20. Ta Ha · Ajeti 116 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:115–20:135

Ngjarja rreth përuljes së engjëjve me urdhërin e Zotit ndaj Ademit dhe e refuzimit të shejtanit, është përsëritur në shtatë kaptina të Kur'anit me qëllim që besimtarët të kuptojnë se duhet zbatuar urdhërin e Zotit, i duhet larguar prej ndalesave dhe rikujtuar armiqësinë e shejtanit, të cilën ai e shfaqi kundër babait të tyre, i Ademit, e të cilën e shfaq edhe ndaj secilit pasardhës të Ademit.

Zoti xh. sh. ia bëri me dije Ademit armiqësinë e dreqit, ia bëri me dije telashet që do ta goditnin nëse do të dëgjonte mësimet e tij, por shejtani, me vesvesen e tij, e preku Ademin në dy pikat që janë më të ndieshmet dhe më lakmueset për njeriun në përgjithësi. E preku në pavdekshmëri, d.m.th. në jetë të amshueshme dhe në pasuri të pashtershme. Që të dyja këto ia ka anda njeriut, andaj, jo nga lakmia për të ngrënë nga ajo pemë, por nga lakmia e fitimit të atyre dy cilësive, Ademi u mashtrua.

Si masë e parë e ndëshkimit të Ademit dhe të Havës, ishte ajo kur ata u zhveshën prej petkut, që ishin rreze drite të cilat mbulonin trupin e tyre, e kur u zbuluan, ngarendin e mblidhnin gjethe të pemevë të xhennetit duke mbuluar avretin e tyre.

I Në xhennet jetën e kishin të garantuar pa kurrfarë mundi, e kur u larguan prej aty, çështja e jetës e gjallimit mbeti përgjegjësi e njeriut, e si rrjedhojë e saj, paraqiten mosmarrëveshjet dhe grindjet mes njerëzve, andaj u thuhet se do të jenë armiq të njëri-tjetrit, nëse nuk u përmbahen mësimeve të Zotit, që do t'i sillte me shpallje përmes pejgamberëve. Kush ua kthen shpinën porosive të Zotit, ai edhe në këtë jetë do të jetë gjithnjë në vështirësi, por mjerimi kryesor është se ai në botën tjetër do të jetë i mënjanuar nga mëshira e Zotit.

Muhammedi urdhërohet të jetë i durueshëm ndaj përgojimeve të armiqve, urdhërohet t'i falë pesë kohët e namazit e të mos u lakmojë atyre që përjetojnë kënaqësi të kësaj jete, pse kjo jetë është vetëm sprovë, është begati e shkurtër dhe e zhdukshme, e të mirat e Zotit janë shumë më të mëdha e të përjetshme. Pra, çështja e rrojtjes nuk guxon të jetë preokupim e ta largojë njeriun nga namazi dhe përkujtimi ndaj Zotit.

Idhujtarëve u erdhi Muhammedi me Kur'an në të cilin përkshkruheshin ngjarjet e shënuara në librat e mëparshëm, me çka dokumentohej se Kur'ani ishte mrekulli e shpallur prej Zotit, madje edhe në librat e hershëm kishte shënime për ardhjen e Muhammedit, e të Kur'anit, e megjithkëtë ata kërkonin ndonjë mrekulli tjetër, andaj u thuhet të pritnin se do të shihnin se cila ishte rruga e drejtë, e tyre ose ajo e besimtarëve të drejtë, e besimtarëve të besimit islam.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "TA HA". Lavdëruar qoftë Allahu i madhëruar!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:115–20:122

- “Na e patëm urdhëruar Ademin (të mos i afrohej pemës) , por ai harroi. Ne nuk gjetëm vendosmëri tek ai.” - Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin nga Ibn Abasi, i cili ka thënë: “Njeriu u quajt “ el insan” (arabisht), sepse ai bëri një premtim, por e harroi.” - “Kujto kur Ne u thamë melekëve: “Bini në sexhde para Ademit!” - Allahu i Lartësuar na tregon për nderimin e madh që i bëri Ademit, si dhe vlerësimin e lartë të tij mbi shumë e shumë krijesa të tjera. - “Dhe ata ranë në sexhde të gjithë, përveç Iblisit, ai refuzoi.” - Pra, ai refuzoi me forcë dhe shprehu kryelartësi e mendjemadhësi. - “Pastaj Ne i thamë: “O Adem! Ky është armiku yt dhe i bashkëshortes sate, prandaj ruhuni që të mos ju nxjerrë nga Xheneti, e t’ju futë në dëshpërim.”. - Kujdes, se mos shejtani i mallkuar ju nxjerr nga Xheneti dhe ju fut në dëshpërim, ty dhe gruan tënde, Havanë. Mos lejo që ai t’ju nxjerrë prej Xhenetit, sepse jashtë Xhenetit do të lodheni në kërkimin e rizkut. Jeta juaj këtu në Xhenet është vetëm me kënaqësi, mirësi, pa asnjë lodhje, përpjekje dhe vështiresi. - “Aty (në Xhenet) ti nuk ke për të qenë i uritur e as ke për të mbetur i zhveshur. - Po të vëresh, Allahu i Madhëruar ka përmendur urinë dhe mungesën e veshjes. Në fakt, uria tregon rrënimin e njeriut nga brenda, ndërsa zhveshja tregon rrënimin e tij nga jashtë. - “Aty (në Xhenet) nuk ke për të pasur etje e as nuk do të kesh vapë.” - Edhe këtu janë vendosur përballë etja dhe vapa. Etja është nxetësia e brendshme, ndërsa vapa është nxehtësia e jashtme. - “Por atë e ngacmoi shejtani, duke i thënë: “O Adem! A do të të çoj te Pema e Përjetësisë dhe te pushteti, që nuk bie asnjëherë?”- Kemi përmendur edhe në sure të tjera, se shejtani i mallkuar e mashtroi

Ademin dhe Havanë me fjalë të bukura dhe premtime të kota. Allahu i Madhëruar thotë: “Shejtani i joshi ata të dy, për t’u zbuluar pjesët e turpshme të atyre, të cilat i kishin të mbuluara (më parë), dhe tha: “Zoti juaj jua ndaloi atë pemë veçse që të mos bëheni melekë ose (njerëz) të përjetshëm.” Dhe iu betua atyre, duke u thënë: “Unë jam këshillues i sinqertë për ju.” Kështu, me anë të mashtrimit, ai i mposhti ata. ...” [Araf 20 - 22]. Kemi përmendur edhe më parë se Allahu i Lartësuar i ndaloi ata që t’i afroheshin një peme të caktuar në Xhenet, por Iblisi i mallkuar vazhdoi t’i tundonte, derisa i bëri që të hanin prej saj. - “Ata hëngrën që të dy nga ajo pemë dhe kështu iu zbulua aureti (vendet e turpshme).” - Domethënë, iu zbulua vendi i turpshëm, si shpagim për kundërshtimin e urdhrit të Allahut dhe pasimit të vesveseve të shejtanit. - “Pastaj, nisën të mbulonin veten me gjethe nëpër Xhenet. ” - Ata filluan të këpusnin gjethe të Xhenetit dhe t’i vendo - snin sipër auretit të tyre, për t’u mbuluar: - “Kështu, Ademi e theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi. Por Zoti i Tij e bëri atë prej të zgjedhurve, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë. ” - (Allahu i Lartësuar e dalloi atë përsëri, sepse i mësoi atij se si të pendohej. Atëherë, ata thanë: “Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë! Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur!” Këto janë fjalët që Ademi i mësoi nga Zoti i tij, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Pastaj Ademi, prej Zotit të vet, mësoi disa fjalë (lutjeje), dhe Ai ia pranoi pendimin. Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.” [Bekare 37]. 21) Buhariu sjell hadithin nga Ebu Hurejra se Profeti ﷺ ka thënë: 1795. “Musai polemizoi me Ademin, duke i thënë: “Ti je ai i cili i nxori njerëzit nga Xheneti me gjynahun tënd dhe i bëre që të dëshpërohen?” Ademi i tha: “O Musa, ti je ai që të privilegjoi Allahu me Shpalljen që të dhuroi dhe duke të folur drejtpërdrejt. A po më qorton për një çështje, të cilën Allahu e shkroi për mua përpara se të më krijonte?! Ai e kishte përcaktuar atë në lidhje me mua përpara se të më krijonte.” Pastaj Profeti i Allahut tha: “Ademi e mundi në polemikë Musain (a.s).” Ky hadith ka ardhur në rrugë të shumta në të dy Sahih-ët, por edhe në musned-e e të referenca të tjera.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:116–20:122

- Kujto kur Ne u thamë melekëve: “Bini në sexhde para Ademit!" Dhe ata ranë në sexhde të gjithë, përveç Iblisit, ai rrefuzoi.” - Kur Allahu i Madhëruar e plotësoi krijimin e Ademit me duart e Tij, e privilegjoi atë duke i mësuar emrat e sendeve. Pastaj Allahu i Madhëruar e nderoi Ademin (a.s.) duke urdhëruar melekët që të binin në sexhde para tij. Kjo sexhde shërbente si nderim për atë vepër të Zotit. Të gjithë melekët ranë në sexhde menjëherë, por mes tyre ishte edhe Iblisi, që në fakt ishte xhind. Ai u tregua mendjemadh ndaj urdhrit të Zotit dhe nuk ra në sexhde para Ademit. Allahu i Lartësuar na tregon: “Allahu e pyeti: “Çfarë të pengoi ty të bëje sexhde, kur të urdhërova Unë?” Ai (Iblisi) tha: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta!” [Araf 12]. Kështu doli në pah urrejtja e madhe e tij kundër Ademit dhe gruas së tij. Me këtë, Iblisi tregoi se ishte edhe armik i Zotit. Ai e shfaqi haptazi smirën dhe urrejtjen për njeriun, prandaj Allahu i Madhëruar paralajmëron Ademin dhe gruan e tij, duke u thënë: - Pastaj Ne i thamë: “O Adem! Ky është armiku yt dhe i bashkëshortes sate. Prandaj ruhuni që të mos ju nxjerrë nga Xheneti, e t’ju futë në dëshpërim.”. - Në Xhenet ka begati e rehati të plotë. Nëse del prej andej, do të dëshpërohesh e do të vuash.

- "Aty (në Xhenet) ti nuk ke për të qenë i uritur e as ke për të mbetur i zhveshur. Aty (në xhenet) nuk ke për të pasur etje e as nuk do të kesh vapë." - Atje nuk do të vuash asnjëherë nga vapa dhe do të kesh ushqim, pije dhe veshje, pa lodhje e pa mundime. Por Allahu e ndaloi Ademin që t’i afrohej vetëm një peme, duke i thënë: “O Adem! Banoni në Xhenet, ti dhe bashkëshortja jote, dhe hani nga frutat e tij lirisht, ku të dëshironi! Por mos iu afroni asaj peme, e të bëheni të padrejtë!” [Bekare 35]. - Por, atë e ngacmoi shejtani, duke i thënë: “O Adem! A do të të çoj te Pema e përjetësisë dhe te sundimi që nuk shkatërrohet asnjëherë?” - Shejtani i mallkuar i tundoi duke i mashtruar rreth asaj peme. Ai u tha se ajo ishte një pemë që, po të haje prej saj, do të bëheshe i përhershëm në Xhenet. Gjithashtu, prej saj do të fitoje pushtet të përjetshëm dhe pasuri pa fund. Kështu, Shejtani iu paraqit si një këshillues, duke përzgjedhur fjalët mashtruese për Ademin. Si përfundim, burrë e grua hëngrën nga pema. Menjëherë iu zbuluan vendet e turpshme dhe iu doli në pah gjynahu që kishin bërë. - Ata hëngrën që të dy nga ajo pemë dhe kështu i'u zbulua aureti (vendet e turpshme). Pastaj, nisën të mbulonin veten me gjethe nëpër Xhenet. - Më parë ishin të mbuluar, ndërsa tani u ishin zbuluar vendet e turpshme. Ata filluan të mbulonin veten me gjethet e pemëve të Xhenetit dhe u ndien aq të turpëruar, sa vetëm Zoti e di. - Kështu, Ademi e theu urdhrin e Zotit të vet dhe gaboi. - Menjëherë nxituan të shprehnin pendimin dhe kthimin tek Zoti, duke thënë: “Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur!” [Araf 23]. - Por, Zoti i Tij e bëri atë prej të zgjedhurve, ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë. - Allahu e zgjodhi dhe e dalloi Ademin me besim, prandaj ia lehtësoi pendimin. Ai ia pranoi pendimin dhe e vuri në rrugën e drejtë. Pas pendimit, Ademi u bë më i mirë sesa ishte në fillim, ndërsa intriga e armikut të tij, Shejtanit të mallkuar, u shkatërrua. Allahu e plotësoi mirësinë e Tij mbi Ademin dhe pasardhësit e Tij. Kështu, të gjithë pasardhësit e Ademit duhet që gjithmonë të kthehen te Zoti i tyre sa herë që gabojnë. Ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm e vigjilent kundër këtij armiku të përbetuar, që u rri gjithmonë në pritë, natën dhe ditën, sikurse thotë i Madhëruari: “O bijtë e Ademit! Kurrsesi të mos ju mashtrojë Shejtani, sikurse bëri me prindërit tuaj, që i nxori nga Xheneti, duke i zhveshur, për t'u nxjerrë në shesh lakuriqësinë. Ai dhe skota e tij ju sheh ju, ndërsa ju nuk mund t'i shihni ata. Ne i kemi bërë shejtanët miq të atyre që nuk besojnë.” [Araf 27].

← Ta Ha 20:116