2. Bekare · Ajeti 184 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:183–2:190

Agjërimi ishte rregull edhe më heret te popujt para nesh, por jo në këtë trajtë, as në këtë mënyrë e as me këtë qëllim. Agjërimi në fenë islame ka për qëllim: lartësimin shpirtëror, edukimin moral, përgatitjen e njeriut që t'i mbizotërojë emocionet e epshet dhe të bëhet i pavarur prej tyre. Ai nuk ka për qëllim vetëm braktisjen e ushqimit, por braktisjen e të gjitha punëve, sjelljeve dhe shprehjeve që nuk përkojnë me moralin islam. Fryma humane e obligimeve të fesë islame manifestohet edhe në agjërim, sepse i sëmuri ose ai që nuk i ka kushtet e volitshme për të agjëruar në kohën e caktuar, i lejohet të agjërojë më vonë, kur të shërohet ose kur t'i ketë kushtet më të mira.

Agjërimi u bë obligim në vitin e dytë të Hixhretit, muaji i agjërimit është muaji i Ramazanit, në të cilin fillon shpallja e Kur'anit që është udhërrëfyes e shpëtimtar për njerëzit. Derisa agjërimi është vepra-ibadeti më i sinqert, agjëruesi i këtij muaji është më afër Zotit dhe për lutjet dhe kërkesat e veta, siç kuptohet nga Kur'ani, nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësuesi.

Në fillim të zbatimit të agjërimit, në raste të posaçme, nuk ishte e lejueshme të),flejnë" së bashku me gratë e tyre, e më vonë kjo u lejua.

Peri i bardhë dhe i ziu, të përmendur në Kur'an, kanë të bëjnë me dritën e agimit dhe errësirës para tij - thonë komentatorët.

Pasuria e fituar në mënyrë të padrejtë është haram, pa marrë parasysh se pronari i pasurisë pajtohet për te siç është ryshfeti etj.

Hëna me fazat e saj përcakton kohët e nevojshme për çështjet fetare dhe përcakton llogari të tjera. Disa arabë, sa ishin në ihrame gjatë haxhit, mendonin ta ndryshonin jetën e rëndomtë, andaj e ndryshuan edhe hyrjen në shtëpitë e tyre, ata hynin nga prapa e jo nga dera, e Kur'ani u tha se kjo është bindje e gabuar. Disa komentatorë të Kur'anit janë të mendimit se me këtë thënie aludohet: çështjeve duhet hyrë kah është rruga dhe ato duhet besuar atyre që i njohin, e jo injorantëve.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:184–2:185

- Agjërimi është për një numër të caktuar ditësh. Të sëmurët ose udhëtarët (që nuk agjërojnë dot) , le të agjërojnë më vonë po aq ditë (sa kanë lënë pa agjëruar). Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfri. Nëse dikush jep vullnetarisht më shumë, do të jetë më mirë për të. Por, sikur ta dini, është më mirë për ju të agjëroni. - Kështu, të sëmurët e udhëtarët nuk agjëronin. Ata zëvendësonin ditët e paagjëruara në ditët në vijim. Ndërsa ai që nuk ishte i sëmurë ose që nuk ishte udhëtar, ishte i lirë: nëse dëshironte, agjëronte e nëse jo, nuk agjëronte, por për çdo ditë të paagjëruar ushqente një të varfër, si kompensim. Por duhet theksuar se agjërimi ishte më i mirë dhe më i preferuar sesa ushqimi i një të varfëri. Kështu ka thënë Ibn Mesudi, Ibn Abasi e selefë të tjerë. Pikërisht për këtë flet fjala e Allahut: "Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfri." Por më pas Allahu i Lartësuar zbriti ajetin tjetër: "Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kur 'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe kriter dallues (i së vërtetës nga e kota). Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë!" Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e ligjëroi dhe e bëri tashmë detyrim të prerë agjërimin për të shëndetshmin e jo udhëtarin, dhe ua lehtësoi të sëmurëve dhe udhëtarëve, duke i lejuar që të agjërojnë ditët e paagjëruara më vonë. Ndërsa lejimi i mosagjërimit dhe ushqimi i një të varfëri për çdo ditë të paagjëruar mbeti në fuqi vetëm për pleqtë në moshë të thyer, që nuk mund të agjërojnë. Buhariu sjell hadithin e Selemetu Ibn Ekua, i cili tegon se, kur zbriti ajeti: “Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfri.” , të gjithë ata që zgjidhnin të mos agjëronin, duhet të kompensonin duke ushqyer një të varfër për çdo ditë të paagjëruar. Kështu vazhdoi, derisa zbriti ajeti vijues, i cili e abrogoi këtë dispozitë." Edhe nga Ibn

Umeri është përcjellë se kemi të bëjmë me një ajet të abroguar. Ndërsa Buhariu sjell qëndrimin nga Ibn Abasi, që thotë se ajeti nuk është i abroguar. Në ajet thjesht kemi të bëjmë me një dispozitë për ata të moshuar, që nuk mund të agjërojnë. Për këta është dispozita që lejon mosagjërimin dhe kompensimin për çdo ditë të paagjëruar me ushqimin e një të varfëri. Nga e gjithë kjo kuptohet se abrogimi ka lidhje vetëm me atë që është i shëndetshëm dhe jo udhëtar; këto dy kategori e kanë detyrë agjërimin, mbështetur në ajetin: "...Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë!". Ndërsa për atë që është në moshë të thyer ka dy mendime. Mendimi më i saktë është që nuk e ka detyrë agjërimin, por e ka detyrë që të ushqejë një të varfër për çdo ditë të paagjëruar. Në Sahihun e Buhariut thuhet se: Enesi, kur u plak, për çdo ditë të paagjëruar ushqeu një të varfër me bukë dhe mish, dhe nuk agjëroi. Kjo ndodhi për dy vjet rresht (pra, për dy ramazane). Këtë e ka sjellë Buhariu në Sahihun e tij me formën mual-lak (pra, jo me sened të plotë). Por sidoqoftë, të njëjtin hadith e ka sjellë me sened të plotë Hafidh Ebu Jea’la el Meusiliju në Musnedin e tij. Të njëjtin gjykim ka edhe gruaja shtatzënë ose gjidhënësja, nëse kanë frikë për shëndetin e vet ose të foshnjës. - Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe kriter dallues (i së vërtetës nga e kota) . - Allahu i Lartësuar e lëvdon dhe dallon muajin e Ramazanit ndër muajt e tjerë, sepse Ai e zgjodhi këtë muaj për të zbritur Kur'anin e Madhërishëm. Është thënë në hadith se ky është muaji në të cilën u silleshin shpalljet të gjithë profetëve. Imam Ahmed Ibn Hambeli (Allahu e mëshiroftë!) përcjell nga Uailetu Ibn el Eska’, që tregon se Profeti ﷺ ka thënë : 195. “Fletët e Ibrahimit u zbritën natën e parë të Ramazanit, Teurati u zbrit pasi kishin kaluar 6 ditë nga Ramazani, Ungjilli u zbrit pasi kishin kaluar 13 ditë nga Ramazani, ndërsa Kur'ani u zbrit kur kishin kaluar 24 net nga Ramazani. Fletët, Teurati, Zeburi dhe Ungjilli, secili prej tyre iu zbrit profetit përkatës njëherësh dhe i plotë. Ndërsa Kur'ani u zbrit i tëri në një moment në "Bejt el Iz-ze", në qiellin e dynjasë, dhe kjo ndodhi në muajin e Ramazanit, e pikërisht në natën e Kadrit, siç thotë i Madhëruari: "Ne e zbritëm atë në një natë të bekuar." [Duhan 3]. Gjithashtu: "Ne e zbritëm atë (Kur'anin) Natën e Kadrit." [Kadr 1]. Më pas, ai iu zbrit Profetit ﷺ pjesë-pjesë, në varësi të ndodhive në Tokë. Në transmetimin e Ikrimës nga Ibn Abasi, thuhet: “Kur 'ani u zbrit në muajin e Ramazanit, Natën e Kadrit, në qiellin e kësaj dynjaje, si një i vetëm e i plotë. Pastaj, kur Allahu e urdhëronte Profetin e Tij me çështje të ndryshme e idhujtarët sillnin shembujt e tyre ose kundërshtonin Profetin , Allahu sillte përgjigjet me argumentet përkatëse nëpërmjet Shpalljes së Tij. Për këtë flet fjala e Allahut: “Ata që nuk besojnë thonë: “Përse të mos i zbriste Kur'ani atij (Muhamedit) i gjithi përnjëherë?” Ne e shpallëm ashtu (pjesëpjesë), në mënyrë që të forcojmë zemrën tënde nëpërmjet tij. Ne ta sollëm atë ca nga ca, ajet pas ajeti. Ata nuk të bëjnë ndonjë pyetje, e që Ne të mos të zbresim të vërtetën dhe shpjegimin më të mirë për të. " [Furkan 32, 33]. Në vijim, Allahu i Madhëruar thotë: - "...që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe kriter dallues (i së vërtetës nga e kota) . - Kjo është një lëvdatë e madhe dhe përshkrim i mrekullueshëm i Kur 'anit. Allahu e zbriti këtë Libër të madhërishëm që të jetë udhëzim e dritë për zemrat e adhuruesve, të cilët e besojnë Atë me pastërti e korrektësi, që besojnë vërtetësinë e Shpalljen e Profetit të Tij dhe ndjekin rrugën e Tij. Kur 'ani është edhe “ bejinat” - sqarues i rrugës së drejtë. Në të ka argumente e fakte të sigurta dhe të prera, që tregojnë për besnikërinë e Profetit dhe saktësinë e Shpalljes, që ai solli nga Zoti. Udhëzimi që Muhamedi ﷺ solli nga Zoti është i sigurt, i pacënueshëm dhe

udhëzues e tregues i të vërtetës, dallues i qartë mes të vërtetës dhe të gabuarës, mes hallallit dhe haramit. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë! - Ky është një urdhër i prerë për atë që e kap muaji i Ramazanit duke qenë i shëndetshëm dhe jo udhëtar, që ta agjërojë. Lejimi i mosagjërimit dhe kompensimi me ushqimin e një të varfëri për ditët e paagjëruara, që ishte i lejuar më parë, tashmë është abroguar për atë që është i shëndetshëm dhe jo në udhëtim, sikurse u sqarua më sipër. Pasi solli urdhrin e prerë për agjërimin e Ramazanit, Allahu i Madhëruar përmend përsëri lehtësimin, por tashmë vetëm për ata që janë të sëmurë dhe ata që janë në udhëtim, por me kusht që ditët e paagjëruara t’i agjërojnë pas Ramazanit: - Por kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) . - Ai i cili po kalon sëmundje, me të cilën rëndohet nëse agjëron ose e dëmton, ose është në udhëtim, e ka të lejuar të mos agjërojë gjatë kësaj kohe, por duhet t’i agjërojë më vonë këto ditë të lëna, atëherë kur të mos ketë më vështirësi. I Lartësuari thotë: - Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju. - Lehtësimi gjatë kohës së sëmundjes ose udhëtimit është nga Zoti, për ju dhe nevojën tuaj, ndërkohë që ata që nuk janë në të tilla gjendje e kanë detyrë të prerë agjërimin. Këtu kemi disa çështje që kërkojnë shpjegim: 1. Disa pretendojnë se lejimin për të mos agjëruar e kanë vetëm ata të cilët i zë hyrja e muajit të Ramazanit në udhëtim. Ndërsa ata të cilët muaji i Ramazanit i gjen në vendin e tyre dhe do të udhëtojnë më pas, këta janë vendalinj dhe, si të tillë, e kanë detyrë agjërimin e nuk lejohet ta prishin, edhe nëse më vonë udhëtojnë gjatë muajit të Ramazanit. Ata argumento jnë me ajetin që thotë: "Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë!" Por ky argumentim është i pasaktë dhe ky kuptim që ata aludojnë është jo korrekt. Në këtë ajet nuk ka asnjë argument që të vërtetojë pretendimin e tyre. Madje në dy Sahihët shënohet se: 196 “Profeti udhëtoi gjatë muajit të Ramazanit në ekspeditën për çlirimin e Mekës, dhe gjatë udhëtimit, ai e ndërpreu agjërimin dhe urdhëroi njerëzit që ta ndërprisnin agjërimin.” 2. A e ka detyrë ai që është në udhëtim që ta ndërpresë agjërimin dhe të agjërojë më vonë, pas Ramazanit? Disa janë të mendimit se ai e ka detyrë që ta ndërpresë agjërimin dhe të agjërojë më vonë, sepse Allahu i Madhëruar thotë: " ... kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) ." Por ajeti nuk tregon se është i ndaluar mosagjërimi gjatë Ramazanit kur je udhëtar. Madje, kuptimi i ajetit në këtë mënyrë, bie ndesh me atë që është përcjellë nga Profeti ﷺ dhe veprën e tij. Në hadithin e Ebu Dardasë thuhet: 197 “Gjatë muajit të Ramazanit, ne dolëm së bashku me Profetin për udhëtim. Ishte një i nxehtë i madh. Isht e aq nxehtë, saqë çdokush prej nesh vendoste dorën mbi kokë (për t’u mbrojtur sadopak) nga nxehtësia e madhe. Mes nesh askush nuk ishte me agjërim, veç Profetit dhe Abdullah Ibn Rauahas.”. 3. Si është më mirë, të agjërosh apo jo gjatë udhëtimit? Disa thonë se të agjërosh është më mirë. Por të tjerë thonë se mosagjërimi është më i mirë, sepse kështu kemi marrë lehtësimin e Allahut dhe dihet se Profeti ﷺ ka thënë: 198 “Merrini lehtësimet që Allahu ka dhënë për ju!” Disa të tjerë kanë thënë: "Mosagjërimi është më i mirë nëse agjërimi sjell vështirësi e mundim të madh." Argument për këtë është hadithi i Xhabir Ibn Abdullahit: 199 “Njëherë, Profeti ﷺ pa një burrë të cilin e kishin rrethuar njerëzit, ndaj pyeti: “Ç’ka ky?” - “Është me agjërim.” Atëherë Profeti ﷺ tha: “Nuk ka mirësi të agjërosh gjatë udhëtimit.” [Buhariu dhe Muslimi]. Por mendimi më i saktë është ai i shumicës së dijetarëve, të cilët thonë se çështja është lënë e lirë dhe

nuk është e detyrueshme zgjedhja e agjërimit ose mosagjërimit, sepse sahabët dolën me Profetin gjatë muajit të Ramazanit dhe në hadith është thënë se: 200 “Prej nesh kishte që agjëronin e të tjerë që nuk agjëronin dhe, as agjëruesi qortonte mosagjëruesin dhe as mosagjëruesi nuk qortonte agjëruesin.” Nëse dikush e refuzon sunetin e Profetit ﷺ dhe pretendon se ai nuk mund ta pranojë mosagjërimin, këtij i bëhet detyrë të mos agjërojë dhe i themi se e ke haram të agjërosh. Në Musnedin e Ahmedit e libra të tjerë është hadithi i Ibn Umerit dhe Xhabirit, ku thuhet: 201 “Ai që nuk e pranon lehtësimin e Allahut (e refuzon) ai merr një gjynah aq të madh, sa mali i Arafatit.” Për të agjëruar ditët kaza nuk është detyrë t’i agjërosh rresht e njëra pas tjetrës. Nëse dëshiron, i bën rresht e nëse jo, i agjëron të shpërndara. Ky është mendimi i shumicës së dijetarëve selefë dhe të mëvonshëm, dhe këtë mendim e mbështesin shumë argumente. Agjërimi i ditëve rresht u bë si detyrë gjatë muajit të Ramazanit, në mënyrë që agjërimi gjatë atij muaji të jetë i plotë. Ndërsa pas përfundimit të muajit duhet thjesht plotësimi i ditëve të paagjëruara. Allahu i Lartësuar thotë: "... le të agjërojë më vonë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) ." Pastaj i Lartësuari thotë: "Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju." Imam Ahmedi sjell hadithin nga Amir Ibn Uruete, që tregon: "...njerëzit e pyesnin Profetin duke thënë: “Ne kemi vështirësi në këtë apo atë çështje.” Profeti u thoshte: 202 “Feja e Allahut është lehtësim! Feja e Allahut është lehtësim! Feja e Allahut është lehtësim.”. Ahmedi sjell gjithashtu me senedin e tij hadithin nga Enes Ibn Maliku, i cili tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 203. “Lehtësoni dhe mos vështirësoni! Sillni qetësinë e prehjen dhe mos i largoni njerëzit (nga Islami)!” Ky hadith është sjellë nga Buhariu dhe Muslimi në Sahihun e tyre. - Plotësojeni numrin e ditëve të agjërimit dhe madhërojeni Allahun për udhëzimin (që ju dhuroi) , që të bëheni mirënjohës! - Allahu i Lartësuar ju lejoi që të mos agjëroni kur jeni të sëmurë, në udhëtim e në raste të ngjashme vështirësie të konsiderueshme nga Sheriati, sepse Ai synon dhe e dëshiron për ju lehtësimin. Por, gjithashtu, ju urdhëron që të agjëroni më vonë, pas Ramazanit, në mënyrë që t’i plotësoni ditët e paagjëruara të muajit, dhe këtë e bëri për të plotësuar mirësinë e Tij mbi ju. Allahu thotë: "...madhërojeni Allahun për udhëzimin (që ju dhuroi), që të bëheni mirënjohës!" Pra, që ta kujtoni, përmendni e ta madhëroni Allahun në mbarim të adhurimit tuaj. I Madhëruari thotë: "E kur t’i përfundoni ritet, përmendeni Allahun siç kujtoni prindërit tuaj, por me një kujtim edhe më të fortë." [Bekare 200]. Ibn Abasi thotë: “Ne e kuptonim mbarimin e namazit të Profetit të Allahut veçse nga tekbirët që thoshte menjëherë pas tij.” Me këtë ajet argumentojnë shumë dijetarë rreth ligjërimit të tekbireve gjatë festës së Fitër Bajramit, madje Daud el Dhahiriu e konsideron detyrë, sepse ajeti ka ardhur në formën urdhërore. Përballë këtij mendimi qëndron mendimi i Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë!), i cili gjykon se tekbiri gjatë festës së Fitër Bajramit nuk është i ligjëruar. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se është diçka e pëlqyeshme. Allahu i Madhëruar thotë: "...që të bëheni mirënjohës!". Pra, nëse ju përkushtoheni për të kryer detyrimet ndaj Tij, për t'iu larguar ndalesave të Tij dhe për të ruajtur të pacënuar kufijtë e Tij, atëherë mund të shpresoni që të jeni mirënjohës, për mirësitë që Ai ju ka dhuruar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:183–2:185

- “O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ata që ishin para jush” - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve një mirësi të madhe për ta, që është agjërimi. Agjërimi ka qenë i detyrueshëm edhe për popujt e mëparshëm, pasi ai është i dobishëm për të gjitha kohërat. Ky ajet shërben si nxitje e këtij umeti, për të garuar me popujt e mëparshëm në kryerjen e veprave të mira që i kushtohen Allahut. Kështu, ata nxiten për të arritur cilësitë më të mira, që do të thotë se agjërimi nuk është thjesht një vepër e vështirë për t’u kryer.

Pastaj, Allahu i Lartësuar na tregon qëllimin e lartë të këtij adhurimi, duke thënë: - “…me qëllim që të bëheni të devotshëm.” - Agjërimi është një nga mënyrat më efikase për t’u pajisur me devotshmëri. Ai është zbatim i urdhrit të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij, ashtu si vetë devotshmëria, që është ruajtja nga ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit duke kryer urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Agjërimi e ndalon agjëruesin nga disa gjëra, si nga: të ngrënit, të pirit, marrëdhëniet seksulale etj. Besimtari iu largohet këtyre veprimeve, ndonëse nefsi ia kërkon me forcë, me qëllim që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, duke shpresuar shpërblimin e Tij. Siç shihet, pra, ky adhurim ka lidhje të drejtpërdrejtë me devotshmërinë. Nëpërmjet agjërimit, robi ushtrohet që të ndiejë mbikëqyrjen e Zotit të tij. Edhe sikur t’i ketë të gjitha mundësitë për të shijuar kënaqësitë e nefsit, ai u largohet atyre, sepse nuk do që të shkelë ligjet dhe rregullat e të Dashurit të Tij, Allahut të Ditur dhe të Urtë. Agjëruesi e ndien gjatë gjithë kohës vështrimin e Allahut dhe është shumë i sigurt për të. Nga ngjashmëritë e agjërimit me devotshmërinë ( takua) është edhe fakti se, agjërimi ia ngushton shejtanit rrugët e tij në trupin e njeriut. Dihet se shejtani lëviz nëpër trupin e njeriut ashtu sikurse qarkullon edhe gjaku i tij, por gjatë agjërimit, damarët ngushtohen e, rrjedhimisht, ngushtohen edhe rrugët e shejtanit për të mashtruar dhe nxitur njeriun në gjynahe. E dihet, gjithashtu, se njeriu i pakëson shumë gjynahet gjatë agjërimit. Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse, në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton veprat e mira në bindje ndaj Zotit, dhe nuk ka dyshim se veprat e mira të bëjnë të devotshëm. Një njeri i pasur, kur agjëron, e ndien vështirësinë dhe vuajtjen e të varfërit, që nuk ka mundësi të ushqejë veten dhe familjen e tij. Kështu, ai bëhet më i dhembshur ndaj të tjerëve, prandaj përpiqet t’i ndihmojë ata me pasuri, dhe dihet se shpenzimi në rrugën e Zotit është cilësi e devotshmërisë. - “Agjërimi është për një numër të caktuar ditësh. ” – Vërtet, Allahu i Lartësuar e bëri agjërimin detyrim për ne, por gjithashtu na njoftoi se ai zgjat vetëm për disa ditë të numëruara, të cilat nuk e dëmtojnë dhe nuk e stërmundojnë njeriun. Përkundrazi, kjo detyrë është shumë e lehtë për t'u përmbushur dhe me shpërblim shumë të madh. Lehtësimi i Allahut të Lartësuar nuk ndalon këtu. Ai thotë: - “Të sëmurët ose udhëtarët (që nuk agjërojnë dot), le të agjërojnë më vonë po aq ditë (sa kanë lënë pa agjëruar) . – Pra, për shkak të vështirësisë që zakonisht hasin këto dy kategori njerëzish, Allahu i Lartësuar u ka dhënë lehtësimin që, agjërimin e detyrueshëm të Ramazanit ta kryejnë në ditët e tjera pas këtij muaji, kur të jenë shëruar apo kur të jenë kthyer nga udhëtimi. Kështu, ata do ta marrin shpërblimin të plotë tek Zoti. Nga ajeti kuptojmë se ditët e paagjëruara të Ramazanit duhet të plotësohen detyrimisht, qofshin ato ditë të lëna plotësisht apo përgjysëm. Ajeti dëshmon se lejohet të zëvendësohen ditët e paagjëruara me ditë të tjera, edhe nëse nuk janë të njëjta në gjatësinë e tyre. Pra, nëse Ramazani, për shembull, ka qenë në stinën e verës, kur ditët janë të gjata, ato mund të zëvendësohen edhe me ditë të shkurtra dimri, sepse Allahu nuk ka përcaktuar gjë të tillë në ajet. Mjafton që të plotësohet vetëm numri i tyre. - “Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfri. Nëse dikush jep vullnetarisht më shumë, do të jetë më mirë për të. ” - Këtu flitet për mëshirën e madhe të Allahut, i Cili, para se ta bënte detyrim të plotë agjërimin për njerëzit, u dha atyre disa dispozita lehtësuese. Kështu, në fillim, edhe ai që kishte mundësi të agjëronte, mund të mos agjëronte, por ishte i detyruar të kompensonte, duke ushqyer një të varfër.

Kjo u bë me qëllim që detyrimi t'u vinte sa më i lehtë. Megjithatë, edhe pse i lejoi që, në vend të një dite agjërimi, të ushqenin një të varfër, Allahu i lartësuar tha: - “Por, sikur ta dini, është më mirë për ju të agjëroni.” - Por pas disa kohësh, Allahu i Lartësuar e bëri agjërimin të detyrueshëm për cilindo që mund të agjërojë. Ndërsa kush nuk mundet, duhet që ditët e lëna pa agjëruar, t'i agjërojë më vonë. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet flet për atë kategori njerëzish, të cilët e kanë të vështirë agjërimin, sepse mund të sjellë probleme të mëdha për ta, sikurse mund të jenë, për shembull, pleqtë e shtyrë në moshë. Për këtë kategori njerëzish lejohet që të mos agjërojnë, por ata e kanë të detyrueshme që të japin kompensim, duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë të paagjëruar. Ky mendim i dytë është më i saktë për t'u pranuar. - “Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe kriter dallues (i së vërtetës nga e kota) ."– Kuptimi: Muaji që duhet të agjëroni është muaji i Ramazanit, në të cilin zbriti Kur’âni, mirësia e madhe e Zotit tuaj. Këtu përmenden disa cilësi të Kur’ânit. Kështu, ai quhet “udhërrëfyes për njerëzit”, për t'u treguar atyre mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Së dyti, ai cilësohet “sqarues i rrugës së drejtë”, për ta bërë këtë me mënyrën më të thjeshtë dhe më të kuptueshme. Dhe më pas Kur’âni quhet “kriter dallues”, sepse ai të mundëson të shohësh dhe të dallosh rrugën e drejtë nga rruga e gabuar. Ai bën dallimin mes të lumturve, që do të jenë përherë në kënaqësinë e Allahut, dhe të dëshpëruarve, që do të vuajnë përjetësisht ndëshkimin dhe zemërimin e Zotit. Siç shihet, ky është muaj madhështor, prandaj duhet mbushur me adhurime kushtuar Zotit të gjithësisë, pikësëpari me agjërim. Kjo është urtësia e Allahut dhe mëshira e Tij. Vetëm pasi tregon dobitë e këtij muaji të madh dhe urtësinë e agjërimit gjatë tij, Ai thotë: - “Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë!” - Me këtë ajet, pra, u bë i detyrueshëm agjërimi i Ramazanit për çdonjë që ka mundësi të agjërojë dhe nuk është në udhëtim. Dikush mund të mendonte se ky ajet, përveçse anulon kompensimin për ata që mund të agjërojnë, anulon edhe lehtësimin për të sëmurët e udhëtarët, prandaj Allahu i Lartësuar e përmend sërish lehtësimin për të sëmurët dhe udhëtarët, që të largohet ky keqkuptim. Ai thotë: - “Por kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) .” – Kjo bëhet sepse Allahu i Lartësuar kërkon që të na i lehtësojë në maksimum rrugët që të çojnë drejt kënaqësisë së Tij. - “Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju. ” - Ai dëshiron të na thjeshtësojë çdo rrugë të mirë dhe të drejtë. Për këtë arsye, të gjithë urdhrat e Tij janë shumë të thjeshtë në origjinën e tyre. Në rastet kur, për shkaqe të justifikueshme nga Sheriati, zbatimi i këtyre

urdhrave vështirësohet, Ai ka sjellë dispozita lehtësuese, të cilat ose mund ta anulojnë krejt urdhrin e parë, ose mund të bëjnë disa lehtësime të tij. Çështja e lehtësimeve të Zotit për adhuruesit e Tij është mjaft e gjerë, saqë përfshin çdo aspekt të Sheriatit, prandaj këtu nuk mund të përmenden të gjitha ato. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë. - “Plotësojeni numrin e ditëve të agjërimit ...” - Allahu i Lartësuar e di më mirë, por, me sa duket, ky sqarim është i nevojshëm për ndonjë që mendon se qëllimet e larta të Ramazanit mund të plotësohen edhe duke agjëruar një pjesë të tij. Pra, Allahu i Lartësuar thekson se duhen plotësuar të gjitha ditët e këtij muaji. Dhe, si përfundim, Allahu i Lartësuar duhet adhuruar dhe falënderuar për suksesin që u jep besimtarëve në kryerjen e agjërimit dhe për qartësimin e të vërtetës: - “...dhe madhërojeni Allahun për udhëzimin (që ju dhuroi) , që të bëheni mirënjohës!” - Këtu bëjnë pjesë edhe tekbir-et, të cilat fillojnë që në momentin kur shfaqet hëna e re e muajit sheval, që tregon mbarimin e Ramazanit, dhe vazhdojnë deri në kohën e hytbes së namazit të Bajramit, ditën e festës.

← Bekare 2:184