2. Bekare · Ajeti 82 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:74–2:82
Edhe pas të gjitha atyre mrekullive, që u kishte shfaqur Zoti, jehuditë ishin shumë zemërfortë, nuk njihnin të mirat që iu ishin dhuruar, andaj gjithnjë u sprovuan me ndëshkime të lloj-llojshme.
Besimtarëve, së bashku me Muhammedin u drejtohet Kur'ani duke u thënë se nuk ka shpresë që jehuditë do të pranojnë fenë tuaj, ata, kur është fjala për Muhammedin dhe Kur'anin, ndryshojnë pjesë të librit të tyre, ata u thonin të vetve: mos u tregoni myslimanëve se në Tevrat i shkruan për Muhammedin dhe dërgimin e tij pejgamber, sepse në ditën e gjykimit nuk do të mund të arsyetoheni se nuk keni ditur.
Dijetarët që ishin pari fetare bënin shtrembërime në Tevratin, kurse masa e gjerë, nuk dinte i ta lexojë atë. Ata jetonin në shpresat që ua thonin paria, si: neve beni israilëve do të na mëshirojë Zoti, të parët tanë ishin pejgamberë, ne jemi popull më i zgjedhur, xhehenemi do të na djegë pak ditë, ose shtatë, ja katërdhjetë aq sa patën adhuruar viçin, dhe ashtu i mashtronin, Kur'ani u thotë qartazi se ai që sharron, vërshohet e mbytet në të këqia, ai do të jetë përgjithmonë në xhehenem, ashtu si ai që beson dhe bën vepra të mira do të jetë përgjithmonë në xhennet.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:81–2:82
Allahu i Madhëruar ua hedh poshtë pretendimin atyre që thanë: “Ne nuk do të na kapë Zjarri më shumë se disa ditë të caktuara!”. Çështja nuk është siç pretendojnë ata dhe as siç ëndërrojnë ata më kot. - Jo, përkundrazi! Ata që bëjnë të këqia dhe janë mbuluar nga gjynahet, janë banorë të Zjarrit, ku do të jenë përjetësisht. - Po kush janë ata që janë mbuluar nga gjynahet e tyre? Janë ata që në Ditën e Gjykimit do të vijnë të rrethuar e mbuluar nga gjynahet dhe nuk kanë asnjë vepër të mirë. Këta do të jenë pr ej banorëve të Zjarrit. Ibn Abasi shpjegon: “Jo, përkundrazi! Ata që bëjnë të këqija...”, domethënë, që ata që bëjnë ligësi e punë të ngjashme me punët tuaja (o ju idhujtarë e mohues) dhe, ashtu sikurse ju, refuzojnë besimin e vërtetë dhe të saktë, derisa ky mosbesim i mbulon e pushton tërësisht, pikërisht këta janë ata që nuk kanë asnjë të mirë. Imam Ahmedi sjell këtë hadith të Ibn Mesudit, - Allahu qoftë i kënaqur me të - nga Profeti ﷺ :85 “Kujdes nga gjynahet që i quani të papërfillshme, sepse ato i mblidhen njeriut dhe e shkatërrojnë!” - Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përjetësisht. - Këta besojnë Allahun dhe profetët e Tij, bëjnë vepra të mira dhe sipas Sheriatit të Zotit. Këta do të jenë banorë të Xhenetit. Ibn Abasi thotë: “Ata që kanë besimin e saktë e të vërtetë, të cilin ju e mohoni, dhe bëjnë vepra të mira sipas fesë së vërtetë, që ju refuzoni ta pasoni dhe jetoni sipas saj, pikërisht për këta është Xheneti dhe atje do të jenë përjetësisht.” Allahu i Lartësuar na njofton se si shpërblimi me mirësi, ashtu edhe ndëshkimi me vuajtje, do të jenë të përjetshëm e pandërprerje. Allahu është më i ditur.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:80–2:82
- Ata thonë: “Ne nuk do të na kapë Zjarri më shumë se disa ditë të caktuara!”” - Pasi përmend veprat e tyre të shëmtuara, Allahu tregon edhe një tjetër cilësi të tyre të poshtër: faktin që ata lëvdohen dhe e paraqesin veten e tyre të pastër dhe larg gabimeve. Ata, me mendjemadhësi, pretendojnë se do të shpëtojnë prej ndëshkimit të Allahut dhe se do të shijojnë shpërblimin e Tij, duke thënë se Zjarri ka për t’i prekur veçse disa ditë të numëruara. Në këtë mënyrë, ata kryejnë njëkohësisht dy shkelje, pasi jo vetëm që bëjnë gjynahe, por edhe ndihen të sigurt prej ndëshkimit të Allahut. Megjithatë, Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke sjellë një pyetje. Ai i thotë Profetit (s.a.u.s.): - Thuaju: “A mos keni marrë prej Allahut ndonjë premtim dhe Allahu nuk e thyen kurrë premtimin e vet? ”! – Kuptimi: Thuaju atyre, o P rofet (s.a.u.s.): A kini marrë ndonjë premtim prej Allahut, se është vërtet kështu si thoni?! Dihet që premtimi i Allahut për ruajtje nga ndëshkimi dhe për dhënie shpërblimi është vetëm për ata që e meritojnë, dhe ato bëhen të meritueshme veçse kur pajisesh me iman dhe kur vepron sipas tij. Ky premtim është vetëm për ata që e besojnë vërtet Allahun dhe të Dërguarin e Tij, si dhe që iu binden atyre. Vetëm kundrejt këtyre është i vlefshëm premtimi i Allahut, dhe, pa dyshim, që ai do të shkojë në vend. Kështu që, kur ju shprehni të tilla pretendime, ose keni ndonjë premtim nga Allahu i Lartësuar, ose shpifni kundër Tij. - “Apo po thoni për Allahun diçka që nuk e dini? ” - Me këtë ajet, Allahu i Lartësuar na mëson se mëtimet e tyre mund të jenë: - ose të mbështetura te ndonjë premtim i Allahut të Lartësuar, dhe në këtë rast do të ishin të sakta; - ose ata shpifin ndaj Allahut të Lartësuar, dhe kështu pretendimet e tyre do të ishin të pavërteta, duke u bërë të meritueshëm për ndëshkimin dhe poshtërimin nga Allahu. Vetë gjendja dhe e kaluara e tyre dëshmon se ata kurrë nuk e kanë marrë ndonjë premtim të tillë, sepse ata kanë qenë gjithnjë të famshëm për mohimin e shumë profetëve. Madje, kanë shkuar edhe më larg se kaq: ata kanë patur guximin dhe paturpësinë që t’i vrasin disa profetë. Mosbindja ndaj urdhrave të profetëve dhe thyerja e pakteve dhe e premtimeve ka qenë një cilësi e pandashme e tyre, përgjatë gjithë kohërave. Kështu që, me këtë biografi të përlyer, për ta është e pashmangshme mundësia e dytë, që: ata shpifin dhe mashtrojnë kundrejt Allahut. Ata flasin në emër të Tij pa patur dije dhe pa fakte, por dihet shumë mirë që, të flasësh në emër të Allahut pa dije dhe pa fakte, konsiderohet një prej harameve më të mëdha. Ky është një veprim shumë i shëmtuar. Më tej, Allahu i Lartësuar përmend një gjykim gjithëpërfshirës. Përballë këtij ligji janë njëlloi si bijtë e Israilit, ashtu edhe të tjerët, pa asnjë ndryshim. Ky është një gjykim i pakthyeshëm, në të cilin nuk ndikojnë as
ëndrrat dhe dëshirat boshe dhe as pretendimet e pabaza. Thotë i Lartësuari: - “Jo, përkundrazi! ” – Pra, çështja nuk është aspak ashtu si pretendoni ju. Përse? Përgjigjja: - “Ata që bëjnë të këqia …” - Fjala “sejjieten” (e përkthyer ‘të këqia’) është (në arabisht) një emër i pashquar, i përdorur në fjali kushtore dhe, si e tillë, ajo përfshin të gjitha llojet e gjynaheve, duke filluar nga shirk-u (gabimi më i madh) e më poshtë. Kësisoj, kuptimi i fjalisë do të ishte: Çdokush që ka bërë keq, çfarëdo grade qoftë kjo e keqe, duke filluar nga shirku e gjithçka poshtë tij. Por sqarimi i mëpasshëm e kufizon kuptimin gjithëpërfshirës të kësaj fjale, duke treguar se qëllimi është për gjynahun e shirk-ut. I Madhëruari thotë: - “…dhe janë mbuluar nga gjynahet, ” - Pra, ky gjynah e ka mbuluar e pushtuar, pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi. Atëherë, dihet se nuk ka gjynah tjetër që nuk të lë asnjë mundësi shpëtimi, veç shirk-ut. I Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “S’ka dyshim se Allahu nuk e fal shirk-un, ndërsa përveç atij (gjynahu), Ai ia fal gjynahet kujt të dëshirojë. Kush adhuron dikë tjetër veç Allahut, ai ka bërë një gjynah të madh." [Nisa 48]. Nga ana tjetër, Allahu thotë: “ O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar shpirtin tuaj me shumë gjynahe! Mos e humbni shpresën në Mëshirën e Allahut! Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. ” [Zumer 53]. Arsyeja është se njeriun që e ka imanin e pastër, kurrë nuk mund ta mbulojnë (ose mbysin) përfundimisht gabimet e tij. Atëherë, sipas ajetit, i përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit nuk do të jetë ai që ka bërë një të keqe çfarëdo, por ai që i ka bërë shirk Zotit. Ky gabim do ta fundosë në humbje, pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi. Ajeti i mësipërm është përdorur padrejtësisht si argument nga hauarixhët, rreth rrugës dhe qëndrimit të tyre të gabuar. Ata pretendojnë se çdo gjynah, sado i vogël apo i madh qoftë ai, është kufër, domethënë konsiderohet si mohim i Zotit dhe, për këtë arsye, e bën të meritueshme përjetësinë në zjarrin e Xhehenemit. - “…janë banorë të Zjarrit, ku do të jenë përjetësisht.” – Kështu, hauarixhët nuk i kanë dhënë rëndësi specifikimit që Allahu i Lartësuar ka bërë me pohimin e mëparshëm, që nënkupton shirk-un. Pra, ata nuk e marrin në konsideratë pjesën: “ dhe janë mbuluar nga gjynahet ”, domethënë, nga shirku i tij. Për më tepër, ky specifikim mbështetet edhe nga ajete të tjera, si, për shembull, ajeti 48 i sures Nisa, që e përmendëm më lart, por edhe shumë ajete të tjera, në të cilat kuptohet qartë që, të përjetshëm në zjarrin e Xhehenemit do të jenë vetëm ata që bëjnë gjynahun e madh të shirkut ose të kufrit, dhe që vdesin në këtë gjendje. Është e çuditshme se të gjithë sektet e humbura, sa herë që përpiqen t’i mbështesin idetë e tyre të kota me argumente nga Kur’âni dhe Tradita autentike e Profetit (s.a.u.s.), kundërpërgjigjja ndaj tyre do të gjendet shumë thjesht në vetë argumentin që ata përdorin. Pra, faktet që ata përdorin bëhen argumente kundër tyre dhe jo pro tyre. Më tej, Allahu i Lartësuar vazhdon me një gjykim të patjetërsueshëm rreth krijesave, duke vijuar me përfundimin e të mirëve: - “Kurse ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të jenë përjetësisht. ” – Domethënë, do të jenë ata që, përveçse besojnë Allahun, melekët, shpalljet dhe librat e Zotit, profetët e Zotit, Ditën e Gjykimit etj., bëjnë edhe vepra të mira. Veprat e njeriut mund të konsiderohen të mira, veçse nëse plotësojnë dy kushte: 1. Të kryhen me nijet të sinqertë vetëm për hir të Allahut, duke synuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. 2. Të jenë në përputhje me Traditën autentike të Profetit (s.a.u.s.). Shkurtimisht, kuptimi i përmbledhur i këtij ajeti na çon në përfundimin se të shpëtuarit dhe fitimtarët e lumtur do të jenë vetëm ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira. Ndërsa të dëshpëruarit dhe të
shkatërruarit përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit do të jenë mohuesit e Zotit dhe idhujtarët, domethënë ata që, përveç Allahut, adhurojnë zota të tjerë.