22. Haxh · Ajeti 69 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 22:56–22:69

"Në ditën e gjykimit i tërë sundimi është në duar të Zotit, nuk mund të përzihet askush e Ai do të gjykojë me drejtësi të saktësishme: besimtarët punëmirë i vë në xhennete, kurse kundërshtarët në xhehenem. Shpërblim të veçantë do të kenë ata që ranë dëshmorë në rrugën e Zotit dhe ata që për hir të fesë lëshuan vendlindjen e shkuan në Medinë. Allahu do ta ndihmojë gjithsesi atë, të cilit i bëhet padrejtë, pse fuqia e Allahut është e pakufishme, ajo fuqi e Tij shihet në rregullimin e gjithësisë, siç është nata e dita, shiu që bie prej së larti, të gjitha të mirat që ia ka përgatitur njeriut në këtë jetë, e megjithkëtë njeriu jobesimtar nuk falënderon, kundërshton dhe mohon të mirat. Idhujtarët kundërshtonin për dispozitat e sheriatit islam. Kur'ani u thotë se çdo popull ka pasur dispozita të posaçme, sipas të cilave ka vepruar, dispozita që kanë qenë të caktuara prej Zotit, edhe dispozitat e fesë islame janë prej Zotit, prandaj përse polemizojnë ata me Muhammedin" Muhammedit i thuhet të mos e pengojë atë dialogu i tyre në thirrje për në rrugën e Zotit, sepse Ai do të gjykojë mes tyre në ditën e kijametit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 22:67–22:69

- “Çdo populli Ne i dhamë rite fetare të cilat ata duhet t'i zbatonin. Atëherë, të mos polemizojnë me ty për këtë çështje. ” - Ibn Xheriri shpjegon: “Domethënë, çdo umeti të një profeti i përcaktuam rite të veçanta për ta.” Kuptimi fillestar i fjalës el mensek (që është përkthyer “rite”) është: një vend, ku njeriu kthehet vazhdimisht, kohë pas kohe, për të kryer aty ose vepra të mira ose vepra të këqija. Veprat e haxhit quhen pikërisht menasik - “rite”, sepse njerëzit kthehen rregullisht në atë vend për të kryer ritet, kohë pas kohe. 62 Sipas njërit kuptim, ajeti flet për ritet fetare të ligjëruara nga vetë Zoti për çdo popull përmes profetit të tyre. Nëse marrim këtë kuptim atëherë, fjala që vjen më pas duhet parë e lidhur me të. Allahu i Madhëruar thotë: “Atëherë, të mos polemizojnë me ty për këtë çështje.” Pra, bëhet fjalë për idhujtarët. Kështu, idhujtarët nuk kanë pse polemizojnë për ligjet që Zoti të dha dhe ritet me të cilat të ngarkoi e urdhëroi. Sipas një kuptimi tjetër, ajeti flet për kaderin e Zotit dhe faktin që Ai çdo populli i dha mundësinë e lirinë që të zgjedhin atë që duan në lidhje me ritet e tyre. Kështu, ajeti vjen me këtë kuptim: “Për çdo popull, Ne përcaktuam rite, të cilat ata i zbatojnë dhe u përmbahen.” Pra, ata i bëjnë këto rite me kaderin e Zotit, prandaj mos u ndiko nga polemikat e tyre, mos devijo nga e vërteta ku të ka udhëzuar Zoti, për shkak të kundërshtimit të tyre. - “Por ftoji te Zoti yt, sepse ti je në Rrugën e Drejtë! ” - Kjo është rruga e drejtë dhe e qartë, që të çon në përmbushjen e qëllimit të lartë. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Madhëruar: “ Kurrë mos të të shmangin ata (mohuesit) nga ajetet e Allahut pasi ato të janë shpallur ty! Fto për te Zoti yt dhe kurrë mos ndiq dëshirat e idhujtarëve! Veç Allahut, mos adhuro asnjë zot tjetër! Nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij! Çdo gjë, përveç Atij do të zhduket. Vetëm Atij i takon i gjithë Gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni të gjithë!” [Kasas 87]. - “E, nëse ata të kundërshtojnë ty, thuaju: “Allahu e di më së miri për gjithçka që bëni ju; ...” - Siç thuhet në ajetin tjetër: “Nëse ata të mohojnë ty, thuaju: “Unë kam veprat e mia dhe ju keni veprat tuaja. Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë e as unë për atë që bëni ju” .” [Junus 41]. Ky është një kërcënim i ashpër dhe një paralajmërim i sigurt, nga i cili duhet të druhesh, si në ajetin tjetër: “... Ai është më i Dituri për të gjitha shpifjet tuaja rreth tij (Kuranit). Por mjafton që Ai është dëshmitar ndërmjet meje dhe jush. Ai është Falësi e Mëshirë-ploti.”!” [Ahkaf 8]. - “Allahu do të gjykojë mes jush Ditën e Kijametit për çdo gjë që kundërshtohe - shit.”. - Kjo është njëlloj si ajeti: “E, pikë - risht për këtë ti fto të tjerët, përqendrohu në rrugën e drejtë, ashtu si të është urdhëruar

dhe kurrë mos shko pas dëshirave të tyre! Thuaju: “Unë u besoj Librave që ka shpallur Allahu dhe jam urdhëruar që të mbaj drejtësi mes jush. Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Ne kemi përgjegjësi për veprat tona e ju për veprat tuaja. Nuk ka polemika mes nesh e jush. Allahu do të na mbledhë të gjithëve dhe vetëm tek Ai është përfundi - mi.” [Shura 15].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 22:67–22:70

- Çdo populli Ne i dhamë rite (e ligje) fetare të cilat ata duhet t'i zbatonin. - Allahu i Madhëruar na tregon se për çdo popull në histori ka përcaktuar vende adhurimi dhe rite të ndryshme, që mund të kenë edhe ndonjë dallime nga njëri tjetri. Megjithatë, një gjë është gjithmonë e përbashkët dhe pandryshueshme: të gjitha ligjet janë drejtësi dhe urtësi, siç thotë i Madhëruari: “Edhe ty (o Muhamed) Ne ta zbritëm Librin me të vërtetën e sigurt. Ai është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu dhe mos paso dëshirat e tyre të kota e të largohesh nga e vërteta që të erdhi! Për secilin prej jush, Ne caktuam Ligj e program. Sikur të kishte dashur Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të

vetëm (në fe), por deshi t’ju sprovonte me atë që ju ka dhënë. Prandaj garoni për punë të mira! Tek Allahu është kthimi i ju të gjithëve dhe Ai do t’jua tregojë të vërtetën e çështjeve për të cilat ju kishit kundërshtime.” [Maide 48]. Çdo popull ka kryer adhurimet që Zoti u ka caktuar. Të gjitha ligjet dhe adhurimet që Zoti u shpalli njerëzve duheshin vënë në zbatim dhe nuk duhej të kundërshtoheshin apo të refuzoheshin nga njerëzit, sidomos nga ata popuj të paditur, që ishin zhytur në idhujtari, injorancë e padrejtësi të thellë. Për këtë arsye, nëse ju vjen shpallja nga një profet besnik, me argumente të qarta e të prera, është detyrë për të gjithë që t’i nënshtrohen e dorëzohen asaj. Nuk lejohet kurrsesi që t’i kthesh shpinën dhe ta mohosh ligjin e Zotit. - Atëherë, të mos polemizojnë (popujt e tjerë) me ty për këtë çështje (sheriatin islam). - Ata që të mohojnë ty dhe nuk besojnë Shpalljen që të dha Zoti yt, nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë dhe të polemizojnë rreth ligjeve që Zoti të dha. Ata nuk kanë asnjë të drejtë dhe asnjë argument, por mbështeten thjesht në pretendime boshe dhe arsyetime injorantësh. Kështu, për shembull, kur ata kundërshtonin Profetin në lidhje me rregullat për lejimin e ngrënies së mishit të kafshës të therur sipas rregullit dhe ndalimin e ngrënies së të ngordhurave, ata thoshin: “Vallë, ju lejoni të hani atë që e therni me duart tuaja dhe e bëni të ndaluar atë që e ka vrarë Zoti (pra, të ngordhurën)?!” Ose në rastin e ndalimit të fajdesë, ata thoshin se: “edhe shitblerja është si fajdeja”. Të tilla ishin arsyetimet dhe kundërshtimet e tyre, të cilat nuk meritonin që t’u jepej përgjigje individualisht. Nuk e meritonin, sepse ata mohonin themelet e Sheriatit dhe nuk kishte asnjë kuptim që të polemizoje me ta për çdo çështje që nxirrnin. Pastaj, në fund të fundit, çdokujt i jepet përgjigjja që meriton. Kështu, një kundërshtuesi dhe mohuesi të Shpalljes së Zotit, nëse pretendon se po polemizon për të gjetur dhe kuptuar të vërtetën, fillimisht i thuhet: ‘Para së gjithash, ne duhet të diskutojmë rreth pranimit ose jo të Shpalljes së Zotit, pastaj mund të kalojmë tek shtjellimi i çështjeve të veçanta.’ Nëse ai këmbëngul që të polemizojë për çështje të veçanta, kjo është shenjë që ai kërkon veçse të kundërshtojë të vërtetën dhe të dalë fitimtar në polemikë, prandaj synon që të ta bëjë të pamundur për t’i dhënë përgjigje. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëronte Profetin e Tij që të ftonte njerëzit me urtësi dhe këshilla të buta e të dobishme dhe të vazhdonte me këtë stil të bukur, pavarësisht se kundërshtonin apo jo mohuesit e së vërtetës. Kundërshtimet e tyre nuk duhet ta dobësonin dhe ta bënin të hiqte dorë nga ftesa e njerëzve, sepse: - Por ftoji (ata) te Zoti yt, sepse ti je në Rrugën e Drejtë! - Rruga jote është e drejtë, që të çon te kënaqësia e Zotit. Kjo rrugë është e ndërtuar mbi dy themele bazë: dituria e vërtetë dhe e dobishme (Shpallja) dhe puna me sinqeritet sipas saj. Kështu, ti do të jesh i sigurt në çështjen tënde dhe për vërtetësinë e mesazhit të Zotit. Për këtë arsye, ti duhet të shprehësh qëndrueshmërinë në fenë e Zotit tënd dhe nënshtrimin e plotë në zbatimin e kësaj feje. Duhet të jesh i vendosur në zbatimin e çdo gjëje që të urdhëron Zoti yt, sepse ti nuk po zbaton një ligj të dyshimtë e të paqartë, ose ndonjë ligj të shpikur nga mendja njerëzore, por vetë Shpalljen e Krijuesit. Kështu, nuk ke përse të qëndrosh me ata të mjerë e as nuk je i detyruar për të dëgjuar tekat dhe dëshirat e tyre. Kundërshtitë e tyre kurrë nuk duhet të të ndalojnë apo të të frenojnë nga rruga e Zotit! Kjo ngjan me ajetin tjetër: “Mbështetu tek Allahu, se ti je pa dyshim në të vërtetën e sigurt!” [Neml 79]. Po të vërejmë me kujdes, Allahu i Madhëruar i thotë Profetit (a.s): ‘...pa dyshim, ti je në rrugë të drejtë.”, pra në një rrugë që çdo natyrë e pastër dhe llogjikë e drejtë e pranon si të tillë. Kjo është një nxitje e qartë, që t’u japim përgjigje kundërshtarëve të ligjeve të fesë, duke i ftuar të vënë në përdorim logjikën e shëndoshë dhe natyrën e pastër,

të cilat gjithmonë do të jenë në përputhje të plotë me ligjin e Zotit. Termi “ el huda ” përmbledh gjithçka që iu dha Profetit (a.s) prej Shpalljes dhe nëpërmjet së cilës arrihet njohja e së vërtetës. Nëpërmjet udhëzimit të Zotit njihen të gjitha çështjet, si ato themeltare, ashtu edhe degëzimet dhe hollësitë e ligjeve të Sheriatit. Ajeti kuranor mëson se, nëse njeriu afrohet për të njohur ligjet e Sheriatit, ai do të shikojë bukurinë, drejtësinë dhe urtësitë e shumta që fshihen në to. Çdo mendje e shëndetshme, çdo natyrë e pastër dhe e papërlyer njerëzore arrin që ta shohë këtë pamje të mrekullueshme të ligjit të Zotit, sidomos nëse mediton për hollësitë e ligjeve të Tij, për urdhëresat dhe ndalesat e tij. Kurse mendjet dhe natyrat e përlyera polemizojnë me qëllime jo të pastra, sepse nuk synojnë të kuptojnë udhëzimin e drejtë të Zotit, madje e refuzojnë atë me forcë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar e urdhëroi Profetin e Tij që t’i largohej polemikës së pafrytshme me këta njerëz, duke thënë: - E, nëse ata të kundërshtojnë ty, thuaju: “Allahu e di më së miri për gjithçka që bëni ju; Allahu do të gjykojë mes jush Ditën e Kijametit për çdo gjë që kundërshtoheshit.”.” - Allahu di gjithçka rreth synimeve tuaja me këto polemika e kundërshtime. Dijeni dhe mbajeni mend faktin se Ai do t’ju shpërblejë sipas qëllimit tuaj Ditën e Kijametit. Atë ditë, Ai do të gjykojë me drejtësi për çdo gjë që ju polemizonit dhe kundërshtoheshit. Ata që kanë ecur në rrugën e drejtë do të jenë fatlumë, që do të hyjnë në mirësinë e përjetshme. Ndërsa ata që kanë mohuar dhe kundërshtuar do të jenë banorë të Zjarrit. Allahu i Madhëruar është i Urtë. Duke qenë se urtësia e Tij është e plotë, Ai gjykon veçse me dituri, madje me diturinë e Tij gjithëpërfshirëse dhe absolute. Kjo është arsyeja pse këtu përmendet fakti që dituria dhe shikimi i Allahut është absolut dhe përfshin gjithçka: - A nuk e ke ditur se Allahu di për gjithçka që është në qiell e në tokë? E gjithë kjo është e shënuar në Libër dhe kjo është shumë e lehtë për Allahun. - Atij nuk mund t’i fshihet asgjë prej kësaj gjithësie, qoftë çështje e dukshme dhe e shfaqur, qoftë e fshehur dhe e padukshme, qoftë e shkuara, qoftë edhe e ardhme. Këtë dituri absolute e gjithëpërfshirëse Allahu i Madhëruar e ka shkruar në librin Leuhi Mahfudh, që kur krijoi lapsin. Ai i tha lapsit: “Shkruaj!” Lapsi tha: "Çfarë të shkruaj?” - Zoti tha: “Shkruaj gjithçka që do të jetë (ndodhë) deri Ditën e Kijametit!” Edhe pse ju nuk e përfytyroni dot këtë lloj diturie, për Zotin është e thjeshtë që të përfshijë në diturinë e Tij gjithçka dhe ta shkruajë këtë në një libër, fiks ashtu siç ndodh në realitet.

← Haxh 22:69