2. Bekare · Ajeti 222 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:222–2:232

Pas sëmundjeve shoqërore, të cilat e dëmtojnë bashkësinë njerëzore, e prishin unitetin e saj dhe shkaktojnë përçarje e armiqësi, siç ishte alkooli e bixhozi, bëhet fjalë për bërthamën e parë të bashkësisë, për familjen, e në radhë të parë për marrëdhëniet bashkëshortore, të cilat duhet themeluar në dashuri, mëshirë e sinqeritet, andaj edhe u tha se nuk mund të ketë marrëdhënie të mira ndërmjet besimtarit dhe idhujtares, etj.

Sipas sheriatit islam janë të ndaluara marrëdhëniet (intime) bashkëshortore gjatë kohës së menstruacionit-hajdit, por nuk është e lejuar që gruaja të izolohet prej shtratit, prej ushqimit dhe prej jetës tjetër të përbashkët, e nuk lejohet as shkurorëzimi i saj gjatë asaj kohe. Jehuditë e kishin zakon t'i izolonin gratë në ditët e tyre. Marrëdhëniet bashkëshortore duhet të shërbejnë për largim nga imoraliteti dhe për kujdes për pasardhës të mirë. Betimi në emër të Allahut nuk guxon të bëhet pengesë dhe shkak për të mos punuar punë të mira e të dobishme. Betimin duhet thyer kur është fjala për punë të mira dhe duhet bërë kompensimin për te. Gjatë bisedave të rëndomta e të rastit, betimet pa qëllim nuk kanë ndonjë peshë, e betimet me qëllim të caktuar, ato kanë përgjegjësi.

Ndër arabë ishte zakon të betohet burri se nuk to t'i afrohej gruas dhe ajo mbetej ashtu e varur për kohë të pacaktuar. Kur'ani ndaloi atë gjest dhe caktoi afatin maksimal katër muaj.

Shkurorëzimi edhe pse është i përbuzur, është akt i lejuar në fenë islame. Mirëpo, derisa edhe kjo vepër është njëra nga dukuritë e natyrshme, feja e lejoi atë, por duke caktuar rregulla të posaçme për te.

Pritja e gruas së lëshuar për afat të caktuar, jep të kuptosh për një ndarje të përkohshme dhe për mundësinë e rikthimit në jetën bashkëshortore. Për një iniciativë të këtillë kanë të drejtë të barabartë si burri ashtu edhe gruaja, kurse epërsia e përmendur e burrit nuk ka të bëjë me epërsi në nderë, por në obligim në jetën familjare. Dhurata e dhënë gruas me rastin e kurorëzimit, nuk bën t'i merret, vetëm nëse ajo pajtohet që të heqë dorë nga ndonjë pjesë e saj, pasi që jeta bashkëshortore nuk është në mbarëvajtje. Gruaja nuk guxon të keqpërdoret në rastet e lëshimit, asaj duhet dhënë rrugë të lirë që ajo të zgjedhë vetë fatin e saj.

Pas lëshimit për herë të parë, gruaja duhet të mbetet në (iddet) pritje. Gjatë kësaj kohe të ndarjes, përsëri mund të shfaqet dëshira për jetë të përbashkët. Kjo e drejtë vazhdon edhe për ndarjen e dytë, por në këtë rast ata duhet të vendosin: të jetojnë bashkë përjetë, ose të ndahen definitivisht përjetë. Nëse ndahen për së treti, atëherë burri nuk ka të drejtë ta rikthej gruan para se ajo të martohet për një burrë tjetër. Nëse burri tjetër e lëshon, atëherë burri i parë mund të martohet me te. Martesa me burrin tjetër nuk guxon të jetë formalitet, duhet të jetë e sinqert, sepse martesa me tjetrin sa për sy e faqë e me qëllim të lejimit për t'u kthyer tek i pari, është mëkat i madh.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:222–2:223

- Të pyesin ty për të përmuajshmet e femrave. Thuaj: “Ajo është gjendje e dëmshme, prandaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni (për marrëdhënie intime) , derisa të pastrohen. - Imam Ahmedi sjell hadithin prej Enesit se, kur grave të jehudëve u vinte cikli i menstruacioneve, burrat nuk hanin së bashku me to e as nuk qëndronin me to në një shtëpi. Atëherë shokët e Profetit e pyetën atë për këtë gjë, dhe Allahu i Madhëruar zbriti këto ajete. Profeti ﷺ tha: 312. “Bëni gjith çka, përveç mardhënieve intime.” Kur jehudët dëgjuan për këtë, thanë: "Çfarë do ky burrë, që nuk lë asnjë çështje tonën pa na e kundërshtuar?!" Usejd Ibn Hudajr dhe Ub âd Ibn Bishri thanë: "O i Dërguari i Allahu! Jehudët thanë kështu e ashtu. A të kryejmë marrëdhënie me gratë tona (gjatë ciklit)?" Atëherë, fytyra e Profetit ﷺ ndryshoi, aq sa menduam se u zemërua prej atyre t ë dyve. Por kur ishin duke dalë, Profetit i sollën qumësht si dhuratë. Atëherë, ai dërgoi njerëz për t’i thirrur ata të dy dhe u dha të pinin nga ai qumësht. Kështu e kuptuan se Profeti nuk kishte gjë me ata të dy.” [Muslimi]. Ebu

Daudi sjell me senedin e tij nga Ikrime një hadith nga njëra prej grave të Profetit, që tregon e thot ë: 313 . “Nëse dëshironte të kënaqej me gruan gjatë kohës së ciklit të saj, e mbulonte organin e saj me rrobë.” Kështu, fjala e Allahut: " ...largohuni prej grave gjatë menstruacioneve...", ka për qëllim largimin nga marrëdhëniet në organin intim. Për këtë tregon edhe fjala e Profetit: “Bëni gjith çka, përveç marrëdhënieve intime!” Prandaj, shumica e dijetarëve janë të mendimit se është e lejueshme të kënaqesh me gruan kur ajo është në periodat e saj, por pa bërë kontakt seksual. Ndërsa thjesht qëndrimi me to në aktivitetin e përditshëm është pa dyshim i lejuar, pa asnjë kundërshtim. Aishja tregon e thotë: 314: “Profeti ﷺ më thoshte që t’i laja kokën, dhe pse isha gjatë ciklit. Ai mbështeste kokën në prehrin tim dhe lexonte Kur 'an, kur unë isha gjatë menstruacioneve.” Gjithashtu prej saj, në një hadith të saktë, thuhet 315 “Ndodhte që unë haja ndonjë copë mishi, kur isha me menstruacione, dhe ia jepja Profetit, i cili e kafshonte pikërisht në vendin ku kisha kafshuar unë. Unë pija ujë ose ndonjë pije tjetër dhe ia jepja atij, i cili i vendoste buzët atje ku i kisha vendosur unë buzët”. Kush kryen marrëdhënie gjatë hajdit ka bërë gjynah dhe duhet të pendohet e t'i kërkojë falje Zotit. Po a ka detyrim tjetër për të kryer apo jo? Dy janë qëndrimet e dijetarëve për këtë çështje: 1. Po, ai duhet të japë sadaka, për kryerjen e kësaj vepre të ndaluar. Për këtë çështje, imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Abasi, se Profeti ﷺ ka thënë që: 316. “Ai që kryen marrëdhënie me gruan në kohën e mestruacioneve, duhet të japë sadaka 1 dinar ose gjysëm dinari flori.” Në versionin e sjellë nga Tirmidhiu thuhet: 317. “Nëse gjaku është (ende) i kuq jep 1 dinar, 107 e nëse është i verdhë (pra, afër fundit) jep gjysëm dinari.” 2. Jo, ai nuk ka detyrim tjetër përveç pendimit. Ky është mendimi më i saktë. Ky është medhhebi i ri i imam Shafiut dhe mendimi i shumicës. Sipas këtij mendimi nuk ka detyrim asgjë përveç kërkimit të faljes tek Allahu. Për këta, hadithi i përmendur në këtë çështje si merfu' nuk është i saktë. Sipas disave, ajo që lejohet në lidhje me gruan që është me mestruacione, është të kënaqurit me gjithçka prej trupit të saj, përveç çka poshtë mesit, siç është thënë në dy Sahihët, nga Mejmunete Bintu Harith el Hilalijeh: 318. “Nëse Profeti donte të kënaqej me ndonjë nga gratë e tij, kur ajo ishte me perioda, e porosiste që të mbulohej poshtë me izar (ose fund).” Ky është teksti dhe versioni i Buhariut. Edhe në versionin e sjellë nga Buhariu dhe Muslimi sillet një tekst i ngjashëm me këtë tekst. Fjala e Allahut:"...dhe mos iu afroni (për marrëdhënie intime) , derisa të pastrohen”, shpjegon ajetin tjetër: "...prandaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve...". Domethënë, Allahu i Madhëruar ka ndaluar afrimin tek gruaja për kontakt intim, përderisa periodat e saj vazhdojnë. Kjo nënkupton se me t’u ndërprerë gjaku i mestruacioneve, lejohet t’i afrohesh gruas (edhe pa marrë gusulin e pastrimit nga cikli). Imam Ahmedi ka thënë në shkrimet e tij në “El Tâ’atu”: Mendoni me kujdes në këtë ajet: "Të pyesin ty për të përmuajshmet e femrave. Thuaj: “Ajo është gjendje e dëmshme, prandaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni , derisa të pastrohen. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato (për marrëdhënie intime), ashtu siç ju ka lejuar Allahu." Mos vallë, kjo tregon që gjatë ciklit menstrual nuk lejohet t’u afrohemi fare grave, siç vepronin jehudët?! Atëherë, si duhet kuptuar fjala " dhe mos iu afroni , derisa të pastrohen”? Këtë e sqaron hadithi i Mejmunetes dhe Aishes : 319. “Kur ndonjërës nga ne i vinin mestruacionet, ajo vishte izar dhe shkonte tek Profeti ﷺ në shtratin e tij.” Kjo tregon se fjala e Allahut "... dhe mos iu afroni , derisa të pastrohen." Ka për qëllim "mos iu afroni për marrëdhënie intime, sepse thjesht qëndrimi me to është i lejuar.".

- Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato (për marrëdhënie intime) , ashtu siç ju ka lejuar Allahu. - Ajeti na urdhëzon se është e pëlqyeshme që të kryhen marrëdhënie pas mbarimit të ciklit, pas gusulit. Dijetarët kanë rënë dakord se marrëdhëniet intime me gruan, pas ndërprerjes së gjakut të periodave, lejohen veçse pasi gruaja të lahet, duke marrë gusul, ose pasi ka marrë tejemum, nëse plotësohen kushtet e tejemumit. Vetëm Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!) thotë se është e lejuar të kryhen marrëdhënie nëse ndërpritet gjaku dhe nuk është kusht që gruaja të marrë gusul nëse cikli ka zgjatur maksimalisht, pra, dhjetë ditë sipas tij. Ibn Abasi ka thënë se: Fjala e Allahut: "... prandaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve dhe mos iu afroni, derisa të pastrohen", domethënë: kur të pastrohen nga gjaku. Ndërsa fjala e tij: "Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato (për marrëdhënie intime), ashtu siç ju ka lejuar Allahu." domethënë: kur të pastrohen me ujë, pra, të marrin gusul. Kështu kanë thënë edhe një grup tabiinësh. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: "...atëherë afrohuni tek ato (për marrëdhënie intime) , ashtu siç ju ka lejuar Allahu." Ibn Abasi shpjegon: “Kjo domethënë, që mardhëniet duhet të kryen në organin seksual, e jo diku tjetër. Ai që vepron ndryshe e ka kaluar kufirin. Ky është argument se marrëdhëniet anale janë haram, siç do ta vërtetojmë më pas, në dashtë Allahu. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: - Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen. - Pra, Ai fal dhe pranon pendimin, edhe nëse robi i kthehet shumë herë gjynahut. Allahu thotë gjithashtu: "...dhe ata që pastrohen." Pra, edhe ata që ruhen dhe largohen nga veprat dhe punët e pështira, nga ato vepra nga të cilat janë ndaluar, si marrëdhëniet gjatë menstruacioneve etj. - Gratë tuaja janë si ‘vendmbjellje’ për ju. - Vendmbjellje është vendi ku bëhet fëmija. - Prandaj afrojuni ‘vendmbjelljes’ suaj si të dëshironi. - Pra, nga çdo pozicion të dëshirosh, nga para ose nga pas, e rëndësishme që kontakti të kryhet te vendnxjerrja e fëmijës. Buhariu sjell hadithin nga Xhabiri, që ka thënë: 320. “Jehudët thoshin se, nëse kryen marrëdhënie me gruan në pozicion nga mbrapa, fëmija vjen me sy të shtrembër. Atëherë Allahu zbriti ajetet: "Gratë tuaja janë si ‘vendmbjellje’ për ju. Prandaj afrojuni ‘vendmbjelljes’ suaj si të dëshironi.".” [Muslimi edhe Ebu Daudi]. Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Xhabiri: 321. “Jehudët u thoshnin muslimanëve: Nëse kryen marrëdhënie me gruan nga pas, fëmija do të lindë me sy të shtrembër. Atëherë Allahu zbriti: "Gratë tuaja janë si ‘vendmbjellje’ për ju. Prandaj afrojuni ‘vendmbjelljes’ suaj si të dëshironi.".” Ibn Xhurexhi tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 322. “Mund të kryhet nga para ose nga pas, por kontakti të jetë në organin intim (vendmbjellja).” Hadithe të shumta tregojnë se lejohen të gjitha mënyrat e pozicionet marrëdhënieve, e rëndësishme që marrëdhënia të jetë në vendmbjellje (pra, në organin femëror). Ka hadithe, gjithashtu, për ndalesën e marrëdhënieve anale. Umer Ibn Shuajbi përcjell nga i ati, e ky nga gjyshi i vet, se Profeti ﷺ ka thënë: 323. “ Ai që kryen marrëdhënie anale me gruan e tij, ta dije se kjo është si vepra e popullit të Lutit (edhe pse) në përmasa më të vogla.” Imam Ahmedi sjell në Musnedin e tij rrëfimin nga Alij Ebu Talki, se: 324. “Profeti ka ndaluar që të kryen marrëdhënie anale me gratë.” Allahu nuk ka turp nga e vërteta. Nga Ebu Hurejra gjithashtu është përcjelë se Profeti ﷺ ka thënë: 325. ”Atë i cili kryen marrëdhënie anale me gruan e tij, nuk ka për ta parë Zoti.” Nga Ebu Hurejra përcillet gjithashtu se Profeti ﷺ ka thënë: 326.” Është i mallkuar ai që kryen marrëdhënie anale me gruan e vet.” Çdo rrëfim që vjen e tregon se këto marrëdhënie janë të lejuara është i pasaktë. Të gjitha këto lajme të pasakta i ka përmbledhur shejhu

ynë Hafidh Ebu Abdilah el Dhehebiu në një punim, ku përmend se të gjitha janë hadithe e lajme të dobëta, të papranueshme dhe pa peshë. Është përcjellë sikur Ibn Umeri, Maliku, Shafiu dhe Tahauiu kanë thënë se të tilla marrëdhënie janë të lejuara, por të gjitha këto janë dizinformime rreth tyre dhe lajme të pavërteta. El Nasr el Sibag rrëfen se El Rabiu betohej dhe thoshte: "Betohem në Allahun, që nuk ka Zot të adhuruar me meritë veç Tij, se Ibn Abdul Hakem ka gënjyer kur ka thënë se Shafiu e ka lejuar diçka të tillë. Përkundrazi, ai e ka shkruar mendimin e tij se kjo vepër është haram, në shtatë nga librat e tij. Allahu është më i ditur.” Edhe Ibn Umeri është i mendimit se është e ndaluar. El Darimiu sjell në Musnedin e tij rrëfimin nga Seid Ibn Jasir Ibn El Hababi i cili thotë: “E pyeta Ibn Umerin dhe i thashë: Çfarë mendon në lidhje me robëreshat dhe marrëdhëniet anale me to? Ai më tha: “A e bën ndonjë musliman këtë?!" Ky është një isnad i saktë dhe tekst i drejtpërdrejtë, që tregon se kjo vepër është e ndaluar. Kështu, çdo transmetim i sjellë prej tij që mund të nënkuptojë se Ibn Umeri e lejon është i papranueshëm dhe duhet të kuptohet në harmonizim me këtë lajm të saktë prej tij. Meamer Ibn Isa përcjell nga Maliku se kjo vepër është haram. Ebu Bekër Ibn Zijad el Nejsaburi përcjell me senedin e tij nga Ismail Ibn Rauhi, që thotë: “Pyeta Malik Ibn Enesin se çfarë mendimi kishte për marrëdhëniet anale me gratë. Ai më tha: “Ju jeni arabë. Më thoni, a bëhet mbjellja veçse në vendin e mbjelljes?! Mos tejkaloni organin femëror!” Unë i thashë: “O Ebu Abdilah! Ata thonë se ti e lejon diçka të tillë!” Ai tha: “Thonë gënjeshtra për mua, thonë gënjeshtra për mua!” Kjo është ajo që është transmetuar me siguri nga Maliku, e po kështu është mendimi i Ebu Hanifes, Shafiut, Ahmed Ibn Hambelit e pasuesve të tyre. Ky është mendimi i tabiinëve e i shumë dijetarëve të tjerë selefë. Të gjithë e refuzonin me forcë, madje e gjykonin këtë si një vepër kufri (të jobesimtarëve). - Por parapërgatitni diçka (të mirë) për veten tuaj, kijeni frikë Allahun - Kijeni frikë Allahun duke kryer ato vepra që konsiderohen si bindje ndaj Allahut, sipas porosive të Tij, dhe duke u larguar nga ato gjëra që Ai i ndalon. - dhe dijeni se tek Ai do të ktheheni! - Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi për të gjitha veprat tuaja. - Përgëzoji besimtarët! - Përgëzoji ata të cilët i binden Allahut, duke përmbushur urdhrat e Tij dhe duke iu larguar gjërave të cilat Ai i ndaloi. Ibn Xheriri përcjell prej Ibn Abasit se, për fjalën e Allahut: "Por parapërgatitni diçka (të mirë) për veten tuaj..." ka thënë: “Kuptimi është që duhet të thuash ‘Bismilah’ para marrëdhënieve intime." Në Sahihun e Buhariut është hadithi nga Ibn Abasi, që tregon se Profeti (a.s) ka thënë: 327. “Nëse kur shkoni në shtrat me gruan, thoni: Bismil-lâh! All - llâhum-me xhen -nibnash-shejŧâne ue xhen - nibish-shejŧâne mâ razeķtena! [Me emrin e Allahut! O i Adhuruari im! Largoje prej nesh shejtanin dhe largoje shejtanin nga ajo me të cilën na ke furnizuar!], atëherë, nëse ju dhurohet një fëmijë, atij fëmije nuk do t’i bënte dëm shejtani asnjëherë.” 108

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:222–2:223

- “Të pyesin ty për të përmuajshmet e femrave. Thuaj: “Ajo është gjendje e dëmshme,...” - Allahu i Lartësuar u bën të ditur besimtarëve këtë pyetje, e cila i është drejtuar Profetit (a.s.): “Kur gruas i vijnë të përmuajshmet, a duhet që të largohemi totalisht prej saj, ashtu sikurse veprojnë çifutët?” Allahu i Lartësuar na tregon se menstruacionet janë të dëmshme dhe, normalisht, urtësia e Tij kërkon që të na ndalojë nga çdo gjë që na dëmton. Për këtë arsye, i Lartësuari thotë: - “...prandaj largohuni prej grave gjatë menstruacioneve” – Pra, Allahu i Lartësuar na ndalon nga kryerja e marrëdhënieve seksuale me gratë gjatë kohës së menstruacioneve. Ky veprim është haram dhe të gjithë dijetarët janë të këtij mendimi. Sipas ajet it, ndalimi nuk është gjithëpërfshirës, por është i kufizuar vetëm në periudhën e menstruacioneve dhe në vendin (organin femëror) nga ato dalin. Ndërsa prekja e gruas, puthja e saj, ngrënia ushqim apo fjetja bashkë me të janë të lejueshme. Megjithatë, edhe ky lejim nuk është i plotë, sepse Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “...dhe mos iu afroni (për marrëdhënie intime), derisa të pastrohen..” - Kjo tregon që edhe prekjes në vendet afër vendit të menstruacioneve (nga kërthiza deri te gjunjët) është mirë që t'i largohesh. Kështu vepronte Profeti (a.s.), nëse donte të përkëdhelte ndonjë nga gratë e tij kur ishin në të përmuajshmet e tyre. Ai nuk u afrohej pjesëve që përmendëm. Ky ndalim vazhdon derisa ato të shohin pastrimin nga gjaku. Megjithatë, për t’u bërë të lejueshme marrëdhëniet seksuale me to duhet të plotësohen dy kushte: pastrimi ose ndalimi i gjakut, që është kushti i parë, dhe larja me ujë e krejt trupit (gusuli), që është kushti i dytë. Prandaj i Lartësuari thotë: - “Pasi të pastrohen, atëherë afrojuni tek ato (për marrëdhënie intime) , ashtu siç ju ka lejuar Allahu.” – Kuptimi: Pasi ato të lahen, atëherë është e lejueshme ajo që ishte e ndaluar, domethënë lejohet që të shkoni me gratë tuaja, por vetëm ashtu si Zoti e ka lejuar. Ky ajet, sikurse kuptohet, e bën të

detyrueshme larjen me ujë të krejt trupit – gusl-in – për gruan, pas përfundimit të menstruacioneve. Gjithashtu, ai tregon se gusli është i vlefshëm veçse pas ndalimit të gjakut dhe shfaqjes së shenjave të pastrimit. Kjo dispozitë vjen si mëshirë e Allahut për adhuruesit e Tij, për t'i ruajtur ata nga çdo gjë e dëmshme. Pastaj thotë i Lartësuari: - “Allahu i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen.” – Siç shihet, dy kategori njerëzish që Allahu i Lartësuar i do janë: ata që gjithmonë pendohen dhe kërkojnë falje për mangësitë dhe gjynahet e tyre; ata që gjithmonë ruhen dhe largohen nga gjynahet dhe çdo gjë e dëmshme. Ky ajet tregon ligjshmërinë dhe shpërblimin e pastërtisë, që Allahu i Lartësuar e do. Pastërtia është kusht për saktësinë e namazit, të tavafit, për lejueshmërinë e prekjes së Kur’ânit etj. Në fakt, pastërtia që Allahu i Lartësuar e pëlqen nuk është vetëm pastërtia fizike, që arrihet me ujë a me diçka tjetër, por edhe pastërtia shpirtërore, që arrihet duke u larguar nga veset e ulëta e nga veprat e ndyra. - “Gratë tuaja janë si ‘vendmbjellje’ për ju. Prandaj afrojuni ‘vendmbjelljes’ suaj si të dëshironi.” – Pra, burrave u lejohet që të kënaqen me çdo lloj pozicioni në marrëdhëniet seksuale me gratë e tyre, veçse duhet që ky kontakt të kryhet në vendin që Allahu e ka quajtur, në mënyrë figurative, “vendmbjellje”. Thënë ndryshe, kontakti seksual lejohet veçse në organin nga lind fëmija dhe pozicionet janë të gjitha të lejueshme. Ka shumë hadithe të përcjella saktësisht prej Profetit (s.a.u.s.), që tregojnë se marrëdhëniet jashtë “vendmbjelljes” janë haram, madje është i mallkuar ai që bën një veprim të tillë. - “Por parapërgatitni diçka (të mirë) për veten tuaj ...” - Parapërgatisni vepra të mira, për të cilat të shpresoni shpërblimin tek Allahu. Vepër e mirë është edhe dhurimi i kënaqësisë bashkëshortit ose bashkëshortes, nëse bëhet duke synuar shpërblimin e Allahut ose lënien e pasardhësve të mirë, që t’i shërbejnë Allahut të Lartësuar. - “...kijeni frikë Allahun .” - Ky është një urdhër shumë i njohur: të jemi të pajisur me devotshmëri, në çfarëdolloj gjendjeje. Gjithmonë të jemi të kujdesshëm dhe të mos i kalojmë kufijtë e vendosura nga Zoti ynë. Pastaj Allahu i Lartësuar na tregon diçka, që është nxitëse shumë e fortë për pajisjen me devotshmëri dhe thotë - “dhe dijeni se tek Ai do të ktheheni! ” – Kuptimi: Duke qenë të sigurt se një ditë do të dilni para Tij dhe do të shpërbleheni për veprat tuaja, me siguri që do të tregoheni të durueshëm dhe këmbëngulës për t'u pajisur me devotshmëri. Pastaj Allahu përmend edhe një nxitës tjetër për të qenë i devotshëm: - “Përgëzoji besimtarët!” - Këtu nuk është përcaktuar lloji i mirësisë, me të cilën duhet të përgëzohen besimtarët, dhe kjo bëhet për efekt gjithëpërfshirjeje. Pra, Allahu na përgëzon se do të na nderojë me gjithçka që na gëzon dhe na qetëson. Besimtarëve u takon përgëzimi për në dynja dhe për në ahiret. Ata do të fitojnë çdo të mirë dhe do të shpëtojnë nga çdo e keqe, sipas gradës së besimit të secilit. Madje, edhe besimi, të cilin Allahu e dhuron, është pjesë e përgëzimit dhe e premtimit të Allahut të Lartësuar. Ky ajet dëshmon për dashurinë e madhe të Allahut të Lartësuar për besimtarët. Allahu i Lartësuar e do çdo gjë që kënaq dhe gëzon besimtarët. Ky ajet tregon, gjithashtu, se është e pëlqyeshme të mbushësh zemrat e besimtarëve me gëzim, sepse kështu i shkathtëson ata dhe u nxit vullnetin për të kryer vepra të mira. Besimtarët mund t'i lumturosh duke u treguar e kujtuar se çfarë shpërblimi të madh ka përgatitur Allahu i Lartësuar për ta, në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

← Bekare 2:222