2. Bekare · Ajeti 212 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:197–2:212
Haxhi kryhet në muajt e caktuar. Ai që vendos për haxh duhet t'u përmbahet rregullave të parapara, e përveç përgatitjes shpirtërore, duhet përgatitur edhe materialisht për të mos u bërë barrë e të tjerëve. Ndonjë shitblerje gjatë kohës së haxhit nuk është mëkat.
"Arefat" është një vend jashtë Mekes dhe qëndrimi në atë vend ditën e nëntë të Dhilhixhes, është detyrë e domosdoshme për të gjithë haxhinjt. "Mesh'ari haram" është një vend në të kthyer prej Arefatit për në Mine. Disa nga kurejshitët nuk u bashkoheshin njerëzve të tjerë në Arefat, ata qëndronin në Muzdelife dhe prej aty ktheheshin për Minë. Këtë e bënin në shenjë krenarie mbi të tjerët, e Kur'ani ndalon atë gjest të tyre dhe u thotë, zdirgjuni kah zdirgjen të gjithë njerëzit. Në fenë islame nuk ekziston privilegj i një fisi ndaj tjetrit.
Pasi kryenin detyrat e haxhit, disa nga arabët ndaleshin në Mine, ku në shenjë krenarie përkujtonin të parët e tyre. Kur'ani urdhëron të përmendet Allahu si krenaria më e lartë, duke madhëruar dhe shpreh tekbirët, nuk ndaloi t'i përkujtojnë edhe prindërit e tyre.
Ata që kërkojnë vetëm të mirat e kësaj bote, janë të mashtruar, sepse të mirat e kësaj bote janë të përkohshme, po nuk është qëllim vetëm jeta e kësaj bote. Të lumtur janë ata që kërkojnë të mirat e kësaj bote, por qëllim kryesor kanë jetën në botën tjetër dhe kërkojnë të mirat e asaj që janë të përjetshme.
Gjatë faljes së çdo namazi, dhe gjatë hedhjes së gurëve në Mine, duhet thënë tekbirët, e ditët e caktuara janë ditet pas ditës së bajramit, ku dikush qëndron dy ditë e dikush tri ditë në Mine. Mine pra, është një vend jo larg Mekes dhe aty hidhen gurët edhe dy ose tri ditë pas ditës së bajramit.
Edhe pse në këtë ajet është fjala për njëfarë munafiku, një Ahnes bin Shurejk, që i paraqitej Muhammedit me demagogji, ajeti tërheq vërejtjen për të gjithë hipokritët që nga goja janë të ëmbël, e në zemër të prishur, që në buzë kanë mjaltin, kurse në zemër helmin.
Çdo përpjekje dhe çdo angazhim për hirë të zbatimit të punëve të mira e të porosive të Zotit, konsiderohet sakrificë, le të jetë mund fizik, fjalë e drejtë, pasuri e dhënë etj., prandaj shpërblimi për to është i madh.
Feja islame me rregullat e veta është tërësi e pandarë, andaj nuk vlen pranimi i disa dispozitave e refuzimi i të tjerave.
Ardhja e Zotit dhe e engjëjve nëpërmjet reve, ka të bejë me ditën e gjykimit dhe paraqet madhërinë e një tmerri të madh ku i tërë sundimi atë ditë i takon vetëm Allahut, e Ai i shpërblen të mirët dhe i ndëshkon të këqinjtë.
Jehuditë edhe pse e patën pejgamberin Musa me shumë mrekulli e fakte të qarta, nuk besuan si duhet, ndryshuan edhe pjesë të librit të tyre. Atyre u është hijeshuar jeta e kësaj bote, i lanë pas dore parimet e fesë, madje edhe u tallën me besimtarët, por duhet ta kenë të ditur se në ditën e kijametit, besimtarët do të gëzojnë vende të larta e shpërblim të madh dhe do t'ua kthejnë talljet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:211–2:212
- Pyeti bijtë e Izraelit se sa shumë argumente të qarta u kemi dhënë atyre! - Allahu i Lartësuar na tregon për bijtë e Izraelit dhe shenjat e shumta e të qarta, që ata panë gjatë kohës së Musait. Të shumta ishin argumentet e qarta dhe të jashtëzakonshme që ata panë dhe të cilat tregonin se Musai ishte profet i Zotit dhe që mesazhi i tij ishte i vërtetë. Kështu, ndër mrekullitë e shenjat e mëdha të Musait ishte dora e bardhë, shkopi që shndërrohej në gjarpër, hapja e detit, nxjerrja e ujit nga guri, hija që retë u bënin bijve të Izraelit gjatë endjes në shkretëtirën e nxehtë, zbritja e menas dhe seluas dhe shenja të tjera të qarta që tregonin se ato i sillte Ai që vepron dhe zgjedh çfarë të dëshirojë. Ato ishin treguese të vërtetësisë e besnikërisë së atij të cilit Zoti ia dha këto mrekulli. E megjithatë, shumë nga ata i kthyen shpinën këtyre shenjave dhe iu kundërpërgjigjën mirësive të Allahut me mohim e mosmirënjohje. Ata, në vend të mirënjohjes dhe adhurimit të Allahut, zgjodhën mohimin dhe largimin nga rruga e Tij. Por Allahu i Madhëruar thotë: - E kush i mohon të mirat e Allahut, pasi i janë dërguar, të jetë i sigurt se Allahu e ka ndëshkimin të ashpër. - Po kështu i përshkruan Allahu i Madhëruar edhe mohuesit nga mesi i kurejshëve. Ai thotë:
"A nuk i ke kthyer sytë nga ata që, mirësinë e Allahut e këmbejnë me mosbesimin, ndërsa popullin e vet e çojnë në vendin e shkatërrimit? Xhehenemi është vendi ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai!" [Ibrahim 28]. Pastaj Allahu i Madhëruar na tregon se si ua ka zbukuruar jetën e kësaj dynjaje mohuesve të besimit të vërtetë, të cilët kënaqen dhe e gjejnë prehjen e kënaqësinë në këtë jetë. Këta e grumbullojnë pasurinë, duke mos e shpenzuar në ato drejtime që Allahu ka urdhëruar dhe, gjithashtu, tallen me ata që besojnë Allahun dhe i kthejnë shpinën kësaj dynjaje, si edhe me ata të cilët e shpenzojnë pasurinë e vet për të fituar kënaqësinë e Allahut. Për këtë arsye, besimtarët do të fitojnë në Ditën e Premtuar, kur do të jenë sipër atyre që talleshin dikur me ta. Po ashtu do të jenë sipër tyre kur të ringjallen. Ata do të qëndrojnë përjetësisht në gradat më të larta të Il-lijinit. Ndërsa të mjerët jobesimtarë do të jenë në nivelet më të ulta të të ultëve. Prandaj Allahu i Madhëruar thotë: - Atyre që nuk besojnë u është hijeshuar jeta e kësaj bote e tallen me ata që besojnë. Por ata që e ruajnë devotshmërinë do të qëndrojnë sipër tyre Ditën e Kijametit. Allahu i jep me bollëk atij që Ai dëshiron. - Pra, Allahu furnizon dhe i jep mirësi të panumërta në dynja dhe në ahiret atij që Ai do. Profeti ﷺ ka thënë: 292 “Shpenzo nga pasuria jote, o Bilal, dhe mos ki frikë se Zoti i Fronit do të ta pakësojë pasurinë.” Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im është Ai që ia shton rizkun kujt të dojë nga robërit e Vet dhe Ai ia pakëson kujt të dojë. Çdo gjë që jepni (për Hir të Tij) , Ai do ta kompensojë. Ai është më i miri Furnizues.". [Sebe 39]. Në hadith të saktë thuhet se: 293. “Dy melekë zbresin në qiellin e dynjasë në mëngjesin e çdo dite dhe njëri prej tyre thotë: ‘O Zot! Çdokujt që shpenzon, jepi shtesë dhe zëvendësim për harxhimin!" Ndërsa tjetri thotë: ‘O Zot! Çdokujt që nuk jep, pakësoja e harxhoja!" Në një hadith tjetër të saktë thuhet: 294 “I biri i Ademit thotë: ‘Pasuria ime! Pasuria ime!’ Po a ka gjë tjetër prej pasurisë tënde, veç asaj që e ha dhe e humb, atë që e vesh dhe e gris? Kurse atë që e jep sadaka, ajo mbetet për ty.’ Çdo pasuri tjetër, veç sadakasë, ai do t’ua lërë njerëzve të tjerë, kur të largohet nga kjo botë.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:212
- “Atyre që nuk besojnë u është hijeshuar jeta e kësaj bote e tallen me ata që besojnë...” – Këtu flitet për ata që mohojnë Allahun, që shpërfillin argumentet e Tij, nuk u binden profetëve të Tij dhe nuk i nënshtrohen ligjit të Tij. I Madhëruari na tregon se këtyre njerëzve u është zbukuruar dhe u është bërë shumë e dashur kjo botë. Ajo është bërë shumë e dashur për zemrat e tyre dhe shumë e bukur për sytë e tyre. Ata e gjejnë prehjen dhe kënaqësinë në këtë botë. Dëshirat, ëndrrat, qëllimet dhe veprat e tyre janë të lidhura vetëm me të. Ata i përkushtohen kësaj jete totalisht, dhe me të gjithë qenien e tyre. Ata janë gjithnjë të zënë me grumbullimin e të mirave të saj. Në zemrat e tyre kjo botë zë një vend mjaft të rëndësishëm. Ata i adhurojnë bukuritë e saj dhe nderojnë këdo që arrin të grumbullojë shumë prej saj. Ndërsa me besimtarët, të cilët nuk e vlerësojnë dynjanë më shumë sesa e meriton, ata tallen e thonë: “Këta na qenkan të zgjedhurit e Zotit?! Këta ka zgjedhur Zoti për t’u falur mirësi?!” Shikoni se sa i mangët është vështrimi i tyre për jetën. Ata mendojnë se njerëzit më të mirë janë ata që kanë më tepër pasuri. Por këta të mjerë nuk e dinë se dynjaja është veç një vend sprove, për të bërë sa më shumë vepra të mira. A nuk e shohin ata se në këtë jetë goditen me fatkeqësi edhe besimtarët, edhe mohuesit? Por besimtarët, edhe kur sprovohen me ndonjë fatkeqësi, imani i ndihmon që të bëjnë durim, duke llogaritur shpërblimin nga Allahu. Imani ua lehtëson atyre përballimin e sprovave të dynjasë, gjë e cila nuk ndodh aspak me jobesimtarët. Përfundimsht, Allahu i Lartësuar nuk i mat gradat e njerëzve me pasuri apo me ofiqe të kësaj dynjaje, por Ai sheh vetëm devotshmërinë ndaj Tij. Megjithatë, këto grada do të duken qartë në Ditën e Kijametit, siç thotë Allahu i Lartësuari: - “Por ata që e ruajnë devotshmërinë do të qëndrojnë sipër tyre Ditën e Kijametit.” - Atë ditë do të duken gradat e larta dhe njerëzit që i meritojnë ato. Më lart do të qëndrojnë ata që janë të pajisur me devotshmëri, të cilët i ruhen zemërimit dhe ndëshkimit të Zotit të tyre duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij, të shtyrë nga madhërimi dhe dashuria për Atë. Të tillët do të shijojnë çdo lloj kënaqësie dhe do të jenë të lumtur. Ndërsa qafirët do të jenë shumë poshtë, të zhytur në shtresat më të ulëta të zjarrit të Xhehenemit. Atje do të vuajnë pa fund ndëshkimin, poshtërimin dhe dëshpërimin përjetësisht, sepse e meritojnë. Kështu, ky ajet është njëkohësisht sihariq për besimtarët dhe kërcënues për qafirët. Mirësitë e kësaj bote dhe të tjetrës janë në dorë të Zotit, i Cili i shpërndan ato sipas urtësisë së Tij: - “Allahu begaton pa masë atë që Ai dëshiron.” - Mirësitë e kësaj bote u jepen edhe besimtarëve, edhe qafirëve, ndërsa mirësitë që kanë të bëjnë me zemrën, siç
janë dija e sigurt dhe e dobishme, imani i fortë, dashuria për Allahun, shpresa për shpërblimin e Tij dhe frikërespekti ndaj Tij u jepen veçse të nderuarve, të përzgjedhurve.