2. Bekare · Ajeti 203 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:197–2:212
Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Ai që vendos për haxh duhet t'u përmbahet rregullave të parapara, e përveç përgatitjes shpirtërore, duhet përgatitur edhe materialisht për të mos u bërë barrë e të tjerëve. Ndonjë shitblerje gjatë kohës së haxhit nuk është mëkat.
"Arefat" është një vend jashtë Mekes dhe qëndrimi në atë vend ditën e nëntë të Dhilhixhes, është detyrë e domosdoshme për të gjithë haxhinjt. "Mesh'ari haram" është një vend në të kthyer prej Arefatit për në Mine. Disa nga kurejshitët nuk u bashkoheshin njerëzve të tjerë në Arefat, ata qëndronin në Muzdelife dhe prej aty ktheheshin për Minë. Këtë e bënin në shenjë krenarie mbi të tjerët, e Kur'ani ndalon atë gjest të tyre dhe u thotë, zdirgjuni kah zdirgjen të gjithë njerëzit. Në fenë islame nuk ekziston privilegj i një fisi ndaj tjetrit.
Pasi kryenin detyrat e haxhit, disa nga arabët ndaleshin në Mine, ku në shenjë krenarie përkujtonin të parët e tyre. Kur'ani urdhëron të përmendet Allahu si krenaria më e lartë, duke madhëruar dhe shpreh tekbirët, nuk ndaloi t'i përkujtojnë edhe prindërit e tyre.
Ata që kërkojnë vetëm të mirat e kësaj bote, janë të mashtruar, sepse të mirat e kësaj bote janë të përkohshme, po nuk është qëllim vetëm jeta e kësaj bote. Të lumtur janë ata që kërkojnë të mirat e kësaj bote, por qëllim kryesor kanë jetën në botën tjetër dhe kërkojnë të mirat e asaj që janë të përjetshme.
Gjatë faljes së çdo namazi, dhe gjatë hedhjes së gurëve në Mine, duhet thënë tekbirët, e ditët e caktuara janë ditet pas ditës së bajramit, ku dikush qëndron dy ditë e dikush tri ditë në Mine. Mine pra, është një vend jo larg Mekes dhe aty hidhen gurët edhe dy ose tri ditë pas ditës së bajramit.
Edhe pse në këtë ajet është fjala për njëfarë munafiku, një Ahnes bin Shurejk, që i paraqitej Muhammedit me demagogji, ajeti tërheq vërejtjen për të gjithë hipokritët që nga goja janë të ëmbël, e në zemër të prishur, që në buzë kanë mjaltin, kurse në zemër helmin.
Çdo përpjekje dhe çdo angazhim për hirë të zbatimit të punëve të mira e të porosive të Zotit, konsiderohet sakrificë, le të jetë mund fizik, fjalë e drejtë, pasuri e dhënë etj., prandaj shpërblimi për to është i madh.
Feja islame me rregullat e veta është tërësi e pandarë, andaj nuk vlen pranimi i disa dispozitave e refuzimi i të tjerave.
Ardhja e Zotit dhe e engjëjve nëpërmjet reve, ka të bejë me ditën e gjykimit dhe paraqet madhërinë e një tmerri të madh ku i tërë sundimi atë ditë i takon vetëm Allahut, e Ai i shpërblen të mirët dhe i ndëshkon të këqinjtë.
Jehuditë edhe pse e patën pejgamberin Musa me shumë mrekulli e fakte të qarta, nuk besuan si duhet, ndryshuan edhe pjesë të librit të tyre. Atyre u është hijeshuar jeta e kësaj bote, i lanë pas dore parimet e fesë, madje edhe u tallën me besimtarët, por duhet ta kenë të ditur se në ditën e kijametit, besimtarët do të gëzojnë vende të larta e shpërblim të madh dhe do t'ua kthejnë talljet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:203
- Përmendeni Allahun në ditë të caktuara (të haxhit) - Ibn Abasi thotë që “ditët e caktuara" janë ditët e Teshrikut. Ndërsa “ditët e njohura” ( ejjâmul mea'lûmât) (si në ajetin e sures Haxh 103) janë dhjetë ditët e haxhit. Ikrime ka thënë: "Përmendeni Allahun në ditë të caktuara (të haxhit) !" domethënë: bëni tekbire gjatë ditëve të Teshrikut, pra, ditën e 11-të, 12-të dhe 13-të të muajit Dhulhixhe, bashkë me ditën e festës së Bajramit të Kurbanit, pas namazeve farze, duke thënë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber!” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ukbetu Ibn Amiri, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 282. “Dita e Arafatit, dita e Kurban Bajramit dhe ditët e Teshrikut janë festa të pasuesve të Islamit. Ato janë ditë ushqimi dhe pijeje.” Ibn Xheriri përcjell nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut dërgoi Abdullah Ibn Hudhejfe që të futej mes njerëzve në Mina e t’u thoshte: 283 . “Mos agjëroni këto ditë, se këto janë ditë ushqimi e pijeje dhe përmendjeje të Allahut të Madhëruar e Krenar!” Në një transmetim të këtij hadithi, të sjellë nga Ibn Zubejri, shtohet: 284. “...veç nëse agjëron për shkak
të pamundësisë për të bërë kurbanin.”. Kjo shtesë është hasen, por është mursel.104 Nga Aishja përcillet të ketë thënë: 285 . “Profeti ﷺ na ndaloi agjërimin e ditëve të Teshrikut, pasi ato janë ditë ushqimi, pijeje dhe përmendjes e kujtimit të shumtë të Allahut.”. Nga Ibn Abasi përcillet të ketë thënë: “Ato që janë përmendur në Kur 'an si “ditë të caktuara” janë katër ditët e Teshrikut: Dita e Kurban Bajramit dhe tri ditët pas saj. Për këtë tregon kuptimi i dukshëm i ajetit.” - Kush ngutet e largohet për dy ditë, nuk bën gjynah. Por edhe ai që e shtyn, nuk bën gjynah,..." - Këtu tregohet se janë 3 ditë pas ditës së parë të Kurban Bajramit. Fjala e Allahut: "Përmendeni Allahun në ditë të caktuara (të haxhit) .", tregon se Allahu i Madhëruar duhet të përmendet edhe gjatë bërjes së kurbaneve. Në këtë bën pjesë edhe përmendja e Allahut përkohësisht pas çdo namazi, si dhe përmendja e Allahut në mëyrë të përgjithshme në çdo kohë e gjendje. Sipas fjalës më të përhapur të dijetarëve dhe sipas së cilës punohet, kjo kohë fillon: nga namazi i sabahut të ditës së Arafatit (ditën e 9 të muajit Dhul Hixhe), deri në namazin e ikindisë ditën e tretë të Teshrikut, kur largohet grupi i fundit nga Minaja. Gjithashtu, me të lidhet edhe përmendja e Allahut gjatë hedhjes së gurëve dhe tekbiret gjatë tij, gjatë gjithë ditëve të Teshrikut. Është përcjellë në hadithin që e sjell Ebu Daudi dhe të tjerë, se: 286 “Tvuafi rreth Shtëpisë, vrapimi dhe ecja mes Safasë dhe Mervasë dhe hedhja e gurëve u ligjëruan për t'u kujtuar dhe përmendur Allahu Krenar dhe i Lartësuar.” Në ajetin e mësipërm, Allahu i Lartësuar përmendi grupin e parë dhe të dytë të njerëzve që shpërndahen, gjë kjo që nënkupton se njerëzit, pas përfundimit të riteve të haxhit, kthehen në viset e largëta, andej nga vijnë për t’u bashkuar në adhurimin e Allahut dhe në ato vende të caktuara. Më pas, Ai vijon e thotë: - Atëherë, kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të tuboheni para Tij! - Siç ka thënë në ajetin: "Është Ai që ju krijoi e ju shumoi në Tokë dhe vetëm tek Ai do të tuboheni." [Mu'minun 79].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:203
- “Përmendeni Allahun në ditë të caktuara.” - Allahu i Lartësuar na urdhëron që ta kujtojmë Atë në ditë të caktuara, të cilat janë tri ditët pas festës së Kurban Bajramit dhe të cilat quhen Ditët e Teshrikut. Këto ditë janë veçuar për shumë arsye, si: - Për vlerën e madhe të tyre tek Allahu i Lartësuar. Në këto ditë kryen ritet e fundit të haxhit, prandaj duhet kujtuar shumë Allahu i Lartësuar. Gjatë këtyre ditëve, njerëzit janë të ftuarit e Zotit në ditët e festës. Madje, për këtë arsye dhe për shkak se ato janë ditë gëzimi, ngrënieje, pirjeje etj., është i ndaluar agjërimi i tyre. Profeti (s.a.u.s.) ka thënë: “Ditët e Teshrikut janë ditë kënaqësie, me ngrënie, pirje dhe me përmendje të Allahut”. Gjatë këtyre ditëve përmendet shumë Allahu i Lartësuar, por sidomos në disa situata të veçanta, si: gjatë hedhjes së gurëve në Akabe, gjatë therjes së kurbaneve apo pas përfundimit të namazeve farze, kur besimtarët thonë: “ Allâhu ekber, Allâhu ekber, Allâhu ekber, lâ ilâhe il -lallllâh, Allâhu ekber, Allâhu ekber, ue lil -lâhil ĥamd”. Disa dijetarë thonë se gjatë këtyre ditëve janë të pëlqyeshme edhe tekbiret, pra, të thuash: “Allahu ekber” sa më shumë. - “Kush ngutet e largohet për dy ditë, nuk bën gjynah. ” – Pra, ai që përfundon gjuajtjen e gurëve për dy ditë dhe del prej Minasë para perëndimit të diellit të ditës së dytë të gjuajtjeve, nuk bën gjynah që largohet dhe nuk rri për ditën e tretë të gjuajtjes së gurëve. - “Por edhe ai që e shtyn nuk bën gjynah.” - Pra, edhe ai që qëndron në Mina për ditën e tretë të gjuajtjeve të gurëve nuk bën gjynah. Është një lehtësim nga Allahu i Lartësuar për adhuruesit e Tij, që ua ka bërë të lejuara të dyja mundësitë. Megjithatë, të qëndrosh tri ditë është më mirë sesa dy ditë, sepse një ditë më shumë do të thotë adhurime më shumë . Në fakt, ajeti: “Kush ngutet e largohet për dy ditë, nuk bën gjynah...” edhe mund të keqkuptohet, duke menduar se kush i plotëson apo nuk i plotëson tri ditët e qëndrimit nuk merr gjynah për asnjë vepër tjetër që ka bërë, pra, është i pastër nga të gjitha gjynahet. Por e vërteta nuk qëndron kështu, sepse askush nuk është i pastër nga gjynahet pas mbarimit të haxhit, përveç një kategorie të caktuar njerëzish, për të cilët Allahu i Lartësuar thotë:
- “... nëse përpiqet të jetë i devotshëm.” – Pra, vetëm ata që e kanë frikë ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut dhe tregohen të kujdesshëm në përmbushjen e çdo dispozite, do të jenë të pastruar dhe të shpëtuar prej gjynaheve. Ndërsa ata që u ruhen vetëm disa gjërave dhe neglizhojnë të tjerat, do të shpërblehen për aq sa kanë bërë. Prandaj i Madhëruari thotë në vijim, duke e kujtuar disa herë këtë urdhër: - “Atëherë, kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të tuboheni para Tij! ” – Kuptimi: Ruajuni ndëshkimit dhe zemërimit të Allahut, duke plotësuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Nëse e bëni këtë, të jeni të sigurt dhe të qetë se, kur të ktheheni tek Ai, do ta merrni të plotë shpërblimin e veprave të mira. Ai që druhet dhe i respekton dispozitat e Zotit, ka për ta gjetur shpërblimin e devotshmërisë së tij. Ndërsa ai që nuk ruhet dhe i shpërfill dispozitat e Zotit të tij, do të marrë ndëshkimin e merituar. Nëse njeriu e di se do të vijë një ditë, kur shpërblimi për veprat e kryera do të jepet me drejtësi, atëherë kjo është nxitje tepër e fortë për të që të pajiset me takua. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “...dijeni se do të tuboheni para Tij”, që kjo dije të thellohet dhe të shtohet prej adhuruesve të Tij.