22. Haxh · Ajeti 75 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 22:70–22:78
Allahu di në hollësi për çdo send e qenie që ekziston, di edhe për kundërthëniet e idhujtarëve, sepse çdo gjë është e shënuar në Librin (në Levhi Mahfudh), pra gjykimi në ditën e kijametit është shumë i lehtë për Zotin.
Duke mos pasur kurrfarë faktesh e as kurrfarë njohurish, ata po adhuronin idhuj dhe aq shumë ishin dhënë pas tyre sa që kur u lexoheshin ajetet e Kur'anit, atyre u bëheshin fytyrat e tyre të vrazhda nga mllefi dhe orvateshin t'u vërsuleshin atyre që lexonin. Ata do t'i gjejë dënimi më i madh, do t'i kapë zjarri e aty do të mbesin.:
Sikur t'i bashkojnë fuqitë të gjithë zotat e tyre nuk do të mund të krijonin as një mizë që është më e dobëta, më e pavlera, më e mërzitshmja dhe që është më e përhapura në numër. E si mund të konsiderohen ata zotat" Ata nuk janë duke njohur si duhet Allahun, andaj bëjnë krahasime të tilla, duke mos qenë asgjë kundruall Fuqiplotit.
Allahu ka caktuar nga engjëjt të dërguar që ua sjellin pejgamberëve shpalljen, ka caktuar edhe prej njerëzve të dërguar që t'ua përcjellin shpalljen e Zotit njerëzve. Këtë duhet pasur të qartë e besimtarët duhet t'u përmbahen udhëzimeve të Zotit, ta adhurojnë vetëm Atë, të bëjnë vetëm vepra të mira, ta ndihmojnë dhe ta mbrojnë fenë që e shpalli Zoti, fenë që e pati edhe Ibrahimi, sepse besimtarët janë të përcaktuar për këtë detyrë, andaj edhe në shpalljet e para e edhe në Kur'an janë quajtur myslimanë, dhe si të tillë do të jenë dëshmitarë ndaj popujve të tjerë në ditën e kijametit, sikurqë edhe Pejgamberi do të jetë dëshmitar për ymetin e vet, prandaj duhet mbështetur vetëm në Zotin, pse nuk ka ndihmës, as mbrojtës si madhëria e Tij.
Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Haxhxhu". Falënderuar qoftë Allahu!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 22:75–22:76
- “Allahu i zgjedh të dërguarit prej melekëve dhe prej njerëzve. ” - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai përzgjedh të dërguar prej melekëve, për të kryer detyrat që Ai dëshiron. Disa përcjellin te njerëzit shpalljet dhe ligjet e Tij, të tjerë zbatojnë vullnetin e Allahut të Lartësuar të përcaktuar në kaderin e Tij. Po kështu, Allahu i Lartësuar zgjedh të dërguar edhe prej njerëzve, të cilët të kumtojnë ndër njerëz shpalljet e Tij. - “Allahu dëgjon e sheh gjithçka. ” - Ai është Gjithëdëgjuesi, i Cili i dëgjon të gjitha fjalët e robërve të Tij. Ai i shikon hollësisht ata, Ai di gjithçka rreth tyre, Ai e di mirë se cili prej tyre vlen për ta zgjedhur si të dërguar, siç thotë në ajetin tjetër: “... Por Allahu e di më së miri se kujt ia dhuron Shpalljen e Vet. ...” [En’am 124 ]. - “Ai e di atë që e bënë më parë dhe atë që do të bëjnë më vonë dhe vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet. ” - Allahu i Lartësuar di gjithçka në lidhje me atë që i dërgoi të Profetët, për urdhrat dhe detyrat që u ngakoi, siç thotë në ajetin tjetër: “Ai është i Gjithëdituri për të fshehtën, dhe fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt, përveç ndonjë të dërguari, që Ai dëshiron. Atëherë, Ai vë roje para edhe prapa tij,për t’u bërë e qartë se ata i kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre dhe se Ai di gjithçka rreth tyre. Ai e di sasinë e gjithçkaje që ekziston.” [El xhin 26 - 28]. Allahu është i Lartësuar dhe i pastër nga çdo e metë. Ai është Mbikëqyrësi, Ai është dëshmitar i të gjitha fjalëve që u drejtohen të dërguarve nga popujt e tyre. Gjithashtu, Allahu i Lartësuar është mbrojtësi i të dërguarve të Tij, është ndihmësi i tyre, Ai që u dhuron fitoren, Ai që ruan figurën dhe nderin e të dërguarve. Allahu i Lartësuar thotë: “ O i Dërguar! Përcille me qartësi shpalljen, që t’u zbrit prej Zotit tënd! Nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke kryer detyrën! Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve. ...” [Maide 67].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 22:75–22:77
Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na tregoi qartësisht se Ai është i Plotë e Absolut, ndërsa idhujt janë të dobët e të pafuqishëm. Ai na tregoi se është i Vetmi që meriton adhurimin, i Vetmi i adhuruar me meritë. Në vijim, Ai na tregon gjendjen e profetëve dhe veçoritë e tyre, me të cilat dallohen nga të gjitha krijesat. Ai thotë: - Allahu i zgjedh të dërguarit prej melekëve dhe prej njerëzve. - Allahu i Madhëruar zgjedh për t’i bërë të dërguar të Tij vetëm ata që Ai do. Mes melekëve, ka zgjedhur për Shpalljen e Tij ata më të dalluarit. Edhe prej njerëzve ka zgjedhur më të dalluarit, për t’i bërë lajmëtarë e profetë të Tij. Këta janë më të dalluarit dhe më të pastërtit e llojit të tyre, ata që kanë cilësitë
më të plota dhe virtytet më të larta. Profetët janë krijesat më të zgjedhura dhe të dalluara. Ai që i zgjodhi për t’i bërë profetë është i Plotë e Absolut në diturinë e Tij, prandaj asgjë nuk i fshihet diturisë së Tij. Ai që i zgjodhi dëgjon e shikon gjithçka. - Allahu dëgjon e sheh gjithçka. - Dituria, dëgjimi e shikimi i Allahut përfshijnë gjithçka. Kështu, Ai i zgjodhi ata me dituri të plotë se ata janë më të meritueshmit për atë mision. I Madhëruari thotë: - Ai e di atë që e bënë më parë dhe atë që do të bëjnë më vonë dhe vetëm tek Allahu kthehen të gjitha çështjet. - Është Allahu që i dërgon dhe zgjedh të dërguarit, që ata të ftojnë njerëzinë në adhurimin e Tij. Por ashtu siç ka që e pranojnë ftesën e profetëve, ashtu ka edhe që e refuzojnë ftesën e tyre: disa jetojnë me besimin në Zot, kurse të tjerë i kthejnë shpinën fesë dhe besimit. Megjithatë, kaq është detyra dhe misioni i profetëve, kurse shpërblimi për veprat e njerëzve është në dorë të Allahut. Ata do të kthehen të gjithë tek Allahu i Madhëruar dhe nga Ai do të marrin ose bamirësinë, ose drejtësinë e Tij. - O ju që keni besuar! Falni namazin me ruku e sexhde dhe vetëm Zotin tuaj adhurojeni! - Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij besimtarë për të falur namazin. Ai ka përmendur në mënyrë të veçantë rukunë dhe sexhden, për ta theksuar rëndësinë dhe vlerën e tyre dhe për të treguar se ato janë shtylla të domosdoshme të këtij riti, që qetëson syrin dhe shpirtin e besimtarit. Namazi është ngushëllimi i zemrës së trishtuar e të dëshpëruar. Allahu i Madhëruar na tregon qartë se Ai është Zoti, Krijuesi, Sunduesi, që përkujdeset dhe na dhuron nga mirësitë e Tij dhe, si i tillë, vetëm Atij duhet t’ia përkushtojmë adhurimet me sinqeritetin e plotë. I Madhëruar është Zoti i botëve i Cili, duke u përkujdesur për robërit e Tij, i urdhëron për çdo të mirë dhe i mëson se çdo fitore, mirësi dhe shpëtim nga çdo e keqe e të dyja botëve është e lidhur ngushtë me çështjet që u përmendën më lart, prandaj: - Bëni punë të mira se do të gjeni shpëtim! - Nëpërmjet besimit të pastër e korrekt, nëpërmjet namazit e njësimit të Zotit në adhurime, nëpërmjet veprave të mira, që kënaqin Zotin, arrihet lumturia dhe shpëtohet nga ndëshkimi. Nuk ka rrugë tjetër për të arritur fitoren, veç sinqeritetit në adhurimin e Krijuesit dhe përmes punës për të qenë i dobishëm për krijesat. Kujt i jepet kjo mirësi prej Zotit, i është dhuruar e gjithë lumturia, shpëtimi dhe mirësia.