20. Ta Ha · Ajeti 56 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:36–20:56
Pëvreç asaj që ia plotëson kërkesat e Musait, Zoti ia përmend aty edhe të mirat që ia ka dhuruar atij prej kur ishte foshnjë. Derisa faraoni i mbyste fëmijët e beni israilve, Zoti fuqiplotë e udhëzoi nënën e Musait ta vë foshnjën në një arkë (tabut) dhe I ta hedhë në lumë. Motra e Musait e përcolli deri kur arka ra në duart e familjes së faraonit. Foshnja nuk pranoi gjinin e asnjë i gruaje, atëherë motra e tij i tha familjes së faraonit, se ajo di për një grua të ndershme e besnike e cila do t'i japë gji foshnjës. Ata pranuan dhe e thirrën gruan (nënën e Musait) dhe kur ajo i afroi gjinin atij, ai menjëherë e thithi, për çka gruaja e faraonit u gëzua shumë dhe e luti gjidhënësen të qëndrojë dhe të jetojë në pallatin mbretëror. Ajo u ankua se nuk mund ta lë shtëpinë dhe fëmijët e saj, prandaj propozoi ta merrte foshnjën me vete, e kohë pas kohe do t'ua sillte ta shohin, gjë kjo të cilën ata e pranuan. Urtësia e Zotit bëri që foshnja t'i kthehej nënës së vet, e të mos e përjetojë ajo dhembjen për ndarjen nga fëmija e vet.
Ai ia përmendi edhe ndihmën që ia pati ofruar kur e pat mbytur një njeri, pastaj ndihmën sa ishte në Medjen te Shuajbi: dhe i tregoi se atë e ka zgjedhur pikërisht pejgamber dhe e urdhëroi që ai së bashku me Harunin të shkonin te faraoni e t'i tregojnë se nuk ka zot tjetër pos Allahut.:
Musai me vëllain e vet shikuan te faraoni dhe e thirrën ta besojë Zotin një, Krijuesin që përsosi çdo krijesë, dhe të vetmin furnizues, i cili edhe pas vdekjes do t'i ringjallë të gjithë. Mirëpo, edhe pse Musai ia tregoi të gjitha mrekullitë që dokumentonin për Zotin fuqiplotë, faraoni nuk deshi t'i pranojë, nuk e njohu as Musain si pejgamber dhe u përpoq ta shpallte si magjistar.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:53–20:56
Ky është plotësimi i përgjigjes së Musait, në lidhje me përshkrimin e Zotit Krenar dhe të Lartësuar, kur Faraoni e pyeti rreth Tij. Fillimisht, kur Faraoni e pyeti se kush është Zoti i botëve, Musai u përgjigj: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë formën e vet (të krijimit) dhe pastaj e ka udhëzuar.” Më pas, Allahu i Lartësuar sjell një përshkrim të bisedës mes Faraonit dhe Musait, dhe pastaj Musai vazhdon me përshkrimin e Allahut: - “(Zoti im) është Ai, i cili e ka bërë Tokën si qilim për ju ...” - Zoti e bëri Tokën të qëndrueshme, që ju të gjeni qetësi dhe t’i përkushtoheni aktivitetit tuaj të përditshëm, të flini në të, të udhëtoni përmes rrugëve të saj etj. - “... dhe për të mirën tuaj hapi rrugë nëpër të.” - Ju bëri rrugë, në mënyrë që ju të ecni nëpër to dhe të përfitoni nga begatitë e saj, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: “Është Ai që e bëri Tokën të përshtatshme për ju. Ecni nëpër të dhe shfrytëzoni mirësitë e Tij ...” [Mulk 12]. - “Ai e ka zbritur ujin prej qielli dhe me të mbijnë në çift bimë të llojeve të ndryshme ...” - Ju ka mundësuar të keni në Tokë lloje të shumta bimësh: të lashtat apo frutat me shije të ndryshme, të thartë, të hidhur, të ëmbël etj. - “Hani (nga mirësitë e Tij) dhe kulloteni bagëtinë tuaj (në atë bimësi) .” - Kënaquni me këto mirësi dhe me të gjitha llojet e ushqimeve dhe frutave, që Zoti ka bërë për ju dhe përdorini ato për kafshët tuaja. Shumë nga këto ushqime edhe mund t’i ruani dhe magazinoni. Pra, Zoti jua ka mundësuar që t’i konsumoni ato të freskëta, por edhe të thara, të përpunuara dhe të staxhionuara. - “Vërtet, në të gjitha këto ka shenja për ata që mendojnë. ” - Në të gjitha këto ka argumente, fakte dhe shenja madhështore, nga të cilat përfitojne ata që Zoti i përshkruan si njerëz “që mendojnë”, pra që kanë arsye dhe mendje të shëndetshme, logjikë të drejtë, përmes së cilës ata gjykojnë dhe kuptojnë se nuk ka Zot që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe nuk ka Krijues që përkujdeset dhe rregullon çështjet e krijesave, përveç Tij. - “Prej asaj (tokës) ju krijuam, në të do t’ju kthejmë përsëri e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.” - Nga toka ishte fillimi juaj. Ati juaj i parë, Ademi, u krijua prej dheut, prej një toke të zezë. Nga kjo tokë ju krijuam dhe tek ajo do t’ju kthejmë. Po në këtë tokë do të ktheheni kur të vdisni; aty do të treteni. - “... e prej saj do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër .” - Kjo do të ndodhë Ditën e Kijametit: “Ditën, kur Ai t'ju thërrasë dhe ju t'i përgjigjeni të përulur e duke e lavdëruar, do t'ju duket se qëndruat (në dynja) veçse për pak kohë.” [Isra 52]. Ky ngjan me një ajet tjetër: “... Në tokë do ta keni vendbani - min dhe do të gjeni mjetet e jetesës, deri në një afat të caktuar. Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të nxirreni (në fund).” [Araf 24, 25]. Në një hadith, i cili vjen në Sunen, thuhet se: 1782. “Profeti ﷺ ishte në një xhenaze. Pasi e varrosën të vdekurin, Profeti i Allahut mori një grusht dhé, e hodhi në varr, pastaj tha: “Prej tij (dheut) ju kemi krijuar...”. Pastaj mori një grusht tjetër dhe tha: “Tek ai do t’ju kthejmë ...”. Më pas mori dhe një grusht dhe tjetër dhe tha: “Prej tij do t’ju nxjerrim edhe një herë tjetër.”. - “Ne ia treguam atij (Faraonit) të gjitha argumentet Tona, por ai i mohoi dhe i refuzoi ato. ” - Faraoni i refuzoi shenjat e dërguara nga Zoti. Atij iu paraqitën fakte të
pakundërshtueshme, shenja të jashtëzakon - shme dhe argumente të pacenueshme. Megjithëse ai i dëshmoi ato me sytë e ballit dhe nga afër, përsëri i mohoi, i refuzoi me forcë dhe kokëfortësi, duke refuzuar kështu besimin e drejtë, duke mbuluar të vërtetën, duke shprehur armiqësi, kundërshti dhe urrejtje për të dhe duke kaluar çdo kufi, me arrogancën e tij. I Lartësuari thotë: “Dhe, kur u erdhën argumentet Tona të qarta, ata thanë: “Kjo është, pa dyshim magji!” Ata i mohuan ato në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi, edhe pse shpirtrat e tyre ishin të bindur për to (se ishin nga Zoti) . Dhe shikoje se si qe fundi i shkatërrimtarë - ve!” [Neml 13, 14].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:56–20:64
- Ne ia treguam atij (Faraonit) të gjitha Argumentet Tona, por ai i përgënjeshtroi dhe i refuzoi ato. - Allahu i Madhëruar na tregon se Ai i mundësoi Faraonit që të shihte të gjitha llojet e shenjave, qoftë në horizont, qoftë në veten e tij, por ai nuk pranoi të nënshtrohej dhe të kthente rrugë. Ai nuk e besoi mesazhin e Zotit dhe nuk u bind të jetonte sipas urdhrave e ligjeve të Zotit. Të vërtetën e quante gënjeshtër dhe kotësi, ndërsa tiraninë e padrejtësitë e tij i quante drejtësi. Faraoni mbronte me fanatizëm të kotën, për të hedhur poshtë të vërtetën. Ai përdori çdo mjet për të devijuar e mposhtur njerëzit e tjerë. - Faraoni tha: “O Musa! Mos vallë, na ke ardhur që me magjinë tënde të na nxjerrësh prej tokës sonë (prej Egjiptit)?” - Faraoni pretendoi se shenjat e jashtëzakonshme që solli Musai ishin magji dhe mashtrime, që fshihnin një qëllim tjetër: dëbimin e popullit nga atdheu dhe marrjen e pushtetit. I mallkuari i thoshte këto fjalë që të ndikonte në zemrat e popullit, sepse dihet që njeriu e do atdheun e vet dhe kërkon ta mbrojë atë. Gjithashtu, njeriu e ka shumë të vështirë të largohet dhe ta braktisë vendin e vet. Kështu, duke i manipuluar me fjalë, Faraoni i bindi njerëzit se ky ishte qëllimi i vërtetë i Musait. Në këtë mënyrë, ata do ta urrenin dhe luftonin Musain, duke mos dashur të dëgjonin më prej tij. - Por, Ne do të të sjellim ty një magji të ngjashme. - Edhe ne do të demonstrojmë një magji të ngjashme, prandaj na jep një afat: - Cakto midis nesh e teje një kohë dhe vend të përshtatshëm takimi, që nuk do ta thyenim as ne e as ti!”. - Vendos një ditë për një takim sfidues, që ta dimë të dyja palët. Gjithashtu, lër një vendtakim të njohur, që ta shohin të gjithë përballjen tonë! Atëherë, Musai tha: - Musai tha: “Koha e caktuar le të jetë Dita e Festës, që njerëzit të tubohen paradite.”. – Ai e la përballjen në një ditë feste, kur njerëzit nuk kishin shumë punë e angazhime, prandaj do të vinin të merrnin pjesë të gjithë. Për më tepër që takimi u la paradite, që pjesëmarrja të ishte sa më e madhe dhe njerëzit ta shihnin me sytë e tyre realitetin. - Kështu, Faraoni u kthye, tuboi magjistarët e vet dhe doli në kohën (dhe vendin) e caktuar. – Kështu, Faraoni mblodhi popull dhe magjistarë sa mundi, për intrigën e tij kundër Musait. Ai dërgoi njerëzit e tij në të gjitha qytetet për të mbledhur sa më shumë magjistarë të njohur dhe të zotë. Asokohe, magjia ishte e përhapur shumë dhe ishte bërë një njohuri e rëndësishme dhe e vlerësuar ndër njerëz. Si përfundim, Faraoni mblodhi një numër të madh magjistarësh. Të dyja palët dolën në kohën dhe vendin e caktuar. Ishin grumbulluar me mijëra njerëz: të pasur e të varfër, të pushtetshëm dhe popull i thjeshtë, të mëdhenj e të vegjël. Atëherë u bë një reklamë e madhe, që njerëzit të merrnin pjesë masivisht. - Musai u tha atyre (magjistarëve): “Mjerë ju! Mos trilloni gënjeshtra kundër Allahut dhe t’ju shkatërrojë me dënim. Nuk ka dyshim, se ai që trillon (gënjeshtra kundër Allahut) , ka për të dështuar.”. - Mos e mbroni të kotën dhe, nëpërmjet magjisë tuaj, të bëheni palë me të! Mos luftoni kundër të vërtetës dhe të trilloni gënjeshtra kundër Allahut, sepse kjo do të sillte ndëshkimin shfarosës mbi ju!
Çfarë do që të bëni, do të zhgënjeheni për trillimet e shpifjet tuaja. As ofiqet apo nderet që synoni nga Faraoni nuk do t’i merrni dhe as nga ndëshkimi i Allahut nuk do të shpëtoni. Nuk ka dyshim se fjala e vërtetë dhe e drejtë do të ndikojë te njerëzit dhe zemrat e tyre. - Ata (magjistarët) diskutuan (mes tyre) për këtë çështje, por e mbajtën të fshehtë bisedën. - Pasi dëgjuan fjalët e Musait, magjistarët filluan të grindeshin mes njëri tjetrit, duke ngritur zërin. Mbase pjesë e polemikës së tyre ishte edhe pyetja: A është Musa me të vërtetën apo jo?! Sidoqoftë, besimi i tyre deri në ato çaste ende nuk po qartësohej. Ajo që Zoti kishte caktuar do të ndodhte patjetër, në mënyrë që, sikurse thuhet në Kur'an: “...jobesimtarët ta dinë se kanë mohuar, pasi e vërteta iu bë e qartë, ndërsa besimtarët të vazhdojnë të besojnë, pasi e vërteta u bë e qartë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” [Enfal 42]. Ata e mbajtën sekret debatin mes tyre dhe ranë dakord që para njerëzve të dilnin me një qëndrim, me qëllim që populli të ishte i bashkuar në fenë dhe besimet e tyre të kota. Kësisoj, ata dolën në popull dhe thanë: - Pastaj (sipas urdhrit të Faraonit) thanë: “Këta të dy janë magjistarë, që duan t’ju nxjerrin nga toka juaj me magjinë e tyre... - Ja pra këto ishin fjalët që ranë dakort se do t’ia thonë popullit. Kjo fjalë e thënë nga magjistarët para popullit ishte e ngjashme me fjalën e Faraonit thënë më parë. Ka mundësi që kjo përzgjedhje e fjalëve nga magjistarët të jetë rastësore, por ka mundësi që Faraoni t’u ketë dhënë urdhër atyre për t'i folur para popullit. Përveç fjalës së Faraonit ata shtuan edhe disa fjalë kur thanë: - ... dhe ta zhdukin rrugën tuaj që, pa dyshim, është më e drejta.”. - Këto ishin fjalët që magjistarët ranë dakord të thoshin publikisht, për të nxitur njëri -tjetrin edhe më shumë kundër Musait. Ata thoshin: Musai, nga smira që ka për prestigjin dhe famën tuaj, kërkon të bëhet i famshëm dhe t’ju komandojë ju, që jeni aq të njohur me magjitë tuaja. Ai kërkon t’ju rrëmbejë famën dhe pasurinë, që ju fitoni me magjinë, duke dalë kështu mbi ju. - Prandaj vendosni seriozisht për çështjen tuaj dhe dilni në shesh tok e të bashkuar! Ai që triumfon sot, ai ka fituar.! - Hidhuni në veprim si një trup i vetëm, duke demonstruar gjithë fuqinë tuaj! Për të dalë triumfues, bëhuni të gjithë bashkë, që puna juaj të jetë më e fuqishme! Jepni gjithçka që keni, sepse kush fiton sot, ka fituar gjithçka që synon, qoftë pasuri apo pushtet. Nga fitorja e kësaj dite varen ditët që do të vijnë më pas. Subhanallah! Sa të përkushtuar ishin ata në mbrojtjen e së kotës! Sa këmbëngulës ishin arritjen e qëllimeve të tyre! Ata lëvizën çdo gur që të mposhtnin të vërtetën. Por Allahu dëshiron që të triumfojë vetëm e vërteta dhe të mposhtet e kota!