2. Bekare · Ajeti 190 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:183–2:190
Agjërimi ishte rregull edhe më heret te popujt para nesh, por jo në këtë trajtë, as në këtë mënyrë e as me këtë qëllim. Agjërimi në fenë islame ka për qëllim: lartësimin shpirtëror, edukimin moral, përgatitjen e njeriut që t'i mbizotërojë emocionet e epshet dhe të bëhet i pavarur prej tyre. Ai nuk ka për qëllim vetëm braktisjen e ushqimit, por braktisjen e të gjitha punëve, sjelljeve dhe shprehjeve që nuk përkojnë me moralin islam. Fryma humane e obligimeve të fesë islame manifestohet edhe në agjërim, sepse i sëmuri ose ai që nuk i ka kushtet e volitshme për të agjëruar në kohën e caktuar, i lejohet të agjërojë më vonë, kur të shërohet ose kur t'i ketë kushtet më të mira.
Agjërimi u bë obligim në vitin e dytë të Hixhretit, muaji i agjërimit është muaji i Ramazanit, në të cilin fillon shpallja e Kur'anit që është udhërrëfyes e shpëtimtar për njerëzit. Derisa agjërimi është vepra-ibadeti më i sinqert, agjëruesi i këtij muaji është më afër Zotit dhe për lutjet dhe kërkesat e veta, siç kuptohet nga Kur'ani, nuk ka nevojë për kurrfarë ndërmjetësuesi.
Në fillim të zbatimit të agjërimit, në raste të posaçme, nuk ishte e lejueshme të),flejnë" së bashku me gratë e tyre, e më vonë kjo u lejua.
Peri i bardhë dhe i ziu, të përmendur në Kur'an, kanë të bëjnë me dritën e agimit dhe errësirës para tij - thonë komentatorët.
Pasuria e fituar në mënyrë të padrejtë është haram, pa marrë parasysh se pronari i pasurisë pajtohet për te siç është ryshfeti etj.
Hëna me fazat e saj përcakton kohët e nevojshme për çështjet fetare dhe përcakton llogari të tjera. Disa arabë, sa ishin në ihrame gjatë haxhit, mendonin ta ndryshonin jetën e rëndomtë, andaj e ndryshuan edhe hyrjen në shtëpitë e tyre, ata hynin nga prapa e jo nga dera, e Kur'ani u tha se kjo është bindje e gabuar. Disa komentatorë të Kur'anit janë të mendimit se me këtë thënie aludohet: çështjeve duhet hyrë kah është rruga dhe ato duhet besuar atyre që i njohin, e jo injorantëve.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:190–2:193
- Luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë dhe mos e teproni, sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë! - Ebu el A lije, duke shpjeguar këtë ajet, ka thënë: "Ky është ajeti i parë i shpallur për luftën dhe është zbritur në Medinë. Gjatë kohës kur zbriti ky ajet, Profeti ﷺ luftonte veçse kundër atyre që e luftonin dhe nuk i luftonte ata që nuk e sulmonin, derisa u shpall surja Teube dhe fjala e tij: " Vritini ata kudo që t’i zini dhe dëbojini ata (prej vendit), ashtu siç ju dëbuan ata ju! ” Pra, mobilizohuni me përgatitje dhe ambicje të lartë në luftën kundër tyre, ashtu siç edhe
ata janë të ethshëm për t’ju luftuar dhe për t’ju nxjerrë nga vendi juaj. Ky të shërbejë si ndëshkim i drejtë për ta. Allahu thotë: "Luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë dhe mos e teproni...”. Domethënë, luftoni në rrugën e Allahut dhe mos e kaloni kufirin në këtë drejtim. Këtu bëhet fjalë për largimin nga ndalesat, si p.sh. vrasja e grave dhe fëmijëve, pleqve të cilëve nuk u merret mendim e as marrin pjesë në luftë, shpërfytyrimi i kufomave, marrja pa leje ose vjedhja e plaçkës së luftës, vrasja e murgjve e priftërinjve dhe e njerëzve të fesë, që shërbejnë në vendet e kultit të tyre, djegia e pemëve e bimësisë apo vrasja e kafshëve pa e kërkuar nevoja për ushqim etj. Kështu kanë thënë Ibn Abasi, Umer Ibn Abdulazizi etj. Në Sahihun e Muslimit vjen hadithi nga Burejde, se Profeti ﷺ ka thënë: 230 “Luftoni në rrugën e Allahut! Luftojeni atë që mohon Allahun! Luftoni e mos vidhni në plaçkë lufte, mos bëni tradhti (e shkelje paktesh), mos përdhosni kufomat e të vrarëve, mos vrisni fëmijët dhe as shërbyesit e sinagogave!” Dihet mirë që në xhihad ka vuajtje, derdhje gjaku dhe humbje në njerëz. Por Allahu i Madhëruar na tregon se kufri, idhujtaria dhe refuzimi i rrugës së Zotit është shumë më e keqe, e madhe dhe e dëmshme për njerëzit sesa vrasja e lufta kundër tyre: - Mosbesimi (që ata përhapin) është më i rëndë se vrasja. - Domethënë, idhujtaria është më e rëndë dhe e dëmshme sesa vrasja. - Dhe mos i luftoni ata pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabes), për sa kohë që edhe ata nuk ju luftojnë ju në të. - Në dy Sahihët është hadithi: 231 “Ky është një Qytet, që Allahu e bëri të shenjtë ditën kur krijoi qiejt dhe Tokën. Ai është i shenjtë, me shenjtërimin që i bëri Zoti, deri në Ditën e Gjykimit. Prandaj nuk priten e pemët e tij dhe nuk kryhet nevoja fiziologjike në hapësirën e tij. Nëse dikush ju përmend luftën e Profetit të Allahut, i thoni: ‘Allahu ia lejoi Profetit të Allahut, ndërsa juve nuk jua lejoi!” Kjo ndodhi në ditën e çlirimit të Mekës. Kjo do të thotë që Meka u çlirua me forcë. - Por nëse ju sulmojnë, atëherë shfarosini. Ky është ndëshkimi ndaj jobesimtarëve. - Pra, mos i luftoni në Xhaminë e Shenjtë, veçse nëse janë ata të parët që ju luftojnë. Në këto kushte, luftimi dhe vrasja e tyre është për vetëmbrojtje nga agresioni. - E nëse heqin dorë, atëherë Allahu është, pa dyshim, Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Nëse pendohen për luftën kundër jush në vendin e shenjtë, duke u kthyer në Islam me sinqeritet, atëherë Allahu është Falës i madh dhe i fal gjynahet e tyre, edhe nëse mund të kenë vrarë muslimanë në vendin e shenjtë të Allahut. Asnjë gjynah nuk është aq i madh, sa Allahu të mos e falë, për atë që pendohet dhe kthehet tek Ai. Pastaj i Lartësuari urdhëron për luftë kundër idhujtarëve: - Luftojini ata, derisa të zhduket çrregullimi (mosbesimi që ata përhapin) ”- Pra, derisa të mos ketë shirk e idhujtari. Kështu ka thënë Ibn Abasi e të tjerë. - dhe adhurimi t'i kushtohet vetëm Allahut.” - Domethënë, derisa feja e Allahut të shfaqet hapur dhe triumfuese mbi të gjitha fetë. Në dy Sahih-ët shënohet: 232 “Jam urdhëruar që të luftoj njerëzit derisa të thonë: Lâ ilâhe il -lall-llâh! Nëse e thonë atë, kanë të mbrojtur gjakun dhe pasurinë e tyre, veç sipas plotësimit të hakut të kësaj fjale; ndërsa llogaria e tyre (e fundit) është tek Allahu.” - Nëse ata ndalen, atëherë ndaleni edhe ju luftën, por jo ndaj atyre që kanë bërë krime. - Nëse ndalen nga idhujtaria dhe lufta kundër besimtarëve, atëherë ndaleni luftën kundër tyre! Madje, çdokush që i lufton ata pas kësaj, ai është i padrejtë. Ky është kuptimi i fjalës së atyre që thonë se nuk luftohet veçse ai që të lufton. Kuptim tjetër mund të jetë: Nëse ndalen dhe reshtin së bëri shirk, pas kësaj nuk lejohet shprehja e armiqësisë. Shprehja e armiqësisë nënkupton luftë dhe ndëshkim të tyre, siç thotë i Lartësuari: "Nëse zgjidhni të ndëshkoni (sipas ligjit), atëherë bëjeni po në
atë masë sa jeni dëmtuar ju!” Prandaj Ikrime ka thënë: “Zullumqar është ai që refuzon të thotë: Lâ il-lâhe il-lall-llâh."
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:190–2:193
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar urdhëron për luftë në rrugën e Tij. Ky urdhër ka ardhur pas emigrimit të muslimanëve në Medinë, kur ata u fuqizuan për të zhvilluar një luftë të tillë, sepse në fillim muslimanët ishin urdhëruar të tregoheshin të përmbajtur. - “Luftoni në rrugën e Allahut…” - Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që ne të luftojmë dhe e ka përcaktuar qartë motivin e kësaj lufte, duke thënë: “Luftoni në rrugën e Allahut”. Ky urdhër bëhet për të qenë të sinqertë ndaj Tij edhe në luftën që zhvillojmë. Me fjalë të tjera, lufta që na urdhëron Allahu i Lartësuar është ajo që zhvillohet për hir të kënaqësisë së Tij dhe për vendosjen e drejtësisë. Ndërsa luftërat e tjera, sidomos ato që ndodhin mes muslimanëve, janë të padrejta. - “...kundër atyre që ju sulmojnë” - Lufta zhvillohet kundër atyre që synojnë dhe përgatiten për luftë kundër muslimanëve. Kjo do të thotë që lufta bëhet kundër burrave të përgjegjshëm mendërisht, që synojnë të luftojnë muslimanët. Me fjalë të tjera, nuk luftohen pleqtë, fëmijët dhe gratë, të cilët nuk synojnë luftën dhe nuk kanë mundësi që ta zhvillojnë atë. - “...dhe mos e teproni, se Allahu nuk i do ata që e teprojnë” – Pra, Allahu i Lartësuar na ndalon nga tejkalimi i kufijve, i çdo natyre qoftë ai. Kështu, për shembull, nuk lejohet të vrasësh gratë, fëmijët, pleqtë, të sëmurët mendorë apo njerëzit e fesë që nuk luftojnë, sepse konsiderohet teprim dhe padrejtësi e madhe. Nuk lejohet, gjithashtu, shfarosja e kafshëve, e bimësisë apo e të mbjellave pa qenë e nevojshme dhe e dobishme, sepse quhet padrejtësi. Nuk lejohet as të shpërfytyrosh apo të gjymtosh të vrarët. Nuk lejohet, po ashtu, të vrasësh jomuslimanët që kanë pranuar t'i paguajnë xhizjen shtetit Islam, pasi edhe ky konsiderohet tejkalim i kufijve të Zotit. - “Vritini ata kudo që t’i zini dhe dëbojini ata (prej vendit) ashtu siç ju dëbuan ata ju! Mosbesimi (që ata përhapin) është më i rëndë se vrasja. ” - Ky është një urdhër për t’i asgjësuar ata, kudo që të gjenden, në çdo kohë e çdo periudhë, qoftë kur lufta me ta është mbrojtëse, qoftë kur është sulmuese. Më pas, nga ky përgjithësim, Allahu i Lartësuar përjashton disa vende e situata nga lufta, duke thënë: - “Dhe mos i luftoni ata pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabes), për sa kohë që edhe ata nuk ju luftojnë ju në të. Por nëse ju sulmojnë, atëherë shfarosini! Ky është ndëshkimi ndaj jobesimtarëve. ” – Pra, nuk lejohet zhvillimi i luftërave në Xhaminë e Shenjtë, në Qabe. Por në rast se janë ata
që e fillojnë luftën, lejohet t’i kundërpërgjigjesh armiqësisë së tyre me luftë. Ky gjykim vlen për të gjitha kohërat dhe është i detyrueshëm të respektohet. Lufta kundër tyre nuk ndërpritet kurrë, derisa ata të kthejnë rrugë, të lënë mohimin e Zotit dhe të bëhen muslimanë. Nëse ata pendohen dhe pranojnë t’i nënshtrohen Allahut si muslimanë, Allahu e pranon pendimin e tyre dhe u fal çfarëdo gjynahu që të kenë bërë më parë. Kjo është mëshira dhe bujaria e madhe e Allahut të Lartësuar për krijesat. - “E nëse heqin dorë, atëherë Allahu është, pa dyshim, Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Dikush mund të mendojë, me të drejtë, se zhvillimi i luftës në Xhaminë e Shenjtë është një krim shumë i rëndë, atëherë, si është e mundur që kjo të lejohet?! Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë se fitne-ja është më e keqe se vetë vrasja dhe lufta në Xhaminë e Shenjtë. Kësisoj, fitne-ja ose sprovimi i njerëzve me kufër dhe duke i penguar ata nga rruga e drejtë, është më e keqe sesa lufta që zhvillohet në Xhaminë e Shenjtë, prandaj nuk ka arsye që muslimanët të shqetësohen për luftën që mund të bëhet atje, të provokuar nga qafirët. Në këtë ajet mbështetet edhe parimi në Islam, i cili thotë: “Lejohet kryerja e një vepre me dëm më të vogël, për të shmangur një tjetër me dëm më të madh”. Më poshtë, Allahu i Lartësuar tregon shkakun e ligjërimit të luftës në rrugën e Tij. - “Luftojini ata, derisa të zhduket çrregullimi (mosbesimi që ata përhapin) dhe adhurimi t'i kushtohet vetëm Allahut.” – Kjo do të thotë se qëllimi i luftës nuk është derdhja e gjakut të qafirëve dhe marrja e pasurive të tyre, por: “të zhduket sprovimi ( fitne-ja) dhe adhurimi t'i kushtohet vetëm Allahut.” Pra, që feja dhe adhurimi i Allahut të Lartësuar të mbizotërojë në tokë, mbi të gjitha fetë dhe adhurimet e tjera. Ndërsa f itne-ja që duhet zhdukur është politeizmi, mohimi i Zotit, pengimi nga rruga e Zotit dhe çdo vepër tjetër e keqe dhe shkatërruese. Nëse këto qëllime arrihen, atëherë nuk ka pse të ketë më luftë dhe të vrarë, prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse ata ndalen, atëherë ndaleni edhe ju luftën, por jo ndaj atyre që kanë bërë krime.” - Kuptimi: Nëse ata e ndalojnë luftën, atëherë nuk merren masa ndëshkuese kundër askujt, përveçse kundër atyre që kanë bërë krime, të cilat duhen shpaguar, sipas shkallës dhe llojit të tyre.