2. Bekare · Ajeti 62 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:60–2:73

Uji që gufoi prej gurit që Musai i mëshoi me shkop, ishte një mrekulli për të, e dymbëdhjetë kroje ishin për dymbëdhjetë kabile të pasardhësve të Jakubit.

Beni israilët ishin mësuar në Egjipt me lloj-lloj ushqimesh, andaj kërkuan diçka ashtu edhe në shkretëtire, e Musai u tha të hyjnë në ndonjë qytet për të gjetur asi ushqimi.

Kudo që hynë beni israilët e poshtëruan dhe u nënçmuan, ngase Zoti i kishte mallkuar, sepse edhe pas të gjitha atyre të mirave që ua dha, ata kundërshtuan, e mbytën edhe pejgamberin. Të gjithë ata që besuan sinqerisht në kohën e Musait, në kohën e Isait edhe të tjerë, janë besimtarë të shpëtuar, nëse në kohën e Muhammedit e besuan edhe atë.

Beni israilët edhe librin e tyre, Tevratin e pranuan me dhunë dhe nuk respektan dispozitat e tij. Ditën e shtunë e kishin të ndaluar të gjuajnë peshq, por një pjesë e tyre e shkelën atë dispozitë dhe si masë ndëshkuese për ata dhe për të tjerët që do të vinë më vonë, Zoti fuqiplotë i shndërroi në majmunë. Njerëzit e devotshëm e dinë se urdhëri i Zotit duhet respektuar pa tjetër.

Ndër beni israilët, e në kohën e Musait, disa të afërt të një plaku pasanik ia kishin mbytur djalin plakut për ta trashëguar atë pasuri ata, e jo djali. Pasiqë dorasi nuk dihej dhe ishin shkaktuar konflikte rreth tij, kërkuan prej Musait ta gjejë dorasin. Ai, sipas urdhërit të Zotit u tha ta therrin një lopë dhe me një pjesë të saj t'i mëshojnë të vdekurit e ai do të ngjallet dhe do të tregojë se kush e ka mbytur. Mirëpo, ata, si zakonisht edhe këtë urdhër të Zotit e zvarritën, duke bërë pyetje pas pyetjeje dhe duke ia vështirësuar edhe më shumë punën vetes, sa që përveç mundimeve deri sa e gjetën një lopë të tillë, u detyruan ta paguajnë me një çmim të jashtëzakonshëm. E therrën lopën dhe me një pjesë të saj e prekën të vdekurin, e ai e tregoi dorasin. Këtu shihet fuqia e Zotit: me një pjesë të lopës së prerë i mëshohet një të vdekuri, e ai ngjallët. Po kjo fuqi e Zotit do t'i ringjallë të gjithë njerëzit.

Prej asaj kohe dorasi që e mbytë të afërmin, e humb të drejtën e trashëgimit. Kështu është edhe në sheriatin islam.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:62

Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na qartësoi gjendjen e mohuesve të besimit të vërtetë, munafikëve, jehudëve dhe gjithë atyre që kundërshtuan urdhrat e Tij dhe guxuan të bënin atë që Ai e ndaloi. Ai na tregoi se si i ndëshkoi ata. Në vijim, na tregon se Ai i shpërbleu me mirësi vepërmirët e popujve të shkuar, të cilët iu bindën Allahut, ashtu siç Ai urdhëroi. Ai i shpërbleu ata me mënyrën më të mirë dhe kështu do të vazhdojë deri në Ditën e Gjykimit. Çdokush që pason rrugën e Profetit Ummij, që nuk di shkrim e lexim, duke zbatuar porositë e urdhëresat e Zotit ashtu siç Ai ka urdhëruar e porositur, do të ketë lumturi të përjetshme. Të tillët nuk do të kenë asnjë frikë në lidhje me atë që i pret në të ardhmen në ahiret, dhe as do të brengosen për atë që lënë pas në dynja. - “Vërtet, ata që besojnë (Kur'anin)” - Këta janë umeti i Muhamedit. Ky umet u quajt besimtar, sepse imani i tyre është i fortë dhe siguria e tyre e paluhatshme, sepse ata i besojnë të gjithë profetët e shkuar dhe sepse besojnë edhe në fshehtësitë e së

ardhmes, që Zoti dhe Profeti kanë lajmëruar. - “...çifutët, të krishterët, sabi'inët...” - Bëhet fjalë për të gjithë ata që besuan profetët dhe shpalljet e tyre, duke mos ndryshuar dhe tjetërsuar besimin e tyre, derisa vdiqën në besimin e pastër. Ose bëhet fjalë për ata jehudë, të krishterë dhe sabi'inë, që e besuan Profetin e fundit, Muhamedin, siç ishte Abdullah Ibn Selami, Nexhashiu, Selman el Farisiu, që besuan Allahun dhe Shpalljen e Tij dhe bënë vepra të mira. Ibn Abasi, pasi lexoi ajetin: “Vërtet, ata që besojnë (në Kur 'anin), çifutët, të krishterët, sabi'inët...” - tha: “Pas kësaj, Allahu i Madhëruar zbriti ajetin: “E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe në botën tjetër ai do të jetë nga të humburit.” [Al Imran 85]. Mes këtyre dy mendimeve nuk ka kundërshti, sepse Ibn Abasi na tregoi se Allahu i Madhëruar, pasi dërgoi ndër njerëz Muhamedin, nuk pranon nga askush asnjë lloj feje e besimi, përveç asaj që është në përputhje me Sheriatin e Muhamedit ﷺ. Por, para se të vinte Muhamedi , çdokush që pasonte profetin e tij ishte në rrugë të drejtë dhe i shpëtuar. Për këta flet ajeti në vijim: - kushdo që besoi në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe bëri vepra të mira - do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre. - Jehudë u quajtën ata që pasuan Musanë ﷺ - Nesara (të krishterë) u quajtën ata që pasuan Isain ﷺ .Ndërsa për sabi’inët janë dhënë mendime të ndryshme. Mendimi më i pranueshëm është ai i Muxhahidit dhe Uehb Ibn Munebihit, që thotë se ata janë një popull që nuk i përkasin as fesë së jehudëve, as krishterëve, as mexhusëve (zjarrputistë) dhe as idhujtarëve. Ata janë njerëz që kanë mbetur në natyrshmërinë e tyre, që nuk kanë ndonjë fe që ta pasojnë e të jetojnë sipas saj. Prandaj edhe idhujtarët e Mekës, kur dikush pranonte Islamin, e fyenin duke thënë se ishte bërë sabi’in, pra, që ka braktisur të gjitha fetë e botës në atë kohë. Disa dijetarë kanë thënë se sabi’inë quhen ata njerëz që nuk u ka shkuar ftesa e ndonjë profeti. Por Allahu është më i ditur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:62–2:66

- “Vërtet, ata që besojnë (në Kur’anin) , çifutët, të krishterët, sabi'inët…” – Domethënë, gjykimi që do të vijojë vlen vetëm për ata të cilëve u është dhënë libër qiellor. Edhe sabi'iinët konsiderohen si

grupacionet e krishtera. Më tej, i Madhëruari tregon cilësitë e të shpëtuarve prej tyre: - kushdo që beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit dhe bën vepra të mira …” Kështu, i Madhëruari përshkruan me këto cilësi besimtarët e këtij umeti (muslimanët) dhe ata të umeteve të shkuara, që ishin çifutët, të krishterët dhe sabi'inët: 1. besojnë Allahun dhe botën tjetër: 2. bëjnë vepra të mira. Pikërisht këta do të fitojnë shpërblimin e madh që u ka përgatitur Allahu, si dhe prehjen dhe sigurinë e madhe pranë Tij: - “…do ta kenë shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë dhe as nuk do të brengosen” - Ata nuk do ta provojnë frikën dhe as do të brengosen. Ndërsa çdo pjesëtar i këtyre umeteve që ka mohuar Allahun, profetët dhe Ditën e Fundit, ai do të fitojë të kundërtën e atyre që u përmendën, pra: do të jetë i pushtuar nga frika dhe trishtimi. Është shumë e rëndësishme të kuptohet se ky është thjesht një njoftim rreth këtyre umeteve, i cili i referohet periudhës para dërgimit të Muhamedit (s.a.u.s.). (Sepse pas dërgimit të Muhamedit (s.a.u.s.), askush nuk ka për të shpëtuar nëse nuk e pranon dhe nuk e pason atë (a.s.), si profet të Allahut). Ky është një pasqyrim i gjendjes së tyre, me të dyja anët e monedhës, që bëhet për të larguar ndonjë keqkuptim që mund të lindë në shpirtrat e njerëzve, kur lexojnë ajetet e Kur’ânit. Allahu e di më së miri, por shkaku i këtij pasqyrimi vjen për të sqaruar se, jo të gjithë pjesëtarët e atyre popujve, – të parët e të cilëve u qortuan dhe mangësitë e shumta të të cilëve u trajtuan këtu, – hynin në një kategori. Pra, Allahu i Lartësuar deshi që t’i dallonte ata të cilët nuk përfshiheshin në kategorinë e përshkruar me cilësi dhe vepra të ulëta. Ndoshta, nga përmendja e sjelljeve të poshtra të brezave të parë të çifutëve, dikush mund të kuptonte gabimisht se cilësi të tilla mund të kishin vetëm çifutët. Për këtë arsye, i Madhëruari i përmend popujt në përgjithësi, duke treguar cilësitë e pjesëtarëve që do të shpërblehen dhe cilësitë e atyre që do të ndëshkohen, nga secili popull. E gjithë kjo, për të larguar çdo keqkuptim dhe për të qartësuar të vërtetën. I lavdëruar qoftë Ai, që brenda Librit të Tij ka sjellë gjëra që habisin mendjet e të gjithë botës! Më pas, i Madhëruari i rikthehet qortimit të bijve të Israilit për veprat e ulëta të të parëve të tyre. Ai thotë: - “Dhe kujtoni kur Ne morëm prej jush besën (për bindje e nënshtrim) …” – Kuptimi: Kujtoni kur Ne morëm premtimet tuaja të forta, që u bënë nga ju në momente kërcënimi, kur: - “…dhe ngritëm mbi ju Turi Sinain, ” - Domethënë: Kur mbi ju qëndronte mali Tur. Në këtë kohë, Allahu i Lartësuar ju drejtua juve dhe ju urdhëroi: - “Merreni seriozisht atë që ju dhamë (Teuratin) …” - Domethënë: Pranojini ligjet që ju zbritën me Teuratin. Pranojini ato me seriozitet dhe me përgjegjësi të madhe, duke treguar durim ndaj urdhrave të Allahut. Por jo vetëm kaq: - “…dhe kujtoni kumtet e tij, ... ” - Kuptimi: Kujtojeni vazhdimisht atë që ndodhet në librin tuaj, duke e lexuar vazhdimisht dhe duke mësuar prej tij. Nëse e bëni këtë, ka shpresë të madhe për ju që: - “…që të jeni të devotshëm” - Domethënë: Me shpresë që të shpëtoni, duke u ruajtur prej dënimit të Allahut dhe prej zemërimit të Tij. Ose: Me shpresë që të bëheni si ata që ruhen nga të këqijat, duke u stolisur me devotshmëri ( taķuâ). Por edhe pas marrjes së premtimit tuaj, në të tilla kushte të jashtëzakonshme: - “Por edhe pas asaj (besës), ju u kthyet shpinën udhëzimeve të Zotit. ” - Pra, pas atij premtimi që dhatë në një situatë të pashlyeshme nga kujtesa, ju përsëri kthyet shpinën. Atëherë, kjo e bëri më shumë se të meritueshme që mbi ju të binin ndëshkimet më të mëdha. Megjithatë: - “Po të mos ishte mirësia dhe mëshira e Allahut ndaj jush, do të ishit prej të humburve (në të dy jetët) . Thotë i Lartësuari:

- “Ju, tanimë, e dini mirë rastin e atyre nga mesi juaj, të cilët nuk e respektuan (urdhrin për) të shtunën. ”. – Pra, është shumë e njohur për ju çështja e atyre që u sprovuan ditën e shtunë. Këtë histori Allahu i Lartësuar e ka sjellë gjerësisht në suren El ea'raf, ajetet 163 – 168: “Pyeti ata për fshatin që gjendej në bregdet dhe që shkelte rregullin e të shtunës (sabathit)! Të shtunën, peshqit u vinin sheshazi mbi ujë, ndërsa ditët e tjera, që nuk e kishin të ndaluar punën, nuk u vinin. Kështu Ne i sprovonim, sepse ata i kalonin kufijtë. Kur disa prej tyre thanë “Përse e këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose do t’i japë një dënim të ashpër?”, këshilluesit thanë: “Për të kryer detyrën para Zotit tuaj dhe me shpresë që ata mund t'i frikësohen.”. Por kur ata i shpërfillën paralajmërimet që u qenë bërë, Ne i shpëtuam ata që ndalonin të këqijat; ndërsa ata që kundërshtuan, i ndëshkuam me një dënim të ashpër për shkak se ishin të shfrenuar. Kur ata ngulmuan me arrogancë të hapur në atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë atyre: "Bëhuni majmunë të përbuzur e të mohuar!". Zoti Yt shpalli qartas se, mbi ta do të vendosë deri Ditën e Kijametit, sundimin e dikujt, që ka për t'i ndëshkuar ata me mënyrën më të keqe. Zoti yt është, vërtet ndëshkues i shpejtë, por Ai është gjithashtu edhe Falës i Madh e Mëshirëplotë. Ne i shpërndamë ata në këtë Tokë grupe -grupe. Prej tyre ka të mirë, por ka edhe jo të tillë. Ne i vumë në provë ata edhe me mirësi edhe me fatkeqësi, që të kthenin rrugë.” Domethënë, ky gjynah i madh i tyre i bëri që ta meritojnë goditjen e ashpër të zemërimit të Allahut të Lartësuar, duke i shndërruar në majmunë (dhe në derra) të shëmtuar dhe të poshtëruar. - “Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përbuzur!"” - Këtë ndëshkim, Allahu i Lartësuar ua dha brezave të asaj kohe si dënim, dhe brezave të mëvonshëm si kujtim e paralajmërim . Po ashtu, në këtë mënyrë, ata nuk mund të kenë asnjë justifikim para Allahut të Lartësuar, në rast se shkelin të tilla urdhëra e ligje. Ai e la edhe si kërcënim për të tjerët, që njerëzit t'i largohen dhe t'i frikësohen seriozisht mosbindjes ndaj Tij. Allahu i sjell kërcënimet, edhe pse, në fund të fundit, ato mund të jenë kujtim i dobishëm veçse për të devotshmit, pasi të tjerët nuk përfitojnë aspak prej tyre. Kështu, i Lartësuari thotë: - “Kështu Ne e bëmë atë (shndërrim të tyre), për të marrë mësim ata dhe brezat pasardhës, por edhe si këshillë për të devotshmit.”

← Bekare 2:62