2. Bekare · Ajeti 67 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:60–2:73
Uji që gufoi prej gurit që Musai i mëshoi me shkop, ishte një mrekulli për të, e dymbëdhjetë kroje ishin për dymbëdhjetë kabile të pasardhësve të Jakubit.
Beni israilët ishin mësuar në Egjipt me lloj-lloj ushqimesh, andaj kërkuan diçka ashtu edhe në shkretëtire, e Musai u tha të hyjnë në ndonjë qytet për të gjetur asi ushqimi.
Kudo që hynë beni israilët e poshtëruan dhe u nënçmuan, ngase Zoti i kishte mallkuar, sepse edhe pas të gjitha atyre të mirave që ua dha, ata kundërshtuan, e mbytën edhe pejgamberin. Të gjithë ata që besuan sinqerisht në kohën e Musait, në kohën e Isait edhe të tjerë, janë besimtarë të shpëtuar, nëse në kohën e Muhammedit e besuan edhe atë.
Beni israilët edhe librin e tyre, Tevratin e pranuan me dhunë dhe nuk respektan dispozitat e tij. Ditën e shtunë e kishin të ndaluar të gjuajnë peshq, por një pjesë e tyre e shkelën atë dispozitë dhe si masë ndëshkuese për ata dhe për të tjerët që do të vinë më vonë, Zoti fuqiplotë i shndërroi në majmunë. Njerëzit e devotshëm e dinë se urdhëri i Zotit duhet respektuar pa tjetër.
Ndër beni israilët, e në kohën e Musait, disa të afërt të një plaku pasanik ia kishin mbytur djalin plakut për ta trashëguar atë pasuri ata, e jo djali. Pasiqë dorasi nuk dihej dhe ishin shkaktuar konflikte rreth tij, kërkuan prej Musait ta gjejë dorasin. Ai, sipas urdhërit të Zotit u tha ta therrin një lopë dhe me një pjesë të saj t'i mëshojnë të vdekurit e ai do të ngjallet dhe do të tregojë se kush e ka mbytur. Mirëpo, ata, si zakonisht edhe këtë urdhër të Zotit e zvarritën, duke bërë pyetje pas pyetjeje dhe duke ia vështirësuar edhe më shumë punën vetes, sa që përveç mundimeve deri sa e gjetën një lopë të tillë, u detyruan ta paguajnë me një çmim të jashtëzakonshëm. E therrën lopën dhe me një pjesë të saj e prekën të vdekurin, e ai e tregoi dorasin. Këtu shihet fuqia e Zotit: me një pjesë të lopës së prerë i mëshohet një të vdekuri, e ai ngjallët. Po kjo fuqi e Zotit do t'i ringjallë të gjithë njerëzit.
Prej asaj kohe dorasi që e mbytë të afërmin, e humb të drejtën e trashëgimit. Kështu është edhe në sheriatin islam.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:67–2:71
Ibn Ebu Hatimi sjell me senedin e tij të plotë të lidhur direkt me Muhamed Ibn Sirinin, rrëfimin nga Ubejdete Ibn Selmani: Një burrë nga bijtë e Izraelit ishte steril (nuk kishte fëmijë), por kishte shumë pasuri. Djali i vëllait të tij, që ishte trashëgimtari i tij i vetëm, e vrau atë dhe gjatë natës e vendosi trupin e pajetë tek porta e një burri tjetër. Kur agoi, ai e akuzoi atë tjetrin për vrasjen e xhaxhait të tij dhe situata u tensionua aq shumë, sa u hipën kuajve kundër njëri tjetrit. Njerëzit e urtë dhe të matur mes tyre thanë: ‘Përse të luftoni dhe vrisni njëri tjetrin?! Ja ku është Profeti i Allahut, Musai!’ Kur ia treguan ngjarjen, ai tha: “Allahu ju urdhëron që të therrni një lopë!” Gjithashtu tha: “Nëse nuk do ta koklavitnin situatën me pyetje, çdo lloj lope që ta bënin kurban, do t’u vlente dhe mjaftonte. Por ata ia shtrënguan vetes dhe Allahu ua shtrëngoi e rëndoi atyre. Pas shumë vështirësish, gjetën lopën që duhej tek një burrë, që nuk kishte lopë tjetër veç saj, prandaj tha: “Betohem në Allah. se nuk jua jap derisa të ma mbushni lëkurën e saj me flori!” Dhe kështu e morën duke dhënë si çmim lëkurën e saj plot me flori. Kështu e therën atë dhe e prekën të vrarin me njërën nga pjesët e saj. Atëherë. i vrari u ngrit dhe e pyetën: “Kush të vrau?” - “Ky!” - tha ai, dhe tregoi nga djali i të vëllait. Pastaj u shtri i vdekur. Në përfundim, vrasësit nuk iu dha asgjë nga pasuria që do përfitonte si trashëgimi, dhe pas tij, asnjë vrasës nuk do të përfitonte më nga trashëgimia e atij që vriste. Duket qartë se kjo është një histori e marë nga bijtë e Izraelit. Ajo është nga ato lloj historish të cilat lejohet të transmetohen, por as besohen dhe as mohohen për vërtetësinë e tyre. Ato zbatohen veçse në rastet kur në Sheriatin tonë ka diçka që e konfirmon. 65 Megjithatë, Allahu është më i ditur. - Dhe kujtoni kur Musai i tha popullit të vet: “Allahu ju urdhëron që të therni një lopë!” Ata thanë: “A po tallesh me ne?!” Ai tha: “Allahut i kërkoj të më ruajë, që të mos bëhem injorant!” - Allahu i Madhëruar u kujton bijve të Izraelit për mirësinë e Tij mbi ta, kur u solli shenja të jashtëzakonshme me lopën dhe njoftimin për vrasësin. Kur ata ia parashtuan Musait çështjen, ai tha:“Allahu ju urdhëron që të
therni një lopë!”. Por këta njerëz, që kurrë nuk i merrnin me seriozitet gjërat, thanë: “A po tallesh me ne?!” Musai tha: “Allahut i kërkoj të më ruajë, që të mos bëhem injorant!” Pra, kërkoj mbrojtje tek Allahu që të mos ulem në këtë lloj niveli e veprimi të ulët. Profetët nuk e bëjnë një gjë të tillë, sepse ajo është vepër tipike e injorantëve. Atëherë, kur vërejtën seriozitet në fjalët e Musait, ata thanë: - Ata thanë: “Kërkoi Zotit tënd në emrin tonë, të na qartësojë se si duhet të jetë ajo (lopa)!” - Allahu i Lartësuar thjesht i urdhëroi që të thernin një lopë, çfarëdo të ishte. Por ata janë një popull që gjithmonë e kanë tepruar me pyetjet drejtuar profetëve të tyre dhe me koklavitjen e çështjeve pa nevojë, prandaj dhe thanë: “Kërkoji Zotit tënd në emrin tonë, të na qartësojë se si duhet të jetë ajo (lopa)!” Atëherë, Musai u tha: - Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo nuk duhet të jetë as e vjetër, as e re, por mesatare. Tani, zbatojeni atë që u urdhëruat të bëni!” - As shumë e madhe në moshë dhe as shumë e vogël, që të mos ketë lindur viça. Pra, duhet të jetë një lopë në kulmin e forcës. Tani bindjuni urdhrit të Allahut! - Ata thanë: “Kërkoji Zotit tënd në emrin tonë, që të na sqarojë çfarë ngjyre duhet të ketë ajo!” Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë e verdhë. Ngjyra e saj duhet të jetë (e verdhë) e ndezur, që të kënaqë shikuesit”. - El Aufiju, në shpjegimin që sjell nga Ibn Abasi, thotë: “Ngjyra e saj duhet të jetë (e verdhë) e ndezur...” - Pra, një e verdhë e ndritshme, gati-gati e bardhë në dukje. Ndërsa fjala e Tij: “...që të kënaqë shikuesit”, domethënë: që t’i gëzojë dhe kënaqë ata që e shohin. - Ata thanë: “Kërkoji Zotit tënd në emrin tonë, që të na sqarojë çfarë lloji duhet të jetë ajo, se lopët të gjitha na duken njësoj, e ne, në dashtë Allahu, do ta gjejmë të vërtetën!” - Kjo tregon përsëri kokëfortësinë, inatin dhe komplikimin e çështjeve nga ana e tyre. - Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë që nuk është përdorur për punë, nuk është përdorur për të lëruar tokën, e as për të ujitur bimët. - Domethënë, që nuk është e lodhur nga punimi i tokës, që nuk është përdorur as për vaditje, por të jetë e ruajtur e plot përkujdesje për të. - Ajo duhet të jetë pa asnjë të metë - Një lopë e saktë dhe pa të meta. - dhe pa asnjë shenjë (ngjyrë) tjetër.” - Që nuk ka ngjyrë tjetër në të, përveç të verdhës. - Ata thanë: “Tani u sqaruam plotësisht". - Ky ishte një përshkrim i plotë i lopës që ndodhej tek ai burrë. - Kështu, ata e therën atë, por, desh e lanë pa e bërë këtë punë. Dahaku tregon komentin e Ibn Abasit: Ata gati e lanë pa bërë këtë punë. A thua nuk ishte kjo ajo që kërkohej prej tyre! Me gjithë ato sqarime, pyetje të shumta e përgjigje të detajuara, ata mezi e therën. Ky sigurisht, është një qortim i madh për ta dhe tregues se qëllimi e zakoni i tyre ishte vështirësimi i gjërave në mënyrë të vazhdueshme, Prandaj gati e lanë pa e kryer këtë urdhër të Zotit. Ndërsa Muhamed Ibn Keabi dhe Muhamed Ibn Kajsi, duke shpjeguar pjesën: “...por desh e lanë pa e bërë këtë punë...” kanë thënë: “Ata gati e lanë pa përmbushur këtë urdhër, për shkak të çmimit të lartë të lopës.” Por ky mendim duhet parë me kujdes, sepse lajmi për çmimin e lartë të saj është sjellë nga izraelijatet, sikurse e përmendëm në historinë e sjellë nga Ebu Alije dhe El Siddiju. Ibn Xhurejxhi tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 78 “Ata u urdhëruan të thernin çdo lloj lope, por ata ia vështirësuan vetes dhe Allahu ua vështirësoi dhe shtrëngoi atyre. Pasha Zotin! Nëse ata nuk do të reshtnin së pyeturi, ashtu do të vazhdonin deri në përjetësi.” Shitblerja e kafshëve me porosi (Bej’us-selem) Në Islam njihet një praktikë shitblerjeje, që quhet “Bej'us-selem”, domethënë, shitblerje me porosi. Sipas legjislacionit islam, shitblerje me porosi është çdo lloj akti, sipas të cilit malli porositet me cilësi të caktuara,
me pagesë në vendin e aktit, por malli dorëzohet më vonë, në një afat kohor të pranuar nga të dyja palët. Profeti a.s. ka thënë: "Kush parapaguan për një mall të vonuar, le të përcaktojë masën, peshën dhe kohën." Për sa i përket shitblerjes që quhet selem (shitblerja me porosi), ajo ka dy kushte që të konsiderohet e lejueshme: 1. Të shlyhet më vonë sipas një afat kohor, pra, jo në moment. 2. Ky afat duhet të jetë i përcaktuar dhe i qartë nga palët. Nuk lejohet që afati të jetë i papërcaktuar. A lejohet një praktikë e tillë shitblerjeje edhe në tregtimin e kafshëve? Pra a lejohet të porosisësh një kafshë me cilësi të caktuara dhe pagesën ta bësh në dorë, kurse mallin ta dorëzosh më pas? Shumica e dijetarëve janë të mendimit se është e mundur dhe e lejuar. Ky është medhhebi i imam Malikut, Euzaiut, Lejthit, Shafiiut, Ahmedit e shumicës së dijetarëve të hershëm e të mëvonshëm. Këta janë të mendimit se përshkrimi i kafshës është i mundur të bëhet dhe merret për bazë aq sa të bëjë të lejueshme shitblerjen me porosi. Ndërsa Ebu Hanife, Theuriju dhe dijetarët e Kufës janë të mendimit se kjo lloj praktike shitblerjeje me porosi nuk është e mundur të realizohet për shitblerjen e kafshëve, sepse cilësitë e tyre nuk janë strikte dhe përmbushja e tyre sipas kushtëzimit në aktin e shitblerjes është diçka e vështirë dhe jo e arritshme. I njëjti mendim përcillet edhe nga Ibn Mesudi, Hudhejfete Ibn Jeman, Adurrahman Ibn Semrate etj veç tyre. Pyetja që shtrohet është: A është e mundur përshkrimi i saktë i kafshës dhe ky përshkrim të mund të realizohet e përmbushet në aktin e shitblerjes? Nëse po, a ka argument nga Sheriati për një pohim të tillë? Sipas shumicës po, dhe argument pë r këtë është hadithi i Profetit në Dy Sahihët, ku Ibn Mesudi r.a. tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 79. "Gruaja nuk duhet të shikojë ose të prekë një grua tjetër për t'ia përshkruar atë burrit të vet, sikur ai të jetë duke e parë atë." Po kështu Profeti a.s. i ka përshkruar kafshët që duhet të jepen si kompesim për vrasjen pa dashje. Nëse përmbushja e atyre cilësive do të ishte e pamundur dhe jo e arritshme Profeti nuk do ti përshkruante dhe kushtëzonte plotësimin e cilësive tek kafshët që duhen dhënë si kompensim. Hadithet tregojnë se edhe përshkrimi merret për bazë dhe konsiderohet njësoj sikur ta ketë parë me sy. Edhe ky ajet na tregon se kushtëzimi i disa cilësive tek lopa që duhej therur ishte i mundur dhe i arritshëm. Pra përshkrimi i njerëzve e kafshëve nuk është i pamundur, por përkundrazi është i konsiderueshëm e merret për bazë. Kështu, shumë dijetarë e kanë marë këtë ajet si argument për lejueshmërinë e tregtisë së kafshëve me porosi (bej’ul selem), sepse përmbushja e cilësive të caktuara të kafshëve është diçka e mundur.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:67–2:74
- “Dhe kujtoni kur pasi vratë një njeri e u grindët në lidhje me krimin, Allahu e zbuloi atë që e mbanit të fshehtë! ”. – Kuptimi: Kujtoni atë që ndodhi mes jush dhe Musait (a.s.), gjatë kohës kur ju vratë dikë dhe filluat të grindeshit rreth çështjes së vrasësit të tij. Madje, gjendja u acarua aq shumë, saqë po të mos vinte zgjidhja e saj prej Allahut, juve do t’ju ndodhte një fatkeqësi e madhe. Kështu, për të zbuluar vrasësin, Musai (a.s.) u tha që, fillimisht, të thernin një lopë. - “Musai i tha popullit të vet: “Allahu ju urdhëron që të therni një lopë!” - Pas këtij urdhëri, për ta ishte e detyrueshme që, menjëherë dhe pa humbur kohë, ta zbatonin atë, pa as më të voglin kundërshtim. Por ata nuk dinin të bënin gjë tjetër, veç refuzimit dhe kundërshtimit të urdhrave: - “Ata thanë: “A po tallesh me ne?!”” - Atëherë, Profeti i Allahut tha: - Ai tha: “Allahut i kërkoj të më ruajë, që të mos bëhem injorant!” - Arsyeja: Sepse vetëm injorantët e të ulëtit flasin fjalë të padobishme. Janë pikërisht ata që tallen me njerëzit. Ndërsa të urtët e të mençurit e konsiderojnë talljen me të tjerët, që janë njëlloj si ata, si një nga mangësitë më të mëdha, që dëmtojnë dhe cenojnë fenë dhe mendjen e njeriut. Edhe nëse dikush mund të jetë i dalluar në shumë aspekte, kjo jo vetëm që nuk e shtyn të mençurin të tallet me të tjerët, por, përkundrazi, e nxit atë që të jetë më tepër mirënjohës ndaj Zotit dhe më tepër i mëshirshëm ndaj krijesave të Zotit. Kur Musai (a.s.) u tha atyre këto fjalë, ata e kuptuan tashmë që çështja ishte serioze, prandaj thanë: - “Lute Zotin tënd për ne, të na qartësojë se si duhet të jetë ajo?” – Pra, e pyetën për moshën e saj. Musai iu përgjigj: - “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë një lopë as e vjetër, as e re, por e mesme.” - Pra, as lopë plakë dhe as mëshqerrë, që nuk ka lindur viça, por mes këtyre dy ekstremeve. - “Zbatoni pra, atë që u urdhëruat të bëni!” – Pra, bindjuni urdhërit dhe lëreni mënjanë inatin dhe natyrën tuaj të kundërshtimit! Lëreni mënjanë koklavitjen e çështjeve! Por, me gjithë këtë këshillë: - “Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne, që të na sqarojë çfarë ngjyre duhet të ketë ajo?” - “Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë e verdhë. Ngjyra e saj duhet të jetë (e verdhë) e ndezur, që të kënaqë shikuesit”.”. Domethënë, t’i gëzojë dhe t'i kënaqë vështruesit e saj, prej bukurisë dhe pamjes që do të ketë. - “Ata thanë: “Kërkoi Zotit tënd në emrin tonë, që të na sqarojë çfarë lloji duhet të jetë ajo, se lopët të gjitha na duken njësoj, e ne, në dashtë Allahu, do ta gjejmë të vërtetën! ” - Ata, me natyrën e tyre për t’i ngatërruar gjërat, thanë që lopët u dukeshin të ngjashme, dhe për këtë arsye nuk po e gjenin dot atë që dëshironte Zoti. Por: - Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë që nuk është përdorur për punë, nuk është përdorur për të lëruar tokën, e as për të ujitur bimët. Ajo duhet të jetë pa asnjë të metë dhe pa asnjë shenjë (ngjyrë) tjetër.” - Domethënë, pa mangësi, e pa lodhur me punë dhe pa asnjë ngjyrë a njollë tjetër në të. Atëherë, pas gjithë kësaj koklavitjeje dhe teprimi me pyetjet e tyre të panevojshme, ata thanë: - “Tani u sqaruam plotësisht” – Kuptimi: Vetëm tani na sqarove plotësisht. Megjithatë, një reagim i tillë vinte prej paditurisë që ata kishin, pasi e vërteta u ishte bërë e qartë që në fillim. Nëse ata do
të kishin marrë çfarëdolloj lope, që në krye të herës, ajo do të ishte e pranueshme dhe e mjaftueshme për të plotësuar urdh rin e Allahut të Lartësuar. Por ata e koklavitën çështjen me pyetjet e tyre të shumta dhe të panevojshme. Për këtë arsye, merituan që edhe Allahu i Lartësuar t'ua vështirësonte dhe ngatërronte më tepër çështjen. Madje, nëse së fundmi, ata nuk do të thonin: “…në dashtë Allahu, do ta gjejmë të vërtetën”, ata përsëri nuk do të gjenin zgjidhje. - “Kështu, ata e therën atë, por, desh e lanë pa e bërë këtë punë. ”. – Domethënë, ata e therën lopën, me cilësitë e saj të kërkuara, por gati sa nuk mbetën pa rrugëzgjidhje, për shkak të asaj natyre gërnjare, që i karakterizonte. - “Dhe kujtoni kur pasi vratë një njeri e u grindët në lidhje me krimin, Allahu e zbuloi atë që e mbanit të fshehtë! ”. - Kështu, pasi e therën lopën e kërkuar, Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që, me një pjesë të saj, të preknin të vrarin, siç tregon i Madhëruari: - “Ju thamë: “Prekeni atë (të vrarin) me një pjesë të saj (të lopës së therur) "! Ja, kështu i ngjall Allahu të vdekurit ” – Kuptimi: Prekeni të vrarin me një gjymtyrë të lopës së therur, ose me çfarëdo pjese të trupit të saj. Kur ata e prekën të vdekurin me një pjesë të lopës, Allahu i Lartësuar e ringjalli të vdekurin. E pas kësaj, Allahu i Lartësuar ua nxori jashtë ato që mbanin fshehur, sepse vetë i ringjalluri kallëzoi se cilët kishin qenë vrasësit e tij. Pamja e ringjalljes me sy nga ana e tyre, ishte një mrekulli, që tregonte pushtetin dhe fuqinë absolute të Allahut për të ringjallur të vdekurit. - “dhe ju tregon Argumentet e Tij, në mënyrë që të kuptoni.” - Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua solli këtë argument, që ju të mendoni seriozisht dhe të largoheni nga çdo gjë që është në dëmin tuaj. “Megjithatë, edhe pas kësaj, zemrat tuaja u bënë si shkëmbi, …” - Kuptimi: Zemrat tuaja u forcuan dhe ashpërsuan më tepër, aq sa nuk u bënte më dobi asnjë qortim. Ato nuk ndikoheshin nga asnjë lloj përkujtimi. - “…edhe pas kësaj” – Domethënë, edhe pasi Allahu i Lartësuar ju nderoi me plot mirësi të mëdha, pasi ju paraqiti shumë argumente, shenja dhe mrekulli të qarta. Pra, pas gjithë këtyre, zemrat tuaja nuk duhej kurrsesi që të ngurtësoheshin, por të zbuteshin. Ato duhej të prekeshin thellë e t’i nënshtroheshin Allahut të Lartësuar. Më tej, Allahu i Lartësuar e përshkruan ashpërsinë e zemrave të tyre nëpërmjet disa krahasimeve. Ai thotë se ato: - “u bënë si shkëmbi ” – Pra, ato u bënë të forta si gurët e shkëmbinjtë, madje edhe më shumë se aq. Dhe të mendosh se guri është edhe më i fortë se vetë hekuri apo plumbi, sepse këto të fundit, kur i fut në zjarr, shkrihen dhe zbuten, ndërsa guri jo, nuk zbutet. - “madje edhe më të forta” - Pra, ngurtësia e tyre ua kalonte asaj të gurëve. Madje, gurët janë më të mirë se zemrat e tyre, siç thotë i Lartësuari: - “Ka shkëmbinj prej të cilëve burojnë lumenj. Ka prej tyre që kur çahen prej tyre del ujë. Madje ka prej atyre që, nga frika ndaj Zotit, vithisen tatëpjetë. ” – Pra, me të tilla cilësi, gurët janë më të mirë se ato zemra. Pas përshkrimit të zemrave të tyre, Allahu i Lartësuar u jep më të ashprin kërcënim: - “Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju. ”. – Kuptimi: Allahu është absolutisht i ditur rreth veprave tuaja. Ai i ka ruajtur dhe i ka shënuar të gjitha punët tuaja, të mëdhatë dhe të voglat, dhe, me siguri, ka për t'ju shpërblyer për to në mënyrën më të drejtë. Shumë interpretues të Kur’ânit i kanë mbushur librat e tyre me rrëfime e gojëdhëna hebraike (të ashtuquajtura israilijate), për të shpjeguar ajetet kur’ânore. Këtë metodë ata e mbështesin në fjalën e Profetit (s.a.u.s.), që thotë: “Tregojini rrëfimet e bijve të Israilit, se nuk ka problem.” Por, sipas meje, qëndrimi më i drejtë në këtë çështje është që përcjellja e historive të ardhura nga
hebrenjtë, edhe pse lejohet të kryhet si veprim, nuk do të thotë që ato mund të përdoren bashkë me argumentet tona, për të shpjeguar ajetet e Librit të Allahut, sepse asnjë e dhënë nuk lejohet të paraqitet si shpjeguese e Kur’ânit, nëse ajo nuk është e mbështetur dhe vërtetuar nga goja e Profetit (s.a.u.s.). Edhe në rastin më të mirë, kur rrëfimet e judejve dhe të të krishterëve nuk bien ndesh me fenë tonë, ne i konsiderojmë ashtu sikurse na ka mësuar Profeti (s.a.u.s.), kur thotë: “As mos i besoni ehlu kitab-ët dhe as mos i përgënjeshtroni ata!” Rrjedhimisht, nëse këto informacione janë të pasigurta e të dyshimta, atëherë ne duhet të jemi shumë të rezervuar në përdorimin e tyre, sidomos kur flitet për interpretimin e ajeteve të Kur’ânit. Në fenë Islame, dihet se është detyrë që ta besojmë Kur’ânin e shenjtë pa patur as më të voglin dyshim. Ne duhet të jemi plotësisht të sigurt për saktësinë e termave dhe fjalëve të tekstit të Kur’ânit, nga njëra anë, dhe të kuptimeve të tij, nga ana tjetër. Për këtë arsye, nuk duhet dhe nuk lejohet që ne t’i nxjerrim kuptimet e Kur’ânit duke u mbështetur në histori dhe rrëfenja, që janë të paqarta e të pasigurta në transmetimet e tyre. Aq më tepër që, në të shumtën e rasteve, të krijohet bindja se ato janë thjesht trillime dhe legjenda. Pra, të tilla informacione nuk mund të jenë kurrsesi shpjeguese të Librit më të sigurt në botë. Po ashtu, ato kurrë nuk mund të merren si të pranueshme dhe të sigurta, thjesht dhe vetëm se dikush i përdor si shpjeguese të ajeteve të Kur’ânit. Tefsiret u mbushën me të tilla rrëfenja pikërisht për shkak të pakujdesisë nga ana e atyre dijetarëve që e bënë këtë gjë. Allahu i Lartësuar i jep sukses dhe udhëzon atë që do në rrugën e drejtë dhe të saktë.