2. Bekare · Ajeti 235 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:233–2:242

Derisa edhe çështja e dhënies së gjinit foshnjes, është çështje e bashkëshortësisë, Kur'ani i e radhitë në mesin e këtyre çështjeve.

Gruas që i vdes burri i duhet të presë katër muaj e dhjetë ditë, e pastaj mund të martohet. Gruas që i vdes burri e ajo mbetet me barrë, ka trajtim tjetër, në kaptinën "Et talak" jepen sqarime.

Gruas që i ka vdekur burri, i lejohet të shfaqë dëshirën për martesë edhe para kalimit të afatit, por kurrsesi të martohet pa kaluar afati i caktuar. Lëshimi i gruas nuk është i lejuar pa ndonjë shak të arsyeshëm, por edhe pas lëshimit nuk guxon të mbretërojë ndërmjet tyre armiqësi. Prandaj, nga palët, me qëllim të lehtësimit të gjendjes së krijuar me ndarje, porositet bujaria dhe bamirësia. Mes ajeteve që kanë të bëjnë me dispozita rreth familjes, bashkëshortësisë, shkurorëzimit etj., paraqitet ajeti rreth faljes së rregullt të namazit, nga arsyeja se ndarja e bashkëshortëve është brengë e madhe në jetë, e mjeti më i mirë për t'i harruar brengat dhe për të bërë durim është namazi. Pejgamberi brengat gjithnjë i largonte me namaz.

Rreth namazit të mesëm, të vlefshëm, janë dhënë mendime se cili është ai. Më i zgjedhuri i mendimeve është ai se me te nënkuptohet namazi i ikindisë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:235

- Nuk është gjynah për ju, nëse, tërthorazi, u kërkoni dorën për martesë këtyre grave apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj. ... - Gjatë kohës së pritjes së tyre pas vdekje s së burrit, nuk ka gjynah nëse u kërkoni dorën për martesë këtyre grave, por kjo nuk duhet të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me mesazhe të nënkuptuara. Duke shpjeguar fjalën "tërthorazi", Ibn Abasi thotë: “Të tërthorta janë shprehje të tilla si: "Unë doja të martohesha", ose "do të doja një grua me këto e ato cilësi", që nënkuptojnë dëshirën e synimet e burrit. Gruaja nuk duhet të lidhet në fjalë me të, derisa të përfundojë kohëpritja e saj. Po kështu është gjykimi edhe për atë grua që është në kohën e pritjes gjatë divorcit për herë të tretë, pas të cilit nuk mund të kthehet më me burrin. Edhe në këtë rast lejohet që tërthorazi t'u kërkohet dora për martesë. Kështu e porositi Profeti Fatime Bintu Kajsin, kur e divorcoi Ebu Amr Ibn Hafsi për herë të tretë. Profeti ﷺ e urdhëroi atë që kohën e pritjes ta kalonte në shtëpinë e Ibn Ummi Kulthumit. Ai i tha: 378 “Kur të përfundosh kohën e pritjes, më njofto!" Dhe kur ajo mbaroi kohën e pritjes, Profeti ﷺ e fejoi me Usama Ibn Zejdin, shërbëtorin e tij, dhe më pas e martoi me të.” Ndërsa në rastin e divorcit raxh'ij, kur është mundësia e rikthimit, nuk ka asnjë kundërshtim se askujt nuk i lejohet që t’i propozojë për martesë asaj, as në mënyrë të drejtpërdrejtë e as të tërthortë. Vetëm burri i saj është ai që ka të drejtën ta rikthejë atë nëse dëshiron. Allahu i Madhëruar thotë: "... apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj", - pra, qëllimin për t'u martuar me ato gra. Kjo ngjan me ajetin: " Nuk ka dyshim se Zoti yt e di mirë çfarë fshehin zemrat e tyre dhe çfarë shfaqin haptas." [Neml 74]. - Allahu e di se ju do t’ua shprehni atyre (dëshirën për martesë) ..." - Allahu jua fali këtë, duke ju lehtësuar në të tilla çështje. - "... por mos u premtoni fshehurazi" - Ibn Abasi shpjegon: "Mos u thoni atyre fjalë të tilla, si: "Unë ju dëshiroj për martesë. Mos u martoni me tjetër veç meje!" etj., gjatë kohës së pritjes, sepse Allahu e ka ndaluar.” - përveç ndonjë fjale të lejueshme." - Allahu na lejoi fjalët ose mesazhet indirekte, fjalët drejtuar kujdestarit të saj ligjor, si: "Kur të dëshirosh ta martosh, më njofto!" apo fjalë të ngjashme. Kështu ka thënë Ibn Ebu Hatimi. - Mos lidhni martesë, derisa të përfundojë afati i pritjes së tyre (ideti). - Dijetarët janë unanimë në mendimin se lidhja e martesës gjatë idetit është e pavlefshme dhe e pasaktë. Megjithatë, ata kanë dhënë mendime të ndryshme për rastin kur dikush martohet me një grua që është ende në kohën e pritjes dhe kryen marrëdhënie me të. Po, është e vërtetë që ata ndahen me forcën e ligjit, por kjo ndarje a është e përhershme, apo burrit i lejohet që të rilidhet me atë grua në një martesë të rregullt, pasi të përfundojë koha e pritjes së saj? Dy janë mendimet e dijetarëve. Shumica janë të mendimit se ajo nuk është e ndaluar për të. Ai e ka të drejtën që të rilidhet me të, pasi ajo të përfundojë kohën e pritjes nga burri i parë. Ndërsa imam Maliku është i mendimit se ajo i ndalohet atij përfundimisht dhe nuk i lejohet kurrë që të martohet me të, duke u mbështetur në një fjalë që vjen nga Umer Ibn Hatabi. Por është vërtetuar, gjithashtu, se mes Umerit dhe përcjellësit të kësaj thënieje ka ndërprerje. Përveç kësaj, Theuriu përcjell se

Umeri është tërhequr nga një mendim i tillë dhe më vonë gjykoi që një gruaje të tillë duhet t’i jepet mehri dhe çifti të bashkohet në martesë. Në vijim, i Madhëruari thotë: - Ta dini se Allahu e di se çfarë fshihni në zemrën tuaj, prandaj kini kujdes prej Tij! - Allahu i Madhëruar na këshillon e kërcënon rreth atyre gjërave që na vijnë në mendje në lidhje me çështjen e grave dhe na porosit që të jemi të kujdesshëm dhe të mendojmë veçse për mirësi e mbarësi, e jo ligësi e poshtërsi. Por sidoqoftë, Allahu nuk e këput shpresën tek Ai, ndaj thotë: - Dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh dhe i Butë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:235

- “Nuk është gjynah për ju, nëse, tërthorazi, u kërkoni dorën për martesë këtyre grave apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj. Allahu e di se ju do t’ua shprehni atyre (dëshirën për martesë)...” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar sjell një gjykim për gratë të cilave u kanë vdekur burrat dhe që janë në kohëpritjen e tyre. Ky gjykim vlen edhe për gratë e divorcuara për herë të tretë (pra me talak bain), që janë në kohëpritje. Pra, nuk i lejohet asnjë burri që t'u shfaqë këtyre dy kategorive të grave propozimin për martesë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Më tej, i Lartësuari thotë: - “...por mos u premtoni fshehurazi...” – Pra, nuk lejohet që grave të këtyre dy kategorive t’u shprehet hapur propozimi për martesë, gjatë kohës së pritjes së tyre, por hedhja e propozimit në mënyrë indirekte është e tolerueshme nga Allahu i Lartësuar, sikurse kuptohet nga ajeti. Mes dy rasteve ka ndryshim. Nëse dikush i propozon hapur për martesë një gruaje të tillë, kjo sjell shumë probleme. Për shembull, kjo mund ta shtyjë gruan që ta përshpejtojë qëllimisht përfundimin e kohëpritjes së saj, duke gënjyer se i kanë mbaruar të trija ciklet e periodave të saj, e kështu të martohet me tjetrin. Kjo, sigurisht, që është një padrejtësi e madhe në shumë aspekte. Së pari, në këtë mënyrë, gruaja shkel të drejtën e burrit të saj të parë, duke mos plotësuar kohën e pritjes për të. Së dyti, ajo bashkohet me dikë tjetër para kohës kur i lejohet një gjë e tillë, prandaj kjo martesë e dytë quhet e parregullt dhe e paligjshme. Përveç këtyre që përmendëm, ka edhe shumë pasoja të tjera. Ky ajet dëshmon për rëndësinë që i jep Sheriati ndalimit të së keqes dhe rrugëve të saj. Në Islam është e ndaluar jo vetëm e keqja, por edhe rrugët e mjetet që të çojnë tek ajo. Një rregull i madh i Islamit thotë: "Çdo mjet dhe rrugë që të çon në haram është haram." Ky ajet, gjithashtu, tregon për rëndësinë e madhe që Sheriati u kushton të drejtave dhe përgjegjësive bashkëshortore në Islam. Fjalët e tërthorta, që e nënkuptojnë propozimin, nuk janë të ndaluara, sepse ato mund të kuptojnë edhe gjëra të tjera, përveç martesës: - “...përveç ndonjë fjale të lejueshme...” – Fjalë të tilla janë, për shembull: “Unë do të

doja të martohesha këto kohë”, ose: “Kur të mbarosh pritjen, do të doja të flisnim bashkë për diçka”, etj. Allahu i Lartësuar e ka lejuar propozimin e tërthortë, sepse ai nuk sjell dëmet që shkakton propozimi i drejtpërdrejtë. Ndërhyrjet jo të drejtpërdrejta janë lejuar, sepse shpirti i njeriut i kërkon me ngut të tilla çështje. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ka lënë një lloj hapësire, që njerëzit të përmbushin kërkesat e tyre të forta në këtë aspekt. Ai na tregon se nuk kemi gjynah për dy gjëra: “...nëse, tërthorazi, u kërkoni dorën për martesë këtyre grave apo nëse e mbani të fshehtë këtë qëllim në veten tuaj”. - Allahu e di se ju do t’ua shprehni atyre (dëshirën për martesë), - Allahu i Lartësuar e di shumë mirë çdo dëshirë të njerëzve për t'u lidhur në martesë, por – sikurse u tha më lart – nuk lejohet propozimi i qartë dhe i drejtpërdrejtë për martesë ndaj grave që janë në pritje. Në fakt, ato që lejohen janë vetëm fjalët e tërthorta, brenda normave të Sheriatit. Ndërsa për sa i përket nënshkrimit të aktit të martesës, ai nuk lejohet absolutisht, para se të përfundojë koha e pritjes, siç thotë i Lartësuari: - “Mos lidhni martesë, derisa të përfundojë afati i pritjes së tyre (id-deh).” - Pra, nuk lejohet në asnjë mënyrë lidhja e martesës së re para mbarimit të kohës së pritjes. - “Ta dini se Allahu e di se çfarë fshihni në zemrën tuaj, prandaj kini kujdes prej Tij!” - Jini të kujdesshëm në çdo gjë që doni të bëni. Synoni të mirën dhe largojuni qëllimeve të këqija. Këtë ta bëni duke shpresuar shpërblimin e Zotit dhe duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij. - “Dhe dijeni se Allahu është Falës i Madh dhe i Butë. ” - Allahu është Falës i madh ( Gafûrun) i çdokujt që bën të tilla gabime, por që kthehet i penduar dhe i kërkon falje Zotit të tij. Ai është i Butë (Halîm), që nuk nxitohet të ndëshkojë të pabindurit dhe gjynahqarët për të këqijat e tyre, edhe pse është i Plotfuqishëm për t’i ndëshkuar ata.

← Bekare 2:235