2. Bekare · Ajeti 270 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:261–2:274
Pasuria e dhënë sipas urdhërit të Zotit, shpërblehet shumëfish, e është krahasuar me shumëfishin e kokrrës, por ai nuk është kufi, ngase Zoti atë që e do e shpërblen pa masë të caktuar. Kjo ka ndikuar që ndër myslimanët e parë gjendja ekonomike të mos jetë shumë e dalluar dhe pasuria të mos jetë shumë e grumbulluar te disa njerëz. Vetëm pasuria e dhënë sinqerisht për hir të Allahut dhe jo e përcjellë me lavdërime e ofendime, shpërblehet shumëfish.
Sadakaja e dhënë në vendet e porositura dhe me qëllim të pastër, është pa ndërprerë e shpërblyer prej Zotit dhe i përngjan kopshtit që kurr nuk i ndërprenë frutat. Sadakaja që është dhënë sa për sy e faqe dhe jo me qëllim të sinqert, është e zhdukur, sikurse frutin e kopshtit që e shkatërron breshëri e zjarri. Shejtani i frikëson njerëzit se nëse japin sadaka, ose zeqatë do të varfërohen, do të fiken, andaj, i ata që e dëgjojnë atë, edhe nëse japin, e japin atë pjesë më të pavlefshme të pasurisë së tyre. Zoti i trimëron bujarët se do t'ua shtojë pasurinë e tyre dhe do t'i shpërblejë pa masë nëse e japin atë më të dashuren, më të dhimbshmen. Të japësh sadakanë haptas është mirë, por duhet ruajtur formalitetit, andaj ta japësh fshehurazi sinqeriteti është më i sigurt.
Nuk është obligim i Muhammedit që t'i shpie njerëzit në rrugë të drejtë, ajo është punë e Allahut, andaj ata që i udhëzoi Allahu nuk bëjnë koprraci dhe pasurinë e tyre e japin për ata që janë të angazhuar me punë në të mirë të rrugës së Zotit, në të mirë të fesë islame, e nuk kanë kohë të merren me punë për gjallërim.
Besimtarët e sinqert nuk ankohen asnjëherë për sakrificat e tyre, prandaj nuk kërkojnë as lëmoshë, edhe pse kanë nevojë për te, preokupim kryesor i tyre është rruga e Zotit, andaj të tillëve duhet ndihmuar.
Sadakaja është ajo që njeriu e jep nga vullneti i tij i mirë, e nuk është obligim, andaj është më mirë të jepet fshehtazi, e të mos kuptohet ndonjë mendjemadhësi ose krenari ndaj të tjerëve. E zeqati është obligim dhe si i tillë jepet publikisht për t'u përkujtuar edhe të tjerëve se obligimin duhet zbatuar.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:270–2:271
- Çdo gjë që të shpenzoni nga pasuria dhe çdo betim (nedhër) që të bëni, të jeni të sigurt se Allahu i di të gjitha. - Allahu i Lartësuar na njofton se Ai është i gjithëditur për gjithçka të mirë që bëjnë njerëzit, qofshin sadaka që japin, apo adhurime të tjera, që ia përkushtojnë Atij dhe me të cilat përmirësojnë veten e tyre. Fakti që Allahu i Lartësuar i di të gjitha këto, na jep të kuptojmë se Ai ka për t’i shpërblyer me formën më të plotë të gjithë ata që i bëjnë këto vepra, duke synuar kënaqësinë e Tij
dhe duke shpresuar shpërblimin e premtuar nga Ai. Ndërsa nga ana tjetër, Ai kërcënon të gjithë ata që nuk punojnë në bindje ndaj Tij. Madje, ata i kundërshtojnë urdhëresat e Tij, i quajnë mashtrim lajmet e sjella prej Tij, dhe adhurojnë të tjerë përveç Allahut. - Për të padrejtët nuk ka ndihmëtarë. - Pra, në Ditën e Gjykimit, ata nuk do t’i ndihmojë kush që t’i shpëtojë nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Nëse i jepni sadakatë haptazi, kjo është mirë; por, nëse ua jepni të varfërve fshehurazi, kjo është edhe më mirë për ju, sepse kështu Ai (Allahu) jua fal gjynahet tuaja. - Edhe nëse i shfaqni sadakatë haptazi, përsëri konsiderohet vepër e mirë dhe aspak e keqe. Megjithatë, Allahu i Lartësuar thotë më pas: "Por nëse jua jepni të varfërve fshehurazi, kjo është edhe më e mirë për ju." Kështu, ky ajet është argument se fshehja e sadakasë është më e mirë sesa dhënia e saj në mënyrë të dukshme dhe haptas, pasi kur e jep fshehtas është më larg syfaqësisë dhe më afër sinqeritetit. Përjashtohet rasti kur është për qëllim nxitja e njerëzve për të dhënë sadaka, që edhe ata të kenë një shembull. Në një rast të tillë, dhënia e sadakasë haptas është më e mirë sesa fshehtas. Sigurisht, në parim sadakaja e fshehtë dhe në përgjithësi fshehja e veprave të mira është më e mirë. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ebu Hurejra, që flet për 7 kategori njerëzish, të cilët do të jenë nën hijen e Allahut, atë ditë kur nuk do të ketë hije tjetër veç hijes së Tij. Ndër të tjera, në të thuhet: 418. “.... dhe një burrë i cili jep sadaka fshehtas, aq sa e majta nuk e di se çfarë jep dora e djathtë.” Gjithashtu, Profeti ﷺ ka thënë: 419. “Ai që e lexon haptas Kur'anin është njëlloj si ai që jep sadaka haptas. Ndërsa ai që e lexon fshehtas Kur'anin është si ai që jep sadaka fshehtas.” Në fakt, ky ajet është i përgjithshëm dhe jep një mesazh gjithëpërfshirës, që na tregon se: fshehja e sadakasë është më e mirë, pavarësisht në është sadaka e detyrueshme, siç është zekati, apo e pëlqyeshme, si të gjitha sadakatë e tjera. Por në një hadith nga Ibn Xheriri, i cili sjell tefsirin e këtij ajeti nga Ibn Abasi, thuhet se Allahu i Lartësuar ka bërë që dhënia e sadakasë fshehtazi (këtu bëhet fjalë për sadakatë vullnetare) është 70 fish më e mirë sesa dhënia e asaj haptazi. Ndërsa dhënia e zekatit haptazi është 25 herë më e mirë sesa dhënia e tij fshehtazi. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: "Sepse kështu ai jua fal gjynahet tuaja.". Pra, dhënia e sadakasë për hir të Allahut dhe me sinqeritet për Të, dhe sidomos kur jepet fshehtazi, sjell mirësi të madhe dhe ngritje të gradës suaj. Gjithashtu, Ai do t’jua mbulojë dhe fshijë të këqijat dhe gabimet tuaja. Më pas, Allahu i Madhëruar thotë: - Allahu e di mirë atë që bëni ju. - Pra, Atij nuk i fshihet asgjë që ju veproni. Ky lajm na jep të kuptojmë se Ai do të na shpërblejë plotësisht, për gjithçka që bëjmë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:270
- “Çdo gjë që të shpenzoni nga pasuria dhe çdo betim (nedhër) që të bëni, të jeni të sigurt se Allahu i di të gjitha. ” - Këtu bëhet fjalë për shpenzimet që bëhen në rrugë të Zotit, të çfarëdo lloji qofshin ato: të detyrueshme apo të pëlqyeshme, të vogla apo të mëdha, ato për të cilat ka urdhëruar Allahu i Lartësuar apo ato të cilat vetë robi ia ka bërë të detyrueshme vetes së vet , siç janë betimet (nedhër). Pa dyshim që Allahu i Lartësuar i di të gjitha këto, sepse Atij nuk i fshihet asgjë. Ai di edhe qëllimet e çdo vepruesi. Nëse nxitësi i tyre është dëshira e sinqertë për të kënaqur Allahun e Madhëruar, atëherë Ai do të japë shpërblim të madh për to. Nga ana tjetër, nëse robi nuk e përmbush detyrimin për të shpenzuar, ose e përmbush atë, por duke pasur si synim vetëm kënaqësinë e krijesave, atëherë ai është treguar i padrejtë, zullumqar, sepse i vendos gjërat jo në vendin që u takon. Për këtë arsye, ai meriton ndëshkimin më të dhimbshëm: - “Për të padrejtët nuk ka ndihmëtarë.” – Pra, ata nuk do të marrin ndihmë prej asnjë krijese. Askush nuk do të mund t'i shpëtojë prej ndëshkimit dëshpërues dhe të hidhur.