2. Bekare · Ajeti 187 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:183–2:190

Agjërimi ishte rregull edhe më heret te popujt para nesh, por jo në këtë trajtë, as në këtë mënyrë e as me këtë qëllim. Agjërimi në fenë islame ka për qëllim: lartësimin shpirtëror, edukimin moral, përgatitjen e njeriut që t'i mbizotërojë emocionet e epshet dhe të bëhet i pavarur prej tyre. Ai nuk ka për qëllim vetëm braktisjen e ushqimit, por braktisjen e të gjitha punëve, sjelljeve dhe shprehjeve që nuk përkojnë me moralin islam. Fryma humane e obligimeve të fesë islame manifestohet edhe në agjërim, sepse i sëmuri ose ai që nuk i ka kushtet e volitshme për të agjëruar në kohën e caktuar, i lejohet të agjërojë më vonë, kur të shërohet ose kur t'i ketë kushtet më të mira.

Agjërimi u bë obligim në vitin e dytë të Hixhretit, muaji i agjërimit është muaji i Ramazanit, në të cilin fillon shpallja e Kur'anit që është udhërrëfyes e shpëtimtar për njerëzit. Derisa agjërimi është vepra-ibadeti më i sinqert, agjëruesi i këtij muaji është më afër Zotit dhe për lutjet dhe kërkesat e veta, siç kuptohet nga Kur'ani, nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësuesi.

Në fillim të zbatimit të agjërimit, në raste të posaçme, nuk ishte e lejueshme të),flejnë" së bashku me gratë e tyre, e më vonë kjo u lejua.

Peri i bardhë dhe i ziu, të përmendur në Kur'an, kanë të bëjnë me dritën e agimit dhe errësirës para tij - thonë komentatorët.

Pasuria e fituar në mënyrë të padrejtë është haram, pa marrë parasysh se pronari i pasurisë pajtohet për te siç është ryshfeti etj.

Hëna me fazat e saj përcakton kohët e nevojshme për çështjet fetare dhe përcakton llogari të tjera. Disa arabë, sa ishin në ihrame gjatë haxhit, mendonin ta ndryshonin jetën e rëndomtë, andaj e ndryshuan edhe hyrjen në shtëpitë e tyre, ata hynin nga prapa e jo nga dera, e Kur'ani u tha se kjo është bindje e gabuar. Disa komentatorë të Kur'anit janë të mendimit se me këtë thënie aludohet: çështjeve duhet hyrë kah është rruga dhe ato duhet besuar atyre që i njohin, e jo injorantëve.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:187

- Gjatë netëve të agjërimit, e keni të lejuar kontaktin (intim) me gratë tuaja. - Ky është një lehtësim që Allahu e solli për muslimanët, duke abroguar këtë dispozitë, që zbatohej në fillim të Islamit. Kur perëndonte dielli, lejohej ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime, deri në namazin e jacisë. Por nëse dikë e zinte gjumi përpara kësaj kohe, ose pasi falej namazi i jacisë, atëherë e kishte të ndaluar ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime deri të nesërmen në perëndim. Kjo u provua se ishte një vështirësi e madhe për njerëzit. Fjala e përdorur në ajet është "e keni të lejuar (el rafethu) dhe kuptimi është për “marrëdhëniet intime”, siç thonë një grup dijetarësh, si Ibn Abasi dhe disa tabiinë. Allahu i Madhëruar thotë: - Ato janë rrobë (mburojë) për ju dhe ju jeni rrobë (mburojë) për to. - Ibn Abasi dhe të tjerë veç tij e shpjegojnë: Ato janë prehja juaj dhe ju jeni prehja e tyre. Nga kjo kuptohet se burri dhe gruaja e ruajnë njëri tjetrin, flenë dhe rrinë bashkë me njëri tjetrin, prandaj do të ishte shumë e përshtatshme që të lejoheshin marrëdhëniet intime gjatë netëve të Ramazanit, në mënyrë që ata të mos ndienin vështirësi dhe mundim. Shkak për zbritjen e këtij ajeti, - sikurse e përmendëm - ishte një sahab, dhe kjo ndodhi para bërjes detyrë të agjërimit të ramazanit: 213. "Gjatë një dite agjërimi, ai fjeti gjumë para se të hante iftarin, dhe kështu nuk hëngri deri në ditën tjetër, në të njëjtën kohë. Kajs Ibn Sarmete el Ensarij

ishte me agjërim atë ditë dhe duke punuar tokën e vet. Kur erdhi koha e iftarit, shkoi tek gruaja e vet dhe tha: "A ka ndonjë ushqim?" Ajo tha: “Jo, por do të dal të gjej diçka.” Ndërkohë atë e zuri gjumi. Kur erdhi gruaja e tij, tha: “Oh, i shkreti ti, paske fjetur gjumë?!" Ditën tjetër, nga dreka (kur ai ishte agjërueshëm), atij i ra të fikët dhe njerëzit e njoftuan Profetin ﷺ për këtë. Atëherë zbritën ajetet: "Gjatë netëve të agjërimit, e keni të lejuar kontaktin (intim) me gratë tuaja." Deri tek fjala e tij: "Hani e pini, derisa të dallohet qartë peri i bardhë i agut nga peri i zi (errësira e natës) ." Besimtarët u gëzuan shumë me këtë dispozitë të zbritur nga Allahu i madhëruar.”. - Allahu e dinte se ju nuk do ta mbanit veten, prandaj jua pranoi pendimin dhe jua fali gabimin tuaj. - Shkak për zbritjen këtij ajeti ishte Kajs Ibn S armete i përmendur më sipër dhe, gjithashtu fakti se: 214 “...kishte muslimanë që kryenin marrëdhënie me gratë e tyre gjatë muajit të Ramazanit, pas namazit të jacisë dhe pasi i kishte zënë gjumi. Prej tyre ishte edhe Umer Ibn Hatabi, dhe kjo ishte fillimisht, diçka e ndaluar, sikurse u përmend. Në fillim të Islamit, pasi falej namazi i jacisë, muslimanët e kishin të ndaluar ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet intime, deri në akshamin e ditës tjetër. Kur ata u ankuan tek Profeti, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: "Allahu e dinte se ju nuk do ta mbanit veten...". Pra, e dinte mirë që ju kryenit marrëdhënie intime me gratë tuaja dhe hanit e pinit pas jacie. Ai e di mirë dobësinë dhe nevojat tuaja, "...prandaj jua pranoi pendimin dhe jua fali gabimin tuaj." - Tani, kontaktoni me to dhe kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju! - Domethënë, kërkoni e synoni që të keni fëmijë dhe pasardhës të mirë. Kjo ishte një falje dhe mëshirë nga Allahu i Madhëruar. Kështu u bënë të lejuar ushqimi, pija dhe marrëdhëniet intime gjatë natës së Ramazanit, si mëshirë, lehtësim dhe butësi nga Allahu. Disa janë të mendimit se fjala e Tij: "... dhe kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju!" ka kuptimin: "Kërkoni lehtësimin që është dhënë për ju nga Zoti!". Por shpjegimi i mësipërm, që udhëzon besimtarët të kërkojnë fëmijë e pasardhës të mirë, është më i saktë. Pastaj Allahu thotë: - Hani e pini, derisa, të dallohet qartë peri i bardhë i agut nga peri i zi (errësira e natës). - Pra, derisa t’ju duket e qartë drita e agut nga errësira e natës dhe të mos keni asnjë dyshim. Vëreni kur Allahu thotë: "...derisa, të dallohet qartë peri i bardhë i agut nga peri i zi." Buhariu përcjell me senedin e tij nga Adij Ibn Hatimi, që tregon: 215. “Unë e pyeta: “O i Dërguari i Allahut! Çfarë është “peri i bardhë” dhe “peri i zi”? Mos vallë janë vërtet dy fije peri?” Ai tha: “Ti nuk do të ishe mendjehollë nëse do të kërkoje të shihje dy fije peri...” Pastaj shtoi: “Jo, por është fjala për errësirën e natës dhe dritën e bardhësinë e ditës.” Nga lejimi i ngrënies derisa të shohi m dritën e agut kuptohet se është e pëlqyeshme ngrënia e syfyrit, sepse këtu kemi të bëjmë me një lehtësim, dhe marrja në konsideratë dhe shfrytëzimi i lehtësimeve të Zotit është diçka e pëlqyeshme. Edhe në Sunetin e Profetit gjejmë argument që na nxit për të ngrënë syfyr. Në dy Sahihët shënohet hadithi nga Enesi, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 216 “Hani syfyr, se në syfyr ka bereqet!”. Janë sjellë hadithe të shumta, në të cilat: 217 “Profeti e quan atë "Vakti i bekuar”.” Në dy Sahihët përcillet hadithi i El Kasimit nga Aishja, se Profeti ﷺ ka thënë: 218 “Mos e lini syfyrin për shkak të ezanit të Bilalit, sepse ai e thërret ezanin natën. Hani e pini derisa të dëgjoni ezanin e Ibn Ummi Mektumit, sepse ai e thërret ezanin veçse pasi ka lindur drita e agimit.” Çështje për diskutim Sikurse e përmendëm, Allahu i Lartësuar i lejoi ushqimet, pijen dhe marrëdhëniet intime deri në cakun e fundit, pra, deri kur të shfaqet drita e agut. Duke qenë kështu, ai që ka kryer marrëdhënie intime deri në këtë kohë, sigurisht që do të jetë xhunub në kohën kur fillon agjërimi. Atëherë, ky ajet

është argument që, në një rast të tillë, mund të marrë gusul dhe të vazhdojë agjërimin, dhe nuk përbën gjynah. Ky është medhhebi i katër imamëve dhe shumicës së dijetarëve nga selefët dhe (halefët) dijetarët e mëvonshëm. Argument për këtë është edhe hadithi te Buhariu dhe Muslimi, prej Aishes dhe Umu Selemes, - Allahu qoftë i kënaqur prej atyre! - që kanë thënë: 219. “ Profeti ﷺ agonte xhunub nga marrëdhëniet intime, e jo nga gjumi, dhe pastaj merrte gusul dhe agjëronte.” Ndërsa në hadithin e Umu Selemes te Buhariu dhe Muslimi thuhet: 220 “...Pastaj ai nuk prishte agjërimin dhe as nuk e agjëronte kaza atë ditë.” - Pastaj, vazhdojeni agjërimin deri në mbrëmje." - Kjo tregon se në momentin e perëndimit të diellit, ka përfunduar agjërimi dhe agjëruesi konsiderohet se tashmë ka çelur. Ky është një gjykim i prerë i dhënë nga Sheriati, pavarësisht se njeriu e çel iftarin apo jo, sikurse thotë në dy Sahihët hadithi nga Prijësi i besimtarëve, Umer Ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 221 . “Nëse nata vjen që këtej dhe dita shkon andej, agjëruesi ka çelur.” Sehl Ibn Sad el Saidi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 222 . “Njerëzit do të vazhdojnë të jenë në mirësi për sa kohë e shpejtojnë iftarin.” Këtë hadith e sjellin Buhariu dhe Muslimi. Në hadithe të sakta vjen ndalesa për agjërimin e quajtur ‘ el uisal’ , ose agjërimi i dy ditëve bashkë, pa ngrënë asgjë mes tyre. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 223 . “Mos agjëroni pa ndërprerje ( uisal)!” - Po ti agjëron pa ndërprerë, o i Dërguari i Allahut?” - i thanë. Profeti tha: “Po unë nuk jam si ju. Unë e kaloj natën dhe më ushqen dhe më jep të pi Zoti im.” Ebu Hurejra tregon e thotë: “Por ata vazhduan të agjëronin pandërprerë. Atëherë Profeti vazhdoi pa ndërprerë agjërimin e tij për dy ditë dhe dy net, derisa panë hënën e re. Profeti ﷺ tha: “Nëse nuk do të vërehej hëna e re, do ta vazhdoja edhe më gjatë (agjërimin e pandërprerë).” Ai ua tha këtë si për t’i bërë të kuptonin se ata nuk mund të vazhdonin agjërimin pa ndërprerje. Këtë hadith e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre. Hadithi i Zube jrit përmban ndalesën e një agjërimi të tillë, që ishte veçori e Profetit ﷺ ,që ndihmohej nga Zoti për diçka të tillë. Megjithatë, kuptimi më i dukshëm është se Profeti nuk hante ushqime fizike, por merrte ushqim shpirtëror, sepse nëse do të hante ushqim fizik, ky agjërim nuk do të quhej uisal. Gjithsesi, nëse vazhdon të agjërosh deri në kohën e syfyrit, kjo nuk përbën gjynah. Për këtë tregon një hadith i Ebu Seid el Hudriut (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 224 . “Mos e vazhdoni pa ndërprerë agjërimin. Nëse ndonjëri dëshiron të vazhdojë, le të vazhdojë deri në kohën e syfyrit...”. Këtë hadith e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi në Sahihët e tyre. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: - Mos kryeni marrëdhënie me to (gratë) kur qëndroni për itikaf në xhami. - Në fillim, ata që bënin itikaf në xhami, nëse dëshironin, mund të dilnin dhe të ktheheshin me gratë në shtëpitë e tyre, derisa zbriti ky ajet. Kështu u ndaluan kontaktet intime gjatë ditës dhe natës, deri në p ërfundim të kohës së itikafit. Pra, - thotë ajeti, - për sa kohë ju jeni në itikaf në xhami, mos iu afroni atyre për marrëdhënie intime. Kështu, ai që bën itikaf e ka haram që të kryejë marrëdhënie me gruan e tij, përderisa është në xhami. Edhe nëse shkon në shtëpinë e tij për ndonjë nevojë personale, ai duhet të qëndrojë veçse për aq kohë sa të përfundojë nevojat e veta, si ushqimi etj. Atij nuk i lejohet të merret me gjë tjetër veç itikafit, madje nuk duhet as të përqafojë apo puthë gruan e vet. Në dy Sahihët është hadithi i Aishes (r.a), e cila ka thënë: 225. “Profeti ﷺ e afronte kokën pranë meje dhe unë i krehja flokët, ndërkohë që isha në kohën e periodave. Ai hynte në shtëpi veçse për nevojat e domosdoshme njerëzore.” Përsëri Aishja tregon: “Ndodhte që në shtëpi të ishte ndonjë i sëmurë, dhe

unë pyesja për të veçse kalimthi (pra, pa qëndruar në shtëpi).” Po të vëresh me kujdes, Allahu i Madhëruar e ka përmendur itikafin pas agjërimit. Kjo, në njëfarë mënyre, na udhëzon dhe kujton që itikafi të bëhet gjatë agjërimit ose në fund të kohës së Ramazanit, sikurse vjen në Sunetin e Profetit: 226 . “Ai bënte itikaf dhjetë - ditëshin e fundit të muajit Ramazan, derisa Zoti e mori. Më pas bënin itikaf gratë e tij.” Hadithi gjendet te Buhariu dhe Muslimi. - Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre. - Pra, të gjitha dispozitat e përmendura në këto ajete, të cilat Allahu i Lartësuar i bëri detyrë dhe i përcaktoi qartësisht për ne. Ai na tregoi rreth agjërimit dhe dispozitave të tij, çfarë është e lejuar dhe çfarë e ndaluar gjatë tij, foli për synimet e larta dhe lehtësimet e ligjëruara të agjërimit, por edhe dispozitat e detyrueshme dhe kategorike që duhet t'i përmbushim gjatë tij. Domethënë, të gjitha këto janë ligjet e vendosura nga vetë Zoti. Është vetë Allahu që i ligjëroi dhe i qartësoi ato për ju. Për këtë arsye, kurrsesi mos i shkelni këto kufij, apo edhe t’i ndryshoni e tjetërsoni. - Në këtë mënyrë, Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e Veta, që ata të ruhen. - Ashtu siç e sqaroi për ju agjërimin dhe dispozitat e tij, po kështu qartëson për ju dispozitat e tjera përmes Shpalljes që i jep robit dhe Profetit të Tij, Muhamedit. Pastaj thotë: "... që ata të ruhen." Pra, që të mësojnë dhe të dinë si të gjejnë udhën e drejtë dhe si t’i binden e të jetojnë sipas porosive të Allahut. I Madhëruari thotë: "Ai i shpalli robit të Vet shenja të qarta, për t’ju nxjerrë prej errësirave në dritë. Nuk ka dyshim se Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me ju." [Hadid 9].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:187

- “Gjatë netëve të agjërimit, e keni të lejuar kontaktin (intim) me gratë tuaja. Ato janë robë (mburojë) për ju dhe ju jeni robë (mburojë) për to. ” - Në fillim, po të flinin gjumë pas perëndimit të diellit, besimtarët e kishin të ndaluar që të hanin, të pinin dhe të kryenin marrëdhënie intime me gratë e tyre, deri në perëndimin e ditës tjetër të agjërimit. Por kjo ishte shumë e vështirë për ta. Madje, shpesh ata e thyenin urdhrin e Zotit për netët e Ramazanit. Për këtë arsye, i Madhëruari tha: - “Allahu e dinte se ju nuk do ta mbanit veten, prandaj jua pranoi pendimin dhe jua fali gabimin tuaj. ” - Nëse nuk do të vinte ky lehtësim i Zotit, ata do të vazhdonin në gjynahe e mosbindje ndaj Tij. Jo vetëm kaq, por Allahu i Lartësuar ua fali besimtarëve ato gabime që kishin bërë para se të zbriste ky lehtësim prej Tij. - “Tani, kontaktoni me to…” – Domethënë, kontaktoni me gratë me të gjitha mënyrat e kontaktit që më parë ishin të ndaluara. - “…dhe kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju.” - Pra, edhe në kontaktin me to, motivohuni për të kërkuar shpërblim prej Allahut. Dihet shumë mirë se qëllimi më i madh prej kontaktit me gratë është sjellja në jetë e pasardhësve të mirë, që adhurojnë Allahun, dhe ruajtja e nderit. Le të jetë ky, pra, qëllimi i marrëdhënieve me bashkëshorten, që të arrihet shpërblimi nga Allahu i Lartësuar. Megjithatë, njeriu duhet të kërkojë edhe mirësi të tjera të muajit të Ramazanit, të cilat janë më të rëndësishme se marrëdhëniet e burrit me gruan e tij, në mënyrë që të afrohet më shumë tek Allahu i Lartësuar. Kështu, thënia e Allahut të Lartësuar: “kërkoni atë që Allahu ka përcaktuar për ju”, përfshin edhe mirësi të tjera, prej të cilave është edhe Nata e Kadrit. Me këtë kuptim, Allahu i Lartësuar na udhëzon që të kërkojmë sevapin e Natës së Kadrit duke shtuar adhurimet e duke mos e tepruar me shijimin e kënaqësive të lejuara në këtë natë. Kënaqësitë trupore mund të arrihen në çdo

natë tjetër, ndërsa Nata e Kadrit mund të kërkohet veçse gjatë netëve të Ramazanit. - “Hani e pini, derisa, të dallohet qartë peri i bardhë i agut nga peri i zi (errësira e natës) .” - Ky është kufiri i lejimit të ngrënies, pirjes dhe kontaktit intim. Ajeti tregon se nuk prishet agjërimi i atij që nuk është i sigurt në ka hyrë koha e agut (kur fillon agjërimi), apo jo, dhe, për këtë arsye, vazhdon të hajë dhe të pijë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “…derisa të dallohet qartë”. Pra, nëse akoma nuk është bërë e qartë hyrja e kohës së agjërimit, dhe ti vazhdon të hash, kjo nuk e prish agjërimin tënd. Ky ajet dëshmon, gjithashtu, se ngritja për syfyr, për të ngrënë ushqim, është e pëlqyeshme, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Hani e pini…”. Nga ajeti mësohet se është e pëlqyeshme që ngrënia e syfyrit të vonohet sa më shumë që të jetë e mundur, brenda kohës së lejuar, pasi ky qe një lehtësim nga Allahu i Lartësuar për adhuruesit, dhe ky lehtësim bëhet më i plotë kur hamë dhe pimë sa më afër kohës së fillimit të agjërimit. Ajeti tregon, gjithashtu, se është e lejueshme që të gdhihesh xhunub, edhe nëse ka hyrë koha e agjërimit, sepse Allahu thotë: “Hani e pini, derisa, të dallohet qartë peri i bardhë i agut nga peri i zi (errësira e natës).”, dhe dihet se njeriu, po kreu marrëdhënie seksuale deri në kohën kur hyn koha e agjërimit, kjo kohë do ta gjejë patjetër xhunub. - “Pastaj, vazhdojeni agjërimin deri në mbrëmje.” – Pra, deri në perëndimin e diellit, largojuni atyre gjërave që e prishin agjërimin. Megjithatë, jo të gjithëve u lejohet kontakti me gratë e tyre gjatë netëve të Ramazanit, dhe këta janë ata që kanë vendosur të bëjnë itikaf në xhami, siç thotë i Lartësuari: - “Mos kryeni marrëdhënie me to (gratë) kur qëndroni për itikaf në xhami.” – Ky ajet tregon se të qëndruarit në xhami për adhurim të vazhdueshëm ( itikaf) është i ligjëruar në Islam. Ai tregon, gjithashtu, se itikafi lejohet të kryhet veçse në xhami. Madje, meqë fjala “el mesâxhid” (xhami) në ajet është në trajtën e shquar (në arabisht), nga kjo kuptohet që itikafi lejohet të bëhet jo në çdo lloj xhamie, por veçse në xhamitë e rregullta, ku falet namazi në të pesta vaktet. Përveç këtyre, ajeti tregon se marrëdhëniet seksuale e prishin itikafin. - “Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre.” – Këta janë kufijtë e Zotit, të vendosur prej Tij, të cilët nuk duhen prekur. Këtu Allahu i Lartësuar nuk ka thënë: “mos i shkelni ato”, por thotë: “mos iu afroni”. Forma e parë ndryshon nga e dyta, sepse urdhri për të mos iu afruar kufijve të Zotit i përfshin të dyja llojet e harameve: haramet që janë të tilla në vetvete, pra, që Zoti i ka ndaluar sepse janë të këqija, të pista e të dëmshme, dhe haramet që janë të tilla sepse të çojnë në gjëra të tjera të këqija dhe të dëmshme. Kështu, njeriu urdhërohet që t'u largohet harameve sa më shumë që të jetë e mundur, madje që të braktisë edhe çdo rrugë që të çon drejt harameve. Kur flet për haramet, Allahu i Lartësuar thotë: “Mos iu afroni atyre!”. Ndërsa kur flet për urdhëresat e Tij, që domosdoshmërisht duhen kryer, thotë: “Mos i shpërfillni ato!”. - “Në këtë mënyrë, Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e Veta...” - Kështu, Allahu i Lartësuar ua sqaron me hollësi dispozitat adhuruesve të Tij. - “...me qëllim që ata të ruhen”, - Domethënë, që ata të pajisen me takua, me devotshmëri. Dihet shumë mirë se kufijtë e Zotit nuk mund të ruhen nëse nuk janë të sqaruar mirë. Kur ata qartësohen për robin, ai e di si duhet të veprojë: të vërtetën e pranon dhe e zbaton, ndërsa së gabuarës i largohet dhe i ruhet. Ka shumë njerëz të cilët bëjnë një haram, sepse nuk e dinë se ai është haram, por nëse u qartësohet një gjë e tillë, ata largohen prej tij. Kur njerëzve u qartësohen argumentet dhe dispozitat e Allahut, atyre nuk u mbetet më justifikim para Tij, prandaj, që t’i ruhen ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut, ata duhet të bëhen të devotshëm.

← Bekare 2:187