2. Bekare · Ajeti 242 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:233–2:242

Derisa edhe çështja e dhënies së gjinit foshnjes, është çështje e bashkëshortësisë, Kur'ani i e radhitë në mesin e këtyre çështjeve.

Gruas që i vdes burri i duhet të presë katër muaj e dhjetë ditë, e pastaj mund të martohet. Gruas që i vdes burri e ajo mbetet me barrë, ka trajtim tjetër, në kaptinën "Et talak" jepen sqarime.

Gruas që i ka vdekur burri, i lejohet të shfaqë dëshirën për martesë edhe para kalimit të afatit, por kurrsesi të martohet pa kaluar afati i caktuar. Lëshimi i gruas nuk është i lejuar pa ndonjë shak të arsyeshëm, por edhe pas lëshimit nuk guxon të mbretërojë ndërmjet tyre armiqësi. Prandaj, nga palët, me qëllim të lehtësimit të gjendjes së krijuar me ndarje, porositet bujaria dhe bamirësia. Mes ajeteve që kanë të bëjnë me dispozita rreth familjes, bashkëshortësisë, shkurorëzimit etj., paraqitet ajeti rreth faljes së rregullt të namazit, nga arsyeja se ndarja e bashkëshortëve është brengë e madhe në jetë, e mjeti më i mirë për t'i harruar brengat dhe për të bërë durim është namazi. Pejgamberi brengat gjithnjë i largonte me namaz.

Rreth namazit të mesëm, të vlefshëm, janë dhënë mendime se cili është ai. Më i zgjedhuri i mendimeve është ai se me te nënkuptohet namazi i ikindisë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:240–2:242

- Ata që janë duke vdekur dhe kanë gra që do t’i lënë pas, le të lënë me testament furnizimin për gratë e tyre për një vit rresht, pa i nxjerrë ato prej shtëpisë. - Shumica janë të mendimit se ky ajet është abroguar me ajetin tjetër: "Kur ata (burrat) vdesin dhe lënë gra pas, ato (gratë) duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë." [Bekare 234]. Buhariu sjell rrëfimin nga Ibn Zubejri, që ka pyetur Uthman Ibn Affanin për ajetin: "Ata që janë duke vdekur dhe kanë gra që do t’i lënë pas, le të lënë me testament furnizimin për gratë e tyre për një vit rresht, pa i nxjerrë ato prej shtëpisë", që është abroguar nga fjala e Allahut : "Kur ata (burrat) vdesin dhe lënë gra pas, ato (gratë) duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë." Ai i ka thënë: “Nëse ky ajet është abroguar, atëherë përse e vendos në tekstin e Kur'anit?!” Ai i tha: "O djali i vëllait tim! Unë nuk ndryshoj asgjë nga vendi i vet në Kur'an!" Ibn Zubejri pyeste se, duke qenë se gjykimi i këtij ajeti është anuluar me ajetin tjetër, atëherë cila është urtësia e vendosjes së tij në Kur 'an? Nga ana tjetër, mendoi se vendosja e ajetit të abroguar në Kur 'an pas ajetit abrogues, ndoshta të jep të kuptosh që edhe gjykimi i tij vazhdon të jetë në fuqi. Por prijësi i besimtarëve, Uthman Ibn Affani e njoftoi se kjo është një çështje që bëhet vetëm me urdhër të Profetit dhe jo sipas mendjes së secilit. Duke qenë se ai e gjeti atë në mus'haf, dhe pikërisht pas ajetit abrogues, e la ashtu siç e gjeti. Përmes Ali Ibn Ebu Talha, është përcjellë se Ibn Abasi ka thënë: "Më parë, kur një burrë vdiste, gruaja e tij qëndronte në shtëpinë e tij një vit dhe për të shpenzohej nga pasuria e tij. Kështu vazhdoi, derisa zbriti ajeti: "Kur ata (burrat) vdesin dhe lënë gra pas, ato (gratë) duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë." Tashmë kohëpritja e asaj që i ka vdekur burri është katër muaj e dhjetë net. Përjashtim bën vetëm rasti kur gruaja është shtatzanë dhe në këtë rast kohëpritja e saj është derisa të lindë fëmijën. Në ajetet për trashëgiminë, Allahu i Madhëruar thotë: "Nga ajo që lini ju, atyre (grave) u takon një e katërta, nëse nuk keni fëmijë. Por, nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që lini, pasi të zbatohet porosia juaj (testament) dhe pasi të lahen borxhet tuaja." [Nisa]. Në këtë mënyrë, Allahu i Madhëruar përcaktoi pjesën e trashëgimisë së gruas, si dhe përmbushjen e vasijetit dhe shpenzimeve të detyrueshme. Një grup dijetarësh kanë argumentuar me këtë ajet, për të thënë se gruaja e ka detyrë të qëndrojë një vit pas vdekjes së burrit të saj. Ndërsa disa të tjerë, mes të cilëve Muxhahidi dhe Atâu, janë të mendimit se ajeti nuk është sjellë për të përcaktuar kohëpritjen të gruas që i vdes burri, por është sjellë në një konteks porosie e përkujdesi për gratë pas vdekjes së burrave. Pra, burrat duhet të lënë si porosi që, pas vdekjes së tyre, grave t'u mundësohet që të rrinë në shtëpinë e burrit, nëse ato dëshirojnë dhe zgjedhin të veprojnë kështu. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar thotë: "...le të lënë me testament (vasijet) furnizimin për gratë e tyre për një vit rresht, pa i nxjerrë ato prej shtëpisë ." Allahu i Madhëruar porosit që të lihet porosi për përkujdesje për to dhe të mos detyrohen që të dalin prej shtëpisë së burrit, nëse ato zgjedhin të qëndrojnë në të, për një

vit. Por, pas përfundimit të kohëpritjes, që është sqaruar në ajetin tjetër dhe që është katër muaj e dhjetë net, - ose me lindjen e fëmijës nëse janë shtatzëna, - nëse ato zgjedhin që të dalin e të largohen nga shtëpia e burrit, nuk ndalohen për këtë gjë, pasi Allahu i Madhëruar thotë: - Por, nëse ato dalin vetë, ju nuk merrni gjynah për ato veprime që ato i bëjnë me vetveten. Allahu është i Gjithëfuqishëm e i Urtë. - Në fakt, ky mendim ka vërtet peshë dhe formulimi i ajetit e mbështet atë. Këtë mendim e ka përzgjedhur një grup dujetarësh, mes të cilëve edhe Ebu Abbas Ibn Tejmije. Por të tjerë, mes të cilëve edhe Ebu Umer Ibn Abdil ber, e kanë refuzuar këtë mendim. Për sa i përket At âut dhe mbështetësve të mendimit të tij, të cilët mëtojnë se ky ajet është i abroguar nga ajeti tjetër i trashëgimisë, ky mendim duhet analizuar pak me kujdes, sepse kur themi se ajeti është abroguar, ka dy mundësi se si mund ta kuptojmë këtë gjykim. 1. Ajeti i trashëgimisë e ka abroguar pjesërisht këtë ajet, i cili porosit burrin që të lënë vasijet për gruan, që t'i mundësohet të rrijë në shtëpinë e tij për një vit të plotë. Kështu, pas abrogimit, gruas i ofrohen shërbimet nga pasuria e burrit, vetëm për katër muaj e dhjetë net, pra, sa kohëpritja e saj, e jo për një vit të plotë. Këto shpenzime hiqen nga pasuria e burrit para ndarjes së trashëgimisë. Nëse qëllimi i tyre është ky, atëherë është i pranueshëm. 2. Ajeti i trashëgimisë e ka abroguar tërësisht këtë ajet. Kështu, pas abrogimit, shpenzimet për gruan nuk hiqen nga pasuria e burrit para ndarjes së trashëgimisë dhe gruas i jepet prej pasurisë së burrit veçse pjesa e saj e caktuar. Nëse qëllimi i tyre është ky, atëherë duhet të themi se imamët kanë dhënë mendime të ndryshme për këtë çështje. Ata që janë të mendimit se shpenzimet për gruan duhet të hiqen nga pasuria e burrit para ndarjes së trashëgimisë, argumentojnë me hadithin e sjellë nga Imam Maliku në El Muetta, ku thuhet: 395 “El Feriatu Bintu Malik Ibn Sinani, pra, motra e Ebu Seid el Hudriut (Allahu qoftë i kënaqur prej tyre!) shkoi tek Profeti i Allahut për ta pyetur në mund të kthehej në shtëpinë e fisit të saj, pas vdekjes së bashkëshortit. Burri i saj kishte dalë në kërkim të disa robërve të tij të arratisur, të cilët, kur ai i arriti ti gjejë, e vranë. Ajo i tha Profetit: "A mund të kthehem tek shtëpia e fisit tim, sepse burri nuk më la në shtëpi pronë të tij dhe as shpenzime për qëndrimin tim?” Profeti i tha: "Po." Pasi u largova për të shkuar në dhomën time, - tregon ajo, - Profeti ﷺ më thirri - ose dërgoi dikë të më kthenin tek ai - dhe më tha: "Si thatë pak më parë?". Unë ia ritregova çështjen time dhe atë që ndodhi me burrin tim dhe ai më tha: "Qëndro në shtëpinë tënde derisa të plotësohet afati!" Dhe unë qëndrova atje, derisa u bënë katër muaj e dhjetë net. Më pas, kur Uthman Ibn Afani duhej të gjykonte në një çështje të ngjashme, më dërgoi fjalë të më pyeste dhe pasi i tregova, ashtu gjykoi edhe ai.” Kështu e kanë sjellë hadithin Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, prej Malikut. Gjithashtu, e kanë sjellë edhe Nesaiu, Ibn Maxhe nga Sad Ibn Is'haku. Tirmidhiu ka thënë që ky është një hadith hasen sahih. - Dhuratat dhe përkujdesja sipas normave ndaj të divorcuarave janë detyrime për të devotshmit. - Me këtë ajet argumentojnë ata që e bëjnë të detyrueshme dhuratat dhe përkujdesjen për të gjitha llojet e grave të divorcuara, pa përjashtim. Ndërsa të tjerë janë të mendimit se ky ajet është përcaktuar me ajetin tjetër, ku Allahu i Madhëruar thotë: "Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë, me të cilat ende nuk keni kryer marrëdhënie dhe të cilave ende nuk ua keni përcaktuar e dhënë mehrin. Jepuni atyre ndonjë dhuratë: pasaniku sipas mundësive të tij, dhe i varfëri sipas mundësive të tij. Dhurata për to sipas zakonit është detyrë për bamirësit." [Bekare 236.] Kësisoj, dhurata është detyrë vetëm për ato gra që keni lidhur aktin martesor, me të cilat ende nuk keni kryer marrëdhënie dhe të cilave ende nuk ua keni përcaktuar e

dhënë mehrin. Nëse divorcohen pasi është kryer marrëdhënie me to, është detyrë që t'u jepet mehri i simotrave të tyre, edhe nëse ai nuk është përcaktuar gjatë aktit. Më pas, i Madhëruari thotë: - Kështu jua qartëson Allahu argumentet e Veta - Sqaron argumentet rreth gjërave të lejuara dhe të ndaluara, rreth urdhëresave e ndalesave, rreth kufijve të vendosur nga Ai. Ai jua sqaron të gjitha dhe nuk ju lë të çoroditur, kur ju keni nevojë për to. Ai jua qartëson ato: - me qëllim që ju të kuptoni. - Pra, që të meditoni e të nxirrni mësime të vyera prej tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:240–2:242

- “Ata që janë duke vdekur dhe kanë gra që do t’i lënë pas, le të lënë me testament furnizimin për gratë e tyre për një vit rresht, pa i nxjerrë ato prej shtëpisë.” - Burrat të cilët janë duke vdekur dhe që do të lënë pas vetes gratë e tyre, duhet që të lënë me testament pasuri të mjaftueshme për gratë e tyre, aq sa u duhet atyre për një vit të plotë, në mënyrë që ato të mos e kenë të nevojshme të dalin nga shtëpitë e tyre. - “. Por, nëse ato dalin vetë, ju nuk merrni gjynah për ato veprime që ato i bëjnë me vetveten (sipas normave). Allahu është i Gjithfuqishëm e i Urtë. ” – Pra, nëse ato vetë dëshirojnë që të dalin nga kjo përkujdesje, atëherë kujdestarët e grave nuk ngarkohen me gjynah nëse ato gra bëjnë me veten e tyre disa vepra të lejuara. Cilat qenkan këto vepra të lejueshme, të cilat nuk përbëjnë gjynah? Janë ato veprime që Allahu i ka përshkruar si “min mearuf”, pra, veprime sipas normave të pranuara gjerësisht nga njerëzit, por që nuk bien ndesh me Sheriatin. Kështu, për shembull, grave u lejohet të zbukurohen ose të përdorin parfumin, por brenda kufijve të vendosur nga Sheriati. Disa thonë që dispozita e këtij ajeti është anuluar me dispozitën e ajetit 234 të kësaj sureje, ku thuhet se gruaja së cilës i vdes burri e ka të detyrueshme të presë katër muaj e dhjetë ditë pas vdekjes së burrit. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se nuk kemi të bëjmë me anulim dispozitash, porse ajeti 234 tregon kohën që është e detyrueshme për gruan të presë. Pra, gruaja e ka detyrim që të presë katër muaj e dhjetë ditë pas vdekjes së burrit, ndërsa pas kalimit të kësaj kohe, për të është e pëlqyeshme që të vazhdojë të presë edhe më gjatë. Megjithatë, kjo pëlqyeshmëri është në varësi të gjendjes së gruas dhe nevojave të saj. Me fjalë të tjera, ky ajet që po trajtojmë tani (nr. 240) nxit për një vepër të pëlqyeshme. Gruaja që dëshiron ta nderojë edhe më shumë burrin e vdekur, por duke marrë parasysh edhe nevojat e saj, le ta plotësojë pritjen deri në

një vit. Si argument që tregon se plotësimi i periudhës njëvjeçare është i pëlqyeshëm dhe jo i detyrueshëm, mund të përmendim edhe një fakt tjetër, që ceket në këtë ajet. Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse ato dalin me dëshirën e tyre nga përkujdesja njëvjeçare, para plotësimit të një viti, ky veprim nuk e ngarkon me gjynah kujdestarin e tyre ligjor. Prandaj, nëse plotësimi i periudhës njëvjeçare do të ishte i detyrueshëm dhe gratë do ta thyenin këtë detyrim, atëherë ky do të ishte një gjynah. Thënë ndryshe, kur Allahu i Lartësuar na tregon se dalja e tyre nuk është gjynah, kjo tregon që plotësimi i vitit nuk është i detyrueshëm për to. Si përfundim, këtu nuk kemi të bëjmë me (abrogim) shfuqizim dispozitash, por kemi të bëjmë me sqarim më të hollësishëm të kufijve të detyrimit dhe atyre të pëlqimit. - “Dhuratat dhe përkujdesja sipas normave ndaj të divorcuarave janë detyrime për të devotshmit. ” – Siç shihet, këtu flitet për të gjitha llojet e të divorcuarave. Sipas ajetit, dhurimi dhe përkujdesja janë të detyrueshëm ndaj të gjitha grave që divorcohen, me çdo lloj mënyre qoftë ky divorc. Megjithatë, sipas mendimit më të saktë, dhuratat janë të detyrueshme t'u jepen vetëm atij lloji të divorcuarash, me të cilat nuk është kryer kontakt seksual dhe të cilave ende nuk u është përcaktuar mehri. Ndërsa për llojet e tjera të të divorcuarave, dhënia e dhuratave është e pëlqyeshme (por jo e detyrueshme) , sikurse u tha më sipër. Ky mendim është më i saktë, sepse vërtet që ky ajet i përfshin të gjitha llojet e të divorcuarave, por i parë së bashku me ajetet e tjera, gjithëpërfshirja e tij kufizohet vetëm me një kategori të caktuar të divorcuarash. Kështu, në ajetin 236 të sures Bekare, u tha që dhënia e dhuratave është e detyrueshme posaçërisht vetëm për të divorcuarat para kontaktit dhe para përcaktimit të mehrit: “ Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë, me të cilat ende nuk keni kryer marrëdhënie dhe të cilave ende nuk ua keni përcaktuar e dhënë mehrin. Jepuni atyre ndonjë dhuratë: pasaniku - sipas mundësive të tij, dhe i varfëri - sipas mundësive të tij. Dhurata për to sipas zakonit është detyrë për bamirësit .” Pra, të tilla norma janë të detyrueshme të zbatohen nga çdo njeri që kërkon t'i ruhet ndëshkimit të Zotit të tij dhe të jetë prej bamirësve. - “Kështu jua shpjegon Allahu argumentet e Veta, me qëllim që ju të kuptoni.” - Pra, kështu na i sqaron neve Allahu i Lartësuar kufijtë e Tij, hallallin dhe haramin dhe çdo ligj të dobishëm për ne. Ai i sjell këto dispozita, që ne të mendohemi thellë rreth tyre dhe të nxjerrim prej tyre urtësi dhe qëllime të larta. Çdokush që mendon thellë rreth teksteve të sjella nga Zoti, duke nxjerrë prej tyre urtësi dhe dispozita, me siguri që do të punojë i nxitur prej tyre. Pastaj thotë i Madhëruari:

← Bekare 2:242