2. Bekare · Ajeti 59 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:49–2:59

Faraoni me ithtarët e vet bënte shtypje të madhe kundër beni israilëve, ua mbyste meshkujt, I e femrat ua lënte të jetojnë. Thuhet se Faraoni kishte ëndërruar një zjarr që vinte prej Jerusalemit dhe e kishte përfshirë e djegë secilin kibtas, e beni israilët nuk i kapte. Falltorët ia interpretuan I ëndrrën se te beni israilët do të lind një djalë që do ta shkatërrojë Faraonin dhe sundimin e tij, andaj ai urdhëroi të mbyten djemtë e beni israilëve.

Zoti xh. sh. e ndau ujin e detit dhe beni israilët kaluan duke ecur nëpër fundin e tij, e kur hyri Faraoni me të vetët deti u mbyll dhe i mbyti. Pas shkatërrimit të Faraonit, Musai shkoi për ta pranuar Tevratin, për të cilin i kishte premtuar Zoti se do t'ia jepte pas dyzet ditëve. Sa ishte Musai në malin Tur ku do ta pranonte Tevratin, njëfarë Samirijj e kishte punuar një viç nga ari, e mashtroi popullin duke e bindur se atë duhet adhuruar dhe ata e adhuruan. Kur u kthye Musai me Tevrat u tha t'i mbysin fajtorët ose t'i mbysin epshet e veta. Mirëpo, ata shkuan edhe më larg, kërkuan ta shohin Zotin sheshazi, mirëpo, atëherë i dogji rrufeja.

Beni israilët qëndruan në një shkretëtirë si të humbur rreth katërdhjetë vjet, por edhe aty Zoti u ndihmoi, u sillte re t'u bënin hije, i furnizoi me ushqim pa farë mundi. Kur u erdhi puna të hyjnë në Kudus, në Jerusalem, u urdhëruan të hyjnë me përulje dhe duke kërkuar falje, e ata ndryshuan tjera fjalë dhe nuk respektuan urdhërin, andaj u ndëshkuan.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:58–2:59

Allahu i Lartësuar i qorton ata për braktisjen e xhihadit. Kur ata dolën nga Egjipti nën shoqërinë e Musait, Allahu i Lartësuar i urdhëroi të luftonin dhe të hynin në Tokën e Shenjtë, të cilën e kishin trashëguar nga ati i tyre i hershëm, Izraeli (Salavatet dhe selami i Zotit qoftë mbi të). Para se të hynin në atë vend të bekuar, ata duhet të luftonin me Amâlikët, që ishin mohues të Zotit, por ata i bënë bisht këtij urdhëri dhe treguan dobësi, prandaj Allahu i Lartësuar i dënoi për t’u endur në shkretëtirë për 40 vjet, si ndëshkim për ta. Mufesirët kanë dhënë mendime të ndryshme rreth emrit të vendit, ku u urdhëruan që të hynin me luftë. Disa thonë se ai ishte Riha, në Palestinë, e të tjerë thanë se ishte Misiri (Egjipti). Por mendimi më i saktë është se ishte Bejt el Makdes . Argument për këtë është ajeti që Allahu na tregon për Musain, kur thotë: “O populli im! Hyni në Tokën e Shenjtë, të cilën Allahu jua premtoi, dhe mos u sprapsni (nga lufta në rrugën e Zotit), sepse atëherë do të jeni të humbur!” [Maide 21]. Kështu ndodhi, dhe kur ata dolën nga shkretëtira dhe endja 40 vjeçare në të, nën udhëheqjen e Jusha Ibn Nun, Allahu e çliroi atë vend mbasditen e ditës së xhuma. Kur u çlirua, Allahu i urdhëroi: “Hyni te portat (e qytetit) të përulur...”, pra, hyni në portat e Bejt el Makdesit duke rënë në ruku, për të shprehur mirënjohje dhe falënderim për Allahun, që ju dhuroi fitoren dhe ju shpëtoi nga endja në shkretëtirë dhe humbja. Pastaj i Lartësuari i urdhëroi: “...dhe thoni: “Kërkojmë ndjesë (Hittatun)!” Domethënë, kërkojmë ndjesë e falje, o Zoti ynë, nga të gjitha gabimet tona! Na i fal dhe fshih gabimet tona. Por bijtë e Izraelit në vend që të hynin në portat e qytetit të përulur, në shenjë mirënjohjeje për Zotin e tyre, hynë duke tërhequr zvarrë të pasmet e tyre me tallje dhe, në vend që të thoshin “Hittatun”, u tallën përsëri dhe thanë: “ Hintatun”, që kishte kuptimin “kokërr elbi”. Abdurrezaku përcjell se Ebu Hurejra tregon që Profeti i Allahut ka thënë: 73 “Allahu u tha bijve të Izraelit: “Hyni te portat (e qytetit) të përulur dhe thoni: “Kërkojmë ndjesë (Hittatun).” Ne do t'jua falim gjynahet tuaja.” Por ata e shndërruan me tjetër fjalë dhe kur erdhën te porta, hynë duke tërhequr zvarrë të pasmet e tyre e duke thënë: “ Hintatun”. Ky është një hadith i

saktë, të cilin e kanë sjellë: Buhariu nga Is’hak Ibn Nasr, Muslimi nga Muhamed Ibn Rafi dhe Termidhiu nga Abdurrahman Ibn Humejdi. Të gjithë këta e kanë sjellë nga Abdurrezaku. Allahu i Lartësuar thotë: “Por ata që ishin të padrejtë, e ndryshuan atë (fjalë) që u kërkohej me një tjetër fjalë.” Pra, porosinë e Allahut, që urdhëronte për përulësi e nënshtrim të shprehur me fjalë dhe me vepra, e zëvendësuan me tallje. Ky është kulmi i refuzimit dhe kundërshtimit të urdhrit të Zotit. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar lëshoi zemërimin dhe dënimin e Tij, për shkak të kalimit të çdo kufiri nga ana e tyre: “Mbi ata që bënë padrejtësi, Ne lëshuam (rixhzen) ndëshkim nga qielli, për shkak të shkeljes së kufijve të Allahut.” Dahaku përcjell nga Ibn Abasi që: në çdo ajet ku përmendet “ rixhzu”, ai nënkupton dënime nga Zoti. Fjala “ rixhz” nënkupton gjithashtu kolerën e malarjen, sëmundjet shfarosëse, siç thotë Ibn Ebu Hatimi, i cili përcjell me sened të plotë deri tek Sad Ibn Malik, Usametu Ibn Zejd dhe Huzejmetu Ibn Thabiti, (r.a) të cilët tregojnë se Profeti i Allahut ka thënë: 74 . “Murtaja është rixhzun, pra, një ndëshkim, me të cilin Allahu goditi ata që ishin para jush.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:58–2:61

“Dhe kujtoni kur Ne ju thamë: “Hyni në këtë qytet dhe hani aty lirisht e ku të dëshironi!” - Edhe kjo q e një tjetër mirësi ndaj tyre, pas padrejtësisë dhe mosbindjes së tyre. Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata të hynin në një vend, që do të ishte atdheu i tyre, vendi i krenarisë, i prehjes dhe i qetësisë për ta, ku do të shijonin furnizimin dhe të mirat e dhuruara prej Tij. Ai i urdhëroi që të hynin në këtë vend, duke

shprehur nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar me rënien në sexhde në momentin e hyrjes dhe duke thënë me gojë: “Kërkojmë falje (Ĥiŧŧatun)!” - “Hyni te portat (e qytetit) të përulur dhe thoni: “Kërkojmë ndjesë (Hittatun).” Ne do t'jua falim gjynahet tuaja. ” - Me këtë përulje, të shprehur me vepër (me sexhde) dhe me fjalë, ata do të pastroheshin nga gjynahet e tyre të shumta. Kuptimi: Me kërkesën tuaj për t'jua fshirë gjynahet, Ne do t'jua fshijmë ato. Por jo vetëm kaq. Çdokush që bën vepra të mira, Allahu i Lartësuar do ta shpërblejë më shumë, si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën tjetër, siç thotë i Lartësuari: - “Ndërsa bamirësve do t’ua shtojmë (të mirat).” Megjithatë, jo të gjithë e pranuan këtë ofertë. Të padrejtët e shpërfillën atë, duke u tallur në mënyrë të pacipë: - “Por ata që ishin të padrejtë, e ndryshuan atë (fjalë) që u kërkohej me një tjetër fjalë. ” – Ata, në vend të shprehjes së urdhëruar: “Kërkojmë falje (Hiŧŧatun)!”, përdorën: “ Hinŧatu”, që do të thotë: “Kokër gruri”. Me këtë veprim, ata treguan shpërfillje dhe tallje ndaj ofertës për t’u pastruar nga gjynahet. Kur shpërfillja e tyre ishte kaq e madhe për një fjalë, që mund të thuhej lehtësisht, po për veprimin e sexhdes, që ishte edhe më i vështirë, si do të ishte përgjigjja e tyre?! Kështu ata, në vend që të binin në sexhde, hynë në atë vendbanim duke futur së pari të ndenjurat e tyre, të cilat i tërhiqnin zvarrë. Ndërsa të padrejtët nga mesi i tyre e zëvendësuan shprehjen që iu kërkua të thonin me një tjetër shprehje. Për shkak të kësaj padrejtësie dhe paturpësie të madhe, Allahu i Lartësuar zbriti për këta kriminelë një ndëshkim nga qielli. - “Mbi ata që bënë padrejtësi, Ne lëshuam ndëshkim nga qielli, për shkak të shkeljes së kufijve të Allahut. ” – Pra, Allahu i Lartësuar u zbriti ndëshkimin, për shkak të kalimit të kufijve në poshtërsi nga ana e tyre. Më pas, i Lavdëruari thotë: - “Kur Musai kërkoi ujë për popullin e tij”,- Domethënë, kërkoi ujë, që të pinin ata. - “Ne i thamë: “Godite shkëmbin me shkopin tënd!” - Ky mund të ketë qenë ndonjë shkëmb i veçantë, por mund të ketë qenë edhe shkëmb i çfarëdoshëm. - “Prej tij, gufuan dymbëdhjetë burime” - Edhe fiset e bijve të Israilit ishin dymbëdhjetë në numër. - “Secili grup (fis) e dinte vendin ku do të pinte ujë” - Çdo fis e dinte vendin ku duhet të pinte, dhe askush nuk e shqetësonte tjetrin. Ata pinin me qetësi, pa u ngutur dhe pa vuajtur. Pastaj Allahu i Lartësuar u thotë. - “Hani dhe pini nga begatitë e Allahut, dhe mos vazhdoni të jeni çrregullues në tokë” - Kuptimi: Hani dhe pini prej të mirave që ju dhuruam, pa u lodhur dhe pa punuar nga ana juaj. - “Dhe kujtoni kur ju thatë: “O Musa! …” - Kujtoni pra, kur ju i’u drejtuat Musait për t'i treguar se ishit mërzitur dhe velur nga mirësitë e Allahut, duke treguar një lloj shpërfilljeje dhe pakënaqësie për to. Kështu, ju i thatë atij:

“Ne nuk mund të durojmë vetëm një lloj ushqimi. Lute Zotin tënd për ne, që të na japë perime që rrit toka: tranguj, hudhra, thjerrëza dhe qepë! ” - Kuptimi: Nuk kemi për të duruar të njëjtin ushqim gjithmonë. Ato, në fakt, ishin shumë lloje, por përsëriteshin herë pas here. Kështu, ata filluan të numëronin disa lloje perimesh të gjelbra, si: tranguj, hudhra, thjerrëza dhe qepë. Atëherë, Musai u thotë: - “A po preferoni ato që nuk kanë vlerë kundrejt atij ushqimi që është më i mirë?!” – Kuptimi: A po kërkoni të konsumoni këto ushqime, në vend të asaj që është më e mirë, të cilën jua dhuronte Allahu i Lartësuar? Kjo vërtet është e çuditshme. - “Atëherë, zbrisni në çdo qytet, se atje, pa dyshim, do t’i gjeni ato që kërkoni! ” - Kuptimi: Në çdo qytet që të shkoni, keni për t'i gjetur ato ushqime që ju kërkoni, por ushqimi që ju falte Allahu i Lartësuar është më i miri dhe më i pëlqyeshmi. Atëherë, si mund ta kërkoni këtë shkëmbim?! Kjo kërkesë dhe veprat e tjera të kryera nga ata ishin argumente të qarta, që tregonin durimin e pakët të tyre, mospërfilljen e theksuar ndaj dispozitave të Allahut të Lartësuar dhe mosmirënjohjen e tyre ndaj mirësive të Tij. Në përfundim, Allahu i shpërbleu sipas sjelljes së tyre të poshtër. - “Mbi ta rëndoi poshtërimi dhe skamja. Ata e merituan zemërimin e Allahut” - Ata i kapi p oshtërimi, që ishte diçka e dukshme me sy, dhe, njëkohësisht, u hyri ‘varfëria’ në zemër. Shpirtrat e tyre nuk e provuan kurrë krenarinë dhe lartësinë. Ata kurrë nuk patën vullnet dhe ambicie të larta, sepse shpirtrat e tyre ishin të ulët, dhe të tilla ishin edhe synimet e tyre. Me kërkesat që parashtronin, ata nuk përfituan gjë tjetër, përveç zemërimit të Allahut të Lartësuar. Fitimi më i ndyrë ishte fitimi i tyre, dhe gjendja më e poshtër ishte gjendja e tyre. Ata e merituan këtë zemërim të Allahut, për shkak të mohimit të argumenteve dhe mospërfilljes të tyre, siç thotë i Madhëruari: - “Kjo, sepse ata i mohonin argumentet e Allahut…” – Domethënë, zemërimi i Allahut me ta erdhi si pasojë e mohimit nga ana e tyre të argumenteve që tregonin të vërtetën dhe që e qartësonin atë. Kur ata mohuan, atëherë ndëshkimi i meritueshëm ishte zemërimi i Allahut ndaj tyre. Një shkak tjetër për këtë zemërim ishte edhe vrasja e profetëve prej tyre. A ka padrejtësi më të madhe se kjo?! Thotë i Lartësuari: “…dhe i vrisnin profetët pa kurrfarë të drejte.” - Fjala e Allahut: “ pa kurrfarë të drejte”, tregon peshën e madhe të kësaj padrejtësie. Ndonëse dihet që vrasja e një Profeti nuk mund të jetë kurrë e drejtë, kjo fjalë është thënë me qëllim që askush të mos mendojë se ata e kanë bërë këtë vepër pa dije, apo nga paqartësia e tyre. Përkundrazi, ata e bënin këtë punë të shëmtuar me vetëdije të plotë dhe të bindur në atë që bënin. Kësisoj, të gjitha pasojat ishin rezultat i poshtërsive dhe i mosbindjes së tyre ndaj Allahut të Lartësuar, siç thotë Ai: - “...dhe për shkak të mosbindjes (ndaj Zotit) dhe të shfrenimit (të tyre) në shkeljen e kufijve (të Zotit) .” – Pra, e gjithë kjo ndodhi sepse ata ishin të pabindur. Ata ishin gjithmonë armiqësorë ndaj adhuruesve të Allahut të Lartësuar. Gjynahet dhe mosbindja shkaktojnë njëra - tjetrën dhe bëhen nxitje për njëra tjetrën. Hapi i parë drejt shkatërrimit është pakujdesia ose nënvleftësimi, i cili sjell së pari gjynahet e vogla, ndërsa të voglat sjellin më pas të mëdhatë. Pastaj, këto rrjedhojnë në larmi formash të bidatit, kufrit etj. E lusim Allahun të na ruajë nga çdo lloj belaje dhe sprove të tillë. Këto ajete u drejtoheshin judejve që ishin të pranishëm gjatë kohës kur shpallej Kur’âni. Këto vepra ishin pikërisht “bëmat” e të parëve të tyre, të cilat u përmendeshin për arsye të shumta, ndër të cilat: 1. Hebrenjtë shpesh lëvdonin veten, duke pretenduar se ishin pa të meta e, madje, më të mirë se Muhamedi (a.s.) dhe besimtarët që ndoqën rrugën e tij. Atëherë, nëpërmjet

Profetit (s.a.u.s.), Allahu i Lartësuar ua kujtoi se çfarë kishin bërë të parët tyre, që edhe ata vetë i pranonin, madje ishin të sigurt për to. Rrëfimet në Kur’ân ua bënin të qartë se të parët e tyre, me të cilët ata lëvdoheshin, nuk ishin aq të durueshëm dhe me morale të larta, por ishin njerëz pa vullnet dhe gjithmonë të thyeshëm përpara sprovave. E pra, nëse gjendja e të parëve të tyre, me të cilët ata lëvdoheshin, kishte qenë e tillë, atëherë si mund të ishte gjendja e brezit të kohës kur vinte Shpallja?! 2. Këto ngjarje u përmendeshin atyre për t'u rikujtuar mirësitë që Allahu i Lartësuar u pati dhënë të parëve të tyre. Normalisht, mirësitë ndaj paraardhësve konsiderohen si mirësi edhe ndaj pasardhësve. Kështu, përmendja e këtyre mirësive vlente si vërejtje edhe për çifutët e brezit aktual. 3. Fakti që Allahu i Lartësuar i drejtohej këtij brezi, me qëllim që të merrte mësim prej brezit të shkuar, tregon se pjesëtarët e një bashkësie fetare janë ndihmues dhe plotësues të njeri tjetrit. Përparimi i njërit sjell edhe përparimin e tjetrit, sikurse edhe prapambetja e njërit sjell domosdo prapambetjen e tjetrit. Veprat e mira të kryera nga njëri grup, sjellin përfitim dhe mirësi për të gjithë umetin, ashtu sikurse edhe veprat e këqija të njërit sjellin fatkeqësi dhe dënim për të gjithë të tjerët. Në rastin konkret, ata nuk hoqën dorë nga shumë vepra të këqija dhe nuk e qortonin njëri-tjetrin për t'u frenuar prej tyre. Rrjedhimisht, kush tregon miratim dhe kënaqet me një gjynah, është pjesëmarrës dhe bashkëpunëtor në atë gjynah. Megjithatë, përveç këtyre që përmendëm ne, ka edhe shumë arsye e urtësi të tjera.

← Bekare 2:59