2. Bekare · Ajeti 274

سورة البقرة
Përkthimi Sherif Ahmeti
274

ٱلَّذِينَ يُنفِقُونَ أَمۡوَٰلَهُم بِٱلَّيۡلِ وَٱلنَّهَارِ سِرّٗا وَعَلَانِيَةٗ فَلَهُمۡ أَجۡرُهُمۡ عِندَ رَبِّهِمۡ وَلَا خَوۡفٌ عَلَيۡهِمۡ وَلَا هُمۡ يَحۡزَنُونَ

Ata, të cilët pasurinë e vet e shpërndajnë (në rrugë të Zotit) natën e ditën, fshehurazi ose haptazi, ata shpërblimin e vet e kanë te Zoti i tyre dhe për ta nuk ka as frikë as pikëllim.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Pasuria e dhënë sipas urdhrit të Zotit shpërblehet shumëfish, e është krahasuar me shumëfishin e kokrrës, por ai nuk është kufi, sepse Zoti atë që e do e shpërblen pa masë të caktuar. Kjo ka ndikuar që ndër muslimanët e parë gjendja ekonomike të mos jetë shumë e dalluar dhe pasuria të mos jetë shumë e grumbulluar te disa njerëz. Vetëm pasuria e dhënë sinqerisht për hir të Allahut dhe jo e përcjellë me lavdërime e ofendime, shpërblehet shumëfish. Sadakaja e dhënë në vendet e porositura dhe me qëllim të pastër është e shpërblyer pandërprerë prej Zotit dhe i përngjan kopshtit, që nuk i ndërpren kurrë frutat. Sadakaja që është dhënë sa për sy e faqe dhe jo me qëllim të sinqertë është e zhdukur, sikurse frutin e kopshtit që e shkatërron breshëri e zjarri. Shejtani i frikëson njerëzit, se nëse japin sadaka, ose zeqat do të varfërohen, do të fiken, prandaj ata që e dëgjojnë atë, edhe nëse japin, e japin atë pjesë më të pavlefshme të pasurisë së tyre. Zoti i trimëron bujarët, se do t’ua shtojë pasurinë e tyre dhe do t’i shpërblejë pa masë nëse e japin atë më të dashurën, më të dhimbshmen. Të japësh sadakanë haptas është mirë, por duhet ruajtur formalitetit, prandaj ta japësh fshehurazi sinqeriteti është më i sigurt. Nuk është obligim i Muhamedit a.s., që t’i shpierë njerëzit në rrugë të drejtë, ajo është punë e Allahut, prandaj ata që i udhëzoi Allahu nuk bëjnë koprraci dhe pasurinë e tyre e japin për ata që janë të angazhuar me punë në të mirë të rrugës së Zotit, në të mirë të Fesë Islame, e nuk kanë kohë të merren me punë për gjallërim. Besimtarët e sinqertë nuk ankohen asnjëherë për sakrificat e tyre, prandaj nuk kërkojnë as lëmoshë, edhe pse kanë nevojë për të; preokupim kryesor i tyre është rruga e Zotit, prandaj të tillëve duhet ndihmuar. Sadakaja është ajo që njeriu e jep nga vullneti i tij i mirë, e nuk është obligim, prandaj është më mirë të jepet fshehtazi, e të mos kuptohet ndonjë mendjemadhësi, ose krenari ndaj të tjerëve. E zeqati është obligim dhe si i tillë jepet publikisht për t’ua përkujtuar edhe të tjerëve, se obligimin duhet zbatuar.