2. Bekare · Ajeti 153 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:146–2:157

Pejgamberët, që ishin para Muhammedit si Musai e Isai kishin lajmëruar për ardhjen e Muhammedit, por disa prijës fetarë, edhe pse e dinin e fshehen këtë të vërtetë.

Çështja e kibles ishte një nga çështjet e para që pësoi ndryshim në dispozitat e sheriatit islam, andaj, përsëritet urdhëri për kthim kah ajo. Të gjithë myslimanët kanë një kible dhe të gjithë, kudo që të gjenden, gjatë lutjeve i kthehen asaj. Derisa të gjithë janë të koncentruar në një pikë, në një kible, është rreptësisht e ndaluar që një ithtari të kibles t'i thuhet pabesimtarë, kafir.

Namazi dhe durimi janë faktorë kryesorë, që e ndihmojnë njeriun në zgjidhje të çdo problemi, pse në to kujtohet fuqia dhe mëshira e Zotit.

Dëshmorët, shehidët në rrugën e Zotit, nuk e përjetojnë distancën në varreza sikurse e përjetojnë të tjerët deri në ringjallje, ata ia fillojnë menjëherë jetës së botës tjetër. Për jetën e tyre ne nuk jemi të njohur, atë e di vetëm Zoti, sepse ata janë të gjallë te Zoti. Është gabim të mendosh se trupi i tyre nuk prishet, janë të gjallë edhe me trup, sepse Zoti thotë janë të gjallë te Zoti, e jo te ne. i Për sabërlinjt e kemi edhe hadithin e Pejgamberit: "Kur ndonjë prindi i vdes evladi, Allahu u thotë melekëve: a ia morët shpirtin e fëmijës të robit Tim" Ata thonë: po. Ai thotë: a ia morët pemën e zemrës" Ata thonë, po. Ai thotë: e çka tha ai robi Im" Ata thonë: të falënderoi dhe tha se edhe ne do të vdesim e do të shkojmë te Zotit Ai thotë: Ndërtoni për te një shtëpi në xhennet dhe vënia emrin "Shtëpia e lavdërimitt" (Ahmed, Tirmidhi).

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:153–2:154

- O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz! Vërtet, Allahu është me durimtarët. - Pasi na tregoi për mirënjohjen dhe na urdhëroi për të, Allahu i Madhëruar vijon të na tregojë për durimin dhe na udhëzon që gjithmonë të kërkojmë ndihmë përmes durimit dhe namazit. Njeriu, ose është mes mirësive, dhe atëherë duhet të jetë mirënjohës për to, ose është në sprovë e fatkeqësi, dhe atëherë duhet të bëjë durim. Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar na sqaron se më e mira mënyrë për t’u ndihmuar e gjetur forcë në përballimin e sprovave e fatkeqësive është me durim dhe namaz. Një hadith thotë se: 151 “Kur Profetin ﷺ e shqetësonte diçka, ai falte namaz.” Durimi është dy llojesh: Durim në l ënien e gjynaheve dhe ndalesave të Zotit dhe durim për të përmbushur urdhëresat dhe veprat të kërkuara nga Zoti, si bindje e madhërim për Të, që të afrojnë tek Ai. I dyti është më i shpërblyeshëm, sepse ai është synim në vetvete. Ndërsa lloji i tretë është durimi gjatë sprovave dhe fatkeqësive, që Zoti i përcakton të ndodhin. Sa për durimtarët, ata janë ashtu siç i ka thënë Ali Ibn Hasen Zejnul Abidin. “Kur Allahu të mbledhë të parët dhe të fundit, një zë do të thërrasë: “Ku janë dur imtarët, që të hyjnë në Xhenet para se të fillojë llogaria (hisab)..." Për këtë dëshmon edhe fjala e Allahut të Madhëruar: "Durimtarëve do t’u jepet shpërblim pa masë (hesap).” [Zumer 10]. Seid Ibn Xhubejri ka thënë: “Durimi është pranimi me përunjësi i caktimit të Allahut dhe shpresa për shpërblimin e Tij. Mund të ndodhë që një burrë të frikësohet shumë në shpirtin e tij, e megjithatë ai tregohet i përmbajtur dhe shfaq veçse durim të mirë. Allahu i Madhëruar thotë: - Dhe mos thoni për ata që u vranë në rrugën e Allahut: “Ata kanë vdekur”! Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni. - Allahu i Lartësuar na njofton se shehidët në jetën e berzah-ut janë të gjallë e furnizohen nga Ai me mirësi, siç përcillet në Sahihun e Muslimit: 152 “Shpirtrat e shehidëve qëndrojnë në gushët e disa zogjve jeshilë, që shëtisin nëpër Xhenet ku të dëshirojnë, e pastaj shkojnë për të qëndruar në disa kandilë të varur poshtë Fronit. Kur Allahu i vështron ata, u thotë: “Çfarë dëshironi diçka?” - “O Zoti ynë, - thonë ata, - por çfarë të kërkojmë më shumë se kaq?! Ti na ke dhënë diçka që nuk ia ke dhënë askujt prej krijesave të Tua .” Allahu i pyet përsëri njëlloj dhe kur ata e shohin se kjo kërkesë u thuhet përsëri e përsëri, thonë: “Dëshirojmë që të na kthesh përsëri në dynja dhe të luftojmë në rrugën e Tënde, derisa të vritemi për kënaqësinë Tënde edhe një herë tjetër.”, për shkak të shpërblimi të madh që Allahu jep për shehidët. Atëherë, Allahu i Lartësuar dhe Krenar thotë: “Unë e kam shkruar se ata (të vdekurit) nuk kthehen më

në dynja .” Në hadithin që imam Ahmedi përcjell me senedin e tij nga Keab Ibn Malik, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 153 “Shpirti i besimtarit është si një zog që varet nëpër degët e pemëve të Xhenetit deri në ditën kur Allahu ta kthejë në trupin e tij , Ditën e Ringjalljes.” Kjo tregon se kjo mirësi i përfshin të gjithë besimtarët, edhe pse shehidët janë dalluar mbi të tjerët, duke u përmendur në Kur 'an, si nderim për ta dhe gradën e tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:153–2:157

- “O ju që keni besuar! Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz!” - Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që, në të gjitha çështjet fetare ose të kësaj dynjaje, të kërkojnë ndihmë dhe zgjidhje me anë të dy mënyrave: me durim dhe me namaz. Durimi do të thotë ta nënshtrosh veten që të pranojë ato gjëra që ajo i urren. Në fakt, ka tri lloje durimi: 1. Durimi që tregohet në bindjen ndaj Allahut të Lartësuar, derisa të zbatosh çdo urdhër të Tij. 2. Durimi që duhet të tregojmë për t`u larguar nga haramet dhe për të mos shkelur kufijtë e Allahut. 3. Durimi gjatë ngjarjeve të dhimbshme, të cilat Allahu i Lartësuar i ka përcaktuar për ne, duke i pranuar ato me zemër të kënaqur dhe duke mos shprehur as më të voglin zemërim rreth tyre. Durimi është ndihma më e madhe për të arritur gjithçka. Të paduruarit nuk kanë asnjë rrugë për të arritur objektivat e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për nënshtrimin e vetes në kryerjen e adhurimeve të vazhdueshme, të cilat janë të vështira për shpirtin. Ato nuk mund të kryhen pa qenë i pajisur me durim, që shërben për të kapërcyer çdo moment vështirësie. Nëse adhuruesi është sistematik në durimin që tregon, do të arrijë çdo pikësynim dhe do të shpëtojë nga çdo gjë së cilës i druhet. Por nëse ai e lëshon veten para vështirësive dhe vuajtjeve që shkakton durimi, do t'i humbasë të gjitha. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për largimin nga ndalesat e Allahut të Lartësuar. Vërtet ato janë shumë të vështira për t'u përballuar, por kjo nuk do të thotë që është e pamundur. Prej tyre mund të largohesh vetëm duke patur shumë durim, i cili arrihet duke iu mbështetur Allahut të Madhëruar dhe duke kërkuar ndihmën e Tij. Të tilla janë edhe fatkeqësitë ose vuajtjet që Zoti ka përcaktuar për njeriun. Vështirësia e tyre shtohet sidomos kur ato zgjasin për një kohë të gjatë, sepse kjo shkakton dobësim të fuqisë trupore, shpirtërore dhe psikologjike, që nevojiten për të qenë të vazhdueshëm në durimin dhe kënaqësinë me caktimin e Allahut. Pas një kohe të gjatë sprovash, shpeshherë, njeriu shpërthen në pakënaqësi dhe ankesa, të cilat janë shprehje e durimit të dobët dhe mospranimit të caktimit të Allahut. Si përfundim, nëse njeriu nuk pajiset me durim, duke iu mbështetur Allahut, duke iu drejtuar vetëm Atij për gjithçka që e shqetëson dhe duke i shprehur Atij varfërinë dhe nevojën e tij për ndihmën dhe çlirimin e Allahut, atëherë është e pamundur që ai t’i kalojë sprovat me

sukses. Pra, nga ky ajet kuptohet që robi e ka të domosdoshme të pajiset me durim, në çdo kohë dhe në çdo gjendje. Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që ta kultivojmë durimin dhe na ka treguar se Ai është në krah të durimtarëve: - “Vërtet, Allahu është me durimtarët”. – Domethënë, Allahu është me ata, për të cilët durimi është bërë një cilësi e pandashme, një virtyt i përhershëm, por që, sigurisht, është fituar me ndihmën e Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Me durimin e dhuruar, atyre u lehtësohet çdo mundim: çdo fatkeqësi e madhe, për ta bëhet e vogël. Allahu i Lartësuar thotë se është me durimtarët. Kjo prani është e posaçme vetëm për ta dhe shoqërohet me dashurinë, ndihmën, udhëzimin, suksesin dhe fitoren që Allahu i Lartësuar u fal atyre. Sikur durimtarët të mos kishin shpërblim tjetër përveç këtij afrimiteti të Allahut të Lartësuar, kaq do të mjaftonte si privilegj për ta. Ky është njëri lloj i afërsisë së Zotit me krijesat, domethënë “afërsia e posaçme”. Ndërsa lloji i dytë është “afërsia e përgjithshme”, që tregon se Allahu i Lartësuar është pranë krijesave në përgjithësi, me dijen dhe pushtetin e Tij absolut, sikurse thotë Ai në suren Hadidë: “Ai është afër jush kudo që të jeni...”. Më tej, Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që të kërkojmë ndihmë edhe me namaz, sepse namazi është shtylla e fesë dhe drita e besimtarëve. Ai është lidhja e fortë mes adhuruesit dhe Zotit të Tij. Kur namazi i adhuruesit është i plotë në të gjitha aspektet, qoftë në veprime apo fjalë, dhe nëse ai është i pranishëm në namaz me zemrën e tij, duke e ndier thellësisht se po del përpara Krijuesit dhe duke qenë përqendruar totalisht në lutjet e tij, atëherë një namaz i tillë bëhet patjetër një ndihmë e jashtëzakonshme për këdo që kërkon ndihmë dhe mbështetje. Ky lloj namazi të ndalon, gjithashtu, nga çdo fjalë dhe vepër e shëmtuar, nga njëra anë, dhe të nxit për të kryer çdo urdhër të Zotit, nga ana tjetër. - “Dhe mos thoni për ata që u vranë në rrugën e Allahut: “Ata kanë vdekur! ”” - Pasi urdhëroi që për çdo çështje të kërkojmë ndihmë dhe zgjidhje me durim, Allahu i Lartësuar sjell një rast konkret, për të cilin duhet të kërkojmë ndihmë me durim: xhihadi në rrugën e Tij. Xhihadi është ndër veprat më të vështira për trupin dhe për shpirtin, nga njëra anë, dhe një nga adhurimet më të larta që njeriu mund të bëjë për Zotin e Tij, nga ana tjetër. Ai është shumë i vështirë të kryhet, sepse mund të të çojë në humbjen e jetës, e cila është shumë e dëshirueshme për njeriun. Çdo gjë që bën njeriu nuk është gjë tjetër, por veçse përpjekje për të zbukuruar jetën dhe për të shmangur çdo pakënaqësi të saj. Sigurisht që asnjë i mençur nuk do të hiqte dorë nga kjo gjë kaq e shtrenjë, nëse nuk do të shkëmbehej me diçka tjetër akoma më të shtrenjtë. Kështu, Allahu i Lartësuar na ka treguar se kush lufton për lartësimin e fjalës së Allahut dhe që në tokë të adhurohet vetëm Allahu i Lartësuar, atëherë, edhe nëse vdes në luftë, ai do të fitojë një jetë shumë herë më të mirë dhe begati shumë herë më

të mëdha. Jeta tjetër do të jetë shumë herë më e shtrenjtë sesa jeta e sakrifikuar për Zotin e Tij dhe shumë herë më e mirë sesa mund të përfytyrohet. - “Jo, ata janë të gjallë, por ju nuk e kuptoni.” – Allahu i Lartësuar e përshkruan më hollësisht gjendjen e tyre në një ajet tjetër: “Kurrsesi mos thoni për ata që kanë rënë dëshmorë në rrugën e Allahut: “Kanë vdekur”. Përkundrazi, ata janë të gjallë tek Zoti i tyre, duke u ushqyer. Ata janë të gëzuar me të mirat që u ka dhënë Allahu dhe i përgëzojnë ata që ende nuk u janë bashkuar radhëve të tyre, se për ta nuk do të ketë frikë dhe as nuk do të brengosen. Ata janë të gëzuar me mirësinë e Allahut, sepse Allahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve.” [Al Imran, 169-171]. E ku ka më të mirë se jeta pranë Krijuesit, pranë Allahut të Lartësuar?! Trupi i tyre kënaqet me ushqim, pije dhe shumë kënaqësi të tjera, ndërsa shpirti përjeton lumturinë e përhershme, pasi kanë harruar çdo lloj frike dhe brenge. Kjo është jeta e dëshmorëve në jetën e varrit ( berzaħ), e cila është, pa dyshim, më e mirë se jeta e dynjasë. Profeti (s.a.u.s.) na e ka përshkruar jetën e tyre në një hadith, ku thuhet se shpirtrat e dëshmorëve që vriten në rrugën e Zotit qëndrojnë brenda disa zogjve jeshilë dhe shëtisin nëpër Xhenet, ku hanë, pinë dhe shijojnë mirësitë e dhuruara nga Zoti i tyre. Ata shëtisin nëpër lumenjtë e Xhenetit, hanë prej frutave të tij, për t’u kthyer pastaj dhe për t’u prehur në disa kandilë të varur nën Fronin e Allahut të Lartësuar. Ky ajet është nga nxitësit më të fortë të xhihadit në rrugën e Zotit dhe për durimin gjatë tij. Nëse adhuruesit e dinë se çfarë është përgatitur për luftëtarët në rrugën e Zotit, atëherë askush nuk do t'ia lejonte vetes të mbetej mbrapa në këtë drejtim. Në të kundërt, kur dija për këtë çështje është e pakët ose mungon, ulet dhe vullneti për t’u përpjekur në këtë rrugë dhe dobësohet durimi për hir të Zotit. Kjo dobësi ia shton akoma më tepër gjumin të fjeturve. Si pasojë, plogështia në këtë aspekt bëhet shkak që njeriut t’i shpëtojnë nga duart shumë mirësi. E si të mos jetë kështu, kur Allahu i Lartësuar thotë në ajetet e mëposhtme: “Allahu ka blerë prej besimtarëve shpirtin dhe pasurinë e tyre, për t'u dhënë në këmbim Xhenetin. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. Ky është një premtim i vërtetë i përmendur në Teurat, Ungjill e Kur'an. E kush është mbajtës më i sigurt i premtimit sesa Allahu? Atëherë, gëzojuni tregtisë që e keni bërë me Të! Ky është suksesi më i madh. ”. [Teube, 111]. “Pa dyshim, ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe që luftuan në rrugën e Allahut, ata vërtet shpresojnë në mëshirën e Tij. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” [Bekare, 218]. “Dilni (në luftë), qoftë ajo e lehtë ose e rëndë! Luftoni për hir të Allahut me pasurinë dhe me veten tuaj! Kjo është gjëja më e dobishme për ju, nëse e kuptoni.” [Teube, 41]. “ O ju që keni besuar! A t’ju tregoj për një pakt (madhështor), që ju shpëton prej dënimit të dhembshëm? Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe luftoni në rrugën e Allahut me pasurinë dhe veten tuaj! Kjo është shumë herë më e dobishme për ju, sikur ta dinit. Ai jua fal gjynahet tuaja, ju fut në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, dhe në pallate të bukura, në xhenetet e amshuar. Ky është fitimi i madh!Edhe të tjera që ju i dëshironi, si, ndihmë prej Allahut dhe fitore të afërt. Atëherë, përgëzoji besimtarët! ” [Saf, 10 - 13]. “ O ju që keni besuar! Kush prej jush largohet nga feja e vet, (le ta dijë se) Allahu do të sjellë një popull tjetër të cilin Ai i do ta dojë dhe ata do ta duan Atë; modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve; që lufton në rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo është dhurata e Allahut, që ia jep atij që Ai do. Allahu është Dhurues i madh e i Gjithëditur. ” [Maide 54]. Betohem në Allahun e Madhëruar se, sikur njeriu të kishte një mijë shpirtra dhe të gjitha t'i jepte për hir të Zotit, nuk do të ishte shumë për të merituar këtë shpërblim

të mrekullueshëm, të premtuar nga Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye, dëshmorët, kur shohin dhe gëzojnë shpërblimin e përgatitur për ta, dëshirojnë që të kthehen përsëri në dynja dhe të bien sërish dëshmorë në rrugën e Zotit, dhe kjo të përsëritet shumë herë. Ky ajet vërteton jetën në berzah, me mirësitë apo ndëshkimet e saj. Ky fakt mbështetet edhe nga shumë dëshmi të përcjella prej Profetit (s.a.u.s.). Allahu i Lartësuar na tregon se adhuruesit do të sprovohen gjithmonë me sprova dhe fatkeqësi, me qëllim që të dallohen të sinqertët nga shtirakët, durimtarët nga të paduruarit. Kjo është një normë e pandryshueshme e Allahut të Urtë, që patjetër do të zbatohet ndër njerëz. Nëse do të kishte vetëm mirësi e kënaqësi, atëherë nuk do të dalloheshin besimtarët e vërtetë nga shtirakët zullumqarë, dhe kjo përzierje do të ishte shumë e keqe. Me fjalë të tjera, sprovat nuk synojnë që t'u largojnë besimtarëve imanin që kanë apo t'i largojnë ata nga feja e Allahut të Lartësuar, por që të dallohen qartë të sinqertët, duke i ngritur edhe më lart në gradat e tyre, nga mashtruesit shtiracakë. Më pas, Allahu i Lartësuar na njofton për fushat në të cilat Ai do të na sprovojë durimin dhe këmbënguljen tonë në bindjen ndaj Tij: - “Ne do t’ju sprovojmë ndonjëherë me frikë, me uri,...” – Sipas kuptimit të fjalëve (në arabisht), Allahu i Lartësuar thotë që do të na sprovojë me diçka të vogël prej atyre që quhen frikë e uri, e jo me plot kuptimin e tyre. Përndryshe, nëse do të na sprovonte me frikë apo uri të plotë, ne do të shfaroseshim. Por dihet që sprova synon të provojë durimin dhe bindjen ndaj Krijuesit, e jo të shkatërrojë, sepse atëherë do të quhej ndëshkim. - “…me humbje në pasuri ose në njerëz dhe me pakësim të prodhimit.” – Humbjet në pasuri mund të vijnë nga shkaqe të ndryshme, si: përmbytjet, stuhitë, tërmetet, grabitjet nga hajdutët, bastistjet nga mbretërit e padrejtë etj. Ndërsa humbja në njerëz nënkupton vdekjen e të dashurve të zemrës, të fëmijëve, të afërmve etj., ose sëmundjet që godasin këta njerëz. Me humbjet në prodhimtari nënkuptohet pakësimi i fryteve dhe i prodhimeve të tokës, në të mbjella, pemëtari etj. Këto mund të bëhen nëpërmjet furtunave, breshërit, ngricave, rënies së zjarreve, sëmundjeve apo nga ndonjë formë tjetër ndëshkimi prej Allahut, si karkalecat etj. Këto sprova patjetër që do të ndodhin, sepse ashtu ka thënë Allahu i Urtë. Gjatë sprovave, njerëzit ndahen në dy grupe: durimtarë dhe jodurimtarë. Jodurimtarëve u ikin nga duart dy mirësi të mëdha pas këtyre sprovave: së pari, mirësia e shkatërruar nga fatkeqësia dhe, së dyti, shpërblimi i pamasë nëse do të tregoheshin të durueshëm. Domethënë, ata humbin si nga dynjaja, ashtu edhe nga ahireti, duke mos përmendur dobësimin e imanit. Ata nuk e kanë virtytin e durimtarit, që kënaqet dhe është mirënjohës ndaj Allahut për caktimet dhe vendimet e Tij, por, përkundrazi ata zemërohen me këto caktime. Ata që Allahu i Lartësuar i ka pajisur me durim nuk zemërohen dhe nuk shfaqin pakënaqësi ndaj caktimit të Tij, as me fjalë dhe as me veprime, sepse ata mendojnë për shpërblimin që i pret tek Zoti i tyre për durimin e treguar, duke qenë të sigurt për këtë. Shpërblimi i Allahut është shumë herë më i madh sesa humbja e shkaktuar nga sprovat. Madje, ata i shohin këto sprova si mirësi prej Zotit, sepse nëpërmjet tyre arrihen gradat e larta. Kush respekton urdhrat e Zotit, fiton patjetër shpërblimin e Tij. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: - “Por ti përgëzoji durimtarët…” – Pra, përgëzoji ata, se shpërblimi i tyre do të jetë pa masë. Këtë përgëzim e meritojnë veçse të duruarit, të cilët: - “…Ata që, kur i godet ndonjë e keqe, thonë: “Ne, jemi të Allahut, …”. – Domethënë, ne jemi pronë e Tij dhe nën sundimin e Tij, që bazohet në drejtësi dhe mëshirë. Ne jemi të nënshtruar ndaj përcaktimit dhe urdhrave të Tij. Ne nuk kemi në pronësinë tonë asgjë, as pasuritë

tona, madje as veten tonë. Kështu, nëse Mbretëruesi bën diçka me urtësinë e Tij, Ai vepron në pasurinë dhe në mbretërinë e Tij. Askujt nuk i takon ta kundërshtojë për atë që Ai vendos dhe përcakton në pronën e Tij. Por duhet të dihet se Allahu është i Urti dhe i Mëshirshmi. Ai është më i mëshirshëm ndaj robve të Tij sesa ata ndaj vetvetes. Kur adhuruesi mendon rreth këtij fakti, atëherë ai kënaqet për caktimin e Zotit dhe bëhet mirënjohës për të, pasi është i sigurt që ai është më i miri për të, ndonëse për momentin kjo mirësi nuk mund të duket. Robi e di, gjithashtu, se ai dhe pasuria e tij janë, në fakt, pronë e Allahut. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: - “…dhe vetëm tek Ai do të kthehemi .” – Pra, ne do të kthehemi tek Ai një ditë, patjetër. Ne do të takohemi me Allahun në Ditën e Premtuar, kur çdokush do të shpërblehet për veprat që ka bërë. Kështu, nëse tregohemi të duruar dhe llogarisim shpërblimin për çdo sprovë që na godet, atë ditë ne do të marrim shpërblimin, sikurse na ka premtuar Zoti ynë. E nëse zemërohemi dhe shfaqim pakënaqësi me caktimin e Allahut, atëherë na pret veçse zemërimi i Zotit dhe humbja e shpërblimit. Përkujtimi i faktit që robi një ditë do të kthehet te Zoti i tij, është një nga ndihmësit më të fortë. Allahu i Lartësuar vijon: - “Vetëm këta kanë nga Zoti i tyre bekime dhe mëshirë, dhe vetëm këta janë të udhëzuarit në rrugën e drejtë.” – Kështu, ata kanë tri shpërblime: 1. Bekime ( ŝaleuât) prej Zotit të tyre, që nënkupton faljen e gjynaheve dhe përmendjen që i bën Zoti robit mes melekëve. 2. Mëshira e madhe e Zotit të tyre. Prej mëshirës së Tij është edhe suksesi që Ai u jep atyre për t'u treguar të durueshëm në sprovat e Tij, si edhe shpërblimi i madh për durimin e tyre. 3. Udhëzimi në rrugën e drejtë. Ata e njohin të vërtetën dhe punojnë me të. Ata e dinë se janë pronë e Zotit të tyre dhe se tek Ai do të kthehen për t'u shpërblyer. Jo vetëm kaq, por ata punojnë sipas kësaj dijeje, duke shfaqur durim për hir të Zotit. Ky ajet tregon, gjithashtu, se të paduruarit nuk kanë për t’i fituar këto shpërblime të durimtarëve. Me fjalë të tjera, ky ajet, përveçse është përgëzim për durimtarët, është edhe kërcënim për të paduruarit. Ndryshimi mes dy grupeve është shumë i madh. Mundimi i durimtarëve është i vogël dhe i shkurtër, ndërsa jodurimtarët do të zhyten në vuajtje pa fund, në ahiret. Këto ajete i përgatitin njerëzit për të qenë të qëndrueshëm ndaj fatkeqësive, para se ato të ndodhin, dhe kjo ua lehtëson shumë çështjen atyre. Ajetet të ndihmojnë të kryesh detyrën e durimit, duke treguar shpërblimin e kësaj vepre dhe duke nënkuptuar pasojat e mosdurimit. Në to tregohet, gjithashtu, se sprovat janë të llojeve të ndryshme dhe normë e pandryshueshme e Krijuesit.

← Bekare 2:153