← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 221 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:213–2:221

Njerëzit ishin të një drejtimi në fe, në fenë e drejtë që Zoti e shpalli, Kur filluan ta lëshojnë rrugën e drejtë, Zoti dërgoi pejgamber pas pejgamberi për t'i shuar përçarjet e tyre që rridhnin vetëm nga zilia dhe grupacioni i disave në një libër e i të tjerëve në librin tjetër. Pejgamberët e parë ishin të dërguar te një popull ose vend. Muhammedi është i dërguar te të gjithë njerëzit në botë dhe detyrë e tij ishte t'i bashkojë njerëzit përsëri në fenë e drejtë definitive që e shpalli Zoti për sa të ekzistojë kjo botë.

Për ta fituar xhennetin nevojitet punë, durim i fortë e qëndrueshmëri. Ashtu bënë myslimanët e parë. Nuk duhet humbur shpresën, sepse ndihma e Zotit gjithnjë është në anën e të drejtëve.

Pas çlirimit të Mekës shpërngulja ndërprehet, kurse myslimanët detyrohen të luftojnë me pasuri e me jetë kundër armikut. Mirëpo, derisa ishin më pak në numër dhe materialisht më të dobët, ata nuk e pritën me aq kënaqësi obligimin. Zoti u shpjegoi se fitimi i tyre është në zbatimin e obligimit, sepse njerëzit nuk janë në gjendje që të dinë se ku qëndron dobia e tyre.

Abdullah bin Xhahshi me disa shokë e sulmon një karvan të idhujtarëve dhe e mbyt udhëheqësin, kurse dy të tjerë i zë rob, por duke menduar se është dita e fundit e Xhemadal Ahir, kurse ajo kishte qenë dita e parë e muajit të shenjtë Rexheb. Armiqët e përgojuan Muhammedin gjoja se besimtarët e tij nuk po i respektojnë muajt e shenjtë, gjatë të cilëve lufta ishte ndaluar. Pejgamberi u brengos për atë rast, por kur zbriti ky ajet, Zoti u shpjegoi myslimanëve për mëkatin e tyre dhe për mëkatet e idhujtarëve që ishin shumë më të mëdha sepse: ata nuk besonin Zotin, nuk lejonin vizitën në Qabe, i dëbonin myslimanët nga vendlindja, e provokimi i tyre kundër myslimanëve për t'i larguar prej fesë islame ishte më i rrezikshmi.

Edhe psë në këtë ajet flitet për dëmin e madh të alkoolit dhe të bixhozit, nuk theksohet ndalimi definitiv i tyre, pse feja ju afrua njerëzve në çdo rast me fakte bindëse, me qëllim që t'u ofrojë besimtarëve njohuri të plota për dobinë ose dëmin e ndonjë sendi a vepre, e kur ta arrijë atë, atëherë vendimi definitiv paraqitej si shprehje e vetë masës së popullit. Kështu bëri me këto dhe në kaptinën "El Maide", shpallet ndalimi definitiv për to.

Të drejtën e pasurisë së jetimëve feja islame e mbron rreptë dhe në mënyrën më rigoroze u tërheq vërejtjen atyre, që nuk kujdesen për ruajtjen e pasurisë së tyre. i Martesa me idhujtarë-politeistë është e ndaluar në fenë islame, por ajo nuk është e ndaluar me ithtarë të librit. Krishterët dhe jehuditë e kishin të ndaluar me çdo fe tjetër.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:221

- Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë! - Kjo është një dispozitë ndaluese, me të cilën Allahu i Lartësuar e bën haram për besimtarët që të martohen me gratë idhujtare. Nga ky gjykim, Allahu i Lartësuar përjashton gratë nga ithtaret e Librit, krishtere e jehude, kur tha: " Është e lejuar për ju të martoheni me gratë e ndershme besimtare dhe me gratë e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse u jepni atyre (mehrin) dhuratën martesore, por duke pasur për qëllim martesën, e jo imoralitetin dhe as (shfrytëzimin e tyre) si të dashura (të fshehta).” [Maide 5]. Ibn Abasi ka thënë në lidhje me këtë se: "Allahu i Madhëruar i përjashtoi gratë e ithtarëve të Librit nga gjykimi ndalues për martesën me idhujtare." Ndërsa Omer Ibn Hattabi ka thënë: "Një burrë musliman mund të martohet me një grua të krishtere, ndërsa një i krishterë nuk lejohet të martohet me një grua muslimane.". Nga Xhabir Ibn Abdilah përcillet se tregon që Profeti ﷺ ka thënë: 308. “Ne martohemi me gratë e ithtarëve të Librit, por ata nuk lejohet të martohen me gratë tona.” Ky lajm, edhe pse me isnad të përfolur, kuptimi i tij është i saktë, dhe me këtë mendim kanë rënë dakord i gjithë umeti. - Një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë." – Seddiju tregon: 309. “Ky ajet ka zbritur për Abdullah Ibn Rauâĥan. Ai kishte një skllave zezake, të cilën e goditi njëherë, në zemërim e sipër. Por më pas u shqetësua (për këtë) dhe shkoi tek Profeti ﷺ dhe i tregoi atë që ndodhi. Profeti i tha: "Si është ajo?” Ai i tha: “Ajo agjëron, falet, merr abdes me kujdes dhe dëshmon se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se ti je i

dërguari i Allahut." Profeti tha: "O Ebu Abdilah, ajo është besimtare." Atëherë, Abdullahi tha: “Betohem në Atë që të dërgoi me të vërtetën, se do ta liroj dhe do të martohem me të!" Dhe ash tu bëri. Disa muslimanë e qortuan dhe e përfolën këtë veprim duke thënë: "U martua me skllaven e vet..." Shumë prej tyre martoheshin me idhujtare, duke synuar të merrnin nga familje fisnike, por Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet.” Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ebu Hurejra, se Profeti i Allahut ka thënë: 310 “Gruaja përzgjidhet (për martesë) për katër gjëra: "Për pasurinë e saj, për fisnikërinë e saj, për bukurinë e saj dhe për fenë e saj. Zgjidh fetaren, të lumshin duart!” Edhe Muslimi sjell prej Xhabirit një hadith të ngjashëm. Muslimi sjell hadithin nga Ibn Umeri, se Profeti i Allahut ka thënë: "311 “Kjo botë është plot bukuri (e kënaqësi), por stolia më e çmuar e saj është një grua e mirë.”. - Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë, derisa ata të bëhen besimtarë. - Në një ajet tjetër, i Madhëruari thotë: "O ju që keni besuar! Kur t’ju vijnë besimtaret e shpërngulura, provojeni besimin e tyre, ndonëse Allahu e di më së miri se çfarë besimi kanë! Nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë mos i ktheni ato te jobesimtarët, sepse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to!" [Mumtehine 10]. Pastaj i Madhëruari thotë: - Një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. - Një burrë besimtar, edhe nëse është skllav nga Abisinia (në Afrikë), është më i mirë sesa një burrë mohues, edhe nëse është mbret e udhëheqës. - Ata (jobesimtarët) ju ftojnë për në Zjarr - Përzierja ose të jetuarit me ta të shton dashurinë për këtë dynja të përkohshme dhe preferimin e saj mbi ahiretin, por përfundimi i kësaj është i tmershëm. - "...ndërsa Allahu, me mëshirën e Vet, ju fton në Xhenet dhe në faljen e gjynaheve tuaja. - Këtë Ai e bëri nëpërmjet Sheriatit që vendosi për ne, nëpërmjet urdhëresave e ndalesave që na ligjëroi e na ngarkoi që t’u përmbahemi. - Ai ua sqaron njerëzve argumentet e Veta, që ata të kujtojnë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:221

- “Mos u martoni me idhujtare, derisa ato të besojnë! Një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. ” – Kuptimi: Mos u martoni me gra idhujtare, derisa ato ta besojnë Zotin si Një të vetëm dhe të përqafojnë Islamin. Një besimtare, sado e shëmtuar që të jetë, ajo është më e mirë se një idhujtare, sado e bukur qoftë kjo e fundit. Ky ajet i përfshin të gjitha llojet e idhujtareve, por është ajeti i pestë i sures Maide, në të cilin Allahu i Lartësuar përjashton nga ky ligj gratë prej ithtarëve të Librit (të krishteret dhe çifutet). Më tej, Allahu i Lartësuar thotë: - “Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë, derisa ata të bëhen besimtarë. Një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë.” - Ky është një gjykim që i përfshin të gjithë llojet e jomuslimanëve, për të cilin nuk ka ndonjë përjashtim, sikurse ndodh me gjykimin e mësipërm. Pastaj Allahu i Lartësuar tregon urtësinë e ndalimit të këtyre martesave: - “Ata (jobesimtarët) ju ftojnë për në Zjarr...” - Me fjalët, veprat dhe sjelljen e tyre, idhujtarët të ftojnë për në zjarrin e Xhehenemit. Në fakt, përzierja me ta është shumë e rrezikshme, dhe jo thjesht për çështjet e kësaj jete, por për vetë ahiretin. Duke marrë parasysh qëllimin që ka sjellë Allahu i Lartësuar për të ndaluar këto lloj martesash, mund të themi se është e ndaluar që të përzihesh dhe të krijosh afrimitet me çdo lloj idhujtari apo bidatçiu. Nëse Allahu i Lartësuar e ka ndaluar martesën me ta, nga e cila ndonjëri mund të synojë shumë dobi, atëherë si do të jetë gjykimi për përzierjen me ta në çështje me rëndësi më të vogël sesa martesa? Sigurisht, që ndalimi është më i fortë. Po ashtu, ndalimi bëhet akoma më i rreptë nëse në këto marrëdhënie, idhujtarët dalin superiorë ndaj muslimanëve. Thënia e Allahut të Lartësuar: “ Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë” dëshmon edhe për një dispozitë tjetër: në martesën e femrës duhet marrë patjetër në konsideratë leja e kujdestarit të saj ligjor. Por ku e si duket kjo? Vëreni me kujdes dallimet mes dy rasteve që trajtohen në ajet. Në fillim thuhet: “Mos u martoni me idhujtare...”. Më pas thuhet: “Mos jepni (vajza) tek idhujtarët...”. Kështu, në rastin e parë, ajeti u drejtohet meshkujve, që ata të mos martohen me idhujtare. Edhe në rastin e dytë, ajeti u drejtohet po meshkujve: “Mos jepni...”. Këtu kundrinori është i nënkuptuar (vajza), edhe pse nuk është përmendur drejtpërdrejt në ajet. Pra kuptimi i ajetit është: “ Mos i martoni vajzat tuaja me idhujtarë”. Nëse leja e kujdestarit ligjor të gruas do të ishte e parëndësishme, atëherë ajeti, në rastin e dytë, nuk do t'u drejtohej meshkujve që të mos jepnin vajzat tek idhujtarët, por do t'u drejtohej vetë grave (duke u thënë atyre vetë: “Mos u martoni me burra idhujtarë!”). - “...ndërsa Allahu, me mëshirën e Vet, ju fton në Xhenet dhe në faljen e gjynaheve tuaja.” - Allahu i Lartësuar i fton adhuruesit e Tij që të ecin në rrugën drejt Xhenetit, në rrugën që të çon tek falja e Tij dhe mbulimi i gjynaheve. Falja e Zotit dhe mbulimi i gjynaheve janë të vetmet mundësi që e ruajnë njeriun nga ndëshkimet dhe vuajtjet. Pra, Allahu i Lartësuar i fton adhuruesit që të arrijnë mirësitë e Xhenetit dhe të shpëtojnë nga ndëshkimi në Xhehenem. Në fakt, Allahu i Lartësuar na fton të kryejmë vepra të mira, të marrim dije të dobishme dhe të pendohemi sinqerisht. Çfarë ftese e mrekullueshme! Ftesë për t'u pajisur me dije të dobishme, me vepra sipas kësaj dijeje dhe të sinqerta për Allahun, dhe ftesë për t'u penduar nga gjynahet. - “Ai ua sqaron njerëzve argumentet e Veta, që ata të kujtojnë. ” - Allahu i Lartësuar i sjell këto dispozita dhe urtësitë e

tyre për njerëzit, që ata t’i kujtojnë vazhdimisht ato. Përkujtimi është i domosdoshëm për njerëzit, sepse nëpërmjet tij kujtohen gjërat e harruara dhe zbatohen ato që janë lënë pas dore.

← Bekare 2:221