2. Bekare · Ajeti 91 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:83–2:92

Edhe në Tevrat gjendeshin rregullat dhe dispozitat obliguese sipas së cilave bijtë e israilit ishin të obliguar të veprojnë, të adhurojnë Zotin një, të respektojnë prindërit, të afërmit, jetimët, të varfërit dhe të luten e të japin zeqat. Namazi i tyre nuk ishte si i myslimanëve, as në trajtë as në numër e ashtu edhe zeqati.

Në Medine ishte fisi jehudi "Beni Kurejdha", që ishte bashkuar me fisin arab "Evs" dhe fisi tjetër jehudi "Benu Nadir", që ishte bashkuar me fisin arab "Hazrexh". Kur shpërthente ndërmjet tyre lufta, jehuditë luftonin me aleatin e vet arab, kundër palës tjetër jehudi dhe arab, dhe ashtu mbytnin njëri-tjetrin dhe i dëbonin prej shtëpive. Këtë sipas Tevratit jehuditë e kishin të ndaluar. Kur pushonte lufta, punonin sipas Tevratit, sepse jehuditë e zënë robër i kompensonin me pasuri dhe i lironin, andaj një pjesë të Tevratit e respektonin, kurse pjesën tjetër jo.

Ashtu siç ishte Musai i dërguar te beni israilët, ashtu ishte i dërguar edhe Isai me Inxhil, por ata nuk respektuan asnjë pejgamberë që u erdhi me shpallje, që nuk u pëlqenin atyre.

Xhibrili është një engjëll që gjithë pejgamberëve u solli prej Zotit shpalljen, ashtu edhe Isait.

Para se të vinte Muhammedi pejgamber dhe para se t'i vinte shpallja, jehuditë u kundërviheshin idhujtarëve arabë, duke u thënë se Zoti do ta dërgojë një pejgamber dhe spallje që i ndihmon ata kundër politeistëve arabë. Kur zbriti Kur'ani, ata nuk e pranuan, por thonin se disi zemrat nuk e kuptonin, nuk e pranuan as Muhammedin edhe pse sipas mësimeve të Tevratit e dinin kush ishte ai. Këtë e bënin nga zilia, sepse donin vetëm ata të kenë shpallje e pejgamber, e jo popujt tjerë siç ishin arabët.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:91–2:92

- Dhe kur u thuhet atyre: “Besoni në atë që e ka shpallur Allahu!” - Kur jehudëve dhe atyre që janë të ngjashëm me ta, iu tha: “Besoni atë që iu shpall Muhamedit! Besojeni, pranojeni, pasojeni e zbatojeni atë!” - ata thonë: “Ne besojmë atë që na është shpallur neve kurse atë (Shpalljen) që ka ardhur më pas e mohojnë” - Neve na mjafton besimi në atë që na u shpall, pra, në Teurat e Ungjill, dhe ne nuk pranojmë asgjë tjetër përveç tyre. - edhe pse ajo është e vërtetë dhe vërteton atë që e kanë ata. - Ata e mohojnë atë që është shpallur pas tyre, edhe pse kjo shpallje është siç e përshkruar Zoti: “e vërtetë dhe vërteton atë që e kanë ata.” Pra, edhe ata e dinë mirë se ajo që iu shpall Muhamedit ﷺ është e vërteta nga Zoti dhe vërtetuese e asaj që ata kanë. Ky është një fakt i pamohueshëm edhe nga ata. I Madhëruari thotë: “Ata, të cilëve u kemi dhënë Librin (çifutët dhe të krishterët) , e njohin atë (Profetin Muhamed) ashtu siç njohin bijtë e vet. Por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, edhe pse e dinë.” [Bekare 146]. - Thuaju: “Nëse vërtet ju besoni, atëherë përse i vrisnit profetët e Allahut?” - Nëse jeni të vërtetë në pretendimin tuaj, se i besoni profetët dhe shpalljet që ju janë zbritur juve, atëherë përse i vrisnit profetët, të cilët ju ftonin për të besuar Teuratin, që e keni në duart tuaja? Përse i vrisnit ata që ju ftonin për të gjykuar drejt sipas Teuratit dhe për të mos i anuluar e fshehur ligjet e tij? Përse i vrisnit, kur ju e dinit mirë vërtetësinë dhe besnikërinë e atyre profetëve? Po, ju i vratë atë të shtyrë nga padrejtësia, armiqësia dhe arroganca juaj me profetët e Zotit. Ju dini të ndiqni veçse epshet, shijet dhe mendimet tuaja të shfrenuara. I Lartësuari thotë: “Sa herë që ndonjë i dërguar (i Zotit) ju sillte diçka (ligje e porosi) që nuk ju pëlqente, ju tregoheshit kryeneçë! Disa prej tyre i mohuat e disa i vratë.” [Bekare 87]. - Juve ju erdhi Musai me argumente të qarta, por pas (largimit të) tij, ju adhuruat viçin, duke u bërë të padrejtë. - Ai ju solli ajete të qarta dhe argumente të pakundërshtueshme se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet, veç Allahut, dhe se ai është i dërguar i Allahut. Ajetet e qarta ishin: “Atëherë, Ne lëshuam kundër tyre (mjerime): përmbytje, karkaleca, parazitë, bretkosa dhe gjak, shenja të qarta njëra pas tjetrës. Por ata u treguan arrogantë, sepse ishin njerëz keqbërës.” [Maide 133]. Ndër shenjat e mrekullitë që iu dhanë Musait ishin edhe shkopi që shndërrohej në gjarpër, dora e bardhë e vezulluese, hapja e detit në rrugë të thatë, retë që u bënin hije në shkretëtirë, ushqimi në shkretëtirë me menna dhe selua, guri nga i cili shpërthyen 12 burime uji, e shumë mrekulli të tjera, që ata i panë me sytë e tyre. E, megjithatë pas

kësaj: “... ju adhuruat viçin...”. Pra, pikërisht në kohën kur Musai shkoi në malin Tur për të folur me Zotin e Tij, ju morët për Zot një viç, “...duke u bërë të padrejtë.” Ju ishit njerëzit më të padrejtë me këtë që bëtë, sepse ju e dinit mirë se nuk ka Zot tjetër që meriton të adhurohet veç Allahut. I Lartësuari thotë: “Kur u penduan thellësisht dhe e kuptuan se kishin gabuar ata thanë: “Nëse nuk na mëshiron dhe nuk na e fal gabimin Zoti ynë, ne atëherë do të jemi më të shkatërruarit!”.” [El ea’raf 149].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:91–2:93

- “Dhe kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që e ka shpallur Allahu!” ” – Pra, çifutët u urdhëruan që ta besonin Kur’ânin, të cilin Allahu i Lartësuar ia shpalli Profetit Muhamed (s.a.u.s.), por ata refuzuan me mendjemadhësi, duke thënë: - ““Ne besojmë atë që na është shpallur neve”, kurse atë (Shpalljen) që ka ardhur më pas e mohojnë, …” – Pra, ata pretenduan se besonin vetëm ato shkrime hyjnore që iu ishin shpallur atyre, dhe mohonin çdo libër tjetër të mëvonshëm. Ky qe një pretendim i padrejtë nga ana e tyre, sepse ata e kishin të detyrueshme që të besonin gjithçka që Zoti i shpallte njerëzimit, pa bërë dallime mes shpalljeve. Vetëm kjo mënyrë besimi është e vlefshme dhe e dobishme, pra: besimi i të gjitha shpalljeve të Allahut të Lartësuar, drejtuar të gjithë profetëve. Nëse dikush bën dallime në besim ndërmjet profetëve dhe librave hyjnore, domethënë në pranimin e disave dhe mospranimin e disa të tjerëve, në fakt ai nuk ka besuar asnjërin prej tyre, dhe kjo vepër konsiderohet si kufër i vërtetë. Për këtë, thotë i Madhëruari në suren Nisa, ajetet 150-152: “Ata që e mohojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe dëshirojnë të ndajnë (besimin në) Allahun nga (besimi në) profetët e Tij, duke thënë “Disa i besojmë e disa nuk i besojmë” dhe duan të zgjedhin një rrugë të ndërmjetme, pikërisht ata janë mohuesit e vërtetë. Ne kemi përgatitur një dënim poshtërues për mohuesit. Ndërsa atyre që besojnë në Allahun dhe profetët e Tij, pa bërë asnjë dallim mes tyre, Ai do t'ua japë (të plota) shpërblimet e tyre. Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë. ” Më pas, Allahu i Lartësuar e kundërshton gabimin e tyre me një argumentim të padiskutueshëm: - “…edhe pse ajo është e vërtetë dhe vërteton atë që e kanë ata …” – Pra, Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë mohimin atyre me dy fakte: 1. Duke thënë: ‘ ue huel ĥaķķu’ (ajo është e vërtetë). Domethënë, Shpallja (ose Kur’âni) është e vërteta e sigurt në gjithçka që ajo përmban, nga të gjitha këndvështrimet. Ajo është e vërteta e sigurt, për sa u përket rrëfimeve që përmban dhe dispozitave për të cilat na urdhëron dhe na ndalon, dhe kjo për një arsye të thjeshtë: sepse është prej Allahut të Lartësuar. Kështu që mohimi i këtyre të vërtetave të pa kundërshtueshme të shpallura nga Allahu i Lartësuar, në të vertetë konsiderohet mohim dhe rebelim ndaj vetë Krijuesit, Allahut të Lartësuar. 2. Duke thënë: ‘ muŝaddiķal-limâ meahum’ (vërtetuese e asaj që kanë ata). Pra, ajo

është miratuese e të vërtetave që gjenden mes tyre, në librat e tyre. Por jo vetëm kaq. Ajo është, madje, edhe garantuese e argumentuese e vërtetësisë së tyre. Atëherë, (thotë kuptimi i ajetit) përse e besoni atë që ju ka zbritur juve dhe e mohoni simotrën e saj? A nuk tregon kjo thjesht një ndjekje të egos tuaj? E pra, veprimi juaj nuk mund të konsiderohet kurrsesi si ndjekje e udhëzimit të drejtë, por ai është vetë humbja dhe pasimi i të kotës. Këtu shfaqet një çështje tjetër, që duhet kuptuar mirë. Meqë Kur’âni është vërtetues dhe sigurues i saktësisë së teksteve hyjnore që ata kanë në duart e tyre, kjo do të thotë që ata duhet të jenë besimtarët e parë të tij. Ata nuk kanë mundësi tjetër që të provojnë saktësinë dhe autenticitetin e ndonjë pjese nga librat që kanë në duart e tyre, përveç verifikimit që mund t’u bëjë Shpallja e fundit e Allahut. Shpallja e fundit është e vetmja dëshmi për ta, që mund të vërtetojë, pra, saktësinë e ndonjë pjese nga librat e tyre, dhe kjo për shumë arsye. Por si mund ta vërtetojnë saktësinë e librave të tyre, kur ata shpërfillin, mohojnë dhe nuk pranojnë të vetmen rrugë për ta arritur këtë? A nuk është kjo një marrëzi apo një mendjelehtësi e theksuar? Si përfundim, themi se ata, duke mohuar Shpalljen e fundit, në të vërtetë kanë mohuar edhe ato tekste që kanë në duart e tyre. Më poshtë, Allahu i Lartësuar sjell edhe fakte të tjera, të cilat tregojnë qartë se ata, edhe librin e tyre nuk e kanë besuar ashtu sikurse pretendojnë. I Lartësuari thotë: - “Thuaju: “Nëse vërtet ju besoni, atëherë përse i vrisnit profetët e Allahut?”” - Kuptimi: Mos vallë, vrasja e profetëve konsiderohet si shenjë e besimit tuaj tek ata?! - “Juve ju erdhi Musai me argumente të qarta…” - Kuptimi: Musai (a.s.) u dërgua si profet ndër ju dhe solli argumente shumë të qarta dhe të sigurta të së vërtetës, por megjithatë: - “…por pas (largimit të) tij, ju adhuruat viçin,…” - Por edhe pas këtyre argumenteve, ju bëtë gjynahun e madh. A konsiderohet kjo si shenjë besimi nga ana juaj? Jo, kurrsesi! - “…duke u bërë të padrejtë …” – Pra, ju nuk keni asnjë justifikim për këtë padrejtësi tuajën. Ky veprim konsiderohet “padrejtësi”, dhe jo besim. Rastet kur ata kanë shprehur mosbesimin janë të shumta. Ja edhe një shembull tjetër, që tregon i Lartësuari: - “Kur morëm prej jush premtimin dhe ngritëm mbi ju Malin Tur, ju thamë: “Mbahuni fort tek ajo që ju kemi dhënë dhe dëgjoni (urdhëresat)!”. - Kuptimi: Allahu i Lartësuar ju urdhëroi në të tilla kushte, që të bëheshit të dëgjueshëm. Shprehja: “ue smeû” (dëgjoni) është urdhër për të dëgjuar, që, në fakt, nënkupton bindjen dhe nënshtrimin ndaj urdhrave. Por, a dëgjuan ata në këtë mënyrë? - “Ata thanë: “Ne dëgjuam, por nuk bindemi”.. ” – Kështu, ata u kthyen në natyrën e tyre të përhershme, që nuk dinë tjetër të thonë, por veçse: “ Semi'nâ ue aŝajnâ” (Dëgjuam, por nuk bind emi). Atëherë, ky lloj qëndrimi e meriton plotësisht vendimin e të Urtit për ta, i Cili thotë: - “Si pasojë e mosbesimit, për zemrat e tyre u bë i dashur adhurimi i viçit …” - Domethënë, për shkak të mohimit të tyre të vazhdueshëm, ata e merituan që për zemrat e tyre të bëhej i dashur, madje një dëshirë e parezistueshme, adhurimi i viçit. Subhanallah! Po a mund të quhet iman ai që të çon në të tilla përfundime? Thotë i Lartësuari: - “Thuaj: “Nëse jeni besimtarë, atëherë besimi juaj është duke ju udhëzuar për keq.”” – Kuptimi: Ju pretendoni se keni besim, e madje lëvdoheni mes njerëzve për besimin tuaj, duke pretenduar se është e vërteta e sigurt. Por çfarë mund të thoni për vrasjen e profetëve të Allahut me duart tuaja? Po kur adhuruat viçin si zot, pasi Musai (a.s.) ju la vetëm për një moment? Çfarë mund të thoni për refuzimin e urdhrave dhe ndalesave që atij iu shpallën

prej Zotit, edhe pas kërcënimit që ju bë me kodrën Tur, e cila u ngrit mbi kokat tuaj a? E, megjithatë, ju e pranuat se do të ishit të rregullt, por vetëm me fjalë, sepse e shkelët premtimin me veprat tuaja. Kjo është feja që ju pretendoni? Nëse ky do të quhej besim, sipas pretendimit tuaj, atëherë, më e pakta që mund të thuhet është: U poshtëroftë dhe u harroftë ai besim që e shtyn njeriun të kalojë kufijtë e Zotit, duke e mohuar dhe kundërshtuar Atë dhe profetët e Tij! U poshtëroftë ai besim që e zhyt njeriun në gjynahe pa fund! Por dihet shumë mirë se besimi i sinqertë e nxit njeriun për vepra të mira dhe e ndalon nga çdo vepër e keqe. Atëherë, si përfundim, nuk ka dyshim në mashtrimin dhe kotësinë e pretendimeve të tyre.

← Bekare 2:91