2. Bekare · Ajeti 49 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:49–2:59

Faraoni me ithtarët e vet bënte shtypje të madhe kundër beni israilëve, ua mbyste meshkujt, I e femrat ua lënte të jetojnë. Thuhet se Faraoni kishte ëndërruar një zjarr që vinte prej Jerusalemit dhe e kishte përfshirë e djegë secilin kibtas, e beni israilët nuk i kapte. Falltorët ia interpretuan I ëndrrën se te beni israilët do të lind një djalë që do ta shkatërrojë Faraonin dhe sundimin e tij, andaj ai urdhëroi të mbyten djemtë e beni israilëve.

Zoti xh. sh. e ndau ujin e detit dhe beni israilët kaluan duke ecur nëpër fundin e tij, e kur hyri Faraoni me të vetët deti u mbyll dhe i mbyti. Pas shkatërrimit të Faraonit, Musai shkoi për ta pranuar Tevratin, për të cilin i kishte premtuar Zoti se do t'ia jepte pas dyzet ditëve. Sa ishte Musai në malin Tur ku do ta pranonte Tevratin, njëfarë Samirijj e kishte punuar një viç nga ari, e mashtroi popullin duke e bindur se atë duhet adhuruar dhe ata e adhuruan. Kur u kthye Musai me Tevrat u tha t'i mbysin fajtorët ose t'i mbysin epshet e veta. Mirëpo, ata shkuan edhe më larg, kërkuan ta shohin Zotin sheshazi, mirëpo, atëherë i dogji rrufeja.

Beni israilët qëndruan në një shkretëtirë si të humbur rreth katërdhjetë vjet, por edhe aty Zoti u ndihmoi, u sillte re t'u bënin hije, i furnizoi me ushqim pa farë mundi. Kur u erdhi puna të hyjnë në Kudus, në Jerusalem, u urdhëruan të hyjnë me përulje dhe duke kërkuar falje, e ata ndryshuan tjera fjalë dhe nuk respektuan urdhërin, andaj u ndëshkuan.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:49–2:50

- Kujtoni kur Ne ju shpëtuam prej njerëzve të Faraonit, të cilët ju torturonin (pa ndërprerë) me format më të këqija, ju thernin bijtë tuaj (meshkujt e porsalindur) dhe linin të gjalla bijat tuaja (vajzat e porsalindura). - Kujtoni, o bijtë e Izraelit, mirësinë Time mbi ju, kur ju shpëtova nga ushtritë e Faraonit. Unë ju shpëtova nga torturat e tyre, e ju udhëzova nën udhëheqjen e Musait (Salavatet e Allahut dhe selami i Tij qoftë me të). Ata ju torturonin me më të rëndat ndëshkime. Ky persekutim erdhi për shkak se Faraoni pa një ëndërr, që e frikësoi. Ai pa një zjarr që doli nga shtëpia e shenjtë në Palestinë, i cili hyri në të gjitha shtëpitë e koptëve në Egjipt, përveç shtëpive të bijve të Izraelit. Sipas përmbajtjes së kësaj ëndrre, rrënimi i pushtetit dhe mbretërimit të tij do të vinte nga dora e një burri prej bijve të Izraelit. Thuhet se mesazhi i ëndrrës u bë edhe më i frikshëm, pasi ai u këshillua me disa prej falltorëve të tij, të cilët i thanë se bijtë e Izraelit, në fakt, janë duke pritur daljen e një burri, nëpërmjet të cilit do të vijë lartësimi dhe forca e tyre. Kështu është thënë në të ashtuquajturin “hadithi i sprovës”, siç do të vijë i shtjelluar në suren Ta Ha, në dashtë Allahu i Madhëruar. Fjala “ jesumunekum” do të thotë: ju torturonin pandërprerë, në mënyrë sistematike. Më pas shpjegohet më hollësisht ky ndëshkim sistematik: “ju thernin bijtë tuaj (meshkujt e porsalindur) dhe linin të gjalla bijat tuaja (vajzat e porsalindura).”Ai ju kujtoi këtë persekutim, që ju të arrini të kuptoni më mirë mirësinë që Ai bëri ndaj jush, duke ju shpëtuar nga kjo torturë. Emri ‘Faraon’ ishte titull i sunduesve të Egjiptit të asaj kohe. Thuhet se ai ka qenë prej Amalikëve dhe quhej El Uelid Ibn Musab Ibn Rejjan ose Musab Ibn Rejjan. Mallkimi i Allahut qoftë mbi të, kushdo qoftë ai!59 - E gjithë kjo ishte një sprovë (e mirësi) e madhe nga Zoti juaj. - Shpëtimi juaj nga tmerret që përjetonit prej Faraonit e ushtrive të tij, ishte një mirësi e madhe nga Zoti juaj. Kështu e ka shpjeguar Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) e të tjerë, si Muxhahidi, Ebu Alije, Ebu Maliku, El Seddiu etj. Fjala e përdorur është “ belaun” (sprovë), që mund të bëhet nëpërmjet mirësive dhe nëpërmjet fatkeqësive e vuajtjeve, sikurse thotë Allahu i Lartësuar:

“Çdo njeri do ta shijojë vdekjen. Dhe Ne ju sprovojmë (në këtë botë) me të këqija e me të mira. Dhe të gjithë ju, te Ne do të ktheheni.” [Enbija 35]. “Ne i shpërndamë ata në Tokë grupe -grupe. Prej tyre ka të mirë, por ka edhe jo të tillë. Ne i sprovuam ata edhe me mirësi, edhe me fatkeqësi, që të kthenin rrugë.” [El ea’raf 168]. - Dhe kujtoni kur për ju, Ne e ndamë detin (duke hapur shtigje në të) e ju shpëtuam, ndërkohë që ju i patë ithtarët e Faraonit të mbyteshin. – Pasi Ne ju shpëtuam nga Faraoni dhe ju dolët së bashku me Musain ﷺ , Faraoni doli në ndjekjen tuaj me ushtritë e tij. Atëherë “Ne e ndamë detin (duke hapur shtigje në të)”, pra, i shpallëm Musait që t’i binte detit me shkopin e tij, dhe ai u nda; çdo pjesë e tij u bë si mal i madh. Pastaj Musai dhe populli i tij vazhduan udhëtimin mes këtyre rrugëve të hapura dhe pas tyre vërshuan Faraoni me gjithë ushtritë e tij. Kur Faraoni me ushtritë e tij hynë në këto shtigje, Allahu i mbyti të gjithë. Kjo ndodhi para syve të bijve të Izraelit. Allahu i Lartësuar thotë: “...ndërkohë që ju i patë ithtarët e Faraonit të mbyteshin.”. Kështu kanë thënë edhe shumë selefë. Është transmetuar se kjo ngjarje, pra, mbytja e Faraonit dhe shpëtimi i bijve të Izraelit ka ndodhur ditën e Ashurasë, domethënë, ditën e dhjetë të muajit Muharrem, sikurse përcjell Ahmed Ibn Hambeli nga Ibn Abbasi: 70 “Kur Profeti a.s. mbërriti në Medinë, vërejti se jehudët e agjëronin ditën e Ashurasë dhe pyeti: “Çfarë është kjo ditë që ju e agjëroni?” - “Kjo është një ditë e mirë. - i thanë. - Është dita kur Allahu i shpëtoi popullin e bijve të Izraelit dhe Musai e agjëroi atë ditë.” Atëherë, Profeti i Allahut tha: “Unë jam më parësor se ju në respektin (për traditën ) e Musait.” Profeti i Allahut e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi për agjërimin e saj.” 60

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:49–2:57

Tani fillojnë dhe përmenden më imtësisht mirësitë që Allahu i Lartësuar u dhuroi bijve të Israilit. Atëherë, i Lartësuari thotë: - “Kujtoni kur Ne ju shpëtuam prej popullit të Faraonit…” – Pra, nga Faraoni, bashkë me parinë dhe ushtrinë e tij, të cilët më përpara: - “…ju torturonin me format më të këqija” – Domethënë, me torturat më të rënda. Ata: “…, ju thernin bijtë tuaj (meshkujt e porsalindur) dhe linin të gjalla bijat tuaja (vajzat e porsalindura) .”. - Ata i thernin meshkujt, nga frika se mos bijtë e Israilit shumoheshin, ndërsa femrat i linin të gjalla. Kështu, bijtë e Israilit përdoreshin ose për punë të rënda, si skllevër, ose vriteshin. Ky ishte poshtërimi dhe ndëshkimi më i skajshëm. - “E gjithë kjo ishte një sprovë e madhe nga (e cila ju shpëtoi) Zoti juaj” - “E gjithë kjo”, pra, torturat prej Faraonit dhe shpëtimi prej Allahut të lartësuar, do t’ju bëjë të kuptoni më qartë urtësinë e Allahut në përcaktimin e sprovave dhe të shpëtimit prej tyre. - “Dhe kujtoni kur për ju, Ne e ndamë detin (duke hapur shtigje në të) e ju shpëtuam, ndërkohë që ju i patë ithtarët e Faraonit të mbyteshin. ” – Pra, Allahu i Lartësuar u bëri mirësi, duke i shpëtuar njëherë e mirë prej armikut të tyre dhe duke e mbytur ushtrinë e tij mu para syve të tyre, në mënyrë që ata ta shihnin vetë se çfarë ndihme iu dha Allahu i Lartësuar, dhe kështu të gjenin prehje dhe qetësi. Më pas, Allahu i Lartësuar u përmend atyre një mirësi tjetër, kur i premtoi Musait një periudhë dyzetnetëshe për t’ i shpallur atij Teuratin (ligjin e jetës), që përmbante ligje të vyera dhe shumë të dobishme: - “Dhe kujtoni kur Ne i premtuam Musait dyzet net (për t'i shpallur Teuratin)” - Por me gjithë këtë mirësi të pakrahasueshme, ata nuk duruan sa të plotësohej afati dhe, pas largimit të Musait, ata nisën të adhuronin një viç. I Madhëruari thotë: - “…dhe pas (largimit të) tij, ju adhuruat viçin (si Zot) dhe bëtë një padrejtësi të madhe.” – Kuptimi: Ju ishit të vetëdijshëm për padrejtësinë tuaj (pasi edhe Haruni iu foli dhe i këshilloi, por ata nuk iu bindën), duke mos patur asnjë lloj argumenti dhe justifikimi në këtë vepër të shëmtuar. Refuzimi i të vërtetës, pas njohjes mirë të saj, është krim shumë i shëmtuar. Megjithatë, Allahu i Lartësuar i urdhëroi të pendohen. Këtë urdhër ata e morën të qartë nga goja e Profetit të tyre (Musait): - “Dhe kujtoni kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im! Ju u treguat të padrejtë ndaj vetvetes me adhurimin e viçit (në vend të Zotit) . Pendohuni para Krijuesit tuaj …” - Mënyra e pendimit të tyre do të ishte duke vrarë njëri-tjetrin. 1 “…dhe vritni keqbërësit. Për Krijuesin tuaj, kjo është më e mira (zgjidhje) për ju. Ai jua pranoi pendimin tuaj. Është Ai, Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.” - Pasi të bënin këtë, Allahu i Lartësuar do t’ua falte atyre gabimin e adhurimit të viçit. Duke deklaruar faljen e tyre dhe qëllimin e saj, i Lavdëruari thotë: - “Megjithatë, edhe pas kësaj (padrejtësie të shëmtuar), jua falëm (gabimin), që ju të bëheni mirënjohës. ”. – Madje, p ërveç faljes: - “Dhe kujtoni kur Ne i dhamë Musait Furkan-in (Dalluesin e të vërtetës nga e gabuara), që ju të shihnit qartë udhëzimin dhe rrugën e drejtë.” – Por, në vend të mirënjohjes, erdhi paturpësia dhe padrejtësia e tyre ndaj Allahut të Lartësuar dhe Krenar dhe ndaj Profetit të Tij. Ata i kërkuan Musait, si kusht, që të shihnin Allahun e Lartësuar. - “Dhe kujtoni kur Ju thatë: “O Musa! Ne nuk kemi për të të besuar, derisa ta shohim Allahun haptazi.” ! Por, pas kësaj paturpësie: - “Menjëherë (pas kësaj) , ju përfshiu rrufeja dhe ju e patë. ” – Domethënë, ata i kapi rrufeja, që u shkaktoi vdekjen (ose gjendje kome), dhe ata e panë njëri tjetrin kur kjo ndodhi. Më pas, Allahu i Lartësuar i

ringjalli pas vdekjes, me qëllim që të bëheshin mirënjohës. - “Pastaj, pas vdekjes tuaj, ju ringjallëm, që të ishit mirënjohës”. - Kuptimi: Pas vdekjes suaj, Allahu ju ringjalli, që të falënderonit dhe të tregoheshit mirënjohës, me mënyrën që Ai jua ka treguar në Libër dhe Traditën Profetike. Pas gjithë këtyre, Allahu i Lartësuar u kujton edhe mirësitë e Tij gjatë bredhjes së tyre nëpër shkretëtirë, e cila nuk kishte asnjë vend me hije, ku ata mund të çlodheshin. Pikërisht në të tilla vende, erdhi mirësia dhe furnizimi i pamatë i Allahut të Lartësuar. Ai thotë: - “Ne i nënshtruam retë (gjatë udhëtimit tuaj në shkretëtirë), që t'ju bënin hije, dhe nga qielli ju furnizonim me menna dhe me shkurtëza”. - Menna është një emër që përfaqëson çdo mirësi dhe furnizim të këndshëm që përfitohet pa lodhje e pa mundim, si, për shembull, kërpudhat, tartufi (kem’ah), xhenxhefili etj. Ndërsa shkurtëza (selua) është një zog i vogël, që ka mish shumë të shijshëm. Ky lloj ushqimi u zbriste nga qielli dhe aq sa u mjaftonte për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme. - “Hani nga të mirat që ju kemi dhënë!" - Kuptimi: Hani prej mirësive me të cilat ju furnizuam! E çfarë furnizimi se? Furnizim që, edhe banorët e qyteteve dhe të pasurit nuk e kishin provuar ndonjëherë. Megjithatë, mirënjohja e tyre nuk po dukej. Madje, ata vazhduan të mos e ndryshonin ashpërsinë dhe ngurtësinë e zemrave të tyre, duke u zhytur thellë e më thellë në gjynahe dhe poshtërsi. Sidoqoftë, me këto vepra të ndyra, të cilat ishin totalisht në kundërshtim me urdhrat e Allahut, ata nuk mund t’i bënin padrejtësi apo të dëmtonin Allahun e Lartësuar. Ai nuk mund të dëmtohet nga mosbindja e krijesave të Tij, ashtu sikurse edhe bindja e tyre nuk i sjell Atij ndonjë dobi. Ai thotë: - “Por ata nuk na dëmtuan Ne. Ata dëmtuan veç vetveten” – Domethënë, dëmi i këtyre padrejtësive godet pikërisht ata, dhe aspak Allahun e Madhëruar.

← Bekare 2:49