2. Bekare · Ajeti 264 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:261–2:274

Pasuria e dhënë sipas urdhërit të Zotit, shpërblehet shumëfish, e është krahasuar me shumëfishin e kokrrës, por ai nuk është kufi, ngase Zoti atë që e do e shpërblen pa masë të caktuar. Kjo ka ndikuar që ndër myslimanët e parë gjendja ekonomike të mos jetë shumë e dalluar dhe pasuria të mos jetë shumë e grumbulluar te disa njerëz. Vetëm pasuria e dhënë sinqerisht për hir të Allahut dhe jo e përcjellë me lavdërime e ofendime, shpërblehet shumëfish.

Sadakaja e dhënë në vendet e porositura dhe me qëllim të pastër, është pa ndërprerë e shpërblyer prej Zotit dhe i përngjan kopshtit që kurr nuk i ndërprenë frutat. Sadakaja që është dhënë sa për sy e faqe dhe jo me qëllim të sinqert, është e zhdukur, sikurse frutin e kopshtit që e shkatërron breshëri e zjarri. Shejtani i frikëson njerëzit se nëse japin sadaka, ose zeqatë do të varfërohen, do të fiken, andaj, i ata që e dëgjojnë atë, edhe nëse japin, e japin atë pjesë më të pavlefshme të pasurisë së tyre. Zoti i trimëron bujarët se do t'ua shtojë pasurinë e tyre dhe do t'i shpërblejë pa masë nëse e japin atë më të dashuren, më të dhimbshmen. Të japësh sadakanë haptas është mirë, por duhet ruajtur formalitetit, andaj ta japësh fshehurazi sinqeriteti është më i sigurt.

Nuk është obligim i Muhammedit që t'i shpie njerëzit në rrugë të drejtë, ajo është punë e Allahut, andaj ata që i udhëzoi Allahu nuk bëjnë koprraci dhe pasurinë e tyre e japin për ata që janë të angazhuar me punë në të mirë të rrugës së Zotit, në të mirë të fesë islame, e nuk kanë kohë të merren me punë për gjallërim.

Besimtarët e sinqert nuk ankohen asnjëherë për sakrificat e tyre, prandaj nuk kërkojnë as lëmoshë, edhe pse kanë nevojë për te, preokupim kryesor i tyre është rruga e Zotit, andaj të tillëve duhet ndihmuar.

Sadakaja është ajo që njeriu e jep nga vullneti i tij i mirë, e nuk është obligim, andaj është më mirë të jepet fshehtazi, e të mos kuptohet ndonjë mendjemadhësi ose krenari ndaj të tjerëve. E zeqati është obligim dhe si i tillë jepet publikisht për t'u përkujtuar edhe të tjerëve se obligimin duhet zbatuar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:262–2:264

- Ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugë të Allahut dhe që atë çfarë japin nuk e shoqërojnë me të përmendur e me mburrje - pikërisht ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre. - Allahu i

Lartësuar i lavdëron ata të cilët shpenzojnë në rrugën e Tij pasurinë e tyre dhe çdo të mirë që kanë, dhe pastaj nuk ua kujtojnë me mburrje atyre që ua kanë dhënë. Ata nuk u lëvdohen dhe nuk ua kujtojnë nevojtarëve të mirat që u kanë bërë, madje nuk ia tregojnë ato askujt. Ata nuk e bëjnë këtë as me fjalë dhe as me vepra. Allahu i Lartësuar thotë: "...atë çfarë japin nuk e shoqërojnë me të përmendur e me mburrje...". Ata nuk i poshtërojnë nevojtarët, të cilëve u kanë dhënë sadaka dhe nuk i trajtojnë në mënyrë të papëlqyeshme, sepse në këtë mënyrë do të asgjësonin atë punë të mirë që kanë bërë. Më pas, Allahu i Lartësuar u premton atyre një shpërblim shumë të madh për këtë: "...pikërisht ata e kanë shpërblimin e vet te Zoti i tyre." Shpërblimi i tyre është vetëm tek Allahu dhe tek askush tjetër. - Për ta nuk ka frikë - Ata nuk do të kenë frikë për rrugën ku do të kalojnë dhe për tmerret e Ditës së Kijametit që do të vijnë. - dhe as nuk do të brengosen." - Ata nuk do të trishtohen as për dynjanë dhe bukuritë e saj, që lënë pas. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Një fjalë e mirë dhe falja janë më të vlefshme se një lëmoshë që shoqërohet me fjalë fyese. - Kaulun mea'ruf është çdo fjalë e mirë, e ngrohtë dhe lutje e sinqertë për muslimanin. Megfiratun është falja e mbulimi i të metave të vëllait, si dhe largimi nga padrejtësia. Kështu, këto dy gjëra - thotë Allahu - "...janë më të vlefshme se një lëmoshë që shoqërohet me fjalë fyese." Pra, janë më të mira se sa një sadaka e cila pasohet me mundime dhe me të kujtuar. - Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Butë. - Allahu është Vetëmjaftueshëm, i Pasur, që nuk nevojë për krijesat e Tij. Ai është Halim, pra, nuk nxitohet të ndëshkojë gabimtarët. Ai është i butë e shumë i mëshirshëm. Allahu fal dhe toleron shumë. Kanë ardhur hadithe të shumta që ndalojnë nga përmendja me mburrje e sadakasë që jep. Kështu, në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Ebu Dherri, që transmeton se Profeti i Allahut (a.s) ka thënë: 413. “Janë tre persona, të cilëve Allahu i Lartësuar nuk do t’u flasë Ditën e Gjykimit, nuk do t’i shikojë, nuk do t’i pastrojë, nuk do t’i shpëtojë dhe që do të kenë një ndëshkim të dhembshëm: "Ai që i kujton me mburrje mirësitë që ka dhënë, ai që e zgjat rrobën nën nyjen e këmbës ndryshe nga ç'është veshja e muslimanit, dhe ai i cili e reklamon mallin e vet duke u betuar me gënjeshtra.” Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: - O ju që keni besuar! Mos i prishni lëmoshat tuaja me të përmendur dhe me fyerje, siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe dhe nuk beson në Allahun dhe as në Ditën e Fundit! - I Madhëruari thotë se sadakatë shkatërrohen dhe asgjësohen kur ua kujton dhe kur i përbuz ata të cilëve ua jep. Kështu, sevapi i fituar përmes sadakave nuk vlen përballë gabimit të përmendjes së tyre dhe mundimit që u sjell të tjerëve. Allahu i Madhëruar thotë, me kuptimin e fjalëve: “Mos i asgjësoni sadakatë tuaja me të përmendur dhe duke lënduar njerëzit, ashtu sikurse shkatërrohen dhe asgjësohen sadakatë e atij që i jep ato thjesht sa për sy e faqe të njerëzve, duke u shtirur se po kërkon kënaqësinë e Allahut, por në fakt qëllimi i tij është të fitojë lëvdatat e tyre apo diçka tjetër nga kjo botë. Ky lloj njeriu nuk e ndien e nuk e shikon fare që po shkatërron marrëdhëniet e tij me Allahun e Lartësuar. Ky lloj njeriu nuk synon që të kënaqë Allahun e Lartësuar, prandaj i Lartësuari thotë: "...nuk beson në Allahun dhe as në Ditën e Fundit.". Në vijim, Allahu i Lartësuar sjell një shembull për ata të cilët i shpenzojnë pasuritë e tyre thjesht për syfaqësi: - Ky ngjan me atë gurin e madh e të lëmuar, mbi të cilin ka pak dhé, por që kur e zë rrebeshi, e lë sërish të zhveshur. Ata nuk arrijnë asgjë nga ato gjëra që kanë bërë. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë një popull që rrefuzon besimin. - Safuan është një shkëmb a një gur i lëmuar dhe i rrumbullakosur. Allahu i Lartësuar thotë: "Ky ngjan me atë gurin e

madh e të lëmuar, mbi të cilin ka pak dhé, por që kur e zë rrebeshi, e lë sërish të zhveshur." Pra, si guri i rrumbullakosur dhe i lëmuar, mbi të cilin bie shi i furishëm. Ky shi ia heq dheun që ka mbi sipërfaqe. Të tilla janë veprat e atyre që i bëjnë ato për syfaqësi. Ato zhduken dhe nuk pranohen nga Allahu i Lartësuar. Edhe pse ata bëjnë punë që në sytë e njerëzve mund të duken të mira, ato janë si thjesht dheu që qëndron mbi gurin e lëmuar, pra, nuk janë si toka pjellore. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk arrijnë asgjë nga ato gjëra që kanë bërë. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë një popull që refuzon besimin.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:264

- “O ju që keni besuar! Mos i prishni lëmoshat tuaja me të përmendur dhe me fyerje...” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na ndalon nga shkatërrimi i sadakave, jo nga vetë sadakatë. Me mëshirën e Tij, Ai na tregon se shpërblimi i sadakasë shkatërrohet me të përmendur dhe me mburrje. Kjo është vërtet një këshillë e çmuar, që Allahu i Lartësuar na e dhuron nga butësia dhe mëshira e Tij. Ajeti tregon, gjithashtu, se veprat e këqija i fshijnë dhe i shkatërrojnë veprat e mira. Në suren Huxhuratë ajeti 2, Allahu i lartësuar na tregon për një nga veprat e këqia e cila i fshin punët e mira. Thotë Allahu i Lartësuar: "O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos iu drejtoni atij me zë të lartë, sikurse i drejtoheni njëri -tjetrit e kështu t’ju asgjësohen veprat tuaja pa e ndier!”. Pra, sikurse veprat e mira i fshijnë të këqijat, ashtu edhe veprat e këqija i shkatërrojnë dhe i zhvlerësojnë veprat e mira. Ky ajet dhe thënia tjetër e Allahut: “Mos i shkatërroni veprat tuaja…” na nxisin që t’i përsosim dhe t’i ruajmë veprat e mira nga çdo gjë që mund të shkatërrojë shpërblimin e tyre. Allahu i Lartësuar na nxit për një gjë të tillë, që veprat dhe mundi ynë të mos na shkojnë kot. - “...siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe dhe nuk beson në Allahun dhe as në Ditën e Fundit .” - Këtu Allahu na tregon se veprat tona, edhe pse fillimisht mund të nisin për hir të Tij, në momentin që shoqërohen me të përmendur dhe me mburrje, ato asgjësohen. Ato konsiderohen njëlloj si veprat që bëhen veçse për syfaqësi ndaj njerëzve. Njerëzit që veprojnë kështu nuk besojnë në Allahun dhe as në Ditën e Llogarisë, prandaj nuk do t’u pranohet asnjë lloj vepre dhe mundi që shpenzojnë. Veprat e tyre janë plotësisht të refuzuara, sepse dihet se asnjë vepër nuk pranohet nga Allahu i Lartësuar, derisa të plotësojë dy kushtet e njohura: të kryhet me sinqeritet për Allahun, duke shpresuar me të vetëm shpërblimin e Tij, dhe vepra të jetë në përputhje me mësimet dhe porositë e Allahut dhe Profetit të Tij. Kështu, veprat e hipokritit nuk janë për Allahun, por për veten e tij ose për famën ndër njerëz. Për këtë arsye, të gjitha veprat e tij janë të kota, nuk merren në konsideratë dhe kurrë nuk do të shpërblehen. Allahu i Lartësuar na sjell një shembull shumë të goditur për këta lloj njerëzish: - “Ky ngjan me atë gurin e madh e të lëmuar, mbi të cilin ka pak dhé, por që

kur e zë rrebeshi, e lë sërish të zhveshur.” - Këta njerëz dhe veprat e tyre i shëmbëllejnë një guri shumë të lëmuar dhe të mbuluar me dh é, i cili, kur goditet nga një shi i rrëmbyer, zhvishet tërësisht prej atij dheu. E tillë është gjendja e hipokritëve. Zemrat e tyre janë të ashpra e të forta, sikurse është guri. Ndërsa sadakatë dhe veprat e tyre të mira janë si pluhuri a dheu që zë guri i lëmuar përsipër. Kur i padituri e sheh gurin e mbuluar me dhé, mendon se ka të bëjë me një tokë pjellore. Por kur zbulohet e vërteta që fshihet nën të, atëherë çdokush e kupton se veprat e tij kanë qenë mashtruese. Zemra e tyre nuk është vendi i përshtatshëm për t’u mbjellë dhe për të dhënë fryte të dobishme. Syfaqësia dhe motivet e këqija nuk e lejojnë njeriun që të përfitojë nga ndonjë vepër e tij, prandaj i Madhëruari thotë: - “Ata nuk arrijnë asgjë nga ato gjëra që kanë bërë.” - Prej veprave që bëjnë dhe prej mundit që harxhojnë, ata nuk do të përfitojnë absolutisht asgjë, sepse ata ia përkushtojnë këto vepra e mund të shpenzuar atij që nuk i meriton. Ata i kryejnë veprat për të kënaqur krijesat, jo për të fituar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar. Ata mundohen të kënaqin atë që nuk ka në dorë as dëm, as dobi, dhe braktisin adhurimin e Atij që ka në dorë gjithçka. Pikërisht për këtë shpërfillje të tyre, Allahu i Lartësuar ua ka devijuar zemrat, që të mos e shohin më udhëzimin, siç thotë në vijim: - “Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.” – që e fshehin të vërtetën, e mohojnë dhe e rrefuzojnë atë pa të drejtë.

← Bekare 2:264