21. Enbija · Ajeti 1 · Tefsir

Hyrja e sures El-Enbija Sherif Ahmeti

E zbritur në Meke, pas sures Ibrahim, ajete: 112

Kjo kaptinë e shpallur në Meke rrah çështjet e besimit islam siç janë: të dërguarit e Zotit, besimi në një Zot, ringjallja shpërblimi ose ndëshkimi, përshkruan edhe momentin e kijametit dhe tronditjet që do të pasojnë prej tij, e po ashtu i regjistron edhe disa tregime të pejgamberëve.

Që në fillim jepet hutia dhe naiviteti i njerëzve ndaj përgatitjes për jetën tjetër, për Ahiretin, i cili është në prag, sepse ajo gjë që është e sigurt se do të ndodhë, është afër, edhe nëse shtyhet për një kohë të caktuar.

Përmenden edhe ata që u përpoqën ta quajnë gënjeshtër shpalljen e Zotit, duke i mveshur e shpifur trillime të ndryshme të dërguarit e Tij, Muhammedit, madje sa herë që e takuan, e përqeshën, u tallën me të dhe me mësimet e tij, derisa sipas ligjeve ekzistuese të Zotit në këtë gjithësi, mizorët i goditi asgjësimi dhe zhdukja.

Në këtë kaptinë janë përmbledhur edhe disa tregime rreth pejgamberëve, e më gjerësisht tregimi për Ibrahimin dhe popullin e tij idhujtar, për statujat e tyre që i adhuronin, për sprovën e tij duke e hedhur në zjarr dhe largimin e tij prej mesit të atij populli të prishur. Shkurtimisht përmenden edhe pejgamberët: Is-haku, Jakubi, Nuhu, Davudi, Sulejmani, Ejubi, Ismaili, Idrisi, Dhulkifli, Dhennuni, Zekerijai dhe Isai. Në fund përshkruhet revelata e pejgamberit të fundit, e Muhammedit, të birit të Abdullahut, e mëshirës për mbarë botën.

Quhet: "Suretul Enbijai" - kaptina e pejgamberëve, pse në këtë kaptinë Allahu përmend një grup të pejgamberve të famshëm.

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:1–21:15

Njerëzve po u afrohet momenti i përgjegjësisë para Zotit, ndërsa ata janë zhytur në kënaqësitë e kësaj jete dhe as nuk mendojnë fare për këtë. Afrimi i ditës ose i momentit të llogarisë, është i sigurt ngase çdo e ardhme është e afërt, po edhe vdekja është një moment i përgjegjësisë.

Çdo pjesë të re e cila i shpallej Muhammedit, idhujtarët e tallnin, madje bënin biseda të fshehura mes vete: Muhammedi është njeri sikurse edhe ne, si mund t'i vijë atij shpallja? E për t'i larguar të tjerët prej besimit, thonin: Kjo është magji, ose ai po ëndërron gjëra të kota apo ndoshta ai vetë e trillon këtë Kur'an, e mund të jetë edhe poet. Kërkonin prej Muhammedit ndonjë mrekulli konkrete si shkopi i Musait, deveja e Salihut etj. Zoti xh. sh. i sqaron Muhammedit se edhe ata që ishin para tyre kërkuan gjëra të ngjashme dhe kur u plotësuan kërkesat e tyre ata përsëri refuzuan, e kështu do të bëjnë edhe mekasit, andaj hiqu tyre.

Të gjithë pejgamberët ishin burra që ushqeheshin, që ecnin e që vdisnin, e nëse këtë nuk e kuptojnë, atëherë le të pyesin njerëzit që janë të dijshëm dhe që kanë lexuar librat e mëparshme në mënyrë që të binden.

Kurejshitëve u tërhiqet vërejtja, pse nuk e pranonin Kur'anin kur ai ishte në gjuhën e tyre, e i ishte shpallur njeriut nga mesi i tyre. Thuhej se në të ishte edhe fama dhe autoriteti i tyre si popull i privilegjuar me shpallje në gjuhën e tyre, madje se mësimet e Kur'anit do t'u ngritnin i atyre karakterin njerëzor në këtë jetë dhe do t'i ngritnin në grada të larta në jetën tjetër.. i Kundërshtarët ishin kryelartë gjithnjë derisa e shihnin dënimin, atëherë ata ulnin kokën dhe orvateshin të iknin, por ishte e kotë, sepse urdhërit të Zotit nuk mund t'i iket, e engjëjt që u merrnin i shpirtin me atë dënim u thonin - në shenjë ironie: kthehuni në kënaqësitë që ishit, si mund të ndodhë që të mos u pyes askush për fatin tuaj... Kështu bëhej tallje me ta, mu sikurse bënin tallje ata me Kur'anin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:1–21:6

- “Gjithnjë e më shumë po u afrofet njerëzve Dita e Llogarisë, por ata nuk i kushtojnë vëmendje dhe i shmangen. ” - Allahu i Lartësuar sjell një paralajmërim për njerëzit, se Kijameti është afruar, ndërsa njerëzit janë tërësisht të pakujdesshëm në lidhje me të. Nesaiju transmeton nga Ebu Seidi se Profeti duke shpjeguar këtë ajet tha: 1807. “... pra në jetën e dynjasë.” Kështu, në jetën e dynjasë a ta nuk punojnë për ditën e takimit me Zotin dhe nuk përgatiten për llogarinë e vështirë dhe të frikshme, që i pret. Allahu i Lartësuar thotë: “Erdhi (është afruar) urdhri i Allahut (kijameti). Pra mos e kërkoni ngutjen e tij! I Pastër (nga çdo mangësi) dhe i Lartësuar është Ai në krahasim me atë (idhujt) që ata i shoqërojnë.” [Nahl 1]. Gjithashtu: “U afrua Ora dhe Hëna u ça. E, megjithatë, sa herë që ata shohin ndonjë mrekulli, kthejnë shpinën e thonë: “Kjo është magji e vazhdueshme.” Ata e mohojnë të Vërtetën dhe ndjekin

dëshirat e veta, por çdo çështje do të plotësohet në cakun e fundit.” [Kamer 1, 2]. Në vijim, i Lartësuari na tregon se ata nuk i kushtojnë vëmendje e respekt Shpalljes së Tij. Ky ligjërim u drejtohet kurejshëve dhe të gjithë mohuesve të ngjashëm në vepra. - “Sa herë që u vjen ndonjë këshillë e re nga Zoti i tyre, ata e dëgjojnë atë si me tallje. Zemrat e tyre kanë devijuar nga e vërteta.” - Sa herë që, nëpërmjet Shpalljes, atyre u vjen ndonjë këshillë e re nga Zoti i tyre, ata e dëgjojnë atë si me tallje. Ibn Abasi tha njëherë: “Ç’është me ju, që pyesni ithtarët e Librit në lidhje me çfarë shkruhet në librat e tyre, kur e dini mirë që ata i kanë tjetërsuar e ndryshuar ata, kanë shtuar, hequr e fshehur prej tyre, ndërkohë që Libri juaj është i fundmi, që Zoti ka shpallur e të cilin ju e lexoni të kulluar e të pastër nga çdo shtesë?!” Buhariu sjell një version të ngjashëm me këtë. - “Keqbërësit duke biseduar fshehtas, thonë: “A mos është ky (Muhamedi) më shumë se njeri, siç jeni edhe ju? ” - Pra, duke biseduar fshehtaz mes njëri -tjetrit, ata thonë të tilla justifikime për mospranimin e Muhamedit si Profeti i Allahut. E shohin si diçka të pamundur dhe të largët që ai të jetë profet, sepse ai është thjesht një njeri, sikurse edhe ata. Atëherë, duke qenë njeri, përse të dallohej mbi të tjerët, duke iu dhënë Shpallja? - “A do të shkoni te magjia e tij me sy hapur?” - A do ta ndiqni rrugën e tij, si ai që shkon pas magjisë, edhe pse e di ndikimin e fortë të saj? Në vijim, Allahu i Lartësuar hedh poshtë shpifjet e tyre: - “Ai (Muhamedi) tha: “Zoti im di për çdo fjalë që thuhet në qiell e në tokë. ” - Kur Ai është i gjithëditur për këto gjëra, atëherë Atij nuk mund t’i fshihet asgjë; Ai di çdo fshehtësi të qiejve dhe të tokës. - “Ai dëgjon dhe di gjithçka.” – Ai i dëgjon të gjitha fjalët tuaja dhe di për çdo gjendje në të cilën ndodheni. Sigurisht, ky është një kërcënim dhe paralajmërim i frikshëm për ata të mjerë. - “Ata thonë për të (Kuranin): “Janë ëndrra të përziera.” Gjithashtu, thonë: “Ai e ka trilluar vetë, madje ai është poet.” - Kjo tregon për kokëfortësinë e mohuesve, që refuzojnë Shpalljen dhe Pro - fetin, por tregon, gjithashtu, edhe se ata janë të çoroditur e të paqartë, në lidhje me përshkrimet që i bëjnë Kuranit dhe Profetit ﷺ .Ata herë thonë se Kurani është një magji, herë thonë se është poezi ose ëndrra të përziera, e herë të tjera thonë se ai është një trillim. I Madhëruari na tregon edhe trillimet e tyre për Profetin: “Shih se si të veshin ty epitete (i çmendur, poet, i magjepsur) ! Ata kanë humbur (shumë larg) dhe nuk mund ta gjejnë Rrugën (e Vërtetë) .” [Isra 48]. - “Le të na sjellë ndonjë mrekulli, ashtu si sollën të mëparshmit!” - Kishin për qëllim mrekulli si deveja, që iu dha Salihut, ose mrekullitë që iu dhanë Musait dhe Isait (a.s.), por Allahu i Madhëruar thotë: “Ne nuk na pengon asgjë që t’ju sjellim shenja, por popujt e parë i mohuan ato. Ne i dhamë Themudit devenë, si një shenjë të qartë, por ata e mohuan atë. Ne i dërgojmë shenjat si paralajmërim (për t'u larguar nga e keqja).” [Isra 59]. - “Banorët e mëhershëm të qyteteve nuk besuan, prandaj Ne i shkatërruam ata. Vallë, do të besojnë këta?” - Në çdo vendbanim e popull, ku dërguam profetë, edhe pse u sollëm mrekulli në duart e profetëve të tyre, ata nuk besuan dhe nuk iu nënshtruan udhëzimeve të Zotit, prandaj merituan ndëshkimin. Mos vallë, këta do të besojnë nëse u sillen mrekulli të tilla?! Kurrë nuk kanë për të besuar! I Madhëruari thotë: “Me të vërtetë, ata të cilët e merituan vendimin e Zotit tënd (për ndëshkim) , ata nuk do të besonin, edhe sikur t’u vinin të gjitha shenjat, derisa ta shohin vetë dënimin e rëndë.” [Junus 96, 97]. Kështu do të ndodhte me këta të padrejtë, të cilët panë shenja të jashtëzakonshme, fakte të qarta, të sjella nga Profeti më i zgjedhur i Allahut, të tilla që zhvlerësonin çdo arsyetim të mohuesve, më shumë sesa çdo mrekulli

tjetër që iu dha profetëve të mëparshëm, - paqja lavdërimet dhe begatitë e Zotit qofshin me të gjithë të dërguarit e Tij!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:1–21:4

- Gjithnjë e më shumë po u afrofet njerëzve Dita e Llogarisë, por ata nuk i kushtojnë vëmendje dhe i shmangen. – Vërtet, me disa njerëz është për t’u habitur. Atyre nuk u bën dobi asnjë lloj paralajmërimi. Ata nuk duan t’ia dinë për asnjë lloj kërcënuesi e paralajmëruesi, ndërkohë që llogaria e tyre po afron. Shumë shpejt ata do të marrin atë që meritojnë për veprat e mira ose të këqija që kanë bërë e, megjithatë, ata vazhdojnë të jenë të painteresuar ndaj qëllimit për hir të të cilit u krijuan. Nuk duan t’ia dinë nga kërcënimet e qortimet, a thua se janë krijuar vetëm për këtë jetë dhe vetëm për dëfrime. Allahu i Madhëruar vazhdimisht i përsërit qortimet

dhe paralajmërimet për ta, kurse ata vazhdojnë të zhyten thellë e më thellë në hutimin dhe dëfrimet e tyre. - Sa herë që u vjen ndonjë këshillë e re nga Zoti i tyre, ata e dëgjojnë atë si me tallje. - Përmes shpalljeve e paralajmëruesve, Zoti u kujton dhe u mëson krijesave gjërat që u sjellin dobi, duke i nxitur për t’i kryer ato, me shpërblimet e shumta që u premton. Ai i mëson që të ruhen nga çdo gjë që i dëmton dhe i paralajmëron që të largohen prej tyre. Por ata i dëgjojnë këto mësime dhe më pas i shpërfillin ato. Njerëzit harrojnë se nuk do të kenë më asnjë justifikim para Zotit për mohimin e tyre. Ashtu vazhdojnë të përhumben, duke luajtur e dëfryer me kënaqësitë e kësaj bote: - Zemrat e tyre kanë devijuar nga e vërteta. - Zemrat e tyre janë tërësisht të përkushtuara pas plotësimit të kënaqësive të kësaj jete. Ata harrohen në dëfrime dhe epshe, në punë të kota dhe fjalë të ulëta. Prej tyre kërkohet tërësisht e kundërta. Ata duhet të jenë të përkushtuar me zemër në çështjen e adhurimit të Zotit. Ata duhet të dëgjojnë Shpalljen e Zotit me vëmendje dhe me dëshirën për të kuptuar mesazhet e saj. Me trupin e tyre, ata duhet të nxitojnë të nënshtrohen dhe të adhurojnë Zotin e tyre, sepse për këtë gjë janë krijuar. Ata janë krijuar që të adhurojnë Zotin si Një të vetëm, me mënyrën që Ai ua tregon në Shpallje përmes profetëve dhe janë porositur që gjithmonë ta kujtojnë Ditën e Kijametit, ditën kur do të bëhet llogaria e veprave të tyre dhe shpërblimi me drejtësi. Në këtë mënyrë do t’u rregullohet gjendja do t’u përmirësohen veprat. Për ajetin: “Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre“ janë dhënë dy shpjegime. Sipas shpjegimit të parë, umeti ynë është i fundit dhe Muhamedi (a.s) është Profeti i fundit. Në këtë umet do të ndodhë Kijameti. Pra, kuptimi është ky: është afruar shumë koha e ndodhisë së Kijametit, në krahasim me popujt e shkuar. Profeti (a.s) ka thënë: “Unë dhe Kijameti jemi renditur si këta dy gishta”, duke treguar gishtin tregues dhe tjetrin pas tij.” Sipas shpjegimit të dytë, qëllimi me “afrimin e llogarisë” është vdekja. Kush vdes, në fakt, i ka filluar kijameti. Ai tashmë ka hyrë në jetën e llogarisë dhe të shpërblimit. Dhe është vërtet për t’u habitur me njerëzit që po u afrohet vdekja, ndërsa ata vazhdojnë të jenë shpërfillës ndaj saj. Kjo është gjendja e të gjithë njerëzve, përveç atyre që Zoti i ka futur nën kujdesin e Tij të veçantë, të cilët përgatiten për udhën e gjatë pas vdekjes. - Keqbërësit duke biseduar fshehtas, thonë: “A mos është ky (Muhammedi) më shumë se njeri, siç jeni edhe ju? - Në këto ajete, Allahu i Madhëruar na tregon bisedat e fshehta që bënin mohuesit mes njëri - tjetrit. Ata, të mbushur me inat e padrejtësi, thoshin lloj -lloj shpifjesh për të mohuar Profetin. Kështu, ata thanë se Muhamedi ishte thjesht një njeri, njëlloj si të tjerët. Atëherë, pse ta dëgjonin dhe t’i bindeshin?! Ai, sipas tyre, nuk kishte asgjë të veçantë. Ai thjesht donte që të shquhej më shumë dhe të dilte udhëheqës, prandaj njerëzit nuk duhej ta besonin. Ata thoshin se ishte magjistar dhe se Kur'ani ishte një magji, prandaj nuk duhej t’i afroheshe fare, por t’i rrije sa më larg. Ata thoshin gjithashtu: - A do të shkoni te magjia e tij me sy hapur?” - Mendoni pak! Ata i thoshin këto fjalë, edhe pse e dinin shumë mirë se ai ishte Profet i Allahut dhe prej tij panë shenja e mrekulli të shumta, madje më shumë se prej çdo profeti tjetër. Ata e refuzuan dhe e mohuan, sepse ishin arrogantë, kryeneçë, inatçorë e të padrejtë. Allahu i di të gjitha bisedat e tyre të fshehta dhe do t’i shpërblejë ashtu siç e meritojnë: - Ai (Muhamedi) tha: “Zoti im di për çdo fjalë që thuhet në qiell e në tokë. Ai Dëgjon dhe Di gjithçka.” - Ai i di ato që janë të fshehta dhe ato që thuhen haptaz, di të gjitha fjalët që thuhen apo s’thuhen, në qiell dhe në tokë dhe në çdo hapësirë mes tyre. Allahu dëgjon të gjitha zërat me të gjitha gjuhët e ndryshme, me të gjitha

nevojat e shumta. Ai di se çfarë fshihet brenda kraharorit.

← Enbija 21:1