2. Bekare · Ajeti 73 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:60–2:73

Uji që gufoi prej gurit që Musai i mëshoi me shkop, ishte një mrekulli për të, e dymbëdhjetë kroje ishin për dymbëdhjetë kabile të pasardhësve të Jakubit.

Beni israilët ishin mësuar në Egjipt me lloj-lloj ushqimesh, andaj kërkuan diçka ashtu edhe në shkretëtire, e Musai u tha të hyjnë në ndonjë qytet për të gjetur asi ushqimi.

Kudo që hynë beni israilët e poshtëruan dhe u nënçmuan, ngase Zoti i kishte mallkuar, sepse edhe pas të gjitha atyre të mirave që ua dha, ata kundërshtuan, e mbytën edhe pejgamberin. Të gjithë ata që besuan sinqerisht në kohën e Musait, në kohën e Isait edhe të tjerë, janë besimtarë të shpëtuar, nëse në kohën e Muhammedit e besuan edhe atë.

Beni israilët edhe librin e tyre, Tevratin e pranuan me dhunë dhe nuk respektan dispozitat e tij. Ditën e shtunë e kishin të ndaluar të gjuajnë peshq, por një pjesë e tyre e shkelën atë dispozitë dhe si masë ndëshkuese për ata dhe për të tjerët që do të vinë më vonë, Zoti fuqiplotë i shndërroi në majmunë. Njerëzit e devotshëm e dinë se urdhëri i Zotit duhet respektuar pa tjetër.

Ndër beni israilët, e në kohën e Musait, disa të afërt të një plaku pasanik ia kishin mbytur djalin plakut për ta trashëguar atë pasuri ata, e jo djali. Pasiqë dorasi nuk dihej dhe ishin shkaktuar konflikte rreth tij, kërkuan prej Musait ta gjejë dorasin. Ai, sipas urdhërit të Zotit u tha ta therrin një lopë dhe me një pjesë të saj t'i mëshojnë të vdekurit e ai do të ngjallet dhe do të tregojë se kush e ka mbytur. Mirëpo, ata, si zakonisht edhe këtë urdhër të Zotit e zvarritën, duke bërë pyetje pas pyetjeje dhe duke ia vështirësuar edhe më shumë punën vetes, sa që përveç mundimeve deri sa e gjetën një lopë të tillë, u detyruan ta paguajnë me një çmim të jashtëzakonshëm. E therrën lopën dhe me një pjesë të saj e prekën të vdekurin, e ai e tregoi dorasin. Këtu shihet fuqia e Zotit: me një pjesë të lopës së prerë i mëshohet një të vdekuri, e ai ngjallët. Po kjo fuqi e Zotit do t'i ringjallë të gjithë njerëzit.

Prej asaj kohe dorasi që e mbytë të afërmin, e humb të drejtën e trashëgimit. Kështu është edhe në sheriatin islam.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:72–2:73

- Dhe kujtoni kur pasi vratë një njeri e u grindët në lidhje me krimin – El buhariju ka thënë: “Feddâra’tum fiha ”, domethënë, “ratë në kundërshti.” Po kështu ka thënë edhe Muxhahidi. Ndërsa Ibn Xhurejxhi shpjegon: “Njëra palë thoshte: “Ju e vratë”. Ndërsa pala tjetër thoshte: “Përkundrazi, e vratë ju!” Pra secila palë nuk e pranonte krimin për veten e vet. - Allahu do ta zbulojë atë që e mbani t të fshehtë. – Muxhahidi shpjegon: Zbuloi atë që e mbanit fshehtë, atë që e mbulonit. - Ju thamë: “Prekeni atë (të vrarin) me një pjesë të saj (të lopës së therur)"! - Pra, me çfarëdo pjese të lopës që të prekej i vdekuri, ai do të ngjallej. Sikur të kishte dobi fetare ose të dynjasë në përcaktimin e asaj pjese, do të na ishte thënë, por nuk kemi asnjë burim të sigurt për këtë, prandaj edhe ne po e lëmë ashtu siç e la Allahu, të papërcaktuar. - Ja, kështu i ngjall Allahu të vdekurit dhe ju tregon argumentet e Tij, në mënyrë që të kuptoni. - Ata e prekën të vdekurin me një pjesë nga lopa, dhe ai u rikthye në jetë. Kjo ishte një shenjë dhe mesazh i qartë nga Allahu, që tregon pushtetin e Tij të plotë për të ringjallur të vdekurit. Ata e panë me sytë e tyre se si Allahu e solli në jetë të vdekurin, pamje kjo që nuk lë asnjë dyshim për vërtetësinë e ringjalljes dhe Ditën e Premtuar. 66 Nga ana tjetër, kjo ishte edhe zbardhje e vrasjes që ishin duke gjykuar, duke sheshuar kështu çdo lloj grindjeje, urrejtjeje e armiqësie mes tyre. Allahu i lartësuar na tregon pushtetin e tij absolut për të ringjallur trupat edhe pasi të jenë bërë pluhur. Ebu Daud el Tajalisi përcjell nga Ebu Razin el Akili (Allahu qoftë i kënaqur me të), që tregon se e pyeti: “O i Dërguar i Allahut, si i ringjall Allahu të vdekurit?” Ai i tha: 80 “A ke kaluar në ndonjë luginë të shkretë e më pas e ke parë atë të gjelbëruar?” - “Po.” - “E tillë është edhe ringjallja” Ose tha: “Ja kështu i ringjall Allahu të vdekurit.” Për këtë dëshmon edhe fjala e Allahut kur thotë: "Argument për ata është toka e vdekur, kur Ne i japim jetë dhe bëhen drithërat nga të cilët ju hani." Ja Sin 33. Kjo histori është sjellë edhe si argument kundër medhhebit të imam Malikut, i cili e konsideron dëshminë e të plagosurit rëndë për vdekje: “Filani më vrau”, si një fakt jo të sigurt e të plotë, por - siç e quajnë - “leuth”, gjysëm fakti. Sipas tyre, kur i plagosuri u ringjall dhe u pyet se kush e vrau, ai tha: “Filani më vrau”, dhe kjo u pranua si dëshmi e vlefshme prej tij, sepse në një gjendje të tillë ai do të dëshmonte për të vërtetën dhe nuk do të gënjente. Ky është mendimi më i saktë, dhe për këtë tregon hadithi i Enesit, ku thuhet: 81 “Njëherë, një jehud vrau një vajzë, për disa stoli që ajo mbante, duke ia shtypur kokën mes dy gurëve. Ata e pyetën vajzën (kur ende nuk kishte vdekur) se kush e kishte bërë atë: a ishte filani, filani, filani? Derisa kur përmendën emrin e jehudit, ajo bëri me shenjë që ‘po’. Atëherë, e morën jehudin në pyetje dhe vazhduan ta pyesnin, derisa e pranoi krimin. Në këtë rast, Profeti urdhëroi që vrasësit t’ia shtypnin kokën mes dy gurëve.” Ndërsa në medhhebin e imam Malikut, kur kemi të bëjmë me një “gjysmë dëshmie”, nëse familja e vrasësit betohet për pafajësinë e tij, akuza bie. Por ky mendim kundërshton qëndrimin e shumicës së dijetarëve të tjerë, të cilët nuk e konsiderojnë dëshminë e viktimës në të tilla situata si “gjysmë dëshmie”, por e konsiderojnë si një dëshmi të plotë dhe të pranueshme.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:67–2:74

- “Dhe kujtoni kur pasi vratë një njeri e u grindët në lidhje me krimin, Allahu e zbuloi atë që e mbanit të fshehtë! ”. – Kuptimi: Kujtoni atë që ndodhi mes jush dhe Musait (a.s.), gjatë kohës kur ju vratë dikë dhe filluat të grindeshit rreth çështjes së vrasësit të tij. Madje, gjendja u acarua aq shumë, saqë po të mos vinte zgjidhja e saj prej Allahut, juve do t’ju ndodhte një fatkeqësi e madhe. Kështu, për të zbuluar vrasësin, Musai (a.s.) u tha që, fillimisht, të thernin një lopë. - “Musai i tha popullit të vet: “Allahu ju urdhëron që të therni një lopë!” - Pas këtij urdhëri, për ta ishte e detyrueshme që, menjëherë dhe pa humbur kohë, ta zbatonin atë, pa as më të voglin kundërshtim. Por ata nuk dinin të bënin gjë tjetër, veç refuzimit dhe kundërshtimit të urdhrave: - “Ata thanë: “A po tallesh me ne?!”” - Atëherë, Profeti i Allahut tha: - Ai tha: “Allahut i kërkoj të më ruajë, që të mos bëhem injorant!” - Arsyeja: Sepse vetëm injorantët e të ulëtit flasin fjalë të padobishme. Janë pikërisht ata që tallen me njerëzit. Ndërsa të urtët e të mençurit e konsiderojnë talljen me të tjerët, që janë njëlloj si ata, si një nga mangësitë më të mëdha, që dëmtojnë dhe cenojnë fenë dhe mendjen e njeriut. Edhe nëse dikush mund të jetë i dalluar në shumë aspekte, kjo jo vetëm që nuk e shtyn të mençurin të tallet me të tjerët, por, përkundrazi, e nxit atë që të jetë më tepër mirënjohës ndaj Zotit dhe më tepër i mëshirshëm ndaj krijesave të Zotit. Kur Musai (a.s.) u tha atyre këto fjalë, ata e kuptuan tashmë që çështja ishte serioze, prandaj thanë: - “Lute Zotin tënd për ne, të na qartësojë se si duhet të jetë ajo?” – Pra, e pyetën për moshën e saj. Musai iu përgjigj: - “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë një lopë as e vjetër, as e re, por e mesme.” - Pra, as lopë plakë dhe as mëshqerrë, që nuk ka lindur viça, por mes këtyre dy ekstremeve. - “Zbatoni pra, atë që u urdhëruat të bëni!” – Pra, bindjuni urdhërit dhe lëreni mënjanë inatin dhe natyrën tuaj të kundërshtimit! Lëreni mënjanë koklavitjen e çështjeve! Por, me gjithë këtë këshillë: - “Ata thanë: “Lute Zotin tënd për ne, që të na sqarojë çfarë ngjyre duhet të ketë ajo?” - “Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë e verdhë. Ngjyra e saj duhet të jetë (e verdhë) e ndezur, që të kënaqë shikuesit”.”. Domethënë, t’i gëzojë dhe t'i kënaqë vështruesit e saj, prej bukurisë dhe pamjes që do të ketë. - “Ata thanë: “Kërkoi Zotit tënd në emrin tonë, që të na sqarojë çfarë lloji duhet të jetë ajo, se lopët të gjitha na duken njësoj, e ne, në dashtë Allahu, do ta gjejmë të vërtetën! ” - Ata, me natyrën e tyre për t’i ngatërruar gjërat, thanë që lopët u dukeshin të ngjashme, dhe për këtë arsye nuk po e gjenin dot atë që dëshironte Zoti. Por: - Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë që nuk është përdorur për punë, nuk është përdorur për të lëruar tokën, e as për të ujitur bimët. Ajo duhet të jetë pa asnjë të metë dhe pa asnjë shenjë (ngjyrë) tjetër.” - Domethënë, pa mangësi, e pa lodhur me punë dhe pa asnjë ngjyrë a njollë tjetër në të. Atëherë, pas gjithë kësaj koklavitjeje dhe teprimi me pyetjet e tyre të panevojshme, ata thanë: - “Tani u sqaruam plotësisht” – Kuptimi: Vetëm tani na sqarove plotësisht. Megjithatë, një reagim i tillë vinte prej paditurisë që ata kishin, pasi e vërteta u ishte bërë e qartë që në fillim. Nëse ata do

të kishin marrë çfarëdolloj lope, që në krye të herës, ajo do të ishte e pranueshme dhe e mjaftueshme për të plotësuar urdh rin e Allahut të Lartësuar. Por ata e koklavitën çështjen me pyetjet e tyre të shumta dhe të panevojshme. Për këtë arsye, merituan që edhe Allahu i Lartësuar t'ua vështirësonte dhe ngatërronte më tepër çështjen. Madje, nëse së fundmi, ata nuk do të thonin: “…në dashtë Allahu, do ta gjejmë të vërtetën”, ata përsëri nuk do të gjenin zgjidhje. - “Kështu, ata e therën atë, por, desh e lanë pa e bërë këtë punë. ”. – Domethënë, ata e therën lopën, me cilësitë e saj të kërkuara, por gati sa nuk mbetën pa rrugëzgjidhje, për shkak të asaj natyre gërnjare, që i karakterizonte. - “Dhe kujtoni kur pasi vratë një njeri e u grindët në lidhje me krimin, Allahu e zbuloi atë që e mbanit të fshehtë! ”. - Kështu, pasi e therën lopën e kërkuar, Allahu i Lartësuar i urdhëroi ata që, me një pjesë të saj, të preknin të vrarin, siç tregon i Madhëruari: - “Ju thamë: “Prekeni atë (të vrarin) me një pjesë të saj (të lopës së therur) "! Ja, kështu i ngjall Allahu të vdekurit ” – Kuptimi: Prekeni të vrarin me një gjymtyrë të lopës së therur, ose me çfarëdo pjese të trupit të saj. Kur ata e prekën të vdekurin me një pjesë të lopës, Allahu i Lartësuar e ringjalli të vdekurin. E pas kësaj, Allahu i Lartësuar ua nxori jashtë ato që mbanin fshehur, sepse vetë i ringjalluri kallëzoi se cilët kishin qenë vrasësit e tij. Pamja e ringjalljes me sy nga ana e tyre, ishte një mrekulli, që tregonte pushtetin dhe fuqinë absolute të Allahut për të ringjallur të vdekurit. - “dhe ju tregon Argumentet e Tij, në mënyrë që të kuptoni.” - Kuptimi: Allahu i Lartësuar jua solli këtë argument, që ju të mendoni seriozisht dhe të largoheni nga çdo gjë që është në dëmin tuaj. “Megjithatë, edhe pas kësaj, zemrat tuaja u bënë si shkëmbi, …” - Kuptimi: Zemrat tuaja u forcuan dhe ashpërsuan më tepër, aq sa nuk u bënte më dobi asnjë qortim. Ato nuk ndikoheshin nga asnjë lloj përkujtimi. - “…edhe pas kësaj” – Domethënë, edhe pasi Allahu i Lartësuar ju nderoi me plot mirësi të mëdha, pasi ju paraqiti shumë argumente, shenja dhe mrekulli të qarta. Pra, pas gjithë këtyre, zemrat tuaja nuk duhej kurrsesi që të ngurtësoheshin, por të zbuteshin. Ato duhej të prekeshin thellë e t’i nënshtroheshin Allahut të Lartësuar. Më tej, Allahu i Lartësuar e përshkruan ashpërsinë e zemrave të tyre nëpërmjet disa krahasimeve. Ai thotë se ato: - “u bënë si shkëmbi ” – Pra, ato u bënë të forta si gurët e shkëmbinjtë, madje edhe më shumë se aq. Dhe të mendosh se guri është edhe më i fortë se vetë hekuri apo plumbi, sepse këto të fundit, kur i fut në zjarr, shkrihen dhe zbuten, ndërsa guri jo, nuk zbutet. - “madje edhe më të forta” - Pra, ngurtësia e tyre ua kalonte asaj të gurëve. Madje, gurët janë më të mirë se zemrat e tyre, siç thotë i Lartësuari: - “Ka shkëmbinj prej të cilëve burojnë lumenj. Ka prej tyre që kur çahen prej tyre del ujë. Madje ka prej atyre që, nga frika ndaj Zotit, vithisen tatëpjetë. ” – Pra, me të tilla cilësi, gurët janë më të mirë se ato zemra. Pas përshkrimit të zemrave të tyre, Allahu i Lartësuar u jep më të ashprin kërcënim: - “Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëni ju. ”. – Kuptimi: Allahu është absolutisht i ditur rreth veprave tuaja. Ai i ka ruajtur dhe i ka shënuar të gjitha punët tuaja, të mëdhatë dhe të voglat, dhe, me siguri, ka për t'ju shpërblyer për to në mënyrën më të drejtë. Shumë interpretues të Kur’ânit i kanë mbushur librat e tyre me rrëfime e gojëdhëna hebraike (të ashtuquajtura israilijate), për të shpjeguar ajetet kur’ânore. Këtë metodë ata e mbështesin në fjalën e Profetit (s.a.u.s.), që thotë: “Tregojini rrëfimet e bijve të Israilit, se nuk ka problem.” Por, sipas meje, qëndrimi më i drejtë në këtë çështje është që përcjellja e historive të ardhura nga

hebrenjtë, edhe pse lejohet të kryhet si veprim, nuk do të thotë që ato mund të përdoren bashkë me argumentet tona, për të shpjeguar ajetet e Librit të Allahut, sepse asnjë e dhënë nuk lejohet të paraqitet si shpjeguese e Kur’ânit, nëse ajo nuk është e mbështetur dhe vërtetuar nga goja e Profetit (s.a.u.s.). Edhe në rastin më të mirë, kur rrëfimet e judejve dhe të të krishterëve nuk bien ndesh me fenë tonë, ne i konsiderojmë ashtu sikurse na ka mësuar Profeti (s.a.u.s.), kur thotë: “As mos i besoni ehlu kitab-ët dhe as mos i përgënjeshtroni ata!” Rrjedhimisht, nëse këto informacione janë të pasigurta e të dyshimta, atëherë ne duhet të jemi shumë të rezervuar në përdorimin e tyre, sidomos kur flitet për interpretimin e ajeteve të Kur’ânit. Në fenë Islame, dihet se është detyrë që ta besojmë Kur’ânin e shenjtë pa patur as më të voglin dyshim. Ne duhet të jemi plotësisht të sigurt për saktësinë e termave dhe fjalëve të tekstit të Kur’ânit, nga njëra anë, dhe të kuptimeve të tij, nga ana tjetër. Për këtë arsye, nuk duhet dhe nuk lejohet që ne t’i nxjerrim kuptimet e Kur’ânit duke u mbështetur në histori dhe rrëfenja, që janë të paqarta e të pasigurta në transmetimet e tyre. Aq më tepër që, në të shumtën e rasteve, të krijohet bindja se ato janë thjesht trillime dhe legjenda. Pra, të tilla informacione nuk mund të jenë kurrsesi shpjeguese të Librit më të sigurt në botë. Po ashtu, ato kurrë nuk mund të merren si të pranueshme dhe të sigurta, thjesht dhe vetëm se dikush i përdor si shpjeguese të ajeteve të Kur’ânit. Tefsiret u mbushën me të tilla rrëfenja pikërisht për shkak të pakujdesisë nga ana e atyre dijetarëve që e bënë këtë gjë. Allahu i Lartësuar i jep sukses dhe udhëzon atë që do në rrugën e drejtë dhe të saktë.

← Bekare 2:73