2. Bekare · Ajeti 274 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:261–2:274
Pasuria e dhënë sipas urdhërit të Zotit, shpërblehet shumëfish, e është krahasuar me shumëfishin e kokrrës, por ai nuk është kufi, ngase Zoti atë që e do e shpërblen pa masë të caktuar. Kjo ka ndikuar që ndër myslimanët e parë gjendja ekonomike të mos jetë shumë e dalluar dhe pasuria të mos jetë shumë e grumbulluar te disa njerëz. Vetëm pasuria e dhënë sinqerisht për hir të Allahut dhe jo e përcjellë me lavdërime e ofendime, shpërblehet shumëfish.
Sadakaja e dhënë në vendet e porositura dhe me qëllim të pastër, është pa ndërprerë e shpërblyer prej Zotit dhe i përngjan kopshtit që kurr nuk i ndërprenë frutat. Sadakaja që është dhënë sa për sy e faqe dhe jo me qëllim të sinqert, është e zhdukur, sikurse frutin e kopshtit që e shkatërron breshëri e zjarri. Shejtani i frikëson njerëzit se nëse japin sadaka, ose zeqatë do të varfërohen, do të fiken, andaj, i ata që e dëgjojnë atë, edhe nëse japin, e japin atë pjesë më të pavlefshme të pasurisë së tyre. Zoti i trimëron bujarët se do t'ua shtojë pasurinë e tyre dhe do t'i shpërblejë pa masë nëse e japin atë më të dashuren, më të dhimbshmen. Të japësh sadakanë haptas është mirë, por duhet ruajtur formalitetit, andaj ta japësh fshehurazi sinqeriteti është më i sigurt.
Nuk është obligim i Muhammedit që t'i shpie njerëzit në rrugë të drejtë, ajo është punë e Allahut, andaj ata që i udhëzoi Allahu nuk bëjnë koprraci dhe pasurinë e tyre e japin për ata që janë të angazhuar me punë në të mirë të rrugës së Zotit, në të mirë të fesë islame, e nuk kanë kohë të merren me punë për gjallërim.
Besimtarët e sinqert nuk ankohen asnjëherë për sakrificat e tyre, prandaj nuk kërkojnë as lëmoshë, edhe pse kanë nevojë për te, preokupim kryesor i tyre është rruga e Zotit, andaj të tillëve duhet ndihmuar.
Sadakaja është ajo që njeriu e jep nga vullneti i tij i mirë, e nuk është obligim, andaj është më mirë të jepet fshehtazi, e të mos kuptohet ndonjë mendjemadhësi ose krenari ndaj të tjerëve. E zeqati është obligim dhe si i tillë jepet publikisht për t'u përkujtuar edhe të tjerëve se obligimin duhet zbatuar.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:272–2:274
Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre. - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ibn Abasi se: 420 “Në fillim, Profeti a.s. urdhëronte që sadakatë t'u jepeshin veçse muslimanëve, derisa zbriti ky ajet: "Nuk është detyrë e jotja udhëzimi i tyre." Atëherë, ai urdhëroi që t’i jepej sadaka çdokujt që kërkonte, i çfarëdo feje qoftë.” - Është Allahu që udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai do. Çfarëdo të mire që ta jepni, e keni për veten tuaj. - Kjo i ngjan fjalës së Allahu të Madhëruar kur thotë: "Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve ." [Fusilet 46]. Ajete të tilla janë të shumta në Kur'an. Në vijim, i Madhëruari thotë: - Por çdo gjë ta jepni veçse për hir të Allahut, sepse çdo të mirë që ju e jepni do t’ju kompensohet në mënyrë të plotë, pa ju cenuar aspak”. - Atâ el Hurasani ka shpjeguar: “Pra, nëse ti e jep sadakanë për hir të kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, atëherë mos ushqetëso aspak se çfarë bën ai që merr sadakanë.” Ky është një kuptim i përshtatshëm i ajetit, i cili mëson se, nëse e jep sadakanë për hir të Allahut të Lartësuar, e merr shpërblimin dhe nuk mban asnjë përgjegjësi nëse ai që e merr sadakanë është njeri i mirë apo i keq, e meriton apo nuk e meriton. Pra sadakadhënësi është i shpërblyer për qëllimin dhe veprën e mirë. Ky kuptim mbështetet edhe nga plotësimi i ajetit. Allahu i Madhëruar thotë: “... sepse çdo të mirë që ju e jepni do t’ju kompensohet në mënyrë të plotë, pa ju cenuar aspak”.” Po kështu, në hadithin e Ebu Hurejrës, të sjellë në dy Sahih-ët, thuhet: 421. “Profeti ﷺ tha njëherë: "Një burrë tha: “Sot do të jap sadaka.” Kështu, doli dhe ia dha sadakanë e tij një lavireje. Njerëzit të nesërmen filluan të flisnin (e ta qortonin) duke thënë: "Ai ia dha sadakanë një lavireje!" Kurse ai tha: “O Allah! Vetëm ty të takon lavdërimi për atë që ndodhi me atë grua! Sot do të jap sadaka përsëri!” Dhe ia dha sadakanë e tij një të pasuri. Njerëzit të nesërmen filluan të flisnin sërish: “Ai ia dha sadakanë një të pasuri!” Kurse ai tha: “O Allah! Vetëm ty të takon lavdërimi për çfarë ndodhi me këtë të pasur! Sot do të jap një sadaka përsëri!” Dhe ia dha sadakanë një hajduti. Njerëzit të nesërmen thanë: "Ai ia dha sadakanë një hajduti!" Kurse ai tha: “O Allah! Vetëm ty të takon lavdërimi për çfarë ndodhi me atë lavire, me të pasurin dhe hajdutin!” Atij iu tha: "Sadakaja jote u pranua! Sa për laviren, ndoshta prej sadakasë tënde, ajo do të lagohet nga imoraliteti. I pasuri mund të marrë mësim dhe pastaj të japë edhe ai nga pasuria që i ka dhënë Allahu. Ndërsa hajduti, ndoshta prej sadakasë tënde, heq dorë nga vjedhja.” - Ajo (sadakaja) u takon të varfërve, të cilët janë të angazhuar në rrugën e Allahut dhe nuk kanë mundësi të lëvizin nëpër tokë. - Këtu flitet për muhaxhirët, të cilët hoqën dorë nga çdo pasuri e tyre, për të emigruar për hir të Allahut dhe në ndihmë të fesë dhe Profetit të Tij. Për këtë arsye, ata nuk gjenin asnjë mundësi për të përmbushur nevojat e tyre jetike. Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu për ta: "...nuk kanë mundësi të lëvizin nëpër tokë." Pra, nuk kishin mundësi të bënin udhëtime për të siguruar jetesën e tyre.
- Ata nuk lypin, prandaj ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur. Ata njihen nga vetë pamja e tyre, ndonëse ata nuk kërkojnë me ngulm dhe nuk i bezdisin njerëzit. - Ai që nuk di gjë rreth gjendjes së tyre mendon se ata janë të pasur, sepse ata janë të përmbajtur dhe nuk duken të varfër nga veshja, nga gjendja dhe nga fjalët e tyre. Të njëjtin mesazh përcjell edhe hadithi nga Ebu Hurejra, i sjellë në dy Sahih-ët, se Profeti a.s. ka thënë: 422. "I varfër nuk është ai endacaku që e kthen me një hurmë ose dy hurma, apo me një kafshatë ose dy kafshata, apo me një vakt ose dy vakte ushqim. I varfër është ai që nuk ka pasuri të mjaftueshme për të qenë i pavarur, por që nuk bie në sy si i varfër, që të tjerët të mendojnë t'i japin sadaka. Ai nuk u kërkon njerëzve asgjë. ” Hadithin e sjell imam Ahmedi. Po imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdurahman Ibn Ebu Seid, ky nga i ati, që thotë: 423. “Më dërgoi nëna tek Profeti ﷺ ,që të lypja. Unë shkova tek ai dhe u ula. Ai u drejtua nga unë dhe më tha: “Ai që mjaftohet me pasurinë që ka, e bën Allahu që t’i mjaftojë ajo. Ai që nuk lyp, e bën Allahu që të mos ketë nevojë të lypë. Ai që vetëmjaftohet, e bën Allahu të vetëmjaftueshëm. Ai që lyp, ndërkohë që zotëron një ukije (ushqim) pasuri, e ka tepruar duke lypur me ngulm.” Thashë me vete: "Deveja ime jakute është më e shtrenjtë sesa një ukije (ushqim)." Atëherë, u ktheva mbrapsht dhe nuk i kërkova gjë.” - Çfarëdo të mire që ta jepni, s’ka dyshim se Allahu e di shumë mirë. - Atij nuk i fshihet asnjë vepër dhe ka për t’ju shpërblyer me më të plotin shpërblim në Ditën e Gjykimit. Pastaj i Lartësuari thotë: - Ata që e shpërndajnë pasurinë e vet natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka as frikë, as dëshpërim. - Ky është një lavdërim që Allahu u bën atyre që shpenzojnë pasurinë në rrugën e Tij dhe duke kërkuar kënaqësinë e Tij, në të gjitha kohët dhe gjendjet. Madje, edhe shpenzimet për familjen konsiderohen si vepra të mira, për të cilat vjen ky premtim e lëvdim nga Zoti i Madhëruar. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Mesudi 126 ‘(Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), se Profeti ﷺ ka thënë: 424. “Sa herë që muslimani shpenzon diçka për familjen e vet dhe llogarit e shpreson për këtë shpërblimin e Zotit, atij i shkruhet si sadaka.” Buhariu dhe Muslimi sjellin prej Shu'bes një tekst të ngjashëm me këtë hadith. Për këta të mirë, Allahu i Madhëruar thotë: " ... e kanë shpërblimin te Zoti i tyre." Pra, në Ditën e Kijametit, ata do të shpërblehen për veprat e tyre, për sadakatë dhe bamirësinë. Pastaj Ai thotë: "Për ta nuk ka as frikë, as dëshpërim." Kjo është shpjeguar edhe më parë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:274
- “Ata që e shpërndajnë pasurinë e vet natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi...” - Domethënë, ata që e shpenzojnë pasurinë e tyre në rrugën e Zotit, pra, për hir të Tij e jo për të përmbushur dëshirat e ndaluara apo të papëlqyeshme; ata që shpenzojnë natën dhe ditën, fshehtas apo haptas. - “...e kanë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka as frikë, as dëshpërim.” – Njerëz të tillë do të kenë një shpërblim shumë të madh nga Zoti i tyre Bujar. Kur ata që kanë kryer vepra të këqija do të jenë të mbushur me ankth e frikë për veprat e tyre, këta fatlumë do të jenë të çliruar nga çdo lloj frike. Atë ditë, ata që e kanë tepruar dhe i kanë shkelur kufijtë e Zotit duke neglizhuar dispozitat e Tij, do të dëshpërohen dhe do të trishtohen, ndërsa këta fatbardhë do të lumturohen, duke arritur çdo gjë që dëshirojnë. Këta do të gëzohen, sepse do të shpëtojnë nga çdo e keqe që i druheshin më parë. Kjo është gjendja e bamirësve, të cilët kujdesen për robërit nevojtarë të Zotit. Ata kujdesen për të plotësuar detyrimet e veta ndaj Zotit dhe detyrimet ndaj krijesave të Tij. Ndërsa më poshtë, Allahu i Lartësuar na jep një pasqyrim të palës tjetër, që janë të kundërtit e bamirësve. Ata janë të padrejtët vepërkëqij, të cilët jo vetëm që nuk përmbushin detyrimet e tyre ndaj Krijuesit, por shkelin plotësisht edhe të drejtat e krijesave të Zotit.