2. Bekare · Ajeti 197 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:197–2:212

Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Ai që vendos për haxh duhet t'u përmbahet rregullave të parapara, e përveç përgatitjes shpirtërore, duhet përgatitur edhe materialisht për të mos u bërë barrë e të tjerëve. Ndonjë shitblerje gjatë kohës së haxhit nuk është mëkat.

"Arefat" është një vend jashtë Mekes dhe qëndrimi në atë vend ditën e nëntë të Dhilhixhes, është detyrë e domosdoshme për të gjithë haxhinjt. "Mesh'ari haram" është një vend në të kthyer prej Arefatit për në Mine. Disa nga kurejshitët nuk u bashkoheshin njerëzve të tjerë në Arefat, ata qëndronin në Muzdelife dhe prej aty ktheheshin për Minë. Këtë e bënin në shenjë krenarie mbi të tjerët, e Kur'ani ndalon atë gjest të tyre dhe u thotë, zdirgjuni kah zdirgjen të gjithë njerëzit. Në fenë islame nuk ekziston privilegj i një fisi ndaj tjetrit.

Pasi kryenin detyrat e haxhit, disa nga arabët ndaleshin në Mine, ku në shenjë krenarie përkujtonin të parët e tyre. Kur'ani urdhëron të përmendet Allahu si krenaria më e lartë, duke madhëruar dhe shpreh tekbirët, nuk ndaloi t'i përkujtojnë edhe prindërit e tyre.

Ata që kërkojnë vetëm të mirat e kësaj bote, janë të mashtruar, sepse të mirat e kësaj bote janë të përkohshme, po nuk është qëllim vetëm jeta e kësaj bote. Të lumtur janë ata që kërkojnë të mirat e kësaj bote, por qëllim kryesor kanë jetën në botën tjetër dhe kërkojnë të mirat e asaj që janë të përjetshme.

Gjatë faljes së çdo namazi, dhe gjatë hedhjes së gurëve në Mine, duhet thënë tekbirët, e ditët e caktuara janë ditet pas ditës së bajramit, ku dikush qëndron dy ditë e dikush tri ditë në Mine. Mine pra, është një vend jo larg Mekes dhe aty hidhen gurët edhe dy ose tri ditë pas ditës së bajramit.

Edhe pse në këtë ajet është fjala për njëfarë munafiku, një Ahnes bin Shurejk, që i paraqitej Muhammedit me demagogji, ajeti tërheq vërejtjen për të gjithë hipokritët që nga goja janë të ëmbël, e në zemër të prishur, që në buzë kanë mjaltin, kurse në zemër helmin.

Çdo përpjekje dhe çdo angazhim për hirë të zbatimit të punëve të mira e të porosive të Zotit, konsiderohet sakrificë, le të jetë mund fizik, fjalë e drejtë, pasuri e dhënë etj., prandaj shpërblimi për to është i madh.

Feja islame me rregullat e veta është tërësi e pandarë, andaj nuk vlen pranimi i disa dispozitave e refuzimi i të tjerave.

Ardhja e Zotit dhe e engjëjve nëpërmjet reve, ka të bejë me ditën e gjykimit dhe paraqet madhërinë e një tmerri të madh ku i tërë sundimi atë ditë i takon vetëm Allahut, e Ai i shpërblen të mirët dhe i ndëshkon të këqinjtë.

Jehuditë edhe pse e patën pejgamberin Musa me shumë mrekulli e fakte të qarta, nuk besuan si duhet, ndryshuan edhe pjesë të librit të tyre. Atyre u është hijeshuar jeta e kësaj bote, i lanë pas dore parimet e fesë, madje edhe u tallën me besimtarët, por duhet ta kenë të ditur se në ditën e kijametit, besimtarët do të gëzojnë vende të larta e shpërblim të madh dhe do t'ua kthejnë talljet.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:197

- Haxhi kryhet në muajt e caktuar. - Dijetarët e arabishtes kanë dhënë opinione të ndyshme pas analizës së ajetit: "Haxhi kryhet në muajt e caktuar.” Disa janë të mendimit se kuptimi është: "Muajt e haxhit janë të njohur ndër njerëz dhe veshja e ihramit gjatë tyre është mënyra më e plotë dhe e përkryer e fillimit të haxhit, sesa në muaj të tjerë, edhe pse diçka e tillë është lejuar. Pra, kuptimi i ajetit është: “Haxhi (është më mirë të nisë të) kryhet në muajt e caktuar", sesa në muaj të tjerë. Ky mendim, pra, për lejimin e veshjes së ihramit për haxh në të gjithë muajt e vitit është i Imam Malikut, Ebu Hanifes, Ahmed Ibn Hambelit etj. Këta kanë argumentuar me fjalën e Allahut: "Po të pyesin për hënëzat e reja. Thuaju: “Ato (hënat e reja) janë për njerëzit shenja referuese të kohës dhe të haxhit.”. Pra, në ajet është përmendur haxhi, njëri nga dy adhurimet, edhe pse së bashku me të kryhet edhe umreja. Atëherë, ashtu siç lejohet që të bësh umre në çdo kohë të vitit, ashtu lejohet të veshësh ihram për haxh në çdo kohë të vitit. Ndërsa Imam Shafiu (Allahu e mëshiroftë!) është i mendimit se ihrami për haxh lejohet të vishet veçse në muajt e haxhit. Nëse dikush vesh ihramin para këtyre muajve, nuk i merret për bazë. Ky mendim është përcjellë nga Ibn Abasi e Xhabiri, dhe po të këtij mendimi janë edhe Atâu, Tausi dhe Muxhahidi (Allahu i mëshiroftë!). Argumenti që ata përdorin është fjala e Allahut: "Haxhi kryhet në muajt e caktuar.” Ky ajet është si përcaktues i kohës se kur mund të kryhet ky adhurim, që ashtu sikurse namazi që nuk lejohet të falet jashtë kohës së tij, ashtu edhe haxhi nuk fillon jashtë kohës së tij. Imam Shafiu përcjell prej Ibn Abasit që ka thënë: “Askush nuk duhet të fillojë ihramin për haxh jashtë muajve haxhit, mbështetur në fjalën e Allahut: "Haxhi kryhet në muajt e caktuar.” Ibn Merdeuejhi sjell në Tefsirin e tij hadithin prej Ibn Abasit: 254. “Është prej Sunetit që ihrami për haxh të vishet veçse në muajt e haxhit.”. Ibn Huzejme sjell në

Sahihun e tij hadithin nga Ibn Abasi: 255. “Ihrami për haxh vishet veçse në muajt e haxhit. Prej Sunetit është që ihrami për haxh të vishet veçse gjatë muajve të haxhit.” Ky është një isnad i saktë. Dihet se, kur një sahab thotë për një vepër që është prej Sunetit, atëherë ajo thënie ka të njëjtin vlerësim si hadithi merfu’ (pra, që i atribuohet drejtpërdrejt Profetit), sipas shumicës së dijetarëve, e sidomos kur bëhet fjalë për fjalën e Ibn Abasit në shpjegimin e ajeteve kur 'anore, pasi ai është quajtur "Shpjeguesi i Kur 'anit". Është sjellë një hadith merfu, që e përcjell Ibn Merdevejhi me senedin e tij nga Xhabiri, e ky nga Profeti që ka thënë: 256. “Askush nuk duhet të veshë ihramin për haxh në kohë tjetër, përveçse gjatë muajve të haxhit.” Isnadi i këtij hadithi nuk ka ndonjë problem. Por imam Shafiu përcjell përmes rrugësh të ndyshme nga Xhabir Ibn Abdilahi, që është pyetur: 257. “A lejohet të vishet ihrami për haxh para hyrjes së muajve të haxhit?” Ai tha: “Jo”. Ky hadith njihet si meukuf (fjala e Xhabirit) dhe si i tillë, është më i saktë sesa si hadith merfu’ (që i atribuohet Profetit). Sidoqoftë, kjo fjalë sahabi forcohet më shumë nëse i bashkëngjisim atë që është thënë nga Ibn Abasi. “Prej Sunetit është që askush mos veshë ihramin për haxh në kohë tjetër, veçse gjatë muajve të haxhit.” Megjithatë, Allahu është më i ditur. - Për ata që e nisin haxhin në këta muaj nuk lejohen marrëdhëniet intime, shkelja e dispozitave të Sheriatit dhe as grindjet. - Buhariu sjell hadithin nga Ibn Umeri: 258. “Muajt e haxhit janë Shevali, Dhul Kide dhe 10 ditët e para të Dhul Hixhes”. Këtë hadith Buhariu e ka sjellë si një hadith mual-lak,102 por e ka sjellë me një formulim të prerë e të sigurt. Sidoqoftë, këtë hadith e ka sjellë Ibnu Xheriri meusul, pra, me sened të plotë deri tek Ibn Umeri, dhe ky sened është i saktë. Këtë e përcjell edhe El Hakimi, që thotë se është një hadith sipas kushteve të saktësimit të Buhariut dhe Muslimit, edhe pse nuk e kanë nxjerrë në Sahih-un e tyre. Ky hadith - thotë Ibn Kethiri - është përcjellë nga një numër sahabësh dhe tabi’inësh dhe është gjithashtu medhhebi i Ebu Hanifes, Shafiut dhe Ahmed Ibn Hanbelit etj. Ibn Xheriri thotë që lejohet të thuash fjalën muajt në numrin shumës, edhe nëse është fjala për dy muaj dhe më pak se një e treta e muajit të tretë, në formë përgjithësuese. Arabët thonë: ‘ E pashë filanin këtë vit ose këtë ditë’ edhe kur e shohin vetëm në një pjesë të vitit apo të ditës. Ose si fjala e Allahut të Madhëruar, kur Ai flet për ata që largohen nga Minaja: "Kush ngutet e largohet për dy ditë, nuk bën gjynah.” Kështu, pasi gjuajnë gurët në ditën e dytë të ditëve të Teshrikut, nëse haxhinjtë duan të mos qëndrojnë në Mina ditën e tretë, ata duhet të largohen para perëndimit të diellit të ditës së dytë. Pra, edhe pse largohen për më pak se dy ditë, Allahu thotë: "Kush ngutet e largohet për dy ditë, nuk bën gjynah.” Allahu i Madhëruar thotë: "Për ata që e nisin (ferade) haxhin në këta muaj...”. Po ta shohim me kujdes, fjala e përdorur është " ferade”, që drejtpërdrejt do të thotë: "Për ata që e nisin (dhe e bëjnë detyrë për veten e tyre) haxhin në këta muaj ....". Ibn Xheriri thotë se të gjithë janë dakord se fjala “ ferade” do të thotë: “e ka bërë detyrë për t'u kryer”. Pra, me ihramin e tij, ia ka bërë detyrë vetes haxhin. Ndërsa Atâu ka thënë që: “ ferada” domethënë: “e veshi ihramin”. Të këtij mendimi janë edhe të tjerë veç tij. Nga Ibn Abasi përcillet se ka thënë: “Nuk bën që dikush të fillojë telbijen për haxh, dhe pastaj të vazhdojë të qëndrojë në vendin e tij (e të mos niset për haxh).” Allahu i Lartësuar thotë: "Për ata që e nisin haxhin në këta muaj nuk lejohen marrëdhëniet intime, shkelja e dispozitave të Sheriatit dhe as grindjet." At âu ka thënë që: el refethu quhet kontakti seksual, por edhe veprimet e fjalët që i paraprijnë kontaktit. Ndërsa el fusuku quhet shkelja e urdhëresave të Zotit ose kryerja e ndalesave të Tij. Domethënë, gjatë ihramit duhet të largohesh nga poshtërsitë dhe gjynahet, sidomos në Vendin e Shenjtë. Gjithashtu, duhet të qëndrosh larg nga fyerjet dhe

grindjet. Një hadith i saktë thotë: 259 . “Fyerja e muslimanit është fusuk (tejkalim kufijsh) dhe lufta kundër tij është kufër”. El fusuk, pra, është një term që përfshin të gjitha llojet e gjynaheve dhe mosbindjes ndaj Allahut. Në dy Sahih -ët përcillet nga Ebu Hurejra se Profeti ﷺ ka thënë: 260 “Ai që kryen haxhin në këtë vend dhe nuk bën “rafeth” dhe as “ fusuk”, del pa gjynahe, ashtu si në ditën kur e ka lindur nëna e vet.”. Allahu i Lartësuar na ndaloi edhe nga grindjet e polemikat gjatë haxhit. Nuk ka përse të ketë asnjë lloj polemike rreth haxhit dhe qartësisë së tij, sepse Allahu i Lartësuar e ka sqaruar në mënyrën më të plotë dhe e më të detajuar. Mes kurejshëve dhe pjesës tjetër të arabëve ndodhnin polemika të shumta në të shkuarën. Kështu, kurejshët qëndronin në vendet e shenjta në Muzdelife, ndërsa pjesa tjetër e arabëve qëndronin në Arafat dhe secili pretendonte se qëndrimi i tij ishte i saktë, pasi edhe vetë Ibrahimi e kishte kryer në atë mënyrë. Atëherë, Allahu i Madhëruar e ndërpreu këtë lloj polemike, duke i qartësuar të gjitha veprat e adhurimeve. Disa kanë thënë se me fjalën ‘polemikë’ këtu janë pasur për qëllim edhe grindjet e fyerjet, që sjellin konflikte e shkaktojnë zemërim. Duhet të themi se lejohet zemërimi dhe ndonjë bërtitje me skllavin apo shërbëtorin, kur ai të zemëron për diçka, por pa e goditur. Sidoqoftë, edhe nëse e godet, është e lejueshme dhe e tolerueshme. Argumenti për këtë është ndodhia me Ebu Bekrin, i cili e goditi djaloshin që i shërbente, sepse i kishte humbur devenë, me gjithë ushqimin dhe ujin për udhëtim. Profeti ﷺ e pa Ebu Bekrin dhe veprimin e tij dhe duke buzëqeshur, tha: 261 “Shikojeni këtë plak, se çfarë bëri!”, duke e qortuar në një mënyrë të butë Ebu Bekrin. Sigurisht që më e mira është largimi edhe nga të tilla reagime, por Allahu e di më mirë. Ahmedi sjell thënien nga Xhabiri: 262 “Ai që i përfundon adhurimet e haxhit, ndërkohë që muslimanët janë të qetë nga fjalët dhe dora e tij, do t’i falen gjynahet që kanë kaluar.” - Çfarëdo mirësie që të bëni, Allahu e di shumë mirë. - Pasi i ndaloi nga fjalët dhe veprat e këqija dhe të ulta, Allahu i Madhëruar i urdhëron besimtarët për fjalë dhe punë të mira. Ai i njofton se Ai është i Gjithëditur për çdo gjë që bëjnë dhe që ka për t’i shpërblyer më së miri në Ditën e Gjykimit. - Pajisuni me gjërat që ju duhen (për rrugë)..." - Buhariu sjell me senedin e tij deri tek Ibn Abasi rrëfimin e këtij të fundit: “Banorët e Jemenit niseshin për haxh pa marrë asnjë furnizim për rrugës, sepse thoshin që i mbështeteshin Allahut. Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: "Pajisuni me gjërat që ju duhen (për rrugë)...". Kështu, ata u ndaluan nga një veprim i tillë dhe u urdhëruan që të merrnin furnizim për rrugën, si miell, ujë, ushqime të gatuara etj. Nga Muxhahidi përcillet se Ibn Umeri madje ua vinte si kusht atyre që do ta shoqëronin në udhëtim cilësinë e mirë të ushqimit. - ... por pajisja më e mirë është devotshmëria. - Pasi i urdhëroi besimtarët që të merrnin furnizim për udhëtimet në jetën e kësaj dynjaje, i urdhëron dhe udhëzon për furnizimin më të mirë për udhëtimin e ahiretit: devotshmërinë. Ajo duhet të jetë bashkëudhëtare e pandarë e besimtarit në rrugën drejt ahiretit. I Lartësuari thonë: "O bijtë e Ademit, Ne ju kemi dhënë veshje, si mbuluese për vendet tuaja të turpshme si edhe për zbukurim. Por veshja e devotshmërisë - ajo është më e mira.” [El ea'raf 26]. Pra, pasi na tregoi për rrobat e kësaj dynjaje, Ai na tregon edhe për veshjen shpirtërore, që është veshja e frikërespektit ndaj Zotit, bindjes ndaj Tij dhe devotshmërisë, e cila është më e mirë dhe më e dobishme. Kështu, furnizimi për ahiretin është më i mirë dhe më i dobishëm. Mukatil Ibn Hajjani tregon që kur zbritën këto ajete, një burrë i varfër u ngrit dhe tha: “O i Dërguari i Allahut, po nuk kemi me çfarë të furnizohemi!” Profeti i Allahut tha: 263 “Merrni furnizim sa të mos ulësh kokën para njerëzve, por furnizimi më i mirë që

mund të merrni është devotshmëria.” Hadithin e ka përcjellë Ibn Hatimi. - Mua të më frikësoheni, o njerëz të mendjes! - Kini frikë zemërimin dhe ndëshkimin Tim. Ndëshkimi im godet ata që i kundërvihen urdhrave të Mi e nuk i përmbushin ato që Unë porosis. Vëreni me kujdes se si Allahu i Madhëruar këtu iu drejtohet të diturve dhe të mençurve! Kjo ka një kuptim shumë të rëndësishëm në vetvete.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:197

- “Haxhi kryhet në muajt e caktuar.” - Muajt e haxhit Allahu i Lartësuar i ka quajtur “muajt e caktuar”, sepse ata njiheshin shumë mirë nga njerëzit të cilëve iu drejtua fillimisht ky Kur’ân. Tek arabët, duke qenë se ishin pasardhës të Ibrahimit (a.s.), kishin mbetur ende disa rite fetare të drejta, mes të cilëve edhe disa nga ritet e haxhit. Pra, meqenëse ata i njihnin muajt kur kryhej haxhi, Allahu i Lartësuar nuk i përcakton konkretisht, me emër, sikurse ka bërë me muajin e agjërimit, kohët e faljes së namazit etj. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se muajt e haxhit janë shevali. dhul kide dhe dhjetë ditët e para të dhul hixhes, kur zakonisht vishet ihrami për kryerjen e haxhit. - “Për ata që nisin haxhin në këta muaj... “ – Pra, ata që veshin ihramin, e kanë të detyrueshme përfundimin e Tij, edhe nëse janë duke kryer haxh nafile. I Lartësuari thotë: “ Men ferađa ” (Për ata që nisin...). Fjala ‘ ferada’ ka kuptimin: “ e nisin e ia bëjnë të detyrueshme vetes”. Kështu, ata që e nisin haxhin dhe umren dhe, për një arsye a tjetër, i ndërpresin ato, atëherë ka disa rregulla, që do të shtjellohen më poshtë, të cilat ata duhet t'i zbatojnë. Këtu duhet sqaruar çështja e rrethanorit të kohës: “...në këta muaj”: A tregon ai se veshja e ihramit për haxh bëhet veçse brenda këtyre muajve, apo mund të bëhet edhe jashtë tyre? Imam Shafiu dhe shumë pasues të tij mendojnë se, sipas ajetit, haxhi mund të nisë (dhe ihrami mund të vishet) veçse brenda këtyre muajve. Megjithatë, nëse do të thonim që ky ajet mbështet edhe mendimin e kundërt, nuk do të ishim të gabuar, sepse përcaktimi i kohës në këtë ajet nuk është i paqëllimshëm. Nga thënia e Allahut të Lartësuar: “Për ata që nisin haxhin në këta muaj...”, kuptohet se haxhi mund të niska edhe jashtë këtyre muajve, sepse, në të kundërt, ç'kuptim do të kishte ky përcaktim i kohës në ajet? - “...nuk lejohen marrëdhëniet intime, shkelja e dispozitave të Sheriatit dhe as grindjet.” – Pra, është detyrë që të nderohet gjendja e ihramit dhe riti i haxhit, sidomos nëse haxhi nis gjatë këtyre muajve. Sapo të vishet rroba e ihramit, atëherë duhet të ruhesh prej çdo gjëje që e prish këtë gjendje apo që ia ul shpërblimin. Gjendja e ihramit cenohet nga shumë vepra, të cilat Allahu i ka përmbledhur në tri:

1. Marrëdhëniet seksuale dhe gjithçka që i nxit ato, si puthjet, fjalët joshëse etj. 2. Çdo lloj gjynahu që ka të bëjë me moskryerje të ndonjë detyrimi apo me bërje harami. 3. Grindjet, zënkat e polemikat, të cilat nxisin urrejtjen dhe përçarjen. Këto e prishin gjendjen e ihramit ose, të paktën, e ulin shpërblimin e haxhit. Dihet se një nga qëllimet kryesore të haxhit është kultivimi i përuljes para Allahut të Lartësuar dhe afrimi tek Ai me sa më shumë vepra dhe fjalë të mira, duke u larguar nga veprat dhe fjalët e këqija. Vetëm në këto kushte haxhi meriton të quhet “i pranuar” te Zoti i gjithësisë, dhe haxhi i pranuar ka si shpërblim veçse futjen në Xhenet. Në fakt, veprat e mësipërme, që prishin ihramin, nuk janë të ndaluara vetëm gjatë kohës së haxhit. Ato janë të ndaluara në çdo kohë qoftë, por gjatë kohës së haxhit, ndalesa e tyre është më e fortë. Çdo vend dhe kohë ka veçorinë e vet, dhe koha e haxhit ka gjithashtu veçorinë e vet. Mësojeni mirë, të dashur vëllezër e motra besimtare, se kënaqësinë e Allahut të Lartësuar mund ta fitosh vetëm duke u larguar nga haramet dhe duke kryer urdhrat e Tij. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: - “Çfarëdo mirësie që të bëni, Allahu e di shumë mirë. Pajisuni me gjërat që ju duhen (për rrugë), por pajisja më e mirë është devotshmëria.” – Pra, çfarëdo lloj të mire që të kryeni, Allahu e di shumë mirë. Kjo konsiderohet si një nxitje shumë e fortë për të kryer vepra të mira, sidomos në ato vende dhe kohë të bekuara. Gjatë haxhit, njeriu duhet të përpiqet t’i shtojë sa më shumë veprat e mira, si namazet, agjërimin, sadakatë, fjalët e mira etj. Pastaj Allahu i Lartësuar na urdhëron që të furnizohemi mirë për këtë udhëtim të bekuar, sepse ka shumë dobi. Nëse merr furnizim të nevojshëm, je i pavarur nga të tjerët, madje mund të jesh një ndihmë e madhe për ta. Kështu mund të marrësh edhe sevapin e ndihmës ndaj mysafirëve e udhëtarëve. Ky ishte furnizimi i nevojshëm për kryerjen e këtij adhurimi. Ndërsa furnizimi që ka vlerë përgjithmonë, madje është i domosdoshëm për çdo njeri që kërkon suksesin dhe shpëtimin në jetën e dynjasë dhe në jetën e ahiretit, ai ka një emër tjetër: ai quhet “devotshmëri”. Ky është furnizimi i domosdoshëm për të mbërritur “shëndoshë e mirë” në Vendin e Përjetësisë (në Xhenet), ku kënaqësitë dhe lumturia nuk kanë fund. Ndërsa ai që nuk është pajisur ende me devotshmëri, do ta ketë të vështirë këtë rrugë, e ndoshta mund të mos arrijë kurrë në destinacionin e të devotshmëve. Ky është një vlerësim shumë i lartë për cilësinë e devotshmërisë, prandaj Allahu i Lartësuar i udhëron të diturit, të urtët e të mençurit, që të përpiqen seriozisht për t'u pajisur me këtë virtyt të çmuar, duke thënë: - “Mua të më frikësoheni, o njerëz të mendjes!” – Kuptimi: O njerëz të mençur, që keni dituri dhe logjikë të drejtë, ruajuni ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit tuaj, duke u pajisur me devotshmëri! Allahu i urdhëron që të jenë të devotshëm, sepse kjo cilësi ua nxjerr në pah mençurinë dhe diturinë. Madje, braktisja dhe shpërfillja e devotshmërisë është tregues i injorancës dhe i mendjelehtësisë së njeriut.

← Bekare 2:197