21. Enbija · Ajeti 112 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:101–21:112

Besimtarët bëmirës nuk do ta ndiejnë zhurmën e zjarrit e të banuesve të tij, ata do të jenë në kënaqësitë më të mëdha të cilat i dëshirojnë, ndërsa engjëjt do t'i presin me mirëseardhje.

Pasi të bëhet kijameti, do të fillojë ringjallja e njerëzve mu ashtu sikurse kur u lindën prej barqeve të nënave të tyre, të zhveshur, të zbathur dhe të pabërë synet, i pari që do të vishet në ditën e kijametit do të jetë Ibrahimi.

Tokën e xhennetit do ta gëzojnë njerëzit e mirë besimtarë, kështu ishte vendimi i Zotit edhe në shpallje, edhe në Ezel, në jetën e amshueshme. Muhammedi nuk u dërgua si mëshirë vetëm për besimtarët, por për të gjitha krijesat. Për hir të tij edhe jobesimtarët shpëtuan prej ndëshkimeve gjatë kësaj jete, e nuk u ndëshkuan si popujt e mëparshëm.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Enbijau". Lavdëruar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:108–21:112

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij, që t’u kumtojë idhujtarëve këtë mesazh: - “Thuaj: “Mua më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i vetëm. Atëherë, a nuk po i dorëzoheni Atij?” - A nuk po dorëzoheni, që të pasoni Shpalljen, që unë kam sjellë nga Zoti, duke e zbatuar atë? - “Nëse ata refuzojnë ...” - Nëse ata e braktisin, e refuzojnë, e shpërfillin ftesën tënde, atëherë: - “... ti thuaju: “Unë po ju paralajmëroj të gjithëve njëlloj ...” - Unë po ju deklaroj se jam në luftë me ju dhe ju jeni në luftë me mua, unë distancohem prej jush dhe ju jeni larg meje! Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Nëse ata të mohojnë ty, thuaju: “Unë kam veprat e mia dhe ju keni veprat tuaja! Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë e as unë për atë që bëni ju”.” [Junus 41]. Ose: “Nëse i druhesh pabesisë nga ndonjë grup, atëherë njoftoji paraprakisht për prishjen e paktit, që të jeni në kushte të barabarta! Allahu nuk i do të pabesët.” [Enfal 58]. Pra, të jemi njëlloj, si ne, edhe ju, në njohjen e faktit se nuk ekziston e nuk ka më pakt mes meje dhe jush. Ky është kuptimi i këtij ajeti. Edhe në këtë ajet jepet i njëjti mesazh: “Unë po ju paralajmëroj të gjithëve njëlloj”, pra, unë po ju njoftoj se unë jam distancuar prej jush dhe ju jeni larg meje. - “... por unë nuk e di, a është afër apo larg ai që ju premtohet.” - Ky paralajmërim ka për të ndodhur patjetër, por unë nuk e di a është afër apo është larg. - “Ai e di atë që e thoni haptazi dhe atë që e mbani të fshehtë. ” - Allahu i Madhëruar është Ai i Cili di gjithçka, qoftë ato që robi i shfaq, qoftë ato që i mban fshehur, prandaj Ai ka për të dhënë shpërblimin e merituar për çdo vepër, e vogël apo e madhe qoftë ajo. - “Unë nuk e di, nëse kjo është sprovë për ju apo kënaqësi e përkohshme. ” - Ibn Xheriri shpjegon: “Ndoshta edhe vonimi i ndëshkimit tuaj, pra, edhe kjo kohë që po ju jepet në dispozicion mund të jetë sprovë për ju, një përjetim i shkurtër i kënaqësive të kësaj dynjaje, deri në një afat të përcaktuar.” - “Ai tha: “O Zoti im! Gjyko me të vërtetën! Zoti ynë, i Gjithëmëshirshmi, është Ai, prej të Cilit duhet të kërkohet ndihma kundër asaj që ju trilloni.” - O Zot i Madh, bëj ndarjen mes nesh dhe popullit tonë, që mohoi të vërtetën! Allahu është i vetmi, të Cilit i kërkohet ndihma dhe mbështetja kundër jush, o mohues të së vërtetës, dhe kundër shpifjeve tuaja, që

pretendoni se Zoti ka ortakë, të cilëve ju u përkushtoni adhurimet tuaja. Allahu na ruajtë nga devijime të tilla, sepse Ai është Mbrojtësi dhe Ruajtësi më i mirë! Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij dhe nuk ka Zot kujdestar, që përkujdeset për robërit e Tij, veç Allahut të Lartësuar!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:106–21:112

Allahu i Madhëruar e lëvdon Librin e Tij madhështor, duke theksuar se ai është plotësisht i mjaftueshëm për çdo çështje, madje i domosdoshëm: - Në këtë (Kur'an) ka mjaft mësime për ata që adhurojnë Zotin. - Nëpërmjet Kur'anit, ata gjejnë rrugën që i çon drejt Zotit të tyre dhe në vendin e nderit. Kur'ani u mëson qëllimet më të larta dhe më të mira. Adhuruesit janë krijesat më të nderuara. Për ta nuk ka synim më të madh dhe më të rëndësishëm sesa mësimi i thelluar i Kur'anit. Kjo u mundëson atyre që ta njohin Zotin e tyre me emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Në këtë libër, ata gjejnë rrëfimet e vërteta për ndodhitë e së shkuarës dhe të ardhmes. Në Kur'an, Zoti i fton ata që të njohin imanin e vërtetë dhe të saktë, për të cilin Ai ka urdhëruar. Kur'ani është i mbushur me argumente, që i sjellin njeriut sigurinë e plotë në besimin e tij dhe në çdo premtim të Zotit. Në Kur'an sillen të shtjelluara të gjitha urdhëresat e Zotit dhe të gjitha ndalesat e Tij. Ai u tregon njerëzve mangësitë e tyre në sjellje dhe në vepra. Në Kur'an janë rrugët e besimit, që robi duhet të ndjekë, si ato themeloret, ashtu edhe imtësitë. Në këtë libër, Zoti na paralajmëron që të ruhemi nga rrugët e shejtanit dhe na mëson se si t’ia mbyllim të mallkuarit portat nga të cilat na sulmon. Atij njeriu që nuk i ka mjaftuar Kur'ani, Allahu mos i dhëntë zgjidhje tjetër! Ai që nuk përfiton nga Kur'ani, nuk ka për të fituar gjë. Në vijim, Allahu i Madhëruar lëvdon Profetin e Tij, të cilit i dhuroi Kur'anin, duke thënë: - Ne të dërguam ty (o Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha botët. - Muhamedi (a.s) është mëshira e Allahut, e dhuruar për robërit e Tij. Besimtarët e pranuan dhe e respektuan këtë mëshirë, duke shprehur mirënjohjen për të dhe duke i dhënë hakun që i takon. Nga ana tjetër, jobesimtarët e

mohuan dhe u treguan mosmirënjohës. Ata e refuzuan mëshirën dhe mirësinë e Allahut. - Thuaj: “Mua më është shpallur se Zoti i juaj (që meriton adhurimin) është Një Zot i Vetëm. - Thuaju atyre, o Muhamed: “Mua më shpallet se i vetmi i Adhuruar me meritë është Allahu! Askush përveç Tij nuk i meriton adhurimet. - Atëherë a nuk po i dorëzoheni?” - A po nënshtroheni për ta adhuruar Allahun si Një të vetëm, përmes Shpalljes së Tij? Nëse pranojnë, atëherë le të falënderojnë Zotin e tyre për këtë mirësi, e cila është më e madhe se çdo mirësi tjetër. - Por, nëse ata refuzojnë (besimin e vërtetë), ti thuaju: “Unë jua kumtova (shpalljen e Zotit) të gjithëve njëlloj;...” - Nëse refuzojnë të nënshtrohen për të adhuruar Zotin e tyre, atëherë paralajmëroji ata për ndëshkime të shumta, që do t’i godasin. Thuaju atyre të mjerëve: “Unë jua përcolla mesazhin e Zotit. Tashmë edhe ju, edhe unë jemi njëlloj, për sa i përket njohjes së kërcënimit të Zotit. Unë po ju paralajmëroj për ndëshkime, që edhe ju, ashtu si unë, të mos keni asnjë dyshim se ky kërcënim është i vërtetë. Atëherë, kur t’ju godasë ndëshkimi i Zotit, të mos thoni: “Neve nuk na erdhi ndonjë lajmës, që të na përgëzonte apo të na tërhiqte vërejtjen”. Unë ju paralajmërova për fundin e dhembshëm të mohimit të Zotit, pa ju fshehur asgjë që dija”. - ...por unë nuk e di, a është afër apo larg ajo që ju premtohet.” - Unë nuk e di a është afër apo larg dënimi që ju kërcënohet. Këtë gjë e di veç Zoti. Është Ai që e ka në dorë atë, ndërsa unë nuk kam në dorë asgjë. - Ai (Allahu) e di atë që e thoni haptazi dhe atë që e mbani të fshehtë (në zemrat tuaja). - Asgjë nuk mund t’i fshihet diturisë së Allahut, i Cili do t’ju shpërblejë për gjithçka që keni bërë haptas apo fshehtas. - Unë nuk e di, nëse kjo (vonesa e dënimit) është sprovë për ju, apo kënaqësi e përkohshme. - Vonimi i ndëshkimit, që ju e kërkoni t’ju vijë më shpejt, mbase është në të keqen tuaj. Ndoshta kështu Zoti ju lë të zhyteni edhe më thellë në gjynahe, duke u kënaqur e duke u harruar me bukuritë e kësaj bote, dhe në fund të merrni një dënim edhe më të dhembshëm. - Ai (Muhammedi) tha: “O Zoti im! Gjyko me të vërtetën! - Gjyko me të vërtetën dhe drejtësinë Tënde mes nesh dhe popullit mohues! Allahu iu përgjigj kësaj lutjeje të Profetit dhe gjykoi mes tyre që në jetën e kësaj bote, para ahiretit. Ai e zbriti ndëshkimin e Tij mbi mohuesit që në Betejën e Bedrit, duke vijuar më pas me luftërat e ndëshkimet e tjera. - Zoti ynë, i Gjithmëshirshmi, është Ai, prej të cilit duhet të kërkohet ndihma kundër asaj që ju trilloni.” - Ne i lutemi dhe i mbështetemi Zotit tonë të Gjithëmëshirshëm, që të na ruajë nga gjithçka që ju planifikoni kundër nesh. Ju na kërcënoni se do të na shfarosni dhe do të zhdukni fenë tonë. Megjithatë, ne nuk kënaqemi me gjendjen tonë dhe nuk mbështetemi në forcat tona as sa një pulitje sysh, por i mbështetemi e i kërkojmë mbrojtje vetëm Allahut, që është i Gjithëmëshirshëm. Ne i lutemi dhe i kërkojmë mbrojtje vetëm Rrahmanit, në dorën e të Cilit është çdo krijesë. Ne shpresojmë që Ai t’i përgjigjet lutjes sonë, me mëshirën e Tij. Dhe Zoti e plotësoi vërtet këtë lutje. Vetëm Atij i takon lavdia, përlëvdimet dhe mirënjohja e plotë.

← Enbija 21:112