20. Ta Ha · Ajeti 98 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 20:77–20:98
Derisa faraoni vazhdonte arrogancën e vet, Zoti e urdhëroi Musain të largohej prej aty natën, e i thotë t'i mëshojë me shkopin e tij detit, e ai do të ndahet dhe do të krijohen rrugë të terura nëpër të, ndërsa populli i tij mos të frikësohen se do t'i mbysë uji ose se do t'i zë faraoni me ushtrinë e vet. Musai kaloi mirë me popullin e vet përtej detit, e faraoni që iu kishte vu prapa tyre duke i ndjekur, u fut në ato rrugë të detit, por uji u bashkua dhe i përmbyti.
Zoti xh. sh. ua përkujton beni israilve të mirat që ua dhuroi dhe i këshilloi t'ju përmbahen udhëzimeve të Tij.
Musai shkonte në Turë për ta pranuar shpalljen, e me të ishin disa pari që i kishte zgjedhur ai, por nga dashuria për bisedën që do ta bëjë me Zotin, u ngut dhe eci para tyre.
Gjatë kohës sa qëndroi Musai në Turë, populli i tij u mashtrua prej njëfarë "Samirij)". Si duket ai kishte qenë më parë si adhurues i lopës, kishte pranuar fenë e beni israilve, rridhte prej familjes Samirijj, ndërsa emrin e kishte Musa. Kështu ai popull filloi ta adhurojë një viç që Samirijja e mbaroi prej stolisë e që e kishin huazuar beni israilët prej kibtasve. Stolisë së shkrirë në zjarr i kishte dhënë formë viçi,e si thoshte Samirijja, ia kishte hedhur një grusht dhë, që e kishte marrë prej gjurmës së këmbës së kalit, në të cilin kishte ardhur Xhibrili për ta dërguar Musain në Tur.
Kjo bëhej gjoja se vetëm Samirijja e kishte parë atë rast të Xhibrilit dhe se viçi pëlliste si të ishte i gjallë.
Zoti xh. sh. e njoftoi Musain sa ishte ende në Turë për devijmin e popullit të tij, andaj ai u kthye shumë i zemëruar dhe nga hidhërimi e zuri të vëllain për flokësh dhe e qortoi, por Haruni u u leçit nga i gjithë populli, e viçin e punuar e dogji Musai duke mos i lënë as hirin dhe kështu asgjësoi atë bindje, dhe i thirri të adhuronin vetëm Allahun, të Gjithëdijshmin.
Me tregimin e kësaj ngjarjeje, Zoti xh. sh. vërteton dërgatën e Muhammedit, i cili, sikur të mos ishte njoftuar nga Zoti, nuk do të dinte asgjë për të kaluarën.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 20:95–20:98
Musa (a.s) i drejtohet Samiriut: - “Musai tha: “Si është, atëherë puna jote, o Samiri?” - Çfarë të shtyu të veproje në këtë mënyrë? Muhamed Ibn Is’haku citon Ibn Abasin: “Samiriu ishte nga një popull që adhuronin lopën, por që kishte shfaqur Islamin dhe ishte bashkuar me bijtë e Izraelit. Emri i tij ishte Musa Ibn Dhafr.” - “Samiriu tha: “Unë pashë atë që ata nuk e panë. ” - Domethënë, unë pashë
Xhibrilin, kur ai erdhi për të ndëshkuar Faraonin. - “Unë mora një grusht dheu nga gjurma e të dërguarit (Xhibrilit) ...” - Domethënë, nga gjurmët e kalit të tij. Ky është shpjegimi më i përhapur i mufesirëve. - “... dhe ia hodha atij (viçit).” - Domethënë, e hodha atë mbi viçin prej floriri. Ibn Ebu Hatimi sjell shpjegimin nga Ikrima, që thotë se: Samiriu pa të dërguarin e Zotit, pra, melekun Xhibril, dhe atëherë i erdhi në mendje ideja se, po të merrje një grusht dheu nga gjurma e kalit të Xhibrilit, po ta hidhje atë mbi diçka pa shpirt dhe nëse i thoshe asaj “Bëhu!”, atëherë ai send do të bëhej i gjallë. Kështu, ai mori një grusht dheu, ia hodhi viçit dhe tha “Bëhu!”, dhe ai u bë viç, që nxirrte zë. - “Ja, kështu më tha vetja ime.”. - Kështu ma zbukuroi vetja dhe më pëlqeu ky mendim. - “Musai tha: “Atëherë ik! Sa të jesh gjallë ke për të thënë: “Mos më prekni!” - Atëherë, meqenëse ti preke diçka që nuk të lejohej ta prekje dhe ta merrje, - siç ishte gjurma e melekut Xhibril, - ndëshkimi yt në dynja do të jetë i tillë që, ti gjithmonë do të thuash: “Mos më prekni!”. Pra, kurrë nuk do t’i prekësh njerëzit dhe as ata nuk do të të prekin ty. - “Përveç kësaj ty të pret edhe një afat (dënimi), që nuk do të thyhet. ” - Kjo do të ndodhë Ditën e Gjykimit dhe ti nuk mund t’i shmangesh asaj. - “Tani shikoje zotin tënd, që e adhurove me përkushtim! ” - Shikoje tani të adhuruarin tënd, të cilit ju përkushtove me adhurime, pra, viçin. - “Ne do ta djegim atë dhe do ta shpërhapim nëpër lumë”. - Ibn Abasi shpjegon: “Musai e rrëmbeu viçin dhe e flaku në zjarr.” Pastaj “do ta shpërhapim nëpër lumë”, pra, do t’i hedh mbetjet e tij në lumë. - “Zoti juaj (që meriton adhurimet) është vetëm Allahu. ” - Musai (a.s) iu drejtua popullit: “Nuk është ky i adhuruari juaj, që meriton ta doni fort dhe t’i nënshtroheni me adhurime. I vetmi i Adhuruar, që duhet ta doni dhe t’i përuleni, është Allahu, dhe nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij! Askush nuk meriton adhurimet e krijesave, përveçse Allahu i Lartësuar. Çdo gjë është nevojtare për Allahun dhe për kujdesin e Tij. Madje, çdo gjë ka nevojë që të adhurojë Allahun dhe t’i nënshtrohet Atij. - “Përveç Tij, nuk ka zot tjetër (të denjë për adhurim) dhe dituria e Tij përfshin çdo gjë. ” - Ky është sërish përshkrimi i Allahut të Lartësuar. Ai është i Gjithëditur për çdo gjë. Dituria e Tij ka përfshirë të gjitha krijesat. Ai ka shënuar dhe di hollësisht numrin e gjithçkaje. Diturisë së Tij nuk mund t’i fshihet asgjë, qoftë edhe sa thërrmija më e vogël. Madje, as një gjethe nuk bie nga pema, që Ai të mos e dijë: “Vetëm tek Ai janë çelësat e fshehtësive dhe ato nuk i di askush tjetër veç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. As edhe një gjethe nuk bie pa dijeninë e Tij. Nuk ka kokërr në thellësi të Tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë, që nuk është në Librin e qartë.” [En’am 59].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 20:98
Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër me meritë, përveç Allahut të Madhëruar. Ai është i vetmi që meriton adhurimet. Vetëm Allahu meriton ta duash, ta shpresosh, t’i fikësohesh, t’i lutesh, sepse Ai është i Ploti, Absoluti në emrat dhe cilësitë e Tij të mrekullueshme. Dituria e Tij ka përfshirë gjithçka. Të gjitha mirësitë, pa përjashtim, janë dhuratë e Tij. Vetëm Ai largon të këqijat dhe të shpëton prej tyre. Nuk ka tjetër të adhuruar me meritë përveç Allahut. Ai është i vetmi të Cilit i duhen përkushtuar të gjitha adhurimet e nënshtrimi i plotë.