21. Enbija · Ajeti 47

سورة الأنبياء
Përkthimi Sherif Ahmeti
47

وَنَضَعُ ٱلۡمَوَٰزِينَ ٱلۡقِسۡطَ لِيَوۡمِ ٱلۡقِيَٰمَةِ فَلَا تُظۡلَمُ نَفۡسٞ شَيۡـٔٗاۖ وَإِن كَانَ مِثۡقَالَ حَبَّةٖ مِّنۡ خَرۡدَلٍ أَتَيۡنَا بِهَاۗ وَكَفَىٰ بِنَا حَٰسِبِينَ

Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshoja të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë, edhe nëse është (vepra) sa pesha e një kokrre të melit Ne do ta sjellim atë. E mjafton që Ne jemi llogaritës.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Në Kuran thuhet se qiejt e toka ishin të bashkuar në një, e pastaj janë ndarë. Pas këtij konstatimi të Kuranit nuk kemi kurrfarë nevoje për ndonjë dokument tjetër mendor. Po kështu përmendet uji si bazë për jetën e çdo sendi, pra, asgjë nuk është e krijuar pa qëllim të caktuar. Edhe bjeshkët e mëdha e të forta garantojnë stabilitetin e tokës, sikurse edhe atmosfera rreth tokës, që shërben si kulm, i cili mbron prej meteorëve e sendeve të tjera. Madje ndryshimi i relievit të tokës, nuk është pasojë rasti, por rrjedhim i një qëllimi të caktuar që njerëzit të orientohen më lehtë. Idhujtarët thonin se pas vdekjes së Muhamedit a.s., ata do t’i kthenin besimtarët përsëri në fenë e tyre, ndërsa Kurani ju thotë, se ajo gjë nuk do të ndodhë, sepse ata do të zhdukeshin, e Feja Islame do të vazhdojë. Askush nuk është i pavdekshëm, çdo krijesë do ta shijojë vdekjen. Të gjithë do të sprovohen me të mira e të këqija, në mënyrë që të shihet edhe falënderimi për të mirat dhe durimi ndaj vështirësive, kurse shpërblimi do të jepet sipas qëndrimit tuaj. Jobesimtarët kurejshitë, si Ebu Xhehli etj., e përqeshnin Muhamedin a.s., pse ai fyente zotat e tyre, e nuk e vërenin veten, se bënin gabim të madh, duke mos e besuar Zotin e vërtetë. Ata e dinin, se do t’i zërë dënimi, e duke mos pasur durim të rrinin gjithnjë në pritje kërkonin, që dënimi t'iu vijë më shpejt, e nuk e dinin, se ai do t'iu vijë befas e do t'i tmerrojë, e atëherë ata nuk do të mund të largojnë prej vetes zjarrin. Zotat e tyre janë të ngurtë dhe nuk kanë kurrfarë mundësie, e kush do t'i mbrojë pos Zotit. Ata ishin të mashtruar, sepse Zoti iu kishte dhënë jetë të begatshme dhe harronin se do të vdesin. Nuk e vërenin, se dita ditës ngushtohej territori i vendit të tyre, ndërsa i muslimanëve përkundrazi, zgjerohej. Kështu atyre iu vinte fundi i jetës, shfarosja e tyre. Në Ditën e Gjykimit nuk mbetet asnjë send pa u vënë në peshore, e as vepra më e vogël, askujt nuk i bëhet padrejtësi, por atëherë do ta vajtojnë veten kokëfortit, edhe pse me vonesë.