2. Bekare · Ajeti 267 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:261–2:274

Pasuria e dhënë sipas urdhërit të Zotit, shpërblehet shumëfish, e është krahasuar me shumëfishin e kokrrës, por ai nuk është kufi, ngase Zoti atë që e do e shpërblen pa masë të caktuar. Kjo ka ndikuar që ndër myslimanët e parë gjendja ekonomike të mos jetë shumë e dalluar dhe pasuria të mos jetë shumë e grumbulluar te disa njerëz. Vetëm pasuria e dhënë sinqerisht për hir të Allahut dhe jo e përcjellë me lavdërime e ofendime, shpërblehet shumëfish.

Sadakaja e dhënë në vendet e porositura dhe me qëllim të pastër, është pa ndërprerë e shpërblyer prej Zotit dhe i përngjan kopshtit që kurr nuk i ndërprenë frutat. Sadakaja që është dhënë sa për sy e faqe dhe jo me qëllim të sinqert, është e zhdukur, sikurse frutin e kopshtit që e shkatërron breshëri e zjarri. Shejtani i frikëson njerëzit se nëse japin sadaka, ose zeqatë do të varfërohen, do të fiken, andaj, i ata që e dëgjojnë atë, edhe nëse japin, e japin atë pjesë më të pavlefshme të pasurisë së tyre. Zoti i trimëron bujarët se do t'ua shtojë pasurinë e tyre dhe do t'i shpërblejë pa masë nëse e japin atë më të dashuren, më të dhimbshmen. Të japësh sadakanë haptas është mirë, por duhet ruajtur formalitetit, andaj ta japësh fshehurazi sinqeriteti është më i sigurt.

Nuk është obligim i Muhammedit që t'i shpie njerëzit në rrugë të drejtë, ajo është punë e Allahut, andaj ata që i udhëzoi Allahu nuk bëjnë koprraci dhe pasurinë e tyre e japin për ata që janë të angazhuar me punë në të mirë të rrugës së Zotit, në të mirë të fesë islame, e nuk kanë kohë të merren me punë për gjallërim.

Besimtarët e sinqert nuk ankohen asnjëherë për sakrificat e tyre, prandaj nuk kërkojnë as lëmoshë, edhe pse kanë nevojë për te, preokupim kryesor i tyre është rruga e Zotit, andaj të tillëve duhet ndihmuar.

Sadakaja është ajo që njeriu e jep nga vullneti i tij i mirë, e nuk është obligim, andaj është më mirë të jepet fshehtazi, e të mos kuptohet ndonjë mendjemadhësi ose krenari ndaj të tjerëve. E zeqati është obligim dhe si i tillë jepet publikisht për t'u përkujtuar edhe të tjerëve se obligimin duhet zbatuar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:267–2:269

- O ju që keni besuar! Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju! - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të japin nga mirësitë që Ai u ka dhënë. Ky është një urdhër për të shpenzuar për hir të Allahut. Ibn Abasi, duke shpjeguar ajetin, ka thënë: "...Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar!”, pra, nga më e mira e asaj që ju ka furnizuar Zoti, jepni nga pasuria që e fitoni me punë të ndershme. Ai ka thënë gjithashtu: "Ka urdhëruar për të shpenzuar nga pasuria më e mirë, më e zgjedhur dhe më e dashur për ne. Ai e ka ndaluar që për të dhënë sadaka të zgjidhet pasuria më e keqe dhe më e pavlefshme, që është e keqe dhe jo cilësore, sepse Allahu i Lartësuar është i mirë dhe pranon veçse të mirën." - Mos nxitoni të jepni më të pavlefshmen nga ajo, të cilën nuk do ta pranonit asnjëherë për veten tuaj, veçse po të ishit symbyllur! - Mos nxitoni të jepni më të pavlefshmen, mos synoni të jepni atë që nuk ka vlerë për ju, thjesht për ta hequr qafe. Allahu thotë: " ... të cilën nuk do ta pranonit asnjëherë për veten tuaj, veçse po të ishit symbyllur!" Pra, do ta pranonit veçse nëse do t’jua jepte dikush kur ju t’i kishit sytë mbyllur. Allahu i Lartësuar është më i pasur sesa ju, kur e refuzoni me përçmim këtë pasuri të pavlefshme që ju jepet. Mos ia jepni Allahut atë që edhe për veten tuaj e urreni. Ky ajet thuhet se ka zbritur dhe flet për një grup ensarësh, të cilët kur jepnin sadaka, jepnin prej hurmave jo cilësore që kishin. Kështu, kur ju kërkoni prej dikujt hakun tuaj, dhe ai jua sjell hakun tuaj me një cilësi më të ulët se ajo që ju e pretendoni, ju nuk e pranoni ta merrni atë që ai ju ofron. Atëherë, si kënaqeni që t’i jepni Zotit tuaj atë që edhe për veten tuaj nuk dëshironi ta pranoni?! Allahu i Lartësuar sikur na thotë: “E drejta Ime mbi ju është që të jepni nga pasuria më e mirë, më e zgjedhur dhe më e dashur që keni." Kështu e ka përcjellë Ibn Ebu Hatimi nga Ibn Abasi. Gjithashtu, Ibn Xheriri përcjell nga Ibn Abasi shtesën në shpjegimin e këtij ajeti: "...kjo i ngjan fjalës së Allahut: "Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë. Çfarëdo që të jepni, Allahu, pa dyshim e di." [Al Imran 92]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Dijeni se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar. - Edhe nëse ju urdhëron që të jepni sadaka më të mirën e pasurisë që zotëroni, Ai është i Vetëmjaftueshëm, i Pasur dhe Jonevojtar kundrejt sadakasë që ju jepni. Allahu i Lartësuar i jep këto urdhra që i pasuri të ndihmojë dhe solidarizohet me të varfërin. Kjo ngjan me ajetin: "Tek Allahu nuk mbërrin as mishi e as gjaku i tyre (i kurbaneve); është devotshmëria juaj që mbërrin tek Ai. Ai jua nënshtroi ato

(bagëtitë për kurban), që ta madhëroni Allahun, i Cili ju udhëzoi në Rrugën e Drejtë. Dhe përgëzoji besimtarët!" [Haxh 37]. Allahu i Lartësuar është El Ganij , domethënë, më i pasuri nga të gjitha krijesat e Tij, ndaj nuk ka nevojë për ta. Ndërsa të gjitha krijesat e Tij janë nevojtare për mirësinë dhe bujarinë e Allahut të Lartësuar. Allahu është i gjerë në mirësitë dhe bujarinë e Tij. Atij nuk i mbarohet kurrë pasuria dhe mirësitë. Për këtë arsye, çdokush që jep sadaka, çfarëdo lloj sadakaje, nga pasuria e fituar hallall dhe me pastërti, le ta dijë se Allahu i Lartësuar është i Pasur e Jonevojtar dhe, nga ana tjetër, është i gjerë në dhuratat dhe mirësitë që i jep me bujarinë e Tij. Ai është Bujar, Bamirës, prandaj do t’i shpërblejë ata dhe do t’ua shumëfishojë mirësitë dhe pasurinë, që ata e japin për hir të Tij. Kështu, kush jep një hua të mirë për hir të Allahut të Lartësuar, atij kurrë nuk ka për t’iu pakësuar pasuria, nuk do t’i bëhet padrejtësi dhe kurrë nuk do t’i humbasë pasuria. Allahu i Madhëruar është i Lavdëruari. Ai është i lavdëruar në të gjitha veprat dhe fjalët, në të gjitha ligjet dhe Sheriatin që ka përcaktuar për ne. Ai është i lavdëruar në kaderin e Tij, pra, në përcaktimin e gjithçkaje që ndodh në gjithësi. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, dhe nuk ka Zot, krijues dhe kujdestar që kujdeset më mirë për krijesat sesa Allahu i Lartësuar. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 415. “Me të vërtetë, shejtani ka ndikim tek biri i Ademit. Po kështu, edhe meleku ka ndikim tek ai. Për sa i përket ndikimit të shejtanit, kjo bëhet në formën e kërcënimit me të keqen dhe duke nxitur për të kundërshtuar të vërtetën. Ndërsa nxitja e melekut është premtimi për të mirë dhe nxitja për të besuar dhe pohuar bindshëm të vërtetën dhe të drejtën. Çdokush që gjen diçka të kësaj natyre, le ta dijë se është prej Allahut, ndaj të falënderojë Allahun. Ai që gjen tjetrën, le të kërkoj mbrojtje tek Allahu i Lartësuar nga sherri i shejtanit të mallkuar!” Dhe pastaj ai lexoi fjalën e Allahut, që thotë: “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, ndërsa Allahu ju garanton falje e begati." Kështu e ka sjelle Tirmidhiu dhe Nesai. Edhe Ibn Hibani e ka sjellë këtë hadith në Sahih-un e tij. Kuptimi i fjalës së Allahut: "Shejtani ju frikëson me varfëri” është që: ai ju frikëson me varfëri dhe ju nxit që të mos i shpenzoni mirësitë e Allahut që keni në duart tuaja. Shejtani nxit që të mos e shpenzoni pasurinë për të kënaqur Allahun e Lartësuar. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: "...dhe ju urdhëron për të këqija...". Ai ju urdhëron për mosbindje ndaj Allahut, për vepra të cilat ju ngarkojnë me gjynahe dhe për gjëra të ndaluara nga Allahu i Lartësuar. Ai ju urdhëron që të kundërshtoni Krijuesin e gjithësisë. - ndërsa Allahu ju garanton falje e begati. - Allahu ju garanton falje nga ana e Tij. Po ta vëresh me kujdes, “falja” është përmendur si antitezë e asaj çfarë urdhëron shejtani i mallkuar. Pra, shejtani urdhëron për poshtërsi, shfrenim e harame, kurse Allahu i Lartësuar ju premton falje gjynahesh. Ndërsa përkundër varfërisë, me të cilën të kërcënon shejtani i mallkuar, Allahu i Lartësuar premton begati. Kështu, frikësimin që ju sjell shejtani i mallkuar nga varfëria, vendoseni përballë mirësisë, bujarisë dhe begative që premton Allahu i Lartësuar. Gjithashtu, kujtoni gjithmonë që: - Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur. - Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Ai ia dhuron urtësinë atij që do. Dhe, pa dyshim, kujt i është dhënë urtësia, i është dhuruar mirësi e madhe. - El hikme është njohuria e thellë dhe dituria rreth Kur 'anit dhe çështjeve të rëndësishme të tij, siç janë njohja e ajeteve abroguese dhe të abroguara, njohja e ajeteve që janë të qarta ( muĥkeme), por edhe atyre që janë jo plotësisht të tilla dhe që duhen të shihen nën dritën e ajeteve të qarta. Gjithashtu, është njohuria rreth

çështjeve specifike, që kanë lidhje me njohurinë e tefsirit, siç mund të jenë vendosja në fjali e një fjale më përpara, ndërkohë që vendi i saj është më pas; njohuritë rreth hallallit dhe haramit; njohuria rreth shëmbujve të sjellë në këtë Kur'an, ku Allahu i Lartësuar shpjegon çështje të rëndësishme në mënyrën më të bukur dhe të kuptueshme , etj. Pra, të gjitha këto janë njohuri që i përfshin urtësia. Kështu ka thënë Ibn Abasi. Ndërsa Ibn Merdeuejhi sjell nga Ibn Mesudi një hadith merfu, që i atribuohet Profetit ﷺ , që thotë: 416. “Kulmi i urtësisë është frikërespekti dhe madhërimi i Allahut.” Muxhahidi ka thënë se, hikmeh është saktësia në fjalë, pra, të thuash gjithmonë fjalë të qëlluara, të drejta dhe të vërteta. Lejth Ibn Sulejmi shpegon se, hikmeh është të kuptuarit e thellë i diturisë dhe njohurive të Kur 'anit. Ndërsa Ebul Alije ka thënë që: hikmeh është frika dhe respekti për Allahun e Madhëruar. Po ashtu, kanë thënë se hikmeh është të kuptuarit i thellë i njohurive dhe diturive që na ka dhënë Zoti i Lartësuar. Disa kanë thënë që me fjalën hikme është për qëllim Suneti, pra, njohja e traditës së Profetit ﷺ . Kanë thënë gjithashtu se, hikmeh është aftësia e lartë dhe mprehtësia e të menduarit. Imam Maliku ka thënë se: hikmeh është thellimi dhe kuptimi i qartë i fesë dhe është një dhunti që Allahu i Lartësuar e fut brenda zemrave, nga mëshira e bujaria e Tij. Ndërsa Sediju ka thënë që hikmeh është profetësia. Megjithatë, mendimi më i saktë për kuptimin e fjalës hikmeh në këtë ajet është ai i shumicës së dijetarëve, pra, që nuk është vetëm profetësia, por edhe më i gjerë sesa aq. Sigurisht, një gradë shumë e lartë e urtësisë është profetësia. Nebij është gradë shumë e lartë e urtësisë, por më e lartë se ajo është risale, pra, grada e atyre profetëve që Allahu i Madhëruar u ka dhënë shpallje. Sigurisht që mes nebij dhe risale ka ndryshim.125 Gjithashtu, edhe pasuesit e denjë të profetëve kanë një pjesë të madhe të mirësisë që Allahu i Lartësuar u ka falur profetëve dhe të dërguarve të Tij, sikurse thuhet në disa hadithe. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Mesudi, i cili tregon që e dëgjuar Profetin e Allahut ﷺ të thotë: 417. “Zilia është e palejueshme, përveçse në dy raste: për një burrë, të cilit Allahu i Lartësuar i ka dhënë pasuri dhe ai e shfrytëzon atë në rrugën e të drejtës dhe të vërtetës; dhe për një burrë, të cilit Allahu i Lartësuar i ka dhënë urtësi, me të cilën ai gjykon mes njerëzve dhe ua mëson atë të tjerëve.” Kështu e kanë sjellë hadithin Buhariu dhe Muslimi, por edhe Nesaiu me Ibn Maxhen, me rrugë të shumta, të gjitha nga Ismail Ibn Ebu Halidi. - Por këtë mirësi e kuptojnë veçse të mençurit. - Pra, nga këto këshilla e përkujtime përfitojnë veç ata që kanë mençuri dhe logjikë të shëndetshme. Ata e kuptojnë mesazhin dhe kumtin e fjalëve të Allahut të Lartësuar dhe të këshillave të Tij. Ata arrijnë të kuptojnë mesazhin, të kuptojnë urtësinë e këtyre porosive dhe të përfitojnë realisht nga ato.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:267–2:268

- “O ju që keni besuar! Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju!” - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij, besimtarët e vërtetë, që të shpenzojnë për hir të Tij. Por Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar se si duhet të jenë këto shpenzime. Ata duhet të shpenzojnë pasurinë që është e mirë, e pastër dhe e dobishme. Pra, nga larmia e gjërave të mira, të këndshme e të dobishme që Zoti jua mundësoi t'i zotëroni, jepni një pjesë të tyre, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për Atë, por edhe në shenjë solidariteti dhe plotësimi të disa detyrimeve që keni kundrejt vëllezërve tuaj në nevojë ! Shpenzoni nga këto mirësi, që kjo të shërbejë si pastrim për pasuritë që zotëroni ! Mes mirësive që Zoti ju ka dhuruar dhe prej

të cilave kërkon që të shpenzoni, përzgjidhni gjithmonë atë që është e mirë dhe e këndshme, ashtu sikurse do të zgjidhnit për veten tuaj ! Më tej, i Madhëruari na ndalon nga e kundërta e asaj që u tha më lart: - “Mos nxitoni të jepni më të pavlefshmen nga ajo, të cilën nuk do ta pranonit asnjëherë për veten tuaj, veçse po të ishit symbyllur !” – Pra, kurrë mos synoni ta “hiqni qafe” detyrimin, duke dhënë pjesën më të keqe dhe më të pavlefshme të pasurisë tuaj ! Mos jepni atë pjesë të pasurisë që edhe vetë nuk do të pranonit ta merrnit ndryshe, veç symbyllurazi! - “Dijeni se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar !” - Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për asgjë prej jush. Ai nuk përfiton asgjë prej sadakave tuaja. Çdo vepër e juaja kthehet pikërisht tek ju. Ai është edhe i Lavdëruar, sepse të lavdëruara dhe madhështore janë të gjitha ato për të cilat ju urdhëron. Urdhrat e Tij janë të lavdërueshëm, virtytet në të cilat ju fton janë të larta e të drejta. Juve nuk ju takon të bëni gjë tjetër, përveçse t'i zbatoni urdhrat dhe porositë e Tij, sepse ato janë ushqim i domosdoshëm për zemrën tuaj dhe jetë e lumturi për shpirtin tuaj. Më pas, kujdes! Ruajuni që të mos ndiqni hapat e shejtanit, armikut tuaj: - “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija...” – Kuptimi: Shejtani ju fton që të mos i bindeni urdhrit të Zotit tuaj për të shpenzuar. Ai ju urdhëron për koprraci. Që t'ia arrijë qëllimit të tij, ai ju frikëson duke ju thënë që, nëse e shpenzoni pasurinë tuaj, ju do të varfëroheni dhe do të bëheni nevojtarë për vete. Porse këto nuk janë këshilla të një miku që të do të mirën. Përkundrazi, ato janë këshilla mashtruese. Ja cili është qëllimi i vërtetë i shejtanit, siç thotë i Lartësuari: “Ai i fton p asuesit e tij që të bëhen ban orë të Zjarrit të ndezur fort .”. Kurrsesi mos iu bindni atij që ka të tilla qëllime ogurzeza, por bindjuni Zotit tuaj, i Cili ju urdhëron që të shpenzoni aq sa të keni mundësi, pa u dëmtuar. Bëjeni këtë, sepse Allahu ju premton diçka më të mirë: - “...ndërsa Allahu ju garanton falje e begati.” – Pra, Allahu u premton falje gjynahesh atyre që shpenzojnë për hir të Tij. Ai premton edhe diçka tjetër, që quhet begati ( fađlen). Begatia nënkupton çdo mirësi që synon njeriu në jetën e dynjasë dhe ahiretit. Begatia është zëvendësimi i shpejtë i pasurisë që shpenzohet dhe shumëfishimi i saj. Begatia është qetësia shpirtërore, që të lumturon dhe gëzon. Begatia është mirësia që robi do të përjetojë kur të jetë vetëm në varr. Begatia është shpërblimi i premtuar për veprën e mirë, që do të jetë i shumëfishuar e që do të merret në një ditë shumë të vështirë e në çaste shumë të nevojshme, pikërisht Ditën e Gjykimit dhe të shpërblimit me drejtësi. Të gjitha këto nuk janë aspak shumë për Allahun e Lartësuar. Ato janë shumë të vogla e shumë të thjeshta për t'u përmbushur nga ana e Tij, sepse Ai thotë:

- “Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur.” – Pra, Allahu është Bujar i madh me mirësitë që dhuron. Ai është edhe i Gjithëditur. Ai i njeh me hollësi të gjitha shpenzimet që bëjnë njerëzit, të vogla qofshin apo të mëdha, të fshehta apo të hapura. Sigurisht, i Gjithëdi turi do të shpërblejë me mëshirë dhe me bujari për çdo gjë që shpenzohet dhe i përkushtohet Atij me sinqeritet. Le të shohë, pra, njeriu se cilës ftesë duhet t'i përgjigjet. Këto ajete flasin për çështje shumë të rëndësishme. Ato nxisin për të shpenzuar për hir të Allahut, ashtu sikurse na porosit Ai. Në to shpjegohet se çfarë e shtyn njeriun që të shpenzojë: besimi dhe shpërblimi i madh nga Allahu. Ato vërtetojnë se zekati i floririt, i argjendit dhe i mallrave tregtare është detyrim ligjor, që duhet të jepet. Ky gjykim përfitohet pikërisht nga fragmenti: “Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar...”. Zekati është detyrim ligjor edhe për prodhimet që nxirren nga toka, qofshin ato bimë, farëra, drithëra apo thesare e minerale, sepse Allahu thotë: ue mim -mã aħrexhnâ lekum- minel erđi / dhe nga ajo që e nxorrëm për ju prej tokës. Ky ajet tregon se zekati është detyrë të jepet nga ai që zotëron, bimësinë, drithërat apo siç quhet, "dobitë" e tokës, jo për pronarin e tokës. Sepse Allahu i Lartësuar thotë: “...dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju!”. Për ato pasuri që nuk përdoren për t'u kultivuar dhe për t'u shtuar, nuk është detyrë të jepet zekat, siç mund të jenë pasuritë e paluajtshme: toka, makina, shtëpia etj., ose edhe enët dhe mjetet e jetesës që njeriu i përdor dhe përfiton prej tyre. Të njëjtin gjykim ka edhe pasuria që njeriu nuk e ka në kontroll të tij, siç mund të jetë pasuria që ia kanë grabitur dhe nuk dihet se cili ia ka grabitur, ose një borxh i dhënë, që nuk e di se a do ta marrë mbrapsht apo jo. Pra, edhe për këtë lloj pasurie nuk kërkohet që të jepet zekat, sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë të detyrueshëm zekatin për atë pasuri që përdoret për t'u shtuar dhe kultivuar, siç janë prodhimet e tokës apo pasuria që shtohet nga mallrat e tregtisë. Ndërsa pasuritë që nuk e kanë këtë qëllim, nuk llogariten për zekat. Ajeti tregon se pasuria me cilësi të ulët nuk është e vlefshme për t'u dhënë si zekat. Thënë ndryshe, zekati i dhënë me të tillë mall është i pavlefshëm, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar...”.

← Bekare 2:267