2. Bekare · Ajeti 20 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:6–2:20

Ata të cilët mohuan argumentet e Zotit dhe mohuan Muhammedin si pejgamber, ata janë mohues të hapët, ata nuk do të besojnë, andaj i thuhet Muhammedit që të mos brengoset për ta, sepse në zemrat e tyre nuk depërton drita e besimit, veshët dhe sytë e tyre nuk e dëgjojnë dhe nuk e shohin të vërtetën, thuajse i kanë të mbuluar me plaf.

Fjala "kufr" d.m.th.: mbulim i së mirës, përbuzës i nimetit, refuzues i së vërtetës, pra, ai që nuk e beson Kur'anin as Muhammedin. Vetëm këto dy ajete përshkruajnë veset e atyre që nuk besojnë, ngase ata ishin të hapët dhe rreziku prej tyre nuk mund t'i befasojë myslimanët.

Në trembëdhjetë ajetet vijuese, bëhet fjalë për hipokritët, rreziku i të cilëve është edhe më i madh, sepse shprehen haptazi si myslimanë, e në të vërtetë nuk besojnë dhe përpiqen t'i mashtrojnë myslimanët, por ata nuk mund të mashtrojnë tjetër, pos vetëvetën.

Hipokritët ishin të sëmurë në shpirt, ishin të dyshimtë në besimin e tyre, andaj shkaktojshin çrregullime ndërmjet njerëzve, sepse bënin intriga dhe vepra të këqia, por nuk donin t'i pranonin.

E kur u thuhej atyre bëhuni të sinqertë në besim sikur që ishin shokët e Pejgamberit, ata merrnin si shembull disa shokë të Pejgamberit, si: Bilalin, Suhajbin, Ammarin, të cilët kishin qenë robër më parë dhe nuk gëzonin ndonjë autoritet në mesin e pabesimtarëve, e i quanin edhe të marrë. Hipokritët me tjetër fytyrë bisedonin kur gjendeshin ndër besimtarë, i e kur ktheheshin te ata paria e tyre kriminele, që Kur'ani i quan shejtan, ndërronin fytyrën dhe u thonin se jemi tallur i me myslimanët, e derisa ata do ta kenë dënimin më të rëndë, Allahu nuk ngutet, i lë ta shtojnë krimin ashtuqë ai dënim të jetë sipas meritës së tyre. Kuptohet se ajo punë e tyre është e dështuar derisa ikin prej dritës e shkojnë në errësirë. Shembulli i hipokritëve, të cilët e përqafuan të shtrembtën duke e mohuar të drejtën, është si ai që ndez një zjarr i për t'i bërë dritë, e kur i fiket drita ata mbeten në errësirë si me qenë të shurdhër, memecë e të verbër. Edhe ata njëherë besuan, e panë dritën e besimit, por pasiqë u larguan prej besimit, mbetën në errësirë.

Ose shembulli i tyre është si ndonjë furtunë e madhe me shi, bubullimë dhe vetëtimë dhe, prej errësirës nuk mund të ecin, e kur veton u ndriçohet rruga dhe bëjnë disa hapa, por i frikësohen vdekjes nga rrufeja, andaj i mbyllin veshët me maje të gishtave. Atyre herë pas here u ndriçohet rruga e besimit, sikur shiu që ngjallë tokën ashtu besimi ua ngjallë zemrat, por për një kohë të shkurtër, sepse ata përsëri mbesin në errësirë, e megjithatë, ata as nuk mund t'i i shpëtojnë vdekjes, as t'i shmangen dënimit, pse Allahu ka fuqi të plotë për çdo gjë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:19–2:20

Ky është një shembull tjetër, që Allahu i Madhëruar e ka sjellë për një lloj tjetër munafikësh, të cilët herë shfaqin të vërtetën dhe herë të tjera shprehin dyshimin. Kështu, zemrat e tyre në gjendjen e dyshimit, mosbesimit dhe hipokrizisë, janë ashtu siç i përshkruan i Lartësuari: “...si një shi që zbret mes errësirash të dyshimeve, mosbesimit dhe hipokrizisë, që i ka mbytur e mbuluar. Ai shi shoqërohet edhe me “bubullima”, pra, diçka që e frikëson zemrën. Kështu janë munafikët gjithmonë: në gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme, siç i përshkruan Zoti: “Kur i sheh ata, të mahnisin, e kur flasin, u dëgjohet fjala. Por ata janë si trungje bosh e të mbështetur. Çdo thirrje e mendojnë sikur është kundër tyre.” [Munafikun 3]. Në këtë shi ka edhe “vetëtima”, që simbolizon dritën e imanit, që ndriçon ndonjëherë në zemrat e munafikëve të këtij lloji. “Ata i fusin gishtat në veshët e tyre, prej frikës së vdekjes nga rrufeja” , - por kujdesi, ruajtja dhe masat e tyre nuk kanë për t’u sjellë asnjë dobi, sepse Allahu i ka përfshirë dhe nënshtruar gjithçka me pushtetin e Tij absolut, dhe ata janë në vullnetin e dëshirën e Tij. - “Vetëtima gati ua rrëmben shikimin.” - Kjo ndodh për shkak të fuqisë të dritës së imanit dhe peshës së rëndë të tij, për shkak të dobësisë së tyre në aftësinë e forcën e tyre të analizës dhe kuptimit të gjërave dhe paqëndrueshmërisë së tyre në iman. Ibn Abasi ka thënë: “Vetëtima gati ua rrëmben shikimin.”, pra, drita e ajeteve të qarta të Kur'anit gati i zbulon të palarat e munafikëve dhe i demaskon ata.” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Sa herë që ajo u bën dritë, ata ecin, ndërsa kur errësohet, qëndrojnë të shtangur. - Ibn Abasi e shpjegon k ështu ajet: “Ata e njohin të vërtetën dhe flasin p ër të, dhe kështu, kur flasin, duket se janë të udhëzuar e të përqëndruar. Por kur kthehen në mohim, atëherë qëndrojnë të çoroditur e të pasigurt.” Kështu është transmetuar nga sahabët, dhe ky është kuptimi më i qart ë dhe i saktë, që është thënë p ër shpjegimin e ajetit. Po kështu do të jenë ata edhe në Ditën e Gjykimit, kur njerëzve do t’u jepet dritë në varësi të imanit të tyre në dynja. Ka prej tyre që do t’u jepet dritë që u ndriçon rrugën e tyre për një “ fersah”, ose më shumë ose më pak. Ka prej tyre që drita herë u shuhet e herë u ndizet. Të tjerë ecin pak mbi Sirat e pastaj qëndrojnë. Ka edhe nga ata që u shuhet drita plotësisht e përjetësisht. Këta të fundit janë munafikët e pastër, për të cilët Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë, munafikët dhe munafiket do t'u thonë besimtarëve: “Na prisni pak, që edhe ne të ndriçohemi prej dritës suaj!” Atyre do t'u thuhet: “Kthehuni pas (në dynja) dhe kërkoni atje ndonjë dritë!” Atëherë, ndërmjet tyre vendoset një mur, që ka një derë. Nga brenda tij është mëshira, ndërsa nga jashtë tij është dënimi. Ata (munafikët) u thërrasin (besimtarëve): “A nuk kemi qenë edhe ne së bashku me ju!?” - “Po, por ju e shkatërruat veten, sepse ju prisnit kob të zi për besimtarët, dyshonit në çështjet e fesë dhe ju mashtroi jeta e dynjasë, derisa ju erdhi kaderi i Zotit. Gënjeshtari ju mashtroi rreth Allahut. Sot prej jush (o munafikë) nuk pranohet asnjë lloj kompensimi dhe as prej jobesimtarëve. Zjarri është vendi juaj, sepse atë meritoni. Sa përfundim i keq është ai!”. [Hadid 13-15]. Ndërsa për besimtarët thot ë: “Atë Ditë do t'i shihni besimtarët dhe besimtaret tek u ndriçon drita përpara dhe në të djathtë të tyre. (Atyre do t'u thuhet:) “Përgëzim për ju sot janë kopshtet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jeni përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.” . [Hadid 12]. “O ju që keni besuar! Pendohuni tek Allahu me pendim të sinqertë! Kështu shpresohet që Zoti juaj t’jua mbulojë të këqijat e t’ju vendosë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, atë Ditë, kur Allahu nuk ka për t'i turpëruar Pejgamberin e as ata që besuan bashkë me të. Drita e tyre do të ndriçojë para dhe në të djathtë të tyre e ata do të thonë: “Zoti ynë, forcoje dritën tonë dhe na i mbulo gjynahet tona! Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për

gjithçka!”. [Tahrim 8]. Në vijim, Allahu thotë: - “E nëse do të donte Allahu do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin. - Ibn Abasi thotë: Pra: “Allahu do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin”, për shkak të braktisjes nga ana e tyre së të vërtetës, pasi e njohën mirë. - Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.” - Ibn Abasi shpjegon: Allahu për gjithçka që dëshiron për robërit e Tij, mëshirë qoftë, apo ndëshkim, është i Plotfuqishëm. Nd ërsa Ibn Xheriri thotë: Allahu e përshkroi veten e Vet si t ë Plotfuqishëm për gjithçka, për t’u dhënë një mesazh kërcënimi e paralajmërimi munafikëve, që të ruhen nga ndëshkimi dhe zemërimi i Tij. Madje, i njoftoi dhe kërcënoi edhe se Ai është i Plotfuqishëm që t’ua heqë e t’i privojë nga aftësia për të dëgjuar dhe shikuar fizikisht e konceptualisht. Kuptimi i fjalës “ Kadir” është i Plotpushtetshëm, i Plotfuqishëm.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:17–2:20

- “Ata i përngjajnë dikujt që kërkon t'i ndizet një zjarr.” - Shembulli më i përshtatshëm që mund të jepet për gjendjen e tyre është ai i një personi që kërkon prej të tjerëve t'i ndezin një zjarr. Përfytyro një njeri që ka nevojë të madhe për të ndezur një zjarr, në errësirën e thellë në të cilën ndodhet, dhe këtë zjarr e kërkon nga dikush tjetër. E kërkon nga dikush tjetër, sepse ai vetë nuk ka lëndë për ta ndezur. Krijimi i këtij zjarri ndriçues është jashtë natyrës, zakonit dhe mundësive të tij. - “Por, sapo ai e ndriçon vendin përreth…” - Për një moment, ai ndriçohet prej këtij zjarri, i cili i bën dritë gjithçkaje përreth tij. Kështu, atij i jepet mundësia të vështrojë qartë vendin ku ndodhet. Ky zjarr i ofron atij njëfarë qetësie prej çdo frike dhe ankthi që e rrethon. Duke përfituar prej tij, njeriu gjen një lloj prehjeje. Por pikërisht në atë moment, kur mendon se këtë zjarr e ka bërë pronë të tijën, nga e cila mund të përfitojë si të dojë: - “Allahu ua shuan dritën, dhe i lë mes errësirash, kështu që ata nuk mund të shohin.” – Pra, Allahu i Madhëruar e largon ndriçimin që jep ky zjarr, e bashkë me ndriçimin, edhe gëzimin e shkurtër që një njeri i tillë përjeton. Ai mbetet i vetmuar në errësirën e madhe të zjarrit që djeg, pasi prej këtij zjarri largohet ndriçimi, por mbetet nxehtësia dhe aftësia djegëse. Atëherë, ai përhumbet e endet mes errësirave të pafund. Mbi të ngrihet e frikshme errësira e natës, errësira që krijojnë retë, errësira që krijon shiu dhe errësira e dëshpërimit, që vjen pas largimit të beftë të dritës. A mund ta përfytyrosh gjendjen e këtij të mjeri?! E tillë është shëmbëlltyra e munafikëve. Ata kërkojnë prej muslimanëve zjarrin ndriçues të imanit, sepse për ta imani është një cilësi e huaj. Ata përfitojnë diçka nga ky zjarr, ndonëse është i ndezur nga tjetërkush. Me anë të këtij zjarri, ata sigurojnë paprekshmërinë e jetës e të pasurisë së tyre mes besimtarëve. Ky zjarr u jep njëfarë qetësie në jetën e dynjasë. Por pikërisht kur ata janë duke shijuar frytet dhe të mirat e mundit të tjetërkujt, ata i kap befas vdekja, e cila ua ndërpret atë përfitim të vagët prej dritës së besimtarëve. Pas takimit me vdekjen, ata i kaplon tërësisht ankthi, trishtimi dhe ndëshkimi i dhimbshëm. E kështu, ata do të provojnë tmerrin dhe shijen e hidhur të mohimit, të hipokrizisë dhe të çdo lloj poshtërsie tjetër, fillimisht në errësirën e varrit, dhe pastaj në errësirën e zjarrit të Xhehenemit, që do të jetë "vendprehja" e tyre e përjetshme. Vëre me kujdes se si i përshkruan ata Allahu i Lartësuar, kur thotë se ata janë: - “Të shurdhër, memecë dhe të verbër, - Ata janë të shurdhër kundrejt dëgjimit të çdo mirësie, janë memecë që nuk mund të flasin e të thonë kurrë fjalë të mira e të drejta, dhe janë të verbër për të parë të vërtetën e qartë. - “…dhe kurrë nuk mund të kthehen (në rrugë).” - Ata nuk e ndërrojnë rrugën e tyre, për shkak se ata e kanë braktisur të vërtetën (dritën), pasi e kanë njohur njëherë atë. Kështu që, ata kurrë nuk kanë për të kthyer rrugë. Ndryshe ndodh me dikë që është në humbje për shkak se nuk e njeh të vërtetën. Ky është më pranë udhëzimit, dhe shpresat

e tij për t`u kthyer janë më të shumta. Allahu i Madhëruar jep edhe një shembull tjetër për të qartësuar gjendjen e munafikëve, duke thënë: - “Ata, gjithashtu, i përngjajnë dikujt mes një shiu të rrëmbyer prej së larti, …” – Pra, rasti i tyre mund të ilustrohet edhe me një shembull tjetër: Me një njeri që ndodhet mes një shiu të dendur e të rrëmbyer, që bie nga qielli. - “…plot errësirë , me gjëmime e vetëtima”. – Domethënë, ai është i mbuluar nga errësira të shumta njëra mbi tjetrën: nga errësira e natës, nga errësira e reve dhe errësira e shiut. - “…me gjëmime ”- Pra, ai dëgjon edhe oshtimën e frikshme të bubullimës, që buron nga retë. - “…e vetëtima” - Ky njeri sheh herë pas here edhe dritën që shkreptin nga mesi i errësirave të reve. Në të tilla situata: - “Ata i vendosin gishtat në veshët e tyre, prej frikës së vdekjes nga rrufeja”. Ky është një përshkrim tjetër i gjendjes së munafikëve. Ata, kur dëgjojnë Kur’ânin, urdhrat dhe ndalesat e tij, premtimet dhe kërcënimet e përmendura në të, vendosin gishtat në veshë për të mos lejuar dëgjimin e tyre. Ata tmerrohen nga kërcënimet e Kur’ânit dhe i shqetëson çdo premtim që gjendet në të, prandaj ua kthejnë shpinën fjalëve të tij, duke e urryer shumë këtë gjendje. E tillë është edhe gjendja e njeriut në mes të shiut të rrëmbyer, që furishëm zbret nga qielli. Ai i zë veshët me gishta nga frika e vdekjes. Por nëse për këtë të fundit shpresohet ndonjë mundësi shpëtimi, për munafikët nuk ka asnjë shans për të shpëtuar, sepse: - “Allahu është Gjithpërfshirës i jobesimtarëve” - E si mund t`i shpëtojnë ata Allahut të Madhëruar e të Plotfuqishëm, i Cili është Gjithëpërfshirës dhe i Pashmangshëm, në aspektin e dijes dhe të pushtetit që ka mbi ta? Ata nuk mund t`i fshihen dijes dhe shikimit t ë Tij, ashtu sikurse nuk mund t’ i shpëtojnë forcës dhe pushtetit të Tij absolut mbi gjithçka. Ai ua llogarit dhe ua regjistron të gjitha veprat atyre, dhe shpërblimin ka për t’ ua dhënë të plotë. Duke qenë se ata e meritojnë shurdhërinë, memecërinë dhe verbërinë ndaj udhëzimit, duke qenë se ata e meritojnë plotësisht që t’u mbyllën dyert e besimit para syve, atëherë Allahu i Madhëruar i kërcënon me një masë tjetër të dhimbshme, kur thotë: - “Vetëtima gati ua rrëmben shikimin. Sa herë që ajo u bën dritë, ata ecin, ndërsa kur errësohet, qëndrojnë të shtangur. E nëse do të donte Allahu do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin. ” - Sikur të dëshironte Allahu i Madhëruar, Ai d o t’ ua hiqte edhe dëgjimin e shikimin fizik. Ky është kërcënim me një ndëshkim që mund të zbresë që në këtë jetë, para vdekjes. Pra, le të jenë më të kujdesshëm dhe më të përmbajtur me hipokrizinë dhe të keqen që ata shfaqin. - “Allahu, është i Plotfuqishëm për gjithçka” - Të jeni të sigurt se Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka. Atij nuk i shpëton dot asgjë. Pushteti i Tij absolut i jep

të drejtën dhe mundësinë që, nëse dëshiron diçka, e kryen, dhe askush nuk e kundërshton dhe nuk mund ta ndalojë Atë. Në këtë ajet, dhe në të tjerë të ngjashëm me të, gjejmë një argument shumë të fuqishëm kundër një grupi të humbur e të devijuar, të quajtur Kaderie, të cilët pretendojnë se veprat e robit janë jashtë pushtetit të Allahut të Lartësuar (pra, nuk janë të nënshtruara dhe nën ndikimin e pushtetit të Tij). Ky ajet tregon qartë se edhe veprat e tyre futen te fjala e Allahut: ‘ In-nall-llâhe alâ kul -li shejin ķadîr’ (Allahu, është i Plotfuqishëm për gjithçka).

← Bekare 2:20