2. Bekare · Ajeti 256 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:253–2:260
Pejgamberët e Zotit janë të njëjtë, përsa i përket asaj se të gjithë janë të dërguar prej Zotit. Disa prej tyre janë të dalluar me detyra e cilësi të posaçme, siç ishte Musai të cilit i foli Zoti, Isai që ishte i ndihmuar prej Xhibrilit, Muhammedi që ishte në shkallën më të lartë ngase ishte i dërguar, dhe mëshirë për tërë botën.
Popujt që erdhën pas tyre nuk do të duhej të përçahen derisa të gjithë kishin pejgamberin e dërguar prej Zotit, por disa nuk deshën të pranojnë as pejgamber as shpallje tjetër, përveç të tyre, andaj nuk u ndihmoi vullneti i Zotit.
Ajetul kursijji ose tesbih dova është një nga ajetet me famë shumë të madhe, e thuhet se në te është emri i madh i Zotit - ismi a'dham.
Liria në besim është e garantuar sipas dispozitave islame. Dhuna për t'i futur njerëzit në fe, nuk është parim islam, andaj përhapja e fesë islame me dhunë, sipas tendencës së disave, nuk është e vërtetë.
Kundërshtari i Ibrahimit ishte njëfarë Nemrudi bin Ken'an, kështu mendojnë komentatorët e Kur'anit, anipse nuk është përmendur emri i tij. Pushteti dhe pasuria, të cilat ia kishte dhuruar Zoti, ia rritën mendjen dhe në vend që të adhuronte dhe falënderonte Zotin, ai deshi ta quaj vetën Zot. Zakonisht pozita dhe pasuria janë gjendje që te disa njerëz luajnë rol negativ, sepse këto i zhveshin ata prej virtyteve të larta njerëzore dhe i bëjnë mendjemdhënj.
Ibrahimi e la gojëhapur kundërshtarin.
Për fshatin, vendbanimin e shkatërruar thuhet se ishte Jerusalemi, të cilin e kishte rrënuar në themel njëfarë Buhtunasri në shekullin e gjashtë para epokës së re. Njeriu që kaloi atypari thuhet se ishte Uzejri, i cili kur e pa ashtu të shkatërruar u habit dhe i shkoi mendja te ringjallja. Ai mendoi se kishte ra në gjumë, pse kur u zgjua e gjeti ushqimin e paprishur, por kur shikoi gomarin që ishte zhdukur e i kishte mbetur vetëm ndonjë copë ashti, ai atëherë e kuptoi se kishte qëndruar shumë. Prova e Zotit: ushqimin nuk ia kishte prishur, kurse gomari ishte shkatërruar e në prezencën e tij ia bashkoi eshtrat, e mveshi me muskulaturë dhe e bëri të gjallë. Kjo ishte një provë për njerëzit se si fuqia e Zotit do të ringjallë të vdekurit për ditën e gjykimit.
Ibrahimi kërkoi ta shoh me sy se si i ngjall Zoti të vdekurit, ai nuk dyshoi në ringjallje, andaj e bëri pyetjen: "si" i ringjalle e jo a i ringjalle. Kjo është dëshirë e çdo besimtari për t'i përjetuar konkretisht mrekullitë e Zotit. Ibrahimi nuk i ngjalli shpezët e copëtuara, ato i ngjalli, Zoti, kurse për Ibrahimin kjo ishte një mrekulli.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:256
- Nuk ka detyrim në fe. Është sqaruar e vërteta nga e kota. Kush e braktis (tagutin) dhe beson në Allahun, ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet. - Kuptimi: Mos detyroni dhe ia impononi askujt pranimin e Islamit, sepse kjo është një fe e qartë dhe e shtjelluar tërësisht. Argumentet e saj janë të dukshme dhe të padiskutueshme, që dikush të ketë nevojë të detyrohet për ta pranuar atë si fe. Madje, ata që Allahu i Lartësuar i ka udhëzuar që të pranojnë Islamin duke u ka zgjeruar gjoksin dhe duke ua ndriçuar shikimin dhe arsyen, kanë për të hyrë në këtë fe duke qenë të qartë, të kthjellët dhe të vetëdijshëm për gjithçka që bëjnë. Ndërsa ata të cilëve Allahu i Lartësuar ua ka verbuar zemrat, ua ka vulosur dëgjimin, shikimin dhe arsyen, këtyre nuk u vlen asnjë gjë; asgjë nuk mund t’i bëjë ata që të hyjnë në Islam të detyruar. Është përmendur se ndër shkaqet e zbritjes së këtij ajeti është një ngjarje mes ensarëve. Në kohën e injorancës, ndodhte që gratë (shtatzëna) të betoheshin se, nëse do t’u rronte fëmija që lindnin, do ta bënin jehud (pra, do ta kthenin në fenë e jehudëve). Kështu, kur fisi jehud i Benu Nadirit u larguan nga Medinia, disa fëmijë të ensarëve që kishin pranuar fenë e jehudëve, donin të largoheshin. Por ensarët thanë: "Jo, ne nuk kemi për t’i lënë fëmijët tanë që të largohen!" Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet, ku thuhet: "Nuk ka detyrim në fe. Është sqaruar e vërteta nga e kota....". Ibn Xheriri e sjell këtë hadith nga Ibn Abasi. Hadithin e sjellin edhe Ebu Daudi me Nesaiun, përmes rrugës së transmetimit të Bundarit. Po kështu, edhe Ebu Hatimi dhe Ibn Hibani e sjellin nga Shu’be, me të njëjtin tekst. Të njëjtën gjë ka thënë edhe Muxhahidi e disa të tjerë, pra, se ky ajet ka zbritur pikërisht për këtë që
ndodhi mes ensarëve. Ndërsa Muhamed Ibn Is’hak përcjell nga Ibn Abasi, që thotë se ky ajet zbriti për një burrë prej fisit Beni Salim Ibn Auf, i cili quhej El Husajn. Të dy bijtë e tij pranuan Krishtërimin, ndërsa ai vetë ishte musliman. Profeti ﷺ i tha që të mos i impononte ata, nëse refuzonin të pranonin Islamin dhe dëshironin të qëndronin të krishterë. Atëherë, Allahu i Lartësuar zbriti këtë ajet. Nga ana tjetër, thuhet se ky ajet është anuluar me “ajetet e luftës”, në të cilat Allahu i Lartësuar thotë: "Ju do të thirreni të dilni kundër një populli luftarak e të fuqishëm, që, ose do të luftohen, ose do të dorëzohen (pranojnë Islamin) ." [Fet'h 16]. "O i Dërguar! Luftoji jobesimtarët e hipokritët dhe qëndro ashpër kundër tyre!" [Tahrim 9]. "O ju që keni besuar! Luftojini jobesimtarët (agresorë) që janë pranë jush! Le ta ndiejnë ata ashpërsinë tuaj! Dijeni mirë se Allahu është me të devotshmit!" [Teube 123]. Këto janë ajetet e luftës, që kanë anuluar ajetin e sipërpërmendur. Kështu, sipas këtyre ajeteve është detyrë që të gjithë popujt të ftohen për të pranuar besimin e pastër monoteist dhe për të hyrë në fenë islame. Nëse dikush refuzon të hyjë në Islam dhe refuzon gjithashtu të jap xhizjen, atëherë i shpallet luftë. Në hadith të saktë thuhet: 409. “Çuditet Zoti yt me një popull, të cilët tërhiqen me zinxhirë për t'u futur me forcë në Xhenet.” Pra, këtu bëhet fjalë për ata mohues të Zotit, të cilët sillen në vendet islame si robër të lidhur me zinxhirë, dhe pastaj pas kësaj ata pranojnë Islamin. Në këtë mënyrë, rregullohen veprat dhe besimi në zemrat e tyre, dhe ata bëhen banorë të Xhenetit. Allahu i Lartësuar thotë në vijim: - Kush e braktis tagut-in dhe beson në Allahun, ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet. - Këtu bëhet fjalë për ata njerëz që largohen nga idhujt, putat dhe çdo adhurim tjetër ku i fton shejtani i mallkuar. Këta janë ata të cilët e njësojnë Allahun, duke e adhuruar Atë si një të vetëm. Këta dëshmojnë me dituri dhe bindje se Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë, dhe nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut. Pikërisht për këtë kategori bëhet fjalë në ajet. Et-tagut është shejtani, dhe ky është një term që përfshin të gjitha ligësitë në të cilat ishin zhytur, përhumbur e jetonin njerëzit në kohën e injorancës para Islamit, si adhurimi i idhujve dhe putave, të gjykuarit me ligjet e injorancës dhe mbrojtja e tyre me fanatizëm. Duke folur për besimtarin e mirë, që e ka pastruar zemrën nga shirku dhe e ka mbushur atë me iman të pastër, i Lartësuari thotë: "... ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet." Ai është kapur fort pas kësaj feje, duke e përforcuar atë me lidhjen më të fortë që mund të mendohet. Allahu i Lartësuar e krahason lidhjen e fortë e të pazgjidhshme me këtë besim e fe të mrekullueshme, me lidhjen e litarit, të kapur mirë. Për sa i përket kësaj lidhjeje të fortë dhe kuptimit të saj, janë dhënë mendime të ndryshme. Mendimi më i përhapur anon në atë se "lidhja e fortë" është imani dhe Islami. Kjo nuk bie ndesh me mendimet e tjera, që thonë se: "lidhja e fortë" është fjala ‘ Lâ ilâhe il -lAllah’, ose Kur 'ani, ose dashuria dhe urrejtja për hir të Allahut. Të gjitha këto janë të sakta dhe i përmban kuptimi i kësaj fjale. Muadh Ibn Xhebeli, duke shpjeguar fjalën "...e cila kurrë nuk këputet", ka thënë: "Kjo lidhje e fortë me Allahun e Lartësuar nuk zgjidhet kurrë, deri sa të futesh në Xhenet." Imam Ahmedi sjell rrëfimin nga Muhamed Ibn Kajs Ibn Ubadeh, i cili ka thënë: 410. “Isha në xhami një ditë, kur erdhi një burrë, në fytyrën e të cilit dallohej përunjësia dhe frikërespekti ndaj Zotit. Ai fali dy rekatë namaz, jo shumë gjatë. Dikush tha: "Ky burrë është nga banorët e Xhenetit." Kur doli, unë e ndoqa nga pas, derisa ai hyri në shtëpinë e tij. Edhe unë shkova vizitë tek ai dhe fillova të bisedoja me të. Pasi ai u qetësua dhe i pëlqeu biseda me mua, i thashë: "Kur ti hyre në xhami, njerëzit thanë kështu dhe ashtu." Atëherë, ai tha: “ Subhanallah! Askush nuk duhet të thotë diçka që nuk e di. Por do të të tregoj përse e thonë këtë. Unë pashë njëherë në
ëndërr sikur isha në një kopsht të gjelbër.” Ibn Auni, - njëri nga transmetuesit e këtij hadithi që e kanë sjellë në Musned, - thotë: “Ai vazhdoi të tregonte për gjelbërimin e kopshtit, për gjerësinë dhe bukurinë e tij. Në mes të tij ishte një shtyllë prej hekuri, baza e të cilës ishte në tokë, ndërsa maja lart në qiell. Në majë të saj ishte një nyje ( urue) e lidhur fort. "Ngjitu atje lart!" - më thanë. Unë i thashë: "Nuk ka mundësi." Por më pas erdhi një njeri i drejtë, - thotë Ibn Auni - që ishte Uâsifi, dhe i ngriti rrobat e mia nga pas. Pra, më kapi nga pas nga rrobat, dhe më tha ‘Ngjitu!’ U ngjita lart, derisa arrita nyjen e lidhur fort. Atëherë më tha: “Kapu fort pas asaj nyjeje!” Kur unë u zgjova, ajo ishte në duart e mia. Unë shkova tek Profeti i Allahut dhe i tregova ëndrrën. Ai më tha: “Për sa i përket kopshtit të gjerë, ai ishte kopshti i Islamit. Shtylla ishte shtylla e lartë e Islamit, ndërsa nyja ishte “lidhja e fortë”. Pastaj tha: "Ti do të jesh në Islam deri sa të vdesësh!” Këtë hadith e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi në dy Sahih-ët e tyre, dhe bëhet fjalë për Abdullah Ibn Sel âmin - Allahu qoftë i kënaqur me të!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:256
- “Nuk ka detyrim në fe. Është sqaruar e vërteta nga e kota.” - Allahu i Lartësuar na tregon se në fe nuk duhet të ketë dhunë, sepse është diçka e panevojshme. Dhuna apo detyrimi me pahir bëhet veçse për çështje të errëta, të papranueshme, me shenja e argumente të paqarta, ose për ndonjë çështje shumë të urryer për shpirtin. Ndërsa kjo fe e drejtë është shumë e qartë, e pranueshme dhe e kuptueshme për shpirtin. Bazat e saj janë shumë të qarta. Rrugët e transmetimit të saj deri tek ne janë të sigurta dhe të verifikueshme. Çështjet e Islamit janë të shtjelluara e të shpjeguara shumë qartë. Me këtë fe është ndarë e drejta nga e gënjeshtërta. Mjafton për një njeri të mençur që t'i hedhë vetëm një vështrim të shkurtër kësaj feje, dhe patjetër që do ta pëlqejë dhe do ta dëshirojë për veten e vet. Ndërsa qëllimprishurit apo shpirtzinjtë e shohin qartë të vërtetën, por me vetëdije zgjedhin të kotën. Ata e shohin të mirën, por shkojnë tek e shëmtuara. Të tillë njerëz nuk ia vlen të detyrohen për të pranuar këtë fe madhështore. Allahu nuk ka nevojë për adhurimin e askujt, aq më tepër, të këtyre të prishurve. Nuk është e nevojshme që këta të detyrohen të pranojnë fenë e Allahut, sepse është e padobishme dhe e pafrytshme. Kush e pranon fenë i detyruar, nuk e ka besimin të saktë, madje e ka të papranueshëm. Megjithatë, ky ajet nuk tregon aspak se lufta ndaj qafirëve agresorë është e ndaluar. Kuptimi i tij është se kjo fe, me mrekullinë e saj, e bën çdo mendjekthjellët e zemërpastër që ta pranojë me vullnet të lirë atë, pa qenë e nevojshme që të detyrohet me forcë për një gjë të tillë. Këtu nuk ceket aspak çështja e luftës kundër qafirëve, e cila trajtohet në ajete të tjera. Ky ajet mund të shërbejë si argument që fakton se lejohet marrja e xhizjes edhe nga jomuslimanët e tjerë, sikurse merret prej të krishterëve e çifutëve, sikurse thonë shumë dijetarë. - “Kush e braktis tagut-in dhe beson Allahun, ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet” - Ai që mohon dhe refuzon adhurimin e gjithçkaje tjetër veç Allahut, dhe i largohet bindjes dhe pasimit të rrugës së shejtanit, dhe pastaj beson sinqerisht Allahun, duke patur një iman të pastër, që e nxit për ta adhuruar dhe për t'iu bindur plotësisht Zotit të tij, pra, ky njeri është lidhur fort me fenë e drejtë dhe të saktë. Ai ka përqafuar fenë, themelet e së cilës janë të patundshme. Kush e pranon këtë fe do të jetë shumë i sigurt dhe i qartë në rrugën e tij, sepse ai është kapur fort pas një lidhjeje që nuk këputet dhe që nuk të lë kurrë në baltë. Ndërsa çdokush tjetër që vepron të kundërtën, e ka zgjidhur e lëshuar këtë lidhje, që është e vetmja mundësi shpëtimi dhe ruajtjeje nga ndëshkimi i
përjetshëm. Çdokush që mohon Allahun dhe adhuron idhujt ( tagut), shpreson veçse diçka të kotë, që e ka përfundimin në Zjarrin e përjetshëm. - “Allahu Dëgjon e Di gjithçka ” - Allahu di çdo gjë dhe synimet e çdokujt. Ai do ta shpërblejë secilin me drejtësi, sipas veprave që ka bërë dhe sipas qëllimeve që ka patur. Qoftë ata që u lidhën me të vërtetën dhe ndoqën rrugën e drejtë, qoftë ata që e shpërfillën dhe e lëshuan atë lidhje, të gjithë do të marrin shpërblimin që meritojnë. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon shkakun e zgjedhjeve të ndryshme që bëjnë njerëzit: