2. Bekare · Ajeti 252 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:243–2:252

Disa mijëra jehudi, që të mos shkojnë në luftë me pejgamberin e tyre dhe duke u frikuar se po vdesin, ikën prej vendit të vet ose ikën nga frika e vdekjes të një sëmundjeje që ishte përhapur, por prej vdekjes nuk mund të iket, sepse edhe pse ikën ata i kapi vdekja. Ndoshta ka për qëllim: u dobësuan nga frika se duhet të luftojnë, nuk u angazhuan për jetë dhe nuk punuan deri sa u varfëruan dhe e mbytën veten për së gjalli, andaj thirren të luftojnë, të gjallërojnë dhe t'i krijojnë vetes jetë.

Huaja nuk i nevojitet Allahut, por fjala është se Zoti do t'i shpërblejë shumëfish të gjitha ato vepra të mira e të sinqerta që kryhen për hirë të zbatimit të porosive të Zotit.

Pas vdekjes së Musait, ndër bijtë e israilit, pejgamber ishte Shem'uni që rridhte prej pasardhësve të Harunit. Beni israilët kërkuan prej tij t'ju caktojë një mbret që do t'i udhëheqë në luftë. Por këtu shihet dobësia e një populli që jeton në komoditet, kur nevrikoset e përmend luftën, e kur paraqitet nevoja për luftë, ai nuk lufton.

Sipas urdhërit të Zotit, sundues caktohet Taluti, pasardhës i Binjaminit të Jakubit, vëlla i Jusufit. Ishte shumë i dijshëm dhe i pashëm.

Arka e përmendur (tabuti) ishte simbol i pejgamberëve të beni israilëve prej Musait. Në te i kishte diçka nga thesari i pejgamberëve, ndoshta disa pjesë të Tevratit, shkopi i Musait dhe disa I petka të Harunit. Atë arkë e kishte rrëmbyer një popull tjetër, e Zoti u premton se do t'ua kthejë arkën nëse luftojnë nën komandën e Talutit. Ndalesën që u bëri për të mos pirë ujë prej lumit, kishte për qëllim t'i sprovojë se sa janë respektues të urdhërave para se të hyjë në luftë. Të gjithë ata që nuk iu përmbajtën urdhërit, i largoi prej radhëve të ushtrisë si të dobët. Besimtarët e sinqert, të mbështetur në ndihmën e Zotit, vendosën të sakrifikojnë jetën dhe si të tillë, edhe pse ishin më pak në numër, i dolën përballë ushtrisë së madhe të Xhalutit. i Një djalë i ri, me ndjenja të larta shpirtërore, që ishte në ushtrinë e Talutit, e që quhej Davud, e mbyti mizorin e madh Xhalutin. Pas Talutit, Davudi bëhet edhe sundues edhe pejgamber, e pas tij biri i tij Sulejmani dhe ajo periudhë historike konsiderohet më fatlumja për beni israilitët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:250–2:252

- Kur dolën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij, u lutën: “Zoti ynë! Na dhuro durim (qëndresë)! - Kur ushtarët e pakët të Talutit, besimtarët e sinqertë, u përballën me ushtrinë e Xhalutit mohues, të cilët ishin të shumtë e të armatosur rëndë, thanë: “Zoti ynë! Na dhuro durim (qëndresë)!" Pra, zbrit mbi ne durim e guxim nga ana Jote, o Zot i madh! - Na i përforco këmbët tona - Forcoji këmbët tona në përballje me armikun dhe na bëj të qëndrueshëm dhe durimtarë, që kurrë të mos i kthejmë shpinën luftës dhe të dezertojmë! Na jep forcë, që të mos tregohemi të pafuqishëm dhe të dobët! - "...dhe na ndihmo kundër jobesimtarëve!" - Na jep fitoren kundër këtij populli mohues! - "Me ndihmën e Allahut, ata i mposhtën (armiqtë), ..." - Ata fituan me forcën dhe përkrahjen e Allahut të Lartësuar. - "...ndërsa Xhalutin e vrau Daudi, të cilit Allahu i dhuroi pushtet e urtësi dhe i mësoi çdo gjë që ai dëshironte të dinte." - Kështu, pas këtij akti trimërie të Daudit, mbretërimi dhe pushteti kaluan në dorën e tij. Tek ai u bashkuan mbretërimi dhe profetësia. Allahu i Lartësuar i dhuroi atij profetësinë dhe e bëri të nderohej dhe respektohej nga njerëzit. Allahu i Lartësuar

thotë: "...të cilit Allahu i dhuroi pushtet e urtësi...". Pra, i dhuroi atij mbretërimin dhe pushtetin, që ishte në dorën e Talutit. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar i dhuroi Dauddit edhe urtësi, që nënkupton profetësinë, dhe kjo ndodhi pas Shemuilit. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: "...dhe i mësoi çdo gjë që ai dëshironte të dinte." Pra, i dhuroi atij dituri të posaçme, vetëm për të si profet (Paqja e Zotit qofshin me të dhe me Profetin tonë!). - "Sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me anë të disave prej tyre, toka do të shkatërrohej." - Pra, sikur Allahu i Madhëruar të mos i mbronte të dobëtit dhe besimtarët nga agresioni dhe tirania e mohesve, ashtu siç mbrojti bijtë e Izraelit përmes luftës të udhëhequr nga Taluti dhe përmes guximit të Daudit ﷺ , njerëzit do të shkatërroheshin. - "Por Allahu është Bamirës i madh ndaj njerëzimit." - Allahu është Bamirës për ta dhe Mëshirëplotë, duke bërë të mundur që t’i mbrojë ata nëpërmjet njëri -tjetrit. Është Ai që vendos gjithçka që ndodh në botë me urtësinë e Tij. Allahut i takon pushteti, mbretërimi dhe argumenti i pakthyeshëm mbi krijesat e Tij. Ai është i Urtë, i Plotpushtetshëm, Absolut dhe i Drejtë në të gjitha veprat dhe fjalët e Tij. - Këto janë argumentet e Allahut, që po të shpallen ty me vërtetësi. - Këto janë shenjat e Allahut të Lartësuar, të cilat ne t’i kemi treguar ty rreth çështjes dhe historisë të këtyre popujve, histori të cilat ne po t’i sjellim të vërteta, ashtu siç janë në realitet. Dhe, në fakt, kjo histori vjen njëlloj siç ndodhet edhe në duart dhe librat e ehli kitabëve. Këto të vërteta i dinë mirë dijetarët e bijëve të Izraelit dhe ti, o Muhamed! - S’ka dyshim se ti je prej të dërguarve. - Kjo është si një parapërgatitje dhe përforcim i këtij tregimi, që tregon për vërtetësinë e profetësisë së Muhamedit ﷺ.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:252

- “Këto janë argumentet e Allahut, që po t’i lexojmë ty me vërtetësi.” - Këto janë ngjarje e argumente të Allahut, të cilat Ai na i tregon me vërtetësi, sikurse kanë ndodhur në realitet. Kjo bëhet që ne të marrim informacione të sigurta, dhe pastaj të nxjerrim mësime nga këto histori të vërteta. - “S’ka dyshim se ti je prej të dërguarve.” - Kjo është një dëshmi madhështore, e dhënë prej Allahut të Lartësuar për Muhamedin (a.s.). Ai dëshmon se Muhamedi (a.s.) është profet i Zotit të botëve. Ndër argumentet e faktet më të qarta që vërtetojnë se Muhamedi (a.s.) ishte profet i Zotit të gjithësisë, janë edhe këto ngjarje historike të kohës së hershme, për të cilat Muhamedi nuk dinte asgjë më parë. Në këto rrëfime flitet për profetët e Zotit, për pasuesit e tyre të denjë, për armiqtë e profetëve, për luftërat e zhvilluara në rrugën e Zotit etj. Nëse Allahu i Lartësuar nuk do t'ia shpallte atij këto ngjarje, ai vetë nuk do të kishte mundësi që t'i tregonte me aq vërtetësi, imtësi dhe saktësi, sepse si ai, si populli i tij, mes të cilit jetonte, nuk kishin asnjë lloj njohurie rreth atyre ngjarjeve. Kjo tregon se, me të vërtetë, ai ishte profet i zgjedhur prej Zotit të botëve. Ai ishte profet që nuk fliste nga mendja e vet, por thoshte atë që dëgjonte, atë që i shpallej prej Allahut. Ai ishte Profeti i madh, të cilin Zoti e dërgoi me të vërtetën e sigurt, me fenë e përkryer, për ta bërë të triumfojë mbi çdo fe tjetër, edhe pse këtë gjithashtu gjë e urrejnë idhujtarët. *** Në ngjarjen e mësipërme ka shumë mësime për ata që dinë të mendojnë. Kështu, nëse një popull kërkon të përparojë dhe të arrijë synimet e veta, është e domosdoshme që të mençurit dhe paria e tij të mblidhen së bashku dhe të diskutojnë qetësisht rreth problemeve dhe çështjeve që duan të zgjidhin. Ata duhet ta kuptojnë mirë çdo problem dhe pastaj të gjejnë rrugët e zgjidhjes së tij, duke punuar sipas rregullave dhe detyrave të vendosura. Kështu vepruan paria dhe të mençurit e bijve të Israilit, të cilët, për arritjen e qëllimeve që kishin, iu drejtuan Profetit të tyre. Ata dinin se ku ta kërkonin urtësinë dhe mënyrën për t'u bashkuar dhe për të gjetur një mënyrë të përbashkët. Vetëm duke ndjekur ato këshilla, ata do të bashkonin radhët, duke qenë të sigurt në kauzën e tyre. E vërteta qartësohet më shumë kur bëhen pyetje rreth saj. Pas përgjigjes së pyetjeve, fitohet një siguri e plotë dhe qetësuese. Kështu ndodhi edhe me bijtë e Israilit, të cilët kërkuan sqarime të hollësishme rreth meritës së Talutit për të qenë mbret i tyre. Pas përgjigjeve që morën,

atyre nuk u mbeti më asnjë dyshim tjetër. Nëse te një udhëheqës bashkohen mençuria e lartë dhe fuqia e madhe, atëherë udhëheqja e tij do të jetë e përsosur dhe efikase. Nëse nuk është njëri prej këtyre elementëve, udhëheqja e tij do të jetë e mangët. Këtë mësim e përfitojmë nga fakti se Allahu i Lartësuar, për të argumentuar meritën e Talutit për të qenë mbret, thotë se i kishte dhënë atij këto dy cilësi: dijen dhe pushtetin, apo forcën për të ekzekutuar këtë dije. Po ashtu, mbështetja thjesht në forcat e veta, duke e harruar dhe shpërfillur ndihmën e Allahut, është shkak për humbje dhe dështim në çdo punë të nisur. Ndërsa kërkimi i ndihmës nga Allahu, lutjet drejtuar Atij, durimi dhe qëndrueshmëria janë shkaqet e suksesit dhe të fitores. Në ngjarjen e mësipërme, në fillim, disa prej bijve të Israilit thanë: “E pse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, kur dihet se ne jemi dëbuar nga atdheu dhe fëmijët tanë?!” Me sa duket, ky vetëbesim i tepruar i çoi ata në humbje dhe bëri që t'i kthejnë shpinën sfidës, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Por kur u ngarkuan me detyrën për të luftuar, ata u sprapsën, përveç një pakice prej tyre.” Ndërsa grupi tjetër i besimtarëve, të cilët iu mbështetën Zotit dhe kërkuan ndihmën e Tij me durim dhe vendosmëri, merituan ndihmën e Tij dhe fitoren: “Kur dolën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij, thanë: “Zoti ynë! Na dhuro durim! Na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër jobesimtarëve!” Në të tilla sprova del qartë urtësia e madhe e Zotit, i Cili nuk do t'i lejonte kurrë njerëzit të pretendonin besimin pa i sprovuar. Prej urtësisë së Tij, është vendosur ky kriter, i cili dallon qartë të mirin nga i keqi, të sinqertin nga mashtruesi dhe të duruarin nga frikacaku. Prej mëshirës së Tij, Allahu i Lartësuar e ka bërë detyrë për besimtarët që të luftojnë kundër qafirëve dhe hipokritëve, që të frenojnë të keqen dhe padrejtësitë që ata përhapin nëpër tokë. Madje, Allahu i Lartësuar na tregon se, nëse nuk do të kishte një qëndresë të forcave të mira kundër forcave të errëta, toka do të shkatërrohej. E pra, është mëshira e Allahut që përcaktoi këtë mirësi për njerëzimin. Më pas, i Lartësuari thotë:

← Bekare 2:252