2. Bekare · Ajeti 158 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:158–2:170

Safa dhe Merve janë emra të dy brigjeve afër Qabes. Në Safa kishte qenë një statujë që quhej "Asaf" e në Merve një që quhej "Nailetun". Kur idhujtarët i vizitonin, u prekshin për to. Myslimanët pasi e çliruan Mekën dhe Qabën nuk deshën t'i vizitojnë, duke u frikësuar se po madhërojnë diçka që adhurruan edhe idhujtarët. Pasi që i hoqën ato statuje, u këshilluan po madhërojnë diçka që adhurruan edhe idhujtarët. që t'i vizitojnë ato dy birigje. Tash haxhinjt ecin ndërmjet atyre dy brigjeve dhe ajo ecje quhet "sa'jun", dhe është obligim.

Ata të cilët fshehin argumentet e Zotit, nuk besojnë vetë dhe nuk i lënë as të tjerët ta njohin të vërteteën e të besojnë, ata janë të përzënë prej mëshirës së Zotit, vetëm nëse pendohen shpjegojnë haptazi atë që kanë fshehur dhe bëjnë punë të mira, atëherë Zoti ua falë, e nëse vdesin si pabesimtarë, ata kurrë nuk kanë shpëtim. i Zoti sjell fakte të qarta për ata që kanë mendim të shëndoshë, siç është e tërë gjithësia me i krijesat e dukuritë në te, andaj nuk mbetet vend për besime të kota.

Shpjegimi i skenës, që do të shfaqet në ditën e kijametit, është ndihmë e madhe dhe mëshirë nga i madhi Zot, ashtu që të mos mashtrohemi e të shkojmë pas punëkëqinjve, sepse atë ditë ata, kur ta shohin dënimin që i pret nëse munden do të largohen.

Të imitosh në mënyrë të vërbër traditat e të parëve, kur ato janë të dëmshme, është gabim i madh. Kështu vepruan idhujtarët. Ata nuk pranuan faktet e sakta, as këshillat e dobishme, por shkuan pas mësimeve të dreqit, i cili gjithnjë mëson për mbrapsht. Trashëgimi i traditave të të parëve që janë në dobi të njeriut, duhet ruajtur e respektuar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:158

Imam Ahmedi na sjell një hadith, që e përcjell me senedin e tij prej Urues, se Aishja ka thënë: 157 “Çfarë mendon për kuptimin e fjalës së Allahut: "Vërtet, Safa dhe Merva janë disa nga simbolet e Allahut. Prandaj ata që shkojnë në Qabe për haxh ose për umre, nuk kanë asnjë gjynah nëse sillen mes tyre."? Unë i thashë: “Betohem në Allahun se askush nuk ka gjynah që të mos sillet mes tyre. Aishja tha: “Sa e keqe është kjo fjalë që the, o djali i motrës sime! Nëse do të ishte kuptimi kështu siç the ti, ajeti do të ishte kështu: "...nuk kanë asnjë gjynah nëse nuk sillen mes tyre." Por ky ajet u zbrit sepse ensarët, para se të pranonin Islamin, e ngrinin zërin duke përmendur e lëvduar Menatin, idhullin e njohur, që adhurohej në kohën e injorancës. Ishte zakon që , ai që e ngrinte zërin duke përmendur e lëvduar Menatin ndihej keq (e shihte si gjunah) që të sillej (për sa'jin) mes Safasë dhe Mervas. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin "Vërtet, Safa dhe Merva janë disa nga simbolet e Allahut. Prandaj ata që shkojnë në Qabe për haxh ose për umre, nuk kanë asnjë gjynah nëse sillen mes tyre." Aishja thotë: “Më pas, Profeti i Allahut e la si traditë të tijën që të sillemi (për sa'jin) mes tyre, prandaj askujt nuk i takon që ta lërë sa'jin mes tyre.” [Buhariu dhe Muslimi]. Në Sahihun e Muslimit përcillet hadithi i gjatë i Xhabirit, në të cilin ndër të tjera thuhet se: 158 “Profeti i Allahut kur përfundoi tavafin rreth Qabes, u kthye tek rukni (Guri i Zi) dhe e përshëndeti atë, pastaj doli nga porta e Safasë duke thënë:"Vërtet, Safa dhe Merva janë nga Simbolet e Allahut...." Pastaj tha: Po ia filloj me atë që ia filloi Zoti.” Ndërsa në versionin e sjellë nga Nesaiu thuhet: 159.

“..... Filloni me atë që ia filloi Zoti!” Imam Ahmedi sjell me senedin e tij deri tek Habibe bintu Texhrate se ka thënë: 160 “ E kam parë Profetin e Allahut duke bërë sajin mes Safasë dhe Mervasë; njerëzit ishin para tij dhe ai ishte pas tyre. Ai v raponte aq sa e shihje se si rrotullohej izari i tij dhe ai thoshte: “Bëjeni sajin, se Allahu e ka bërë detyrë për ju sajin mes Safasë dhe Mervas!” Imam Ahmedi përcjell prej Safije Bint Shejbete se një grua e kishte njoftuar atë se ajo kishte dëgjuar Profetin e Allahut mes Safasë dhe Mervasë që thoshte: 161 “Ju është bërë detyrë saji, prandaj bëjeni sajin (mes Safasë dhe Mervasë)!” Me këtë hadith argumentojnë ata që janë të mendimit se saji mes Safasë dhe Mervasë është shtyllë e Haxhit, sikurse është medhhebi i Shafiut dhe atyre që e miratojnë atë. Për këtë qasje flet edhe një transmetim i sjellë nga imam Ahmedi. Gjithashtu, ky është mendimi më i njohur dhe përhapur në medhhebin e imam Malikut. Disa të tjerë thonë se saji është vaxhib dhe ai që e lë me qëllim ose nga harresa e kompenson duke bërë kurban. Disa thonë se është mustehab, i pëlqyeshëm, dhe me këtë mendim janë imam Ebu Hanife e të tjerë, të cilët e sjellin edhe si mendim të Enesit, Ibn Umerit dhe Ibn Abasit. Kurtubiu thotë se këta argumentojnë me fjalën e Allahut menjëherë pas përmendjes së sa'jit mes Safasë dhe Mervas: "Kush bën vepra të mira vullnetarisht, ta dijë se Allahu është Mirënjohës e i Gjithëditur. " Por mendimi i parë është më i saktë, sepse Profeti ﷺ e bëri sajin dhe tha: 162. “Merrini prej meje ritet e adhurimeve!”. Kështu, çdo vepër që Profeti e bëri gjatë haxhit të tij është vaxhib, pra, që duhet të bëhet patjetër, përveç asaj vepre për të cilën ka ardhur ndonjë dëshmi tjetër, që e nxjerr nga detyrueshmëria. Megjithatë, Allahu është më i ditur. U përmend më parë fjala e Profetit: “Bëjeni sajin, sepse Allahu e shkroi për ju (si detyrë) atë!” Kështu, Allahu i Lartësuar e bëri të qartë se tavafi mes Safas dhe Mervas është nga simbolet dhe shenjat e dispozitat e ligjëruara prej Allahut. Pra, është nga ato ligje e rite të haxhit, që Allahu i ligjëroi për Ibrahimin ﷺ . Më parë u përmend hadithi i Ibn Abasit se në themel të këtij riti është vrapimi i Haxheres mes Safas dhe Mervas në kërkim të ujit për djalin e vet, e mbuluar nga përunjësia dhe frika, e trembur dhe në merak të madh, e varfër dhe nevojtare për ndihmën e Allahut, derisa Allahu e shpëtoi atë duke ia larguar përvuajtjen dhe duke e qetësuar në vetminë e saj. Ai e largoi vështirësinë e saj duke nxjerrë për të burimin e Zemzemit, për të cilin thuhet se: 163 “...uji i tij është ushqim dhe shërim për sëmundjet.” Ai që bën sajin mes Safasë dhe Mervasë duhet të sjellë ndërmend varfërinë e nevojën e tij të madhe e të mbulohet nga përunjësia e nënshtrimi për Zotin. Gjatë këtij adhurimi, le t'i shprehë Allahut nevojën e vet për udhëzimin e drejtë, për rregullimin e gjendjes së tij dhe të lutet për t’iu falur gjynahet. - Kush bën vepra të mira vullnetarisht, ta dijë se Allahu është Mirënjohës e i Gjithëditur. - Ai që bën sajin mes Safas dhe Mervas gjatë haxhit ose umrës vullnetare, do të shpërblehet. Kështu ka thënë El Razi. Allahu thotë: "...ta dijë se Allahu është Mirënjohës e i Gjithëditur." Pra, Ai shpërblen me shpërblime të shumta edhe për ato pak vepra të mira që bëjnë njerëzit. Ai është i Gjithëditur për shpërblimin e merituar dhe askujt nuk ia mban e pakëson atë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:158

- “Vërtet, Safa dhe Merva janë nga simbolet e Allahut…” – Kështu, Allahu i Lartësuar thotë se kodrat Safa dhe Merva, ku adhurohet Ai, janë dy nga simbolet e fesë së Tij. Duke qenë të tilla, ato duhen nderuar dhe respektuar, pasi i Lartësuari ka thënë që: “Kush i respekton shenjat e Allahut, tregon për devotshmërinë e zemrës së tij.” [Haxh]. Atëherë, Safa dhe Merva janë shenja të Allahut, dhe madhërimi i tyre tregon devotshmërinë e zemrës. Duke qenë se devotshmëria e zemrës është detyrë e çdo adhuruesi, atëherë edhe ecja mes Safas dhe Mervas është detyrë për ata që kryejnë haxhin apo umren. Të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve, megjithëse kjo mbështetet edhe nga hadithet e përcjella nga Profeti (s.a.u.s.), i cili ka thënë: “Mësoni

prej meje ritet tuaja (të adhurimit, në haxh etj.)!” - “…Prandaj ata që shkojnë në Qabe për haxh ose për umre, nuk kanë asnjë gjynah nëse sillen mes tyre. ” – Këtu flitet për mendimin e gabuar të disave, të cilëve iu duk i gabuar riti i vrapimit mes Safas dhe Mervas, meqë kështu ishte vepruar edhe në kohën para Islamit. Por Allahu i Lartësuar bën të qartë se ky rit nuk ishte gjynah. Megjithatë, mohimi i gjynahut për këtë veprim nuk tregon se ai është jo i detyrueshëm për t'u kryer. Allahu i Lartësuar thotë se për atë që bën haxhin dhe umren nuk është gjynah që të kryejë rendjen (sa'j) mes Safas dhe Mervas. E parë anasjelltas, kjo tregon se sa'j-i mes Safas dhe Mervas nuk bëhet jashtë riteve të haxhit dhe umres. Pra, ai nuk është një adhurim i veçantë, që mund të kryhet më vete. Ai nuk është si tavafi rreth Qabes, i cili, përveç që kryhet gjatë Haxhit dhe Umres, mund të bëhet edhe si adhurim më vete. Kështu, sa'ji mes Safas dhe Mervas, qëndrimi në Arafat dhe në Muzdelife dhe gjuajtja e gurëve, janë adhurime që nuk mund të kryhen jashtë kuadrit të haxhit. Nëse këto vepra kryhen jashtë haxhit, atëherë nuk quhen më adhurime, por sajime (bidate) në fe, sepse bidatet në fenë e Allahut janë dy llojesh: së pari, adhurime që Allahu nuk i ka ligjëruar dhe, së dyti, adhurime të cilat janë ligjëruar nga Allahu që të kryhen me një mënyrë dhe formë të caktuar, por që adhuruesi i kryen në forma dhe mënyra të tjera, të ndryshme nga ato që ka përcaktuar Allahu. - “Kush bën vepra të mira vullnetarisht…” – Pra, çdokush që kryen vepra të mira, me sinqeritet për Zotin, e mira do ta gjejë. Të mirat që mund të kryejë robi janë të llojeve të ndryshme, si për shembull: haxhi, umra, tavafi rreth Qabes, namazi, agjërimi etj. Në ajetin e agjërimit, ku thuhet: “ Nëse dikush jep vullnetarisht më shumë, do të jetë më mirë për të. ”, tregohet një rregull i mrekullueshëm, i vendosur nga Allahu i Lartësuar, sipas të cilit: sa herë që adhuruesi bën ndonjë punë të mirë, duke shprehur bindje ndaj Zotit, aq më shumë i shtohet mirësia dhe grada tek Zoti i tij. Veprat e mira ia shtojnë imanin adhuruesit, ndërsa imani i lartë ia ngre atij gradat tek Allahu i Lartësuar. Ndërsa ky ajet, që thotë: “Kush bën vepra të mira vullnetarisht…”, tregon se gradat e adhuruesit ngrihen kur ai shton vullnetarisht veprat e mira. Nga fjala “ hajran” (vepra të mira) kuptojmë se ky lartësim arrihet vetëm me ato vepra që quhen të mira, e jo me të tjera. Veprat quhen të mira vetëm nëse Allahu i Lartësuar i ka cilësuar të tilla nëpërmjet Librit dhe Profetit të Tij. Me fjalë të tjera, gradat e larta nuk mund të arrihen duke shtuar vepra e adhurime, të cilat nuk janë cilësuar si të tilla nga Allahu. Tek Allahu i Lartësuar mund të afrohesh dhe mund të fitosh kënaqësinë e Tij veçse me mënyrat që Ai i pëlqen dhe i ka ligjëruar për një gjë të tillë, nëpërmjet profetëve të Tij dhe librave të shenjtë me të cilët i pajisi ata. Mirësia nuk mund të arrihet me rrugë jo të mira. Ai që përpiqet të afrohet tek Allahu i Lartësuar me bidate arrin të fitojë veçse lodhjen e kotë. Madje, kur e di se adhurimi që kryen nuk është ligjëruar nga Zoti i tij, atij i shtohen të këqijat dhe largohet nga Allahu i Lartësuar. - “…ta dijë se Allahu është Mirënjohës e i Gjithëditur.” - Shâkirun (Mirënjohës) dhe Shekûrun janë dy emra të Allahut të Lartësuar, që tregojnë për mirësinë dhe mëshirën e Tij. Ata tregojnë mirënjohjen e Tij, duke shpërblyer çdo punë të adhuruesve, sado e vogël qoftë ajo, madje për një vepër të vogël, Allahu Bujar shpërblen shumëfish. Shenjë tjetër e mirënjohjes së pakufishme të Allahut Bujar është edhe fakti që, kur adhuruesi përpiqet për të kryer urdhrat e Tij dhe për t’iu larguar ndalesave të Tij, Allahu e ndihmon atë dhe i jep sukses që të jetë i vazhdueshëm në këtë rrugë. Madje, jo vetëm që e ndihmon, por edhe e për mend atë në Mbretëritë e qiellit, duke ia ngritur famën dhe gradat e tij. Allahu i Lartësuar dhe Bujar e shpërblen bindjen e robit duke i

dhuruar atij dritë dhe besim të pastër në zemër, forcë në trup, mirësi në jetë dhe begati në vepra. Këto janë shenjat e mirënjohjes nga Allahu Bujar për bindjen e adhuruesit në këtë jetë. Ndërsa në jetën tjetër, atë e pret shpërblimi i plotë.Tregues tjetër i mirënjohjes së Allahut ndaj robit të bindur është edhe premtimi i Tij se, kush e lë diçka për hir të Tij, Allahu do t'ia kompensojë me diçka më të mirë se ajo që robi do të lërë. Nëse robi i afrohet Allahut një pëllëmbë, Ai do t’i afrohet robit një krah, e nëse robi i afrohet një krah, Ai do t’i afrohet edhe më shumë. Nëse robi i afrohet Allahut me hap, Ai do t’i afrohet atij duke rendur. Kush bën tregti me Zotin e tij, do të marrë shumëfishin e asaj që do të japë. Por Allahu i Lartësuar, përveçse është Mirënjohës i madh, Ai është edhe Alîm, pra, i Gjithëditur. Ai e di më mirë se çdokush tjetër se cili e meriton mirënjohjen e Tij. Ai e di shumë mirë se cilët adhurues e meritojnë shpërblimin e plotë, sepse Ai njeh shumë mirë qëllimet, besimin dhe përkushtimin e tyre, në varësi të të cilëve jep edhe shpërblimin e merituar. Allahu e di shumë mirë dallimin mes adhuruesve dhe asnjërit nuk ia humbet hakun. Çfarëdo pune, sado e vogël dhe e parëndësishme të duket, nuk i shpëton dijes së Tij gjithëpërfshirëse. Të gjithë do ta gjejnë të plotë shpërblimin e veprave të tyre, sipas qëllimit që kanë patur në këtë jetë, se asgjë nuk i shpëton të Gjithëditurit.

← Bekare 2:158