21. Enbija · Ajeti 105 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:101–21:112

Besimtarët bëmirës nuk do ta ndiejnë zhurmën e zjarrit e të banuesve të tij, ata do të jenë në kënaqësitë më të mëdha të cilat i dëshirojnë, ndërsa engjëjt do t'i presin me mirëseardhje.

Pasi të bëhet kijameti, do të fillojë ringjallja e njerëzve mu ashtu sikurse kur u lindën prej barqeve të nënave të tyre, të zhveshur, të zbathur dhe të pabërë synet, i pari që do të vishet në ditën e kijametit do të jetë Ibrahimi.

Tokën e xhennetit do ta gëzojnë njerëzit e mirë besimtarë, kështu ishte vendimi i Zotit edhe në shpallje, edhe në Ezel, në jetën e amshueshme. Muhammedi nuk u dërgua si mëshirë vetëm për besimtarët, por për të gjitha krijesat. Për hir të tij edhe jobesimtarët shpëtuan prej ndëshkimeve gjatë kësaj jete, e nuk u ndëshkuan si popujt e mëparshëm.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Enbijau". Lavdëruar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:105–21:107

Allahu i Lartësuar na tregon atë që ka vendosur për adhuruesit e Tij punëmirë. Ai ka vendosur lumturinë për ta dhe që t’u lërë në trashëgim Tokën në të dyja jetët, siç thotë në një ajet tjetër: “Musai i tha popullit të vet: “Kërkojini ndihmë Allahut dhe bëni durim! S’ka dyshim se toka është e Allahut, që ua lë në trashëgim atyre robërve të Vet, që Ai dëshiron. Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve.”.” [A’raf 128], Ose: “Ne, patjetër do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe ata që besuan edhe në jetën e kësaj bote, edhe ditën kur të paraqiten dëshmitë.” [Gafir 51]. Ose: “Allahu u ka premtuar atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë sundues në tokë, ashtu siç bëri sundues ata që ishin para tyre. Ai do ta forcojë fenë - atë që Ai e ka zgjedhur për ta - dhe, në vend të frikës, do t’u dhurojë siguri dhe paqe. Ata më adhurojnë vetëm Mua e nuk më shoqërojnë asnjë e asgjë. Por, kushdo që mohon pas kësaj, ai është i prishur (që kalon çdo kufi). Atëherë, faleni rregullisht namazin, jepeni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit, që të mëshiroheni!” [Nur 55]. Kështu, i Lartësuari na ka njoftuar se ky vendim i Tij është i shkruar si në ligjet e Sheriatit që Ai ka zbritur, ashtu edhe në Librin e Kaderit, ku është shkruar gjithçka që është përcaktuar të ekzistojë në këtë dynja dhe në ahiret. Kësisoj, kjo është diçka që do të ndodhë në mënyrë të pashmang - shme.

- “Ne e kemi shënuar në Zebur, sipas shënimit (në Leuhi Mahfudh), se: tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” - EzZebur në këtë ajet nënkupton të gjithë librat që u janë shpallur të dërguarve ( rusul) dhe lajmëtarëve (enbija) të Zotit. Gjithashtu, ky emër tregon edhe librin që iu zbrit Daudit (a.s). Ndërsa fjala Edh-Dhikër këtu ka kuptimin e librit, në të cilin Allahu ka shkruar gjithçka që do të ndodhë dhe ekzistojë deri në Ditën e Kijametit. Qëllimi është për të treguar se Allahu i Lartësuar e ka shkruar në Teurat, në Ungjill, në Kuran, pra, në të gjitha shpalljet që u ka zbritur lajmëtarëve të Tij pa përjashtim, pas asaj që shkroi në Librin Themeltar, se: “...tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” Bëhet fjalë për të gjithë popujt që janë besimtarë të Allahut të Lartësuar, me besimin e vërtetë e korrekt. Kështu, Allahu i Madhëruar u premton se ata do të jenë të lumtur e krenarë, do të udhëheqin dhe do të sundojnë, do të çlirojnë vende, për një jetë të denjë e në bindje ndaj Tij. Allahu do t’i bëjë ata që të mbizotërojnë popujt e Tokës, me ligje të drejta dhe me të vërtetën. Kjo ka për të ndodhur në dynja. Ndërsa në ahiret, Ai ka për t’u lënë në trashëgim Tokën e Xhenetit dhe gjithçka në të, që janë mirësi dhe kënaqësi, që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe zemra e asnjë krijese nuk ka shkuar. Atje janë mirësitë e përjetshme, të pafundme e të vazhdueshme. - Në këtë ka mjaft mësime për ata që adhurojnë Zotin. - Në këtë libër, në Kuran, ka mësime të vyera, të cilat janë të mjaftueshme dhe të dobishme për një popull që e adhuron Allahun përmes rrugës që Ai e ka ligjëruar për ta, domethënë, për ata të cilët i japin përparësi bindjes ndaj Tij, përkundër bindjes ndaj shejtanit të mallkuar, epsheve dhe shfrenimit. - “Ne të dërguam ty (o Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha botët. ” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai e dërgoi Muhamedin si mëshirë për të gjithë botërat. Pasimi i rrugës profetike dhe nënshtrimi ndaj Zotit, sipas Shpalljes që i Dërguari ﷺ solli prej Tij, ka për t’i sjellë mirësi të shumta njeriut dhe bëhet shkak që atë ta përfshijë mëshira e Zotit. Kështu, ai që e pranon këtë mëshirë të dhuruar e tregohet mirënjohës për të, do të ketë mirësi gjithmonë. E si të mos jesh mirënjohës për këtë mirësi të dhuruar nga Zoti, për këtë Profet të mrekullueshëm, të mëshirshëm, të kujdesshëm e të përkushtuar, për Shpalljen që ai e solli të plotë, të pandryshueshme, të ruajtur dhe siguruese të çdo udhëzimi për në rrugën e drejtë? Ai që e pranon dhe e trajton me respekt e mirënjohje këtë dhuratë të Zotit, ka për t’u lumturuar në të dyja jetët. Nga ana tjetër, ata që refuzojnë dhe e shpërfillin këtë mirësi, duke mos treguar mirënjohjen dhe duke mos e trajtuar me respekt dhe seriozitetin e duhur, kanë për t’u humbur e dështuar në të dyja jetët. Allahu i Lartësuar thotë: “A nuk i ke kthyer sytë nga ata që, mirësinë e Allahut e këmbejnë me mosbesimin, ndërsa popullin e vet e çojnë në vendin e shkatërrimit? Xhehenemi është vendi ku do të hidhen. Eh, sa vend i tmerrshëm është ai! Ata kanë ngritur idhuj, si të barabartë me Allahun, për t’i larguar njerëzit nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaquni, por, jeni drejtuar për në Zjarr!” [Ibrahim 28 - 30]. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar, duke përshkruar Kuranin, thotë: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. Këta janë njëlloj sikur të thirren prej një vendi të largët”.” [Fusilet 44]. Muslimi sjell në Sahih-un e tij një hadith nga Ebu Hurejra, i cili rrëfen: 1829. “Profetit të Allahut i kërkuan njëherë që të lutej kundër idhujtarëve. Ai tha: “Unë nuk jam dërguar që të jem mallkues, por që të jem mëshirë.” Ndërsa Imam Ahmedi sjell hadithin nga Selmani, që thotë: “Profeti i Allahut mbajti njëherë një hytbe, ku tha: 1830. “Nëse kam fyer ose mallkuar ndonjë në momente zemërimi, kjo ka ndodhur sepse unë jam njeri, si të gjithë pasardhësit e Ademit, dhe unë zemërohem, njëlloj siç zemëroheni ju. Por, në të vërtetë, Allahu më

ka dërguar mëshirë për të gjithë botërat, prandaj edhe këto gjëra, atij do t’i shndërrohen në lutje për të, në Ditën e Kijametit.” 42 Atëherë, çfarë mëshire mund t’i përfshijë ata të cilët e kanë mohuar këtë Profet? Përgjigjja për këtë pyetje vjen në transmetimin e Ebu Xhafer Ibn Xheririt nga Ibn Abasi, i cili, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “Ne të dërguam ty (o Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha botët”, ka thënë: “Çdokush që beson Allahun dhe Ditën e Kijametit, ta dijë se për të është shkruar dhe është bërë e detyrueshme mëshira, në dynja dhe në ahiret. Edhe ata që nuk besojnë Allahun dhe Profetin e Tij, në jetën e kësaj dynjaje përfitojnë nga kjo mëshirë, sepse janë të ruajtur nga ndëshkimet gjithëpërfshirëse, që godisnin popujt e shkuar, si për shembull fundosja në tokë, rënia e gurëve nga qielli etj.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:103–21:105

- Frika e Madhe nuk do t’i shqetësojë ata. - Kur të gjithë njerëzit të jenë të tmerruar nga ngjarjet e asaj dite, ata nuk do të shqetësohen aspak. Kur zjarri të afrohet dhe të vlojë me urrejtje për qafirët dhe gjynahqarët, këta fatlumë do të jenë të qetë, sepse e dinë mirë se çfarë kanë bërë për këtë ditë dhe janë të sigurt se Zoti i ka ruajtur nga çdo gjë e frikshme. - Dhe melekët do t’i presin (duke i uruar): “Kjo është dita juaj që ju qe premtuar.”. - Kur të dalin nga varret e tyre, melekët do t’i presin si një delegacion i nderuar, duke u dhënë lajme të bukura: Kjo është dita që ju premtohej. Kënaquni me mirësitë që Zoti ju premtoi! Kënaqësia juaj ka për të qenë e madhe dhe e ardhmja që ju pret tashmë para jush është e pashembullt në kënaqësitë dhe lumturinë që do të përjetoni. Gëzohuni e lumturohuni tani me sigurinë që Zoti ju fali! - Atë Ditë, Ne e palosim qiellin, siç palosen fletët e një libri. - Allahu i Madhëruar na tregon se, Ditën e Kijametit, Ai do t’i shpalosë qiejt si fletët e një libri, edhe pse ata janë aq të mëdhenj dhe të gjerë. Atëherë do të shpërndahen yjet e qiellit, ndërsa dielli e hëna do të mbështillen, do të errësohen dhe do të lëvizin nga vendi i tyre. - Ashtu siç e filluam krijimin, ashtu e rikthejmë atë. - Rikthimi i krijimit është i njëjtë për Ne, ashtu si fillimi i tij. Ne e filluam krijimin e tyre, kur ata nuk ishin gjë, dhe kështu do t’i rikthejmë ata të gjallë, për t’i marrë në llogari. - Ky është premtimi Ynë dhe Ne do ta përmbushim atë.” - Ne do ta bëjmë atë që premtuam. Allahu është i Plotfuqishëm dhe asgjë nuk është e pamundur për Të. - Ne e kemi shënuar në Zebur sipas shënimit (në Leuhi Mahfudh) se tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë. - Allahu i Madhëruar na tregon për atë që ka shkruar në librat që u ka shpallur njerëzve. Ai ka shkruar në ata libra atë që është shkruar më parë në Leuhi Mahfudh, ku janë shënuar të gjitha përcaktimet dhe ngjarjet që ndodhin në botë. Allahu na tregon se në

Leuhi Mahfudh ka shkruar se Xhenetin do ta trashëgojnë robërit besimtarë, të cilët zbatojnë urdhëresat dhe largohen nga ndalesat e Tij. Në një ajet tjetër thuhet: “Ata (të Xhenetit) do të thonë: “Lavdëruar qoftë Allahu, i cili e përmbushi premtimin e Vet dhe na bëri trashëgimtarë të xhenetit. Ne mund vendosemi ku të duam në të. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që bëjnë punë të mira!”.”. [Zumer 74]. Megjithatë, ka mundësi që kuptimi i ajetit të jetë se: Zoti do t’i bëjë besimtarët që të sundojnë në Tokë. Dhe, vërtet, besimtarëve të mirë dhe të devotshëm Zoti u bën vend në tokë dhe i bën sundimtarë të saj, siç thuhet në ajetin tjetër: “Allahu u premton atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira se do t’i bëjë sundues në tokë, ashtu siç bëri sundues edhe ata (besimtarë të mirë) që ishin para tyre. Ai do ta forcojë fenë, të cilën e pëlqeu për ta, dhe në vend të frikës, do t’u dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. Por kushdo që mohon pas kësaj është nga më të prishurit. Përkryejeni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni të Dërguarit që të mëshiroheni!” [Nur 55, 56].

← Enbija 21:105