20. Ta Ha · Ajeti 114 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:99–20:114
Pasi që përshkruhet tregimi për Musain, përmendet se ai tregim i rrëfehet Muhammedit nga ana e Zotit, përmes këtij Kur'ani që është plot këshilla e dituri të dobishme, ndërkaq ai që refuzon mësimet e tij, ai do ta ngarkojë keq veten ditën e kijametit, kështu që kur t'i fryhet surit për ringjallje, ata do të ngriten të shëmtuar, me fytyra të nxira, e sy të mavijosur dhe do të kuptojnë se jeta e kësaj bote nuk ka qenë më shumë se një ditë.
Idhujtarët i thonin Muhammedit se ç'mund të bëjë Zoti i tij me këto kodra, me këta shkëmbinj e me këto I male, e këtë e bënin në shenjë talljeje. Kur'ani sqaron se ato do të bëhen hi e pluhur, e toka do të jetë e rrafshët, pa asnjë send mbi faqen e saj, ndërsa thirrjes për tubim në vendin e caktuar për gjykim, i përgjigjen të gjithë pa bërë zë. Atë ditë mund të ndërmjetësojnë për shefaat pejgamberët etj., vetëm për atë njeri, për të cilin Zoti lejon. Ata që refuzuan mësimet e Zotit, do të dalin para Tij të turpëruar, sikurse të zënët rob, ndërsa ata që besuan e bënë vepra të mira, do ta gëzojnë në mënyrë të plotë shpërblimin e merituar.
Kur'ani përsërit shumë herë vërejtjen për rrezikun nga dënimi në zjarr të xhehenemit, u flet idhujtarëve në gjuhën e tyre, në mënyrë që ata ta kuptojnë atë e të mbledhin mend, se fundi i fundit, madhëria e Allahut është e lartë, Ai udhëheq me gjithçka dhe vetëm Atij i takon adhurimi, e kurrsesi nuk ka nevojë për adhurimin e idhujtarëve, ata shkatërrojnë veten.
Thuhet se Muhammedi ngutej dhe lexonte Kur'anin që i shpallej së bashku më Xhibrilin duke ia lexuar natyrisht ai, prandaj i thuhet që të mos ngutej e të mos ketë frikë se do ta harrojë atë. Ose ngutej e gjykonte I sipas Kur'anit pa iu sqaruar sa duhet nga ana e Zotit domethënia e tij, andaj i thuhet të mos ngutej para se të sqarohej mirë se cili është qëllimi i tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:113–20:114
- “Kështu, Ne e shpallëm këtë Kuran në gjuhën arabe dhe shpjeguam me hollësi disa nga paralajmërimet, që ata të mund të ruhen ose që ai (Kurani) t’i bëjë ta kujtojnë (Atë).” - Meqenëse, dita e shpërblimit me drejtësi do të vijë në mënyrë të pashmangshme, dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim, Allahu i Lartësuar na tregon se Ai e zbriti Kuranin pikërisht për të qenë përgë - zues dhe paralajmërues. Ai e zbriti këtë Kuran me gjuhën arabe të qartë, me nivel të lartë, për të mos pasur asnjë paqartësi apo vështirësi në të kuptuarit e Tij. Pastaj thotë: “... që ata të mund të ruhen ...”, pra, në mënyrë që ata t’u largohen gjynaheve dhe
harameve, poshtërsive dhe shfrenimit. Ai ka zbritur Kuranin, gjithashtu: “... që ai t’i bëjë ta kujtojnë.” Pra, që t’i bëjë robërit që ta kujtojnë Allahun, përmes bindjes ndaj Tij dhe punëve të mira, që i afrojnë tek Ai. - “I lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi i vërtetë!” - U lartësoftë, u madhëroftë, u dëlirësoftë nga çdo mangësi dhe e metë Allahu i Lartësuar, i Cili është Sunduesi, Mbretëruesi dhe i Vërteti. Ai është i vërtetë në premtimet për shpërblim dhe në kërcënimin për ndëshkim. Profetët e Tij janë të vërtetë, Xheneti dhe Zjarri janë të vërtetë dhe çdo gjë që është shpallur dhe sjellë prej Tij është e vërtetë. Ai është i vërtetë dhe absolut në drejtësinë e Tij, prandaj nuk ndëshkon asnjë pa i paralajmë - ruar dhe këshilluar më parë. Ai është i vërtetë në drejtësinë e Tij, prandaj ka dërguar profetët, që krijesat të mos kenë asnjë justifikim dhe argument, që atyre të mos u mbetet asnjë paqartësi në lidhje me shpalljen e Tij dhe atë çka kërkon prej tyre. - “Mos nxito për ta lexuar Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Mos u ngut (O Muhamed), që ta këndosh atë (Kuranin) sa më shpejt me gjuhën tënde, sepse e kemi Ne detyrë se si do të ngulitet dhe këndohet ai! Dhe, kur të ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij! Pastaj e kemi Ne për detyrë që ta sqarojmë atë.” [Kijame 16 - 19]. Ndërsa në këtë ajet thuhet: “Mos nxito për ta lexuar Kuranin, para se të përfundojë shpallja e tij ...”. Pra, hesht dhe dëgjo me vëmendje kur meleku të lexon Kuranin dhe Shpalljen! Pasi meleku mbaron leximin e tij, atëherë lexoje ti atë. Në hadith të saktë përcillet se Said bin Xhubejri tregon: “Njëherë, në lidhje me ajetin: “Mos u ngut, që ta këndosh atë sa më shpejt me gjuhën tënde, sepse e kemi Ne detyrë se si do të ngulitet dhe këndohet ai! Dhe, kur të ta lexojmë atë (Kuranin), ti përcille leximin e tij! Pastaj e kemi Ne për detyrë që ta sqarojmë atë.”, Ibn Abbasi (r.a.) tha: “I Dërguari i Allahut e përballonte frymëzimin hyjnor me shumë vështirësi dhe gjithnjë i lëvizte shumë shpejt buzët (duke përsëritur ajetet, që i shpalleshin).” Ibn Abasi i lëvizi buzët e veta duke thënë: “Po i lëviz buzët (para jush) ashtu siç i lëvizte edhe i Dërguari i Allahut. Kështu, Allahu shpalli: “Mos u ngut, që ta këndosh atë (Kuranin) sa më shpejt me gjuhën tënde, sepse e kemi Ne detyrë se si do të ngulitet dhe këndohet ai!”. Fjala e Allahut: “Dhe, kur të ta lexojmë atë (Kuranin), ti përcille leximin e tij!”, do të thotë: ‘Dëgjoje atë dhe rri i heshtur!’. Ajeti: “Pastaj e kemi Ne për detyrë që ta sqarojmë atë”, do të thotë: 'Na takon Neve (Allahut) të të bëjmë ty që ta këndosh Kuranin dhe kuptimi i tij do të jetë i qartë vetvetiu, nëpërmjet leximit'. Pas kësaj, sa herë që i vinte Xhibrili (a.s.), i Dërguari i Allahut ia vinte veshin mirë dhe, kur Xhibrili (a.s.) largohej, Profeti ﷺ vazhdonte ta këndonte Kuranin ashtu siç ia kishte kënduar ai (Xhibrili (a.s.) gjatë shpalljes).” [Buhariu]. Pastaj i Lartësuari e urdhëroi: “Thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” Pra, më shto diturinë prej Teje, dituri të dobishme dhe madhë -
shtore! Në një hadith thuhet: 1792. “Allahu i Lartësuar vazhdoi ta zbriste Shpalljen Profetit të Allahut. Zbritja e Shpalljes u shpeshtua më shumë se në çdo kohë, në ditët e fundit të jetës së Profetit.” Gjithashtu, Ibn Maxhe sjell hadithin nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti i Allahut vazhdimisht thoshte: 1793. “Allahum-me infea’ni bim â al-lemteni, ue al-limni m â jenfeuni ue zidni ilm â, uel ĥamdu lil-lâhi alâ kul-li ĥâl! (O Zot, më bëj dobi në atë të cilën ma ke mësuar! Më mëso, o Zot, gjithçka që më sjell dobi dhe ma shto diturinë! Lavdërimi i plotë i qoftë Allahut në çdo gjendje!). Ndërsa në versionin e sjellë nga El Bezari, në fund të këtij hadithi është një shtesë, ku thuhet: 1794. “Ue eûdhu bil -lâhi min ĥ âli ehlin - nâr!” (Dhe kërkoj mbrojtje e strehim tek Allahu nga gjendja e banorëve të Zjarrit!”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:114
Allahu i Madhëruar na përmendi në ajetet më sipër se është Ai që vendos ligjet e shpërblimit të robve të Tij dhe është po Ai që vendos ligjet e fesë dhe të besimit. Këto ligje Ai i ka shtjelluar në librat e shpalljet e Tij, ku na ka treguar edhe se si do t'i shpërblejë robërit, në varësi të plotësimit të vendimeve të Tij. Të gjitha këto tregojnë se Allahu është Sunduesi, Mbretëruesi dhe i Plotpushtetshmi. Pas kësaj, i Lartësuari vijon të na tregojë se po në dorë të Tij është edhe ligji i krijimit dhe i funksionimit të ekzistencës. Ai thotë: - I lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi i vërtetë! - U lartësoftë, u shenjtëroftë dhe u dëlirësoftë Allahu i Madhëruar! Ai është El Melik, pra, Mbretëruesi, Pronari, Sunduesi, i Plotpushtetshmi. Sundimi e mbretërimi i Tij është një atribut që Ai nuk e ndan me asnjë tjetër. Të gjitha krijesat janë pronë e Tij dhe mbi ta ekzekutohet ligji i kaderit, pra, i caktimit dhe i krijimit të Tij. Askush e asgjë nuk mund të dalë jashtë këtij ligji. Ekzistenca e Tij është e vërtetë dhe nuk ka dyshim për këtë. Pushteti, mbretërimi dhe sundimi i Allahut janë të vërtetë. Cilësitë e Tij absolute janë të vërteta dhe askush tjetër nuk është i përshkruar me to. Pushteti e sundimi është i vërtetë vetëm për Allahun, ndërsa pushteti, sundimi, mbretërimi apo pronësia që kanë krijesat është i mangët, sepse është i kufizuar në kohë dhe masë të caktuar. Ky lloj sundimi është i mangët dhe do të zhduket. Ndërsa sundimi i Zotit kurrë nuk zhduket, sepse Ai është Mbretëruesi, i Gjalli, i Plotpushtetshmi dhe i Madhëruari. Ky është kuptimi i përshkrimit të pushtetit të Zotit si el hak - i vërtetë. - Mos nxito (o Muhamed!) për ta lexuar Kur’anin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “Zoti im, më shto dituri!” - Mos u ngut që të përsërisësh Kur'anin para se Xhibrili të mbarojë leximin e tij. Bëj durim derisa ai të mbarojë, pastaj lexoje ti! Allahu i Madhëruar të ka dhënë fjalën që do ta ruajë atë në gjoksin tënd, që ti të mos e harrosh, sikurse thotë ajeti: “Ti mos u ngut me gjuhë, që ta këndosh atë sa më shpejt, sepse e kemi Ne detyrë se si do të ngulitet dhe këndohet ai! Pasi të ta kemi kumtuar atë, atëherë fillo ti! Pastaj e kemi Ne për detyrë që ta sqarojmë atë.” [Kijame 16 – 19]. Fakti që Profeti nxitonte të përsëriste Kur'anin për ta mbajtur mend më mirë, tregon se sa i përkushtuar ishte ai për të nxënë dijen dhe sa dashuri të madhe kishte për të. Allahu e urdhëroi Profetin (a.s.) që t’i lutej pikërisht për shtimin e diturisë, sepse dituria është mirësi dhe shtimi i mirësisë është i vlerësuar. Dituria vjen prej Allahut të Madhëruar dhe rruga e arritjes së saj kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe dashuri të madhe për të. Ajo arrihet me lutje të sinqerta drejtuar Allahut, me kërkim të vazhdueshëm ndihme dhe duke shfaqur varfërinë dhe nevojën për të, në çdo kohë dhe në çdo gjendje. Nga ky ajet mësohet edhe edukata e kërkimit të diturisë. Ai që kërkon diturinë duhet të ketë durim dhe të dëgjojë me vëmendje atë që thotë mësuesi, sepse fjalët janë të lidhura me njëra -tjetrën. Nxënësi mund të bëjë pyetje vetëm pasi mësuesi ka përfunduar shpjegimin e temës. Ai nuk duhet ta ndërpresë mësuesin, sepse kjo e privon nga shumë të mira. Po kështu, edhe mësuesi nga ana e tij, kur merr pyetjen, duhet ta kuptojë mirë atë, derisa të mësojë qëllimin e vërtetë të pyetësit, para se të japë përgjigjen. Kjo do ta ndihmojë më shumë për të dhënë një përgjigje të saktë.