وَلَا يَزَالُ ٱلَّذِينَ كَفَرُواْ فِي مِرۡيَةٖ مِّنۡهُ حَتَّىٰ تَأۡتِيَهُمُ ٱلسَّاعَةُ بَغۡتَةً أَوۡ يَأۡتِيَهُمۡ عَذَابُ يَوۡمٍ عَقِيمٍ
We la jezalul-ledhine keferu fi mirjetin minhu hetta te’tijehumu es-sa’atu begteten ‘ew je’tijehum ‘adhabu jewmin ‘akimin
Ata që nuk besuan janë vazhdimisht në dyshim për të (për Kur'anin), derisa t'u vijë kijameti befas ose t'u vijë dënimi i ditës së pafrytshme.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Në shtatëdhjetë e më tepër ajete Zoti ua ndaloi muslimanëve të luftojnë, e Pejgamberit i vinin sahabët të rrahur, të lënduar, të torturuar, kurse ai iu thoshte të kenë durim, se Allahu ende nuk më ka dhënë leje të luftoj. Ky ajet është i pari, që i lejon muslimanët të luftojnë dhe ta mbrojnë veten, si dhe tempujt si manastiret, kishat e krishtera, faltoret e jehudive, e edhe xhamitë, në të cilat mësohet adhurim i vërtetë ndaj Zotit. Lejimi i muslimanëve, që ta përdorin forcën e vet ushtarake e luftarake ishte i drejtë, jo vetëm pse ata ishin përzenë nga vendi i tyre, por edhe pse idhujtarët orvateshin të dominonin mbi të gjithë popujt e tjerë dhe donin t’i shkatërronin të gjitha faltoret. Ndihma e Zotit gjithnjë është me ata që ndihmojnë rrugën e drejtë, që zbatojnë obligimet ndaj Zotit, ndaj njëri-tjetrit, që këshillojnë mbarë dhe i qortojnë punët e këqia. Të tillë ishin muhaxhirinët dhe ensarët medinas. Muhamedit a.s. i thuhej të mos brengosej pse idhujtarët mekas e quanin rrenacak, sepse ky nuk ishte pejgamber i parë që fyhej prej armiqve, ishin fyer edhe ata që kishin qenë para tij si Nuhu, Hudi, Salihu, Ibrahimi, Luti, Shuajbi, e edhe Musai me sa e sa mrekulli shumë bindëse. Allahu shkatërroi shumë popuj që ishin më parë; nëse do Ai do t’i shkatërrojë edhe idhujtarët, por Ai nuk ngutet, sepse është aq i butë, saqë njëmijë vjet sipas llogaritjes së njerëzve tek ai janë sa një vit, madje edhe e ardhmja e të gjithëve është tek Ai, prandaj idhujtarët do të duhej ta dinin, se shtyrja e dënimit të tyre nuk do të thotë, se ata do t’i shpëtojnë dënimit. Shejtani shumë herë është përpjekur t’i ngacmojë pejgamberët me ndonjë dëshirë në këtë jetë, e t’i shmangë sado pak ata nga detyra e tyre, por Zoti ka asgjësuar nxitjen e shejtanit dhe ka fuqizuar shpalljen me të cilën i ka dërguar. Ka mendime se me këtë ajet qëllimi është: dëshirën e pejgamberit që t’i udhëzojë njerëzit në rrugën e drejtë dhe në besim e t’i largojë nga shejtani, i cili duke iu kundërvënë me ngacmimet e tij ua hijeshon njerëzve kundërshtimin ndaj pejgamberit dhe mosbesimin. Shejtani është përpjekur t’ia ngatërrojë pejgamberit leximin e shpalljes, ashtu që atij t’i shpëtojë ndonjë thënie e të futet ndonjë e shejtanit për t’u përzier edhe ajo me shpalljen e Zotit; mirëpo Zoti mënjanoi atë nxitje të shejtanit dhe mbrojti e fuqizoi shpalljen e vet origjinale.