20. Ta Ha · Ajeti 45 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:36–20:56
Pëvreç asaj që ia plotëson kërkesat e Musait, Zoti ia përmend aty edhe të mirat që ia ka dhuruar atij prej kur ishte foshnjë. Derisa faraoni i mbyste fëmijët e beni israilve, Zoti fuqiplotë e udhëzoi nënën e Musait ta vë foshnjën në një arkë (tabut) dhe I ta hedhë në lumë. Motra e Musait e përcolli deri kur arka ra në duart e familjes së faraonit. Foshnja nuk pranoi gjinin e asnjë i gruaje, atëherë motra e tij i tha familjes së faraonit, se ajo di për një grua të ndershme e besnike e cila do t'i japë gji foshnjës. Ata pranuan dhe e thirrën gruan (nënën e Musait) dhe kur ajo i afroi gjinin atij, ai menjëherë e thithi, për çka gruaja e faraonit u gëzua shumë dhe e luti gjidhënësen të qëndrojë dhe të jetojë në pallatin mbretëror. Ajo u ankua se nuk mund ta lë shtëpinë dhe fëmijët e saj, prandaj propozoi ta merrte foshnjën me vete, e kohë pas kohe do t'ua sillte ta shohin, gjë kjo të cilën ata e pranuan. Urtësia e Zotit bëri që foshnja t'i kthehej nënës së vet, e të mos e përjetojë ajo dhembjen për ndarjen nga fëmija e vet.
Ai ia përmendi edhe ndihmën që ia pati ofruar kur e pat mbytur një njeri, pastaj ndihmën sa ishte në Medjen te Shuajbi: dhe i tregoi se atë e ka zgjedhur pikërisht pejgamber dhe e urdhëroi që ai së bashku me Harunin të shkonin te faraoni e t'i tregojnë se nuk ka zot tjetër pos Allahut.:
Musai me vëllain e vet shikuan te faraoni dhe e thirrën ta besojë Zotin një, Krijuesin që përsosi çdo krijesë, dhe të vetmin furnizues, i cili edhe pas vdekjes do t'i ringjallë të gjithë. Mirëpo, edhe pse Musai ia tregoi të gjitha mrekullitë që dokumentonin për Zotin fuqiplotë, faraoni nuk deshi t'i pranojë, nuk e njohu as Musain si pejgamber dhe u përpoq ta shpallte si magjistar.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:45–20:48
Allahu i Lartësuar na tregon rreth Musait dhe Harunit - Paqja e Zotit qoftë mbi ta! - dhe lutjes që ata i drejtuan Atij. Duke i shprehur dobësinë, pafuqinë dhe nevojën e madhe për ndihmën dhe për mbrojtjen e Tij, ata të dy iu lutën Allahut: - “Ata të dy (Musai e Haruni) thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë, ose do t’i kalojë të gjithë kufijtë kundër nesh.”. - Ata kishi n frikë se Faraoni, si tiran i pamëshirshëm dhe gjakatar që ishte, do të tregohej i ashpër me ta dhe mund t’i vriste. Por Allahu i
Lartësuar, që kujdeset për të dashurit e Tij, u drejtohet atyre dhe u thotë: - “Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni, sepse Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh (gjithçka)”. - Mua nuk më fshihet asgjë prej çështjeve tuaja! Gjithashtu, dijeni mirë dhe të jeni të bindur se ai tiran është tërësisht në dorën Time dhe nën pushtetin Tim. Ai as nuk mund të flasë dhe as nuk mund të marrë frymë, apo të bëjë diçka, pa lejen Time dhe jashtë vullnetit Tim. Unë jam me ju të dy, me mbrojtjen, ndihmën dhe mbështetjen Time! - “Kështu, shkoni e i thoni atij: “Ne jemi të dërguar të Zotit tënd. Lëri bijtë e Izraelit të vijnë me ne dhe mos i mundo!” - Ibn Abasi tregon: “Musai dhe Haruni qëndruan gjatë në portat e kështjellës së Faraonit, sepse nuk u jepej lejë që të hynin. Më në fund, iu dha leja, por të shoqëruar nga shumë roje.” Sudiju tregon se, kur Musai mbërriti në Egjipt, ai takoi nënën dhe vëllain e vet, të cilët nuk e njohën fillimisht. Pasi e vërejtën me kujdes dhe e njohën, ata u përshëndetën me selam. Më pas, Musai i drejtohet vëllait dhe thotë: “O Harun, Zoti im më ka urdhëruar që të shkoj tek ky burrë (Faraoni) dhe ta ftoj atë që të besojë dhe t’i nënshtrohet Allahut. Por Allahu i Madhëruar të ka urdhëruar edhe ty, që të jesh ndihma dhe krahu im në këtë mision.” Haruni tha: “Do të bëj gjithçka që të ka urdhëruar Zoti yt!” Kështu, ata u nisën me natë. Kur arritën atje, Musai e goditi fort me shkopin e tij portën e kështjellës. Faraoni, që e dëgjoi këtë goditje të fortë, u zemërua dhe tha: “Kush guxon të bëjë këtë vepër të shëmtuar?!” Rojet dhe portierët e njoftuan se në portë ishte një burrë i çmendur, i cili thoshte se është i dërguari i Allahut. Atë - herë, Faraoni dha urdhër: “Ma sillni këtu!” Kur ishin përballë Faraoni, ata i thanë: - “Ne kemi ardhur me argumente nga Zoti yt dhe shpëtimi është për atë që ndjek Rrugën e Drejtë. ” - Ne kemi ardhur me mrekulli dhe shenja të jashtëzakonshme nga Zoti yt. Nëse ndjek udhëzimin e Zotit, atëherë paqja e Zotit qoftë mbi ty, por: - “Neve na është shpallur se dënimi është për atë që mohon (të dërguarit) dhe ia kthen shpinën besimit”. - Allahu i Madhëruar na ka njoftuar në Shpallje, - dhe Shpallja e Tij është ruajtur dhe kurrë nuk gabon, - se ndëshkimi i Tij godet ashpër mbi të gjithë ata që refuzojnë shpalljet e Tij, që nuk marrin mësim dhe nuk besojnë mrekullitë dhe shenjat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Për sa i përket atij, që i ka kaluar kufijtë dhe i ka dhënë përparësi jetës së kësaj bote, Xhehenemi do të jetë vendi i tij.” [Naziat 37 - 39]. Ose: “Unë ju kam tërhequr vërejtjen për Zjarrin e ndezur fort. Në të nuk hyn tjetërkush, veç më fatziu, i cili e mohoi (Shpalljen) dhe i ktheu shpinën (të vërtetës) .” [Lejl 14 - 16], ose: “ Por ai (mosbesimtari) nuk beson dhe as nuk fal namaz, por vetëm mohon dhe kthen shpinën,” [Kijame 31, 32]. Domethënë, ai nuk beson me zemrën e tij dhe nuk nënshtrohet të adhurojë Zotin me vepra të mira, sipas këtij besimi.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:42–20:46
Pasi i kujtoi Musait (a.s) mirësitë e shumta që i kishte dhuruar në aspektin fetar dhe jofetar, Allahu i Madhëruar i thotë: - Prandaj, ti dhe vëllai yt, shkoni me argumentet e Mia,... – Shkoni te Faraoni, ti dhe yt vëlla Haruni, me shenjat e Mia, që tregojnë besnikërinë tuaj si profetë dhe vërtetësinë e Shpalljes. Ato tregojnë të vërtetën dhe bukurinë e saj. Gjithashtu, ato tregojnë të kotën dhe shëmtinë e saj, duke qortuar njerëzit dhe porositur për t'iu larguar. Allahu e pajisi Musain me shenja të mëdha, siç qe dora që vezullonte me bardhësinë e saj, shkopi që shndërrohej në gjarpër të madh që zvarritej frikshëm etj. Allahu i dhuroi nëntë shenja të qarta për Faraonin dhe palën e tij. Pastaj i dha një porosi të mrekullueshme: - ...e mos harroni të më kujtoni Mua! - Asnjë çast mos reshtni e mos ndaloni nga kujtimi e përmendja Ime. Kurrë mos u dembelosni e ta lini përmendjen Time, por
vazhdoni të më lavdëroni e përmendni, ashtu siç keni premtuar!” Musai tha: “O Zoti im! Zgjeroma gjoksin, lehtësoma këtë punë dhe zgjidhma nyjën e gjuhës (pengesën që kam kur flas), që ta kuptojnë fjalën time! Më jep një ndihmëtar nga familja ime, Harunin, timvëlla! Ma shto fuqinë me të Dhe bëma shok në punën time, Që të të lavdërojmë Ty shumë e më shumë Dhe të të kujtojmë Ty shumë e më shumë!" Përmendja e Zotit është ndihmë dhe lehtësim i madh për të gjitha veprat. Ajo lehtëson kryerjen e veprave dhe barrën e rëndë të vështirësive. - Shkoni që të dy te Faraoni, sepse ai vërtet e ka tepruar! - Faraoni i kishte kaluar kufijtë me padrejtësitë, tiraninë dhe ligësinë e tij. Megjithatë, shiko me kujdes porosinë e të Urtit: - Por, i flisni me fjalë të buta! Ndoshta ai mendohet e frikësohet. - Drejtoju me fjalë të lehta e të buta, me edukatë dhe dashamirësi, e jo me vrazhdësi. Drejtoju me fjalë të zgjedhura dhe me sjellje të mirë e të ngrohtë, me shpresë që të përfitojë dy gjëra: 1. të kujtojë e të kuptojë se çfarë i sjell dobi dhe të gjejë forcë të hedhë hapin drejt së mirës; 2. të frikësohet nga çfarë i kanoset dhe të mendojë për të shpëtuar prej saj. Fjalët e buta dhe sjellja e mirë e bëjnë të mundur diçka të tillë, ndërsa fjalët e ashpra dhe sjellja e keqe janë të dëmshme dhe e largojnë njeriun. Disa shpjegojnë se “fjalët e buta” ishin ato të Musait kur i tha Faraonit: “A dëshiron që të pastrohesh? Unë do të të udhëzoj për te Zoti yt, që t’ia kesh frikën!”. [Naziat 17 – 19]. Këto ishin vërtet fjalë të buta e të thjeshta. Nëse i studion, e sheh se sa të ngrohta ishin këto fjalë: “A do të pastrohesh?” Pra, a dëshiron të fillosh të pastrosh zemrën e shpirtin?! Ky më shumë duket si një propozim i butë, sepse bashkëfolësit i lihet në dorë që ta bëjë vetë zgjedhjen, duke aluduar se ai është i urtë dhe i mençur. Musai e ftoi Faraonin që të pastrohej e të largohej nga cilësitë e ulëta, dhe më i rëndësishëm këtu ishte pastrimi nga shirku. Ajo ishte ftesë për të reflektuar mbi një çështje që të gjithë e pranojnë: largimin nga shirku. Musai nuk i tha: “Unë kam ardhur të të pastroj”, por: “Të pastrohesh dhe lartësoshesh ti vetë.” Pastaj Musai e ftoi në rrugën e Zotit, i Cili i kishte dhuruar Faraonit shumë mirësi dhe pushtet. Ai e nxiti të reflektonte dhe të meditonte për mirësitë e shumta që kishte, dhe kështu të falënderonte Zotin, që ia kishte dhuruar. Musai i tha: “Unë do të të udhëzoj për te Zoti yt, që t’ia kesh frikën.”. Pra, të udhëzoj të jesh mirënjohës ndaj Zotit tënd, në mënyrë që të lartësohesh e pastrohesh. Por me gjithë këto fjalë të ngrohta, që ta rrëmbejnë zemrën, Faraoni nuk e pranoi ftesën. Atëherë, Musai e kuptoi se kjo ftesë nuk kishte efekt te Faraoni. Si pasojë, Allahu i Madhëruar e ndëshkoi atë, siç di të ndëshkojë Ngadhënjimtari i Plotpushtetshëm. - Ata të dy (Musai e Haruni) thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se do të na ndëshkojë menjëherë, ose do t’i kalojë të gjithë kufijtë kundër nesh.”. ” - Ne kemi frikës se mos Faraoni na ndëshkon pa na dëgjuar e pa ia përcjellë mesazhin Tënd. Ne druhemi se ai do ta refuzojë të vërtetën dhe do ta teprojë me pushtetin, forcën dhe ushtrinë e tij. - Ai (Allahu) tha: “Mos u frikësoni, sepse Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh (gjithçka)”. - Mos u frikësoni nga ndëshkimi i tij, sepse: “Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh gjithçka”. Ju të dy jeni nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen Time. Unë i dëgjoj fjalët tuaja dhe ju shikoj në të gjitha gjendjet tuaja. Pra, mos kini frikë prej Faraonit! Kështu, me këtë premtim të Zotit, zemrat e tyre u qetësuan dhe u siguruan.