22. Haxh · Ajeti 71 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 22:70–22:78
Allahu di në hollësi për çdo send e qenie që ekziston, di edhe për kundërthëniet e idhujtarëve, sepse çdo gjë është e shënuar në Librin (në Levhi Mahfudh), pra gjykimi në ditën e kijametit është shumë i lehtë për Zotin.
Duke mos pasur kurrfarë faktesh e as kurrfarë njohurish, ata po adhuronin idhuj dhe aq shumë ishin dhënë pas tyre sa që kur u lexoheshin ajetet e Kur'anit, atyre u bëheshin fytyrat e tyre të vrazhda nga mllefi dhe orvateshin t'u vërsuleshin atyre që lexonin. Ata do t'i gjejë dënimi më i madh, do t'i kapë zjarri e aty do të mbesin.:
Sikur t'i bashkojnë fuqitë të gjithë zotat e tyre nuk do të mund të krijonin as një mizë që është më e dobëta, më e pavlera, më e mërzitshmja dhe që është më e përhapura në numër. E si mund të konsiderohen ata zotat" Ata nuk janë duke njohur si duhet Allahun, andaj bëjnë krahasime të tilla, duke mos qenë asgjë kundruall Fuqiplotit.
Allahu ka caktuar nga engjëjt të dërguar që ua sjellin pejgamberëve shpalljen, ka caktuar edhe prej njerëzve të dërguar që t'ua përcjellin shpalljen e Zotit njerëzve. Këtë duhet pasur të qartë e besimtarët duhet t'u përmbahen udhëzimeve të Zotit, ta adhurojnë vetëm Atë, të bëjnë vetëm vepra të mira, ta ndihmojnë dhe ta mbrojnë fenë që e shpalli Zoti, fenë që e pati edhe Ibrahimi, sepse besimtarët janë të përcaktuar për këtë detyrë, andaj edhe në shpalljet e para e edhe në Kur'an janë quajtur myslimanë, dhe si të tillë do të jenë dëshmitarë ndaj popujve të tjerë në ditën e kijametit, sikurqë edhe Pejgamberi do të jetë dëshmitar për ymetin e vet, prandaj duhet mbështetur vetëm në Zotin, pse nuk ka ndihmës, as mbrojtës si madhëria e Tij.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Haxhxhu". Falënderuar qoftë Allahu!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 22:71–22:72
Allahu i Lartësuar na tregon rreth idhujta - rëve, të cilët adhurojnë idhuj e zota, për të cilët Ai nuk ka zbritur asnjë argument që vërteton saktësinë e atij adhurimi. I Lartësuari thotë: - “Ata adhurojnë përveç Allahut idhuj, për të cilët nuk u ka ardhur asnjë fakt dhe për të cilët nuk kanë lloj dijenie. ” - Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Kush adhuron përveç Allahut ndonjë zot tjetër, për të cilin nuk ka asnjë provë, do të përgjigjet vetëm para Zotit të vet. Dhe mohuesit nuk do të shpëtojnë kurrë.” [Muminun 117]. Domethënë, ata thjesht e trashëguan besimin e tyre të kotë nga etërit, pa asnjë argument dhe fakt të zbritur nga Zoti. Në fakt, në origjinë të atij adhurimi të devijuar është zbukurimi që shejtani i mallkuar u bën të tilla veprave në zemrat e tyre. Allahu i Lartësuar i paralajmëron dhe i kërcënon ata, kur thotë:
- “Për ata që bëjnë padrejtësi nuk ka asnjë ndihmës. ” - Askush nuk ka për t’i ndihmuar ata të ruhen ose të shpëtojnë prej ndëshkimit të Allahut, kur ai t’i përpijë ata. - “Kur u lexohen ajetet tona të qarta, në fytyrat e jobesimtarëve do të vëresh mohim.” - Kur atyre u përmenden, u përkujtohen dhe u lexohen ajetet e Kuranit, të cilat tregojnë qartë se asnjë, përveç Allahut, nuk meriton të adhurohet dhe t’i bindesh dhe se profetët e Tij janë të vërtetë e të sinqertë, ata i refuzojnë. Çfarë ndodh me ta? I Lartësuari thotë: - “Ata janë gati t'u vërsulen atyre që ua lexojnë ajetet tona. ” - Ata gati sa nuk u sulen atyre që u përkujtojnë të vërtetën, për t’i lënduar. Thuaju, o Muhamed, atyre njerëzve: - “A t’ju tregoj për diçka edhe më të keqe se kjo? Është Zjarri , të cilin Allahu ua ka premtuar jobesimtarëve.”. - Vuajtjet në zjarrin e Xhehenemit janë shumë herë më të mëdha sesa ajo me të cilën ju frikësoni të dashurit e Allahut, besimtarët e sinqertë në jetën e kësaj dynjaje, janë shumë herë më të rënda se vuajtjet që ju shkaktoni me duart dhe gjuhën tuaj të hidhur. - “Sa i keq është vendi ku do të shkojnë. ” - Zjarri është vendi më i keq, më i shëmtuar, më torturues, më i frikshëm dhe më i tmerrshëm.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 22:71–22:72
- Ata (idhujtarët) adhurojnë përveç Allahut idhuj për të cilët nuk u ka ardhur kurrfarë fakti dhe për të cilët nuk kanë kurrfarë dijeje. - Allahu i Madhëruar përmend gjendjen e mjerë të idhujtarëve, të cilët adhurojnë putat. Ai na tregon se gjendja e tyre është më e shëmtuara e mundshme, sepse ata nuk kanë asnjë provë ku të mbështeten për ato që bëjnë. Ata nuk kanë asnjë lloj diturie, por është thjesht një pasim i verbër i të parëve të tyre, që ishin të humbur. Mund të ndodhë që njeriu të mos ketë dituri për diçka që bën, por në fakt mund të ketë prova për të, dhe ai nuk i di. Por, në këtë rast, Allahu i Madhëruar e mohon edhe këtë mundësi. Pra, këta të
mjerë nuk kanë asnjë argument nga Zoti që të tregojë se idhujtaria e tyre është e lejuar. Madje, Allahu i Madhëruar, në çdo shpallje që u ka sjellë njerëzve, ka zbritur argumente të prera që tregojnë për ndalimin dhe kotësinë e shirkut. Pastaj i Madhëruari kërcënon keqbërësit, të cilit e refuzojnë me inat e kryeneçësi të vërtetën: - Për ata që bëjnë padrejtësi nuk ka asnjë ndihmëtar. - Nuk ka asnjë që t’i ndihmojnë e t’i shpëtojë ata nga ndëshkimi i Allahut, kur të godasë dhembshëm mbi ta. - Kur u lexohen ajetet tona të qarta, në fytyrat e jobesimtarëve do të vëresh mohim. - Shenjat dhe shpalljet e Zotit janë të qarta dhe madhështore. Ato janë të mjaftueshme për të dalluar të vërtetën nga e kota. Por këta të mjerë as nuk ua hedhin sytë, prandaj nuk ngritën kokë me ta. Madje, në fytyrat e jobesimtarëve vëren urrejtje. Kjo ndodh për shkak të urrejtjes ndaj kësaj shpalljeje. - Ata janë gati t'u vërsulen atyre që ua lexojnë ajetet tona. - Ata janë gati të ushtrojnë dhunë dhe madje t’i vrasin njerëzit që u lexojnë atyre ajetet Tona. Kjo është urrejtja dhe armiqësia e tyre ndaj të vërtetës dhe bartësve të saj. Nuk ka dyshim se kjo është një gjendje shumë e keqe, një gradë shumë e ulët, ku mund të zbresë një njeri. Por le ta dinë se ka një gjendje tjetër shumë më të keqe. Allahu i Madhëruar thotë: - Thuaj: “A t’ju tregoj për diçka edhe më të keqe se kjo? Është Zjarri , të cilin Allahu ua ka premtuar jobesimtarëve.”. Sa i keq është vendi ku do të shkojnë. - Kjo gjendje e ka të ligën dhe vuajtjen të pafundme. Madje, dhimbjet dhe vuajtjet kanë për t’iu shtuar në vazhdimësi e përjetësisht kësaj kategorie.