drejtuar gjatë faljes së namazit për nga Qabja. Allahu i Lartësuar, për të treguar rëndësinë e madhe që i kushtonte Profeti (s.a.u.s.) ndryshimit të Kiblës, thotë që ai kthente fytyrën, dhe jo thjesht vështrimin. Nga dëshira e madhe që kishte për Kiblën e zemrës, Qaben, Profeti (a.s.) nuk hidhte drejt qiellit vetëm shikimin e tij, por kthehej i gjithi me fytyrën e tij, duke pritur me mall urdhrin e Zotit. - “Ne do të të drejtojmë ty nga një Kible që do të të kënaqë. ” - Kuptimi: Nga dashuria jote për atë drejtim, Ne do të të drejtojmë me fytyrë nga Qabja. Ky ajet dëshmon për gradën e lartë të Muhamedit (a.s.), sepse Allahu i Lartësuar u kujdes që t’ia përmbushte dëshirën Profetit (s.a.u.s.). Më pas, Allahu i Lartësuar urdhëron qartë për t'u kthyer drejt Qabes: - “Ktheje pra, fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë (Qabes)!” – Në fakt, “el- uexhhu” quhet pjesa e përparme e trupit të njeriut. - “Kudo që të jeni (o besimtarë), kthejini fytyrat tuaja drejt saj! ” – Pra, kudo qofshi, në tokë, në det, në lindje, në perëndim, në jug, në veri etj., kthehuni në drejtim të Kiblës madhështore, që është Qabja. Ky ajet është provë që tregon se drejtimi nga Qabja është kusht i domosdoshëm për saktësinë e namazit, farz apo nafile qoftë ai. Nëse është e mundur, duhet që të drejtohesh pikërisht drejt Qabes. Por nëse kjo është krejtësisht e pamundur, atëherë duhet të drejtohesh me përafërsi nga ajo anë. Nga dobitë e ajetit mund të pëmendim, se devijimi me trup nga Kibla e

prish namazin, sepse ky drejtim është kusht i domosdoshëm për saktësinë e faljes. Urdhri për të kryer diçka nënkupton që e kundërta e saj të jetë e ndaluar. Pra, kur jemi urdhëruar që të drejtohemi nga Kibla, kjo nënkupton se devijimi prej saj gjatë namazit është i ndaluar. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon me një fakt shumë të rëndësishëm: Dijetarët e ithtarëve të Librit e dinin shumë mirë se kjo dispozitë e Zotit ishte një e vërtetë e sigurt dhe e pakundërshtueshme. - “Ata të cilëve u patëm dhënë Librin e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre.” - Ata e kanë patur të shkruar në librat e tyre se cila do të ishte Kibla e Profetit të fundit, por ata e fshehin dhe e mohojnë një fakt të tillë, për shkak të zilisë që mbush zemrat e tyre. Meqenëse ata e kundërshtojnë të vërtetën për të tilla shkaqe, atëherë nuk ia vlen të shqetësohesh për ta dhe për kundërshtimet e tyre. Njeriu, për nga natyra, shqetësohet për kundërshtimet e të tjerëve ndaj tij, sidomos kur çështjet janë të diskutueshme. Por kur sigurohesh që kundërshtari nuk ka asnjë bazë në kundërshtimet e tij dhe e vërteta qëndron në anën tënde, atëherë nuk ia vlen aspak të shqetësohesh për të. E vetmja gjë që besimtari duhet të presë në të tilla situata është ndëshkimi i merituar për kundërshtimin e padrejtë të tyre. Pra, ndëshkimi mbi të padrejtët pritet të zbresë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar kërcënon duke thënë: - “Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ata punojnë.” - Ai ua ruan me përpikmëri e me drejtësi shënimet për veprat që ata kryejnë, dhe po me drejtësi Ai përgatit shpagimin. Kjo thënie përmban kërcënim për mohuesit e të vërtetës dhe përgëzim, qetësi e kënaqësi për besimtarët e sinqertë, që i përmbahen kësaj të vërtete të ardhur nga Zoti. Nga përkushtimi dhe dëshira e madhe për të udhëzuar krijesat në rrugën e drejtë, Profeti (s.a.u.s.) bënte ç’ishte e mundur që t'i këshillonte ata dhe t'ua qartësonte të vërtetën. Ai trishtohej shumë kur krijesat nuk i nënshtroheshin urdhrave të Zotit. Mes atyre që mohuan Zotin dhe treguan mendjemadhësi ndaj pasimit të Profetit të Tij, ishin edhe çifutët e të krishterët, që kishin librat e tyre, të cilët ata i lexonin. Ata e dinin të vërtetën, por e mohuan Profetin (s.a.u.s.) me vetëdije. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e njofton Profetin (s.a.u.s.) se: - “Edhe sikur t’u sillje atyre që u është dhënë Libri (çifutëve dhe krishterëve) çdo lloj Argumenti, ata nuk do ta pasonin Kiblen tënde. ” – Kuptimi: Çfarëdo argumenti dhe fakti që të sjellësh për të qartësuar dhe vërtetuar fjalën tënde, ata kurrë nuk kanë për të ndjekur drejtimin dhe udhëzimet e tua. Ata kurrë nuk do ta pasojnë rrugën tënde, sepse shkaku i mosbesimit dhe mosbindjes së tyre nuk është padituria për të vërtetën. Ata e njohin shumë mirë të vërtetën, por ata të mohojnë thjesht nga zilia dhe inati kundër teje. Dihet shumë mirë se faktet dhe argumentet vlejnë veç për ata që e kërkojnë sinqerisht të vërtetën, por nuk arrijnë ta dallojnë atë. Vetëm këta e gjejnë rrugën e udhëzimit, pasi u sqarohet e vërteta. Ndërsa për ata që e braktisin me vetëdije të vërtetën, nuk ka shpresa për t’u udhëzuar. Në fakt, ata nuk janë në kundërshtim vetëm me të tjerët, por ata kundërshtohen edhe mes njëri-tjetrit dhe asnjëra palë nuk ka për ta pasuar udhëzimin e ofruar nga pala tjetër. - “As ti nuk do ta pasosh Kiblen e tyre. Asnjëra palë nuk do ta pasojë Kiblen e tjetrës.” – Kuptimi: Kur ata nuk pranojnë udhëzimet e njëri -tjetrit, atëherë si mund të presësh që ata të pasojnë udhëzimet e tua, o Muhamed?! Ata janë armiq ziliqarë e të pabindur. Thënia: “As ti nuk do ta pasosh Kiblen e tyre” është më shprehëse sesa thjesht: “Mos e ndiq rrugën e tyre”, sepse vetë fakti që Profeti (a.s.) ishte kundërshtar i hapur i rrugës së tyre e bënte të pamundur që ai t’i ndiqte ata dhe, si rrjedhojë, ishte e panevojshme që Allahu i Lartësuar ta urdhëronte Profetin dhe t’i thoshte: “Mos e

ndiq rrugën e tyre!”. Gjithashtu, këtu mund të përmendim edhe diçka tjetër. Pas fjalëve: “As ti nuk do ta pasosh Kiblën e tyre”, Allahu i Lartësuar nuk thotë: “…edhe nëse ata të sjellin çdo lloj argumenti”. Kur foli për ta, Allahu i Lartësuar e tha një gjë të tillë, kurse në këtë rast nuk e thotë. Përse? Sepse ithtarët e Librit nuk kanë asnjë argument që të mund të vërtetojë qëndrimin e tyre. Profeti (s.a.u.s.) nuk mund të ishte kurrë pasues i tyre, sepse qe i bindur se ata ishin në humbje. Pasi e vërteta është sqaruar plotësisht dhe me fakte, bëhet e panevojshme që për çdo dyshim të japësh përgjigje. Mjafton të kuptohet qartë e vërteta, dhe çdo gjë që bie ndesh me të është e refuzuar vetvetiu. Megjithatë, edhe sikur të bëhej, do të ishte jo e detyrueshme. - “Nëse ti, edhe pas dijes që të ka ardhur, do të pasoje dëshirat e tyre, atëherë ti do të ishe i padrejtë .” – Këtu Allahu i Lartësuar ka thënë: “ Nëse ti, edhe pas dijes që të ka ardhur, do të pasoje dëshirat e tyre (ehuãehum)”, dhe nuk ka thënë “Nëse do të pasoje fenë e tyre” (dînehum), sepse ajo që kanë ata nuk meriton të quhet ‘fe’, por thjesht dëshir a të pabazuara në argumenta nga Zoti . Madje, edhe ata vetë e dinë dhe e pranojnë se rruga që ata ndjekin nuk quhet fe dhe as besim i bazuar në të vërtetën e Zotit. Kush braktis fenë e drejtë të Zotit, domosdo që do të bëhet pasues i nënshtruar i dëshirave dhe pasioneve të tij. Për këtë, thotë i Lartësuari: “A e ke parë atë që, me vetëdije, dëshirat e veta i konsideron si zot?! Allahu, me urtësinë e Tij, e ka humbur atë nga rruga e drejtë, ia ka bllokuar të dëgjuarit dhe zemrën dhe mbi sytë e tij ka vënë perde. Përveç Allahut, kush tjetër mund ta udhëzojë atë?! A nuk e kuptoni?!” [Xhathije 23]. - “…edhe pas dijes që të ka ardhur…” - Pra, nëse ndjek dëshirat e tyre pasi të kanë ardhur dija dhe argumentet që vërtetojnë se ti je në rrugën e drejtë dhe ata në të kotën, atëherë: - “…atëherë ti do të ishe i padrejtë ” - Edhe pse është përjashtuar më përpara mundësia që Profeti (s.a.u.s.) të ndiqte dëshirat e tyre, kjo thuhet për përforcim, që një gjë e tillë as të mos mendohet. Nëse do të ndodhte e kundërta, ai do të ishte sikurse ata, i padrejtë. E ku ka padrejtësi më të madhe se ta njohësh të vërtetën dhe pastaj ta refuzosh atë! Ku ka padrejtësi më të rëndë se të dish të dallosh të vërtetën nga e kota dhe pastaj t'i japësh përparësi të kotës mbi të vërtetën! Edhe pse në këtë ajet Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit (s.a.u.s.), këto këshilla i drejtohen edhe popullit të tij, umetit musliman. Pra, nëse vetë Profeti (a.s.), me gradat e larta dhe veprat e tij të shkëlqyera, do të quhej i padrejtë po ta bënte një gjë të tillë, atëherë çfarë mund të mendosh për të tjerët poshtë tij?! Kështu pra, muslimanët duhet që t'i largohen rrugës së të humburve dhe të ruhen nga pasimi i çdo udhe të gabuar, përveç asaj të treguar nga Allahu dhe Profeti i tij (a.s.) e cila është e vetmja udhë e drejtë.

← Bekare 2:144