21. Enbija · Ajeti 51 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 21:48–21:73

Sikurse që i patëm dhënë Musait e Harunit Tevratin që sqaronte se ç'është e mirë e ç'është e keqe, edhe ju, arabë e kurejshitë, i ua shpallëm këtë libër të famshëm, ua shpallëm në gjuhën tuaj me plot këshilla, po megjithëkëtë ju po e mohoni" - u thotë i Zoti xh. sh.

Në një varg ajetesh përshkruhet jeta e Ibrahimit, përpjekjet e tij për të vënë njerëzit në rrugë të drejtë, mundimet dhe vështirësitë që li përjeton ai nga kundërshtarët. Të gjitha këto bëhen me qëllim që Muhammedi të vihet në atë rrugë të pejgamberëve të mëparshëm, që të jetë i fortë e i qëndrueshëm, sepse fitorja do të jetë me të Ibrahimit iu dha rruga e mbarë që nga fëmijëria kur e kuptoi se adhurimi i statujave ishte punë e kotë dhe kur kundërshtoi babain dhe popullin e vet. Thuhet se ditën kur ai popull kishte kremte, i ati e kishte marrë me vete edhe Ibrahimin, por ai para se të afrohej te idhujt u tha se ishte i sëmurë e nuk u afrua. Ai qe betuar në vete se kishte për t'ua thyer zotat - statujat me çrast një njeri e kishte dëgjuar fjalën e tij. Pasi që u kthye populli prej të kremtës, ai u afrua dhe i theu të gjitha statujat përveç njërës më të madhes, të cilën e la me qëllim. Kur i panë të thyera, ata u befasuan dhe u përpoqën t'ia qëllonin se kush e kishte bërë atë gjë. Ai, i cili e kishte dëgjuar Ibrahimin, e përmend emrin e tij dhe e morën dhe e sollën në mes të masës për ta dënuar publikisht. Kur i thanë se a e kishte bërë ai këtë, Ibraimi me qëllim demaskimi të besimit të tyre u tha se ato i kishte thyer ajo më e madhja prej tyre, për të cilën gjë mund ta pyesnin atë.

Ata atëherë e kuptuan se Ibrahimi kishte të drejtë, por nuk i lënte inati për ta pranuar, prandaj u kthyen ne injorancen e tye.

Nemrudi ishte sundimtari i atij populli dhe për këtë arsye urdhëroi të ndizej një zjarr i madh e të hidhej Ibrahimi në të. Mirëpo, këtu vjen në shprehje menjëherë fuqia e pakufishme e Zotit, mrekullia e përjetshme kur Zoti i thotë zjarrit: "Ftohu por shpëtoje mos e ngrij Ibrahimin!"

Prej atij momenti Ibrahimi u largua prej Irakut me të birin e vëllait-Lutin dhe së bashku shkuan në Palestinë.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 21:51–21:56

- “Ne ia dhamë Ibrahimit udhëzimin e tij më herët dhe dinim gjithçka për të .” - Allahu i Lartësuar na njofton rreth të dashurit të Tij, Ibrahimit (a.s.), të cilit ia dha udhëzimin shumë herët, që në vogëlinë e tij. Allahu i Lartësuar e frymëzoi atë për të dashur të vërtetën dhe e udhëzoi drejt saj, për t’i dhënë më pas shumë argumente, që t’ia paraqiste popullit të tij, siç thotë në ajetin vijues: “Këto janë shenjat Tona, të cilat ia dhamë Ibrahimit (si argument) kundër popullit të tij. Ne ngremë në gradë të lartë atë që duam. Pa dyshim, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëditur.” [Enam 83]. Allahu i Lartësuar thotë: “... dhe dinim gjithçka për të.” Domethënë, që Ibrahimi e meritonte këtë mirësi dhe ishte i duhuri për këtë mision. Kanë ardhur disa rrëfime izraelitase (israiljate), të cilat i kanë përcjellë shumë mufesirë, në lidhje me këtë ngjarje. Dihet se të tilla rrëfime që pohohen në Sheriatin tonë, pranohen, në të kundërt , pra nëse bien ndesh me sheriatin tonë, ato refuzohen. Ndërsa për israiljatet që as nuk bien ndesh me Shpalljen tonë dhe as pohohen prej saj, jemi urdhëruar që as t’i besojmë, por as edhe t’i përgënjeshtrojmë. Pra, nuk japim gjykim rreth tyre. Shumë nga israiljate janë të padobishme, sepse në të kundërt Sheriati ynë i plotë e gjithëpërfshirës do t’i kishte shtjelluar dhe përmendur ato. Metoda që ndjekim në këtë tefsir është anashkalimi i shumicës së tyre, pasi thjesht mund të humbasin kohë, madje ato mund të jenë përzier edhe me trillime, pasi izraelitët nuk kanë kritere për të dalluar rrëfimet profetike të sakta nga ato të pasaktat. Siç kanë pohuar imamët e mëdhenj dhe ekspertët e këtij umeti, kuptimi është se Allahu i Madhëruar e pati udhëzuar Ibrahimin që më herët, përpara kësaj ngjarjeje, sepse Allahu i Lartësuar i dinte mirë cilësitë e Ibrahimit. - “Kur ai i tha babait dhe popullit të vet: “Ç’janë këto statuja që adhuroni?” - Pikërisht ky ishte udhëzimi, që Allahu i Lartësuar ia dha që në vogëli Ibrahimit (a.s.): kundërshtimi ndaj popullit të vet, në lidhje me adhurimin e idhujve. Atëherë, kuptimi është: Çfarë janë këta idhuj, të cilëve ju u përkushtoheni? Ibn Ebu Hatimi sjell rrëfimin nga Esbak Ibn Nebate, se Aliu (r.a) kaloi njëherë pranë disa njerëzve, që po luanin shah dhe u tha: “Ç’janë këto statuja që adhuroni?!”. Pastaj shtoi: “Do të ishte më e lehtë të shtrëngonit në dorë një thëngjill të ndezur, derisa të shuhej, sesa të preknit këta idhuj!” Në vijim, i lartësuari thotë: - “Ata i thanë: “Kështu pamë të parët tanë, që i adhuronin ato .”. - Kështu, ata nuk kishin asnjë arsye të bazuar, në lidhje me idhujtarinë, përveç faktit se kjo kishte qenë rruga e të parëve të tyre, të cilët gjithashtu kishin humbur. - “Atëherë, ai u tha: “Ju dhe të parët tuaj keni qenë të humbur .” - Ju nuk jeni në rrugën e vërtetë, të treguar nga Zoti. Kështu, duke qenë se Ibrahimi i përçmoi ata dhe të parët e tyre në logjikën që kishin dhe në idhujt që adhuronin, ata i thanë:

- “Ata ia kthyen: “Po flet seriozisht apo po tallesh?” - Po i thua seriozisht këto fjalë apo thjesht po tallesh? - “Atëherë, ai tha: “Zoti juaj është Zoti i qiejve e i Tokës; është Ai që i krijoi ato ...” - Zoti juaj, Krijuesi, që është i vetmi që meriton të adhurohet dhe që ju t’i nënshtroheni, është pikërisht Ai që krijoi qiejt dhe Tokën dhe gjithçka mes tyre. - “... dhe unë dëshmoj për këtë ” . - Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë përveç Allahut dhe nuk ka krijues dhe kujdestar tjetër për krijesat veç Tij. Unë dëshmoj se Ai është i vetmi që meriton të adhurohet dhe që ju t’i përkushtoheni dhe nënshtroheni, sepse është pikërisht Ai që krijoi qiejt dhe Tokën dhe gjithçka mes tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 21:51–21:73

Pasi përmendi Muhamedin (a.s) dhe Musain (a.s) dhe librat që u dha atyre, Allahu i Madhëruar kujton Ibrahimin (a.s): - Ne ia dhamë Ibrahimit udhëzimin e tij më herët dhe dinim gjithçka për të . - Ne ia dhamë Ibrahimit udhëzimin më herët, para dërgimit të Musait dhe të Muhamedit dhe para shpalljes së librave të tyre. Allahu i Madhëruar i tregoi Ibrahimit mbretëritë e qiejve dhe të tokës dhe i dhuroi një udhëzim të plotë, përmes së cilit ai përsosi veten dhe ftoi të tjerët. Askujt në botë pas Ibrahimit nuk iu dha ky udhëzim i mrekullueshëm dhe kjo ndihmë e madhe, përveç Muhamedit. Vini re se si Allahu i Madhëruar thotë: “udhëzimin e tij”. Pra, sikur udhëzimi ishte nga Ibrahimi, sepse ai ishte vërtet i drejtë dhe i pastër, i natyrshëm në besimin e pastër monoteist. Gjendja dhe grada e tij e lartë ishte sipas besimit monoteist, me të cilin Zoti e pajisi dhe e urdhëroi që të nënshtrohej dhe të jetonte sipas tij. Në fakt, çdo besimtar është i udhëzuar. Shkalla e udhëzimit të tij është në varësi të imanit që ka në zemër, për të cilin kujdeset dhe punon për ta forcuar përmes veprave të mira. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe dinim gjithçka për të.” Allahu i dhuroi Ibrahimit udhëzimin, e dalloi me profetësinë, me dashurinë më të madhe që Ai mund t’i falë ndonjë krijese dhe me shumë veçori e shpërblime në të dyja jetët. Zoti e bëri këtë duke e ditur shumë mirë se Ibrahimi ishte i duhuri për t’u vlerësuar kështu. Ai ishte i pastër, i çiltër, i mençur. I Madhëruari përmend më pas polemikat e Ibrahimit me popullin e tij, kur i ndalonte nga idhujtaria. Ai ua theu idhujt dhe i bëri të heshtnin me argumentim të mençur dhe të urtë: - Kur ai i tha babait dhe popullit të vet: “Ç’janë këto statuja që adhuroni? ” - Këta janë thjesht disa puta ose statuja, që ju i keni gdhendur me duart tuaja në formën e disa krijesave dhe në mënyrë të pakuptimtë u dedikoni adhurime. Çfarë vlere apo merite kanë ata, që t’u përkushtohesh e përulesh me adhurime e lutje? Ku është logjika juaj? Mos jeni çmendur vallë, që humbisni kohën me adhurime të kota, që ua përkushtoni këtyre sendeve pa jetë e të padobishme? I gdhendni me duart tuaja dhe pastaj u përgjëroheni t’ju ndihmojnë?! Kjo vërtet është e habitshme! Adhuroni sende që vetë i ndërtoni? Përgjigjja e tyre vjen pa asnjë argumentim dhe arsyetim të logjikshëm, por si përgjigje e një të mangëti, që nuk di çfarë të thotë: - Ata i thanë: “Kështu pamë të parët tanë, që i adhuronin ato .”. - Kështu bënin të parët tanë, e kështu bëjmë edhe ne. Ne ndjekim rrugën e tyre dhe kryejmë ato adhurime që bënin ata. Dihet mirë se veprat e krijesave kurrë nuk mund të merren si argument mbrojtës, përveç veprave të profetëve. Askush nuk mund të arsyetohet duke marrë si shembull të parët e tij, sidomos në themelet e fesë dhe të besimit, siç është edhe çështja më e rëndësishme, teuhidi i Zotit të botëve. Ajo mbështetet veçse në shpallje dhe dritë nga vetë Zoti, e jo në pasimin e verbër të të parëve. Për këtë arsye, Ibrahimi (a.s), duke u treguar se janë të gjithë në humbje, tha: - Atëherë, ai u tha: “Ju dhe të parët tuaj keni qenë të humbur.” - Humbja ku jeni zhytur është e dukshme dhe fare e kuptueshme. E ku ka humbje më të qartë sesa idhujtaria dhe lënia e teuhidit? Kur thoni se ndiqni të parët tuaj, nuk vlen aspak si argument, sepse të gjithë së bashku, ju dhe ata që ju pasoni, jeni në humbje të qartë e të sigurt. Kjo është shumë e qartë për cilindo që shikon veprat dhe gjendjen tuaj. Por populli i Ibrahimit duke shprehur çudinë, por edhe revoltimin kundrejt fjalëve të tij fyese në adresë të tyre dhe të të parëve të tyre, tha: - Ata ia kthyen: “Po flet seriozisht apo po tallesh?!” - Ato fjalë që the kundër nesh, a i ke seriozisht apo thjesht do të tallesh dhe nuk di çfarë thua? Qëllimi i tyre ishte që ta kthenin situatën në favor të tyre. Ata kështu sikur po tregonin se ishte e qartë për të gjithë se fjalët e Ibrahimit ishin të një mendjelehti, i cili nuk mendon se çfarë

thotë. Por Ibrahimi (a.s) iu përgjigj qartë, duke nxjerrë në pah mendjemadhësinë dhe mangësinë e logjikës së tyre: - Atëherë, ai tha: “Zoti juaj është Zoti i qiejve e i Tokës; është Ai që i krijoi ato dhe unë dëshmoj për këtë. – Kështu, Ibrahimi u solli atyre dy mënyra argumentimi: së pari, solli argumentin logjik për t’i bërë të kuptonin kotësinë e adhurimit të një sendi që e kishin gdhendur vetë me duart e tyre. Së dyti, solli argument tekstual nga Zoti, duke thënë: “Zoti juaj është Zot i qiejve e i Tokës. Është Ai që i krijoi ato dhe unë dëshmoj për këtë.” Është shumë e thjeshtë të kuptohet nga çdo njeri, madje edhe nga ata me të cilët polemizonte Ibrahimi (a.s), se Allahu është i vetmi Krijues i të gjitha krijesave, nga bijtë e Ademit, melekët, xhindët, kafshët, qiejt, toka etj. Ai rregullon të gjitha çështjet e tyre dhe përkujdeset plotësisht për ta. Çdo krijesë është e dobët, e pafuqishme dhe nevojtare për kujdesin e Allahut. Edhe ata idhuj të cilëve u luten të paditurit janë të dobët e nevojtarë për Zotin. Atëherë, a mund të pranohet që t’i përkushtosh adhurime një krijese të dobët, që është nën kujdesin e Allahut e ka nevojë për Të, që vetë nuk mund të bëjë dot asgjë, që nuk jep jetë dhe as nuk mund ta marrë atë, që nuk mund të ringjallë e të marrë në llogari? Si mund të bëhet kjo dhe të braktisësh adhurimin e Krijuesit, Furnizuesit, Rregulluesit të çështjeve të gjithësisë?! Ky është argumentimi logjik. Ndërsa argumenti tekstual është pikërisht kjo fjalë madhështore e thënë nga një Profet i Zotit, i cili kurrë nuk gënjen dhe as gabon. Ibrahimi ishte profet dhe ai dëshmonte për këtë fjalë të vërtetë, që tha Zoti: “Zoti juaj është Zot i qiejve e i Tokës. Është Ai që i krijoi ato dhe unë dëshmoj për këtë.” Ai dëshmoi se Allahu i Madhëruar është i vetmi i Adhuruar me meritë dhe se çdo adhurim tjetër është i kotë. E ku ka dëshmi më të madhe sesa dëshmia e të dashurit të Rahmanit, Ibrahimit (a.s). Pasi u sqaroi me fjalë se idhujt e tyre nuk mund të bëjnë asgjë, Ibrahimi (a.s) ua ilustroi edhe me vepra pafuqinë e idhujve, të cilët nuk mund të bëjnë asgjë, madje as të mbrojnë vetveten. Ai bëri diçka që ata të kuptonin se fjalët e tij ishin të vërteta. - Për Allah, sa të largoheni ju, unë kam për t’i dërrmuar këto statuja!” - Kështu vendosi Ibrahimi të vepronte me idhujt, pasi njerëzit të shkonin në një nga festat e tyre. Kur ata u larguan të gjithë, ai shkoi fshehtas dhe i shkatërroi të gjithë idhujt e tyre, që i kishin mbledhur të gjitha në një vend, përveç njërit, që ishte më i madhi mes tyre. Atë e la për një qëllim, që do ta shpjegonte më pas. - Dhe i bëri ato copë e çikë, përveç idhullit të tyre më të madh, që ata t’i drejtoheshin atij. – Vini re se si Allahu tha: “përveç idhullit të tyre më të madh”. Kjo është një përzgjedhje e kujdesshme fjalësh. Çdo gjë që është e urryer nga Zoti nuk përshkruhet me fjalë të bukura, prandaj këtu nuk thotë: “përveç idhullit të madh”, por “përveç idhullit të tyre më të madh.” Edhe Profeti (a.s), kur u drejtohej mbretërve të kohës, thoshte: “Të madhit të persianëve” ose “Të madhit të romakëve”. Kjo është një çështje delikate, që tregon se duhet të kesh shumë kujdes që të mos madhërosh atë që e ka poshtëruar Allahu, por të përzgjedhësh fjalët me kujdes e vëmendje të madhe. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: “...që ata t’i drejtoheshin atij.” Pra, Ibrahimi e la atë idhull, që e quanin më të madhin, që ata ta pyesnin e t’i kërkonin ndihmë. Kështu, ata do të fillonin të arsyetonin drejt dhe të kuptonin mirë argumentet që Ibrahimi u kishte dhënë. Prandaj, në një moment reflektimi, më pas ata do të thoshin: “Vërtet, keqbërësit jeni ju vetë”. Sidoqoftë, kur ata panë se çfarë u kishte ndodhur idhujve të tyre, thanë: - “Kush e bëri këtë me zotat tanë? – thanë ata. – “Ai qenka kriminel.” - Edhe pse ata po bënin padrejtësinë më të madhe, filluan ta akuzonin Ibrahimin si kriminel. Nuk e dinin të mjerët se shkatërrimi i idhujve ishte nga veprat më të vyera të

Profetit, që buronte nga drejtësia dhe nga teuhidi i tij. Të padrejtë ishin ata që vazhdonin t’i adhuronin statujat, edhe pse e panë vetë se çfarë ndodhi me ato, të cilat ishin të pafuqishme të mbronin edhe veten e vet. - Disa thanë: “Kemi dëgjuar për një djalë, që i përçmonte ato, i cili quhej Ibrahim.” - Kemi dëgjuar një djalë që i përçmon idhujt tanë. Atëherë, kuptohet se ai duhet të ketë qenë autori i këtij “krimi”. Mbase dikush mund ta kishte dëgjuar Ibrahimin kur tha: “Për Allah! Sa të largoheni ju, unë kam për t’i dërrmuar statujat tuaja!” - “Atëherë, - thanë ata, - silleni atë këtu në sy të njerëzve, që ta shohin të gjithë!” - Pasi u bindën se ishte Ibrahimi ai që e kishte kryer atë vepër, vendosën ta nxirrnin Ibrahimin para të gjithë popullit, që ta shihnin se si do të ndëshkohej ai dhe çdokush që do të guxonte të përdhoste e përçmonte idhujt e tyre. Por, në fakt, pikërisht këtë donte Ibrahimi. Ai donte që të fliste hapur para të gjithë njerëzve, që t’ua qartësonte të vërtetën dhe ata të mos kishin më asnjë justifikim para Zotit. Kjo ishte njëlloj siç veproi Musai kur i tha Faraonit në lidhje me magjistarët: “Koha e caktuar le të jetë dita e festës, kur njerëzit të mblidhen paradite.” [Ta Ha 59]. Kështu, kur u mblodhën të gjithë njerëzit, ata e nxorën Ibrahimin përpara dhe thanë: - Ata e pyetën: “Ti e bëre këtë me zotat tanë, o Ibrahim?” - Kjo ishte një pyetje, që i dihej përgjigjja. Pra, sikur po e gjykonin dhe po i thoshin: “Si e more guximin ta bësh diçka të tillë?” Atëherë, kur të gjithë njerëzit po shihnin dhe dëgjonin me vëmendje, Ibrahimi tha: - Ibrahimi u përgjigj: “Atë e ka bërë i madhi i tyre. - I theu ky, që ju e quani të madh, sepse u zemërua me ta. U zemërua se nuk donte që edhe ata të adhuroheshin si ai. Ai donte që ju të adhuronit vetëm atë, si idhulli më i madh që është, e jo këta të vegjëlit. Me këto fjalë, Ibrahimi donte që ta bënte popullin të logjikonte dhe të kuptonte kotësinë e asaj që bënin, prandaj dhe u tha: - Pyesni vetë ata, nëse mund të flasin! - Pyesni këto puta të thyera, përse i theu puta e tyre e madhe? Pastaj pyesni edhe putën tuaj të madhe, përse i theu të voglat? Pyetini ata, nëse mund të flasin dhe t’ju sqarojnë! Nëse mund të flasin, sigurisht që do t’ju sqarojnë. Por si unë, edhe ju e dini mirë se ata nuk mund të flasin, nuk mund të të bëjnë mirë dhe as të të ruajnë nga e keqja; madje ata, as veten e vet nuk mund të ndihmojnë e ta shpëtojnë, nëse dikush i dëmton. - Ata u ndalën pak dhe, pasi u menduan, i thanë njëri tjetrit: “Vërtet, keqbërësit jeni ju vetë.” - Ata iu kthyen logjikës së pastër dhe e menduan mirë çështjen. Kështu, e kuptuan se adhurimi i statujave ishte diçka e kotë. Atëherë, e pranuan se kishin rënë në idhujtari dhe i thanë njëri tjetrit: “Vërtet, keqbërësit jeni ju vetë”. Në këtë mënyrë u arrit qëllimi i Ibrahimit (a.s) që t’i bënte ata ta kuptonin kotësinë e asaj që mbronin dhe se ajo vepër ishte mohim i Zotit dhe padrejtësi e madhe. Por ata të mjerë nuk vazhduan gjatë në këtë gjendje, sepse iu kthyen prapësisë dhe përsëri zgjodhën humbjen dhe devijimin: - Por pastaj iu kthyen sërish mosbesimit dhe i thanë atij (Ibrahimit): “Po ti e di shumë mirë se këta nuk flasin!” - Ti e di mirë që këta nuk flasin, atëherë përse tallesh e na nënçmon? Përse na urdhëron që t’i pyesim, kur ti e di që ata nuk flasin? Atëherë Ibrahimi, duke i qortuar dhe duke zbuluar para të gjithë njerëzve kotësinë e idhujtarisë së tyre, tha: - Ai u tha: “A po adhuroni në vend të Allahut ata që nuk ju sjellin asnjë dobi e as dëm?” – Ata as ju ndihmojnë dhe as ju mbrojnë nga e keqja. - Mjerë për ju dhe për ata që ju adhuroni veç Allahut! A nuk e kuptoni? - Sa të humbur dhe të dëshpëruar që qenkeni! Sa të poshtëruar dhe të pavlerë jeni ju dhe ajo që ju adhuroni! Nëse vërtet do të logjikonit, do ta kuptonit mirë gjendjen tuaj të mjerë. Por duke qenë se nuk keni mend në kokë dhe

jeni zhytur në devijim dhe injorancë me vetëdije, atëherë dijeni se kafshët janë në gjendje më të mirë se ju. Kështu, pasi nuk gjetën asnjë mënyrë për të argumentuar kotësinë e tyre, u kthyen te gjuha e forcës dhe vendosën ta dënonin: - Atëherë, ata thanë: “Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni t’u bëheni krah!” – Ekzekutojeni me mënyrën më të tmerrshme, me djegie në zjarr! Këtë do ta bënin në formë hakmarrjeje për idhujt e tyre. U poshtërofshin dhe u shkatërrofshin! Si është e mundur të adhuronin diçka, që edhe vetë e pranonin që kishte nevojë për ndihmën e tyre?! Por Allahu e ndihmoi të dashurin e Tij, Ibrahimin, kur ata e hodhën në zjarr: - Ne urdhëruam: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe i rehatshëm për Ibrahimin!” - Dhe zjarri përvëlues u bë freski dhe i rehatshëm për Ibrahimin. Ai nuk u dëmtua dhe nuk ndjeu asnjë dhimbje nga ai zjarr. - Ata thurën kurthe kundër tij, por Ne i bëmë ata të dështonin. - Ata donin ta ndëshkonin dhe intriga e tyre ishte e madhe, por Allahu thotë: “…po Ne i bëmë ata të dështonin.” Ata do të jenë të poshtëruar e të ndëshkuar në këtë botë dhe në ahiret. Ndërsa i dashuri i Allahut, Ibrahimi, dhe pasuesit e tij janë të fituarit në të dyja jetët. - Ne e shpëtuam atë së bashku me Lutin, për t’i vënë në atë tokë, që e kemi bekuar për njerëzit. - Askush nuk e besoi Ibrahimin, përveç Lutit, i cili thuhet se ishte djali i të vëllait të Ibrahimit. Allahu i Madhëruar e shpëtoi dhe e bëri të emigronte në një vend, që Zoti thotë: “e kemi bekuar për njerëzit”, pra, në Sham. Luti u largua nga populli i tij, që ishte në Babiloni, për të shkuar në Sham. Prej bekimit dhe mirësisë së Shamit është fakti që shumë profetë kanë dalë në atë vend. Allahu i Madhëruar e zgjodhi Shamin si vendin e pëlqyer për të bërë hixhret i dashuri i Tij, Ibrahimi (a.s). Në Sham ndodhet edhe njëra nga tre xhamitë e shenjta, xhamia Bejtul Mukaddes. - Ne i falëm atij Is’hakun dhe më pas edhe Jakubin, si dhuratë. – Pasi Ibrahimi u distancua nga populli i tij, Allahu i Madhëruar i dhuroi si fëmijë Is’hakun, i cili më vonë u bë babai i profetit Jakub. Këta ia dhuroi pasi Ibrahimi ishte plakur, ndërsa gruaja e tij Sara ishte beronjë. Melekët e përgëzuan se Zoti do t’i dhuronte Is’hakun, dhe pas Is’hakut, do t’i dhurojë Jakubin (djali i Is’hakut). Jakubi është Israili, nga i cili do të rridhte një popull i madh (bijtë e Izraelit). Ndërsa nga Ismaili, që ishte djali i madh dhe i parë i Ibrahimit, do të rridhte populli i nderuar nga Zoti, populli arab, nga i cili do të dilte zotëria i gjithë bijve të Ademit, Muhamedi (a.s). Allahu thotë: - Që të gjithë i bëmë të mirë. - Ibrahimin, Is’hakun dhe Jakubin i bëmë të mirë. Ata i zbatonin me përpikmëri porositë dhe detyrimet ndaj Zotit, por edhe detyrimet ndaj krijesave. - Ne i bëmë ata shembuj të mirë, që udhëzonin sipas urdhrit Tonë. - Ata u bënë udhëheqës, që, me urdhrin e Zotit, u treguan njerëzve udhën e drejtë. Kjo është

mirësia më e madhe që Zoti i jep një njeriu: ta bëjë atë udhëheqës, nëpërmjet të cilit, udhëtarët drejt Zotit të gjejnë rrugën e duhur. Allahu i Madhëruar ua dha këtë mirësi atyre, pasi ata ishin të durueshëm dhe, njëkohësisht, ishin të bindur plotësisht në shpalljen dhe diturinë e madhe që Zoti u dhuroi. Allahu i Lartësuar thotë që: “udhëzonin sipas urdhrit Tonë.” Pra, ata i udhëzonin njerëzit në fenë dhe besimin që Zoti shpalli, jo sipas mendjes së tyre. Ata ftonin veçse në fenë e Zotit, pa shtuar ose hequr asgjë prej saj. Ata ftonin veçse në ato vepra dhe adhurime që Zoti i pëlqen dhe të cilat i ka shtjelluar në shpalljet e Tij. Njeriu kurrë nuk mund të bëhet udhëheqës i drejtë, derisa të udhëheqë në fenë e Zotit dhe sipas fesë së Zotit. - Ne i orientuam në vepra të mira, në faljen e namazit dhe në dhënien e zekatit. Ata ishin adhurues të sinqertë. - Ata i përkryejnë adhurimet dhe veprat e mira që e kënaqin Allahun, madje i ftojnë edhe njerëzit e tjerë për këtë gjë. Këtu përfshihen të gjitha llojet e mirësive, qofshin adhurime që kanë lidhje me të drejtën e Zotit, qoftë bamirësi apo detyrime që kanë lidhje me krijesat. Megjithatë, duke treguar rëndësinë e madhe të disa adhurimeve të caktuara, Allahu i thekson në mënyrë të veçantë ato, duke shtuar: “...në faljen e namazit dhe në dhënien e zekatit...”. Ai njeri që i përkryen këto dy adhurime ashtu siç është urdhëruar, konsiderohet si një nga ata që përpiqen për lartësimin e fesë. Ndërsa ata që dështojnë në këto dy adhurime, në çështjet e tjera të fesë janë akoma më të humbur. Namazi është adhurimi më i mirë në drejtim të plotësimit të hakut të Zotit, ndërsa zekati është adhurimi më i mirë në drejtim të plotësimit të hakut dhe bamirësisë ndaj krijesave. Pastaj Zoti i Lartësuar i përshkruan si: “adhurues të sinqertë”. Ata ishin të sinqertë dhe të pastër, sepse adhuronin vetëm Allahun si Një e të vetëm. Ata ishin të vazhdueshëm në adhurimet me zemrën, gjuhën dhe trupin e tyre në të shumtën e kohës. Adhurimi i Allahut me teuhid, për hir të së cilit Ai i krijoi, por edhe i urdhëroi, ishte atributi kryesor i tyre.

← Enbija 21:51