23. Muminun · Ajeti 11 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:1–23:11

Në këto ajete përshkruhen gjashtë cilësitë e besimtarëve të drejtë, të cilët e meritojnë shpërblimin me xhennetin Firdevs, që është xhenneti më i dalluar. Pejgamberi ka thënë: "Kur kërkoni prej Allahut, kërkone xhennetin Firdevs, se ai është më i larti, është mesi i xhenneteve nga i cili burojnë lumenjtë e xhenneteve" (Muslimi).

Cilësitë e përshkuara janë: sinqeriteti dhe përulja gjatë faljes së namazit, largimi nga çdo fjalë a vepër e kotë e padobishme, pastrimi i pasurisë duke dhënë me rregull zeqatin: ruajtja prej imoralitetit dhe prej zbulimit të organeve gjenitale, pse edhe njëra edhe tjetra janë të ndaluara rreptësisht. Bën përjashtim jeta bashkëshortore dhe marrëdhëniet intime me robëreshat e asaj kohe, kur ende nuk ishin shpallur dispozitat rreth përdorimit të tyre dhe për mundësinë e ekzistimit të institucionit të skllaveve, besnikëria ndaj sendit ose fjalës së besuar dhe saktësia në zbatimin e premtimit të dhënë, kujdesi i kryerjes së namazit'në kohët e caktuara. Cilësitë e përshkruara dhe të kërkuara prej besimtarëve, janë në dobi të vetë jetës së njeriut dhe të bashkësisë në këtë jetë, e njerëzve të tillë që janë të dobishëm, Zoti xh. sh. do t'u dhurojë xhennetin Firdevs në jetën e amshueshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:1–23:11

Imam Ahmedi sjell hadithin nga Umer Ibn Hatabi, i cili rrëfen: 1883. “Kur i zbriste Shpallja, Profeti i Allahut dëgjonte pranë fytyrës së tij diçka si gumëzhima e bletëve... Njeherë, pasi pritëm njëfarë kohe, ai u kthye drejt Kiblës, ngriti dy duart lart dhe u lut: “O Zot, na shto dhe mos na pakëso, na ndero dhe mos na poshtëro, na jep dhe mos na privo, na përzgjidh ne dhe mos përzgjidh të tjerët mbi ne, kënaqu prej nesh dhe na kënaq neve!” Pastaj tha: “Allahu i Lartësuar më zbriti 10 ajete, të cilat, çdokush që i zbaton, ka për të hyrë në Xhenet!” Pastaj lexoi: “Është e sigurt se kanë fituar besimtarët ...”, deri në fund. 67 Nesaiu sjell në Tefsirin e tij hadithin nga Jezid Ibn Bab Enusi, i cili rrëfen që kanë pyetur njëherë Aishen, nënën e besimtarëve: 1884. “Cili qe morali i Profetit të Allahut?” Ajo u përgjigj: “Morali i tij ishte Kurani.” Dhe pastaj ajo lexoi: “Është e sigurt se kanë fituar besimtarët ...” deri tek: “... Edhe ata që ndaj namazit të tyre janë të kujdesshëm”. Pastaj tha: “Ky ishte morali i Profetit të Allahut.” 68 Allahu i Lartësuar thotë: - “Është e sigurt se kanë fituar besimta - rët.” - E kanë fituar Xhenetin ata të cilët kanë këto cilësi: - “Ata, të cilët gjatë faljes së namazit, janë të përulur ...” - Zemrat e tyre janë të mbushura me frikërespekt dhe përunjësi për

Allahun. Gjatë namazit, ata e ulin shikimin, gjymtyrët i kanë tërësisht të përkushtuara në namaz dhe sytë nuk u largohen nga vendi i sexhdes dhe i faljes. Kjo devotshmëri i jepet atij që është i përkushtuar me zemër në namaz. Zemra e tij është e përqendruar e tëra në fjalët dhe veprimet e namazit. Vetëm në këtë mënyrë, qetësia dhe kënaqësia e shpirtit dhe e syve arrihet në namaz, siç ka thënë Profeti i Allahut në hadithin që e sjellin Imam Ahmedi dhe Nesaiu, i përcjellë nga Enesi, i cili tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 1885. “Më janë bërë të dashura aromat e mira dhe gratë. Por qetësia e (shpirtit dhe) syve të mi është në namaz.” Ndërsa Imam Ahmedi sjell hadithin nga Muhamed Ibn Hanefije, i cili rrëfen: 1886. “Shkova me babain tim tek një krushqi e jona tek ensarët. Kur hyri koha e namazit, ai i tha shërbëtores: “Na sill ujë për abdes, që të falem dhe të qetësohem!”. Kur e tha këtë fjalë, ai na hodhi një vështrim dhe vërejti se ne u çuditëm me fjalët e tij. Atëherë shtoi e tha: “E kam dëgjuar Profetin e Allahut që tha: “Ngrihu, o Bilal, dhe na qetëso me namaz!” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Ata, të cilët i shmangen së kotës ...” - El leg’u është el batilu, pra, çdo gjë e pavlerë, çdo kotësi. Kjo fjalë përfshin idhujtarinë, poshtërsitë, punët e këqija, madje edhe ato fjalë dhe veprime të cilat nuk kanë asnjë dobi, edhe nëse nuk klasifikohen si të këqija e poshtërsi. - “Ata, të cilët janë të rregullt në dhënien e zekatit ...” - Bëhet fjalë për një lloj zekati, por kjo ishte përpara se të zbrisnin dispozitat e plota për zekatin e vërtetë, sepse ajeti është zbritur në Mekë dhe, në fakt, dhënia e zekatit nisi të ligjërohej që në Mekë. Allahu i Lartësuar thotë: “Është Ai që krijoi kopshte me pjergulla e pa pjergulla, hurma dhe drithëra të ndryshme, ullinj dhe shegë, të ngjashme e jo të ngjashme. Hani nga frutat e tyre kur të piqen, ndërsa ditën e vjeljes së frutave, jepni pjesën që është e detyrueshme!” [En’am 141]. Çështja e zekatit, me të gjitha dispo - zitat, kushtet dhe rrethanat e tij u shpall në Medinë. Në fakt, disa kanë thënë se me termin “zekat”, që do të thotë “pastrim”, në këtë ajet është për qëllim pastrimi i shpirtit nga idhujtaria dhe çdo lloj ligësie, siç janë gjynahet, mosbindja ndaj Zotit dhe shpërfillja e urdhëresave e porosive të Tij. Kjo i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar kur thotë: “Me siguri, ka shpëtuar ai që e pastroi shpirtin (zek-kâhâ) dhe ka dështuar ai që e poshtëroi atë.” [Shems 9, 10]. Të tjerë kanë thënë se është për qëllim si pastrimi i shpirtit, ashtu edhe pastrimi i pasurisë. Në fakt, edhe pastrimi i pasurisë është pjesë e pastrimit të shpirtit. Nuk ka dyshim se besimtari i plotë, i përmbushur, i plotësuar, i përsosur është ai i cili e pastron si pasurinë e tij, ashtu edhe shpirtin dhe sjelljen e tij, prej punëve të këqija. - “Ata, që e ruajnë ndershmërinë e vet dhe shkojnë vetëm me gratë e veta ose me robëreshat, që kanë në zotërim, për të cilat nuk fajsohen. ” - Janë ata të cilët e ruajnë nderin e tyre të papërlyer nga harami, imoraliteti dhe degjenerimi. Ata bashkohen për marrëdhënie intime vetëm me bashkë -

shortet e tyre ose robëreshat, kur janë në pronësi të tyre. Ai i cili kënaqet me atë që i ka dhënë Allahu, duke ia bërë të lejuar, nuk është aspak i qortuar në këto kënaqësi dhe mirësi që përjeton. I qortuar është ai që kërkon që të përmbushë kënaqësitë e tij jashtë kufijve të Zotit. - “Ndërsa ata që kërkojnë më tepër - ata janë të shfrenuarit. ” - Këta e kalojnë kufirin e vendosur nga Allahu i Lartësuar. Imam Shafiu - Allahu e mëshiroftë! - është bazuar në këtë ajet për të treguar se masturbimi (vetëkënaqja) është haram. - “Edhe ata, të cilët janë besnikë ndaj amanetit, që u është besuar dhe ndaj premtimit të dhënë. ” - Kur u besohet diçka, ata nuk tradhtojnë duke mos e përmbushur atë që u besohet. Ata e çojnë në vend amanetin dhe i respektojnë marrëve - shjet me besnikëri dhe korrektësi, ndryshe nga munafikët, për të cilët Profeti ﷺ ka thënë: 1887. “Shenjat e munafikut janë tri: Kur flet, gënjen, kur premton, e thyen premtimin, dhe kur i besohet diçka, të tradhton.” Në vijim Allahu i Lartësuar thotë: - “Edhe ata që ndaj namazit të tyre janë të kujdesshëm ...” - Ata janë të rregullt, të palëkundur dhe të vazhdueshëm në kryerjen e namazit, duke e falur atë në kohën dhe formën e përcaktuar nga Zoti. Në dy Sahihët vjen hadithi nga Ibn Mesudi, që ka pyetur Profetin a.s: 1888. “O i Dërguari i Allahut! Cila është puna më e mirë?” - “Namazi në kohën e vet” - “Po pas saj? - “Bamirësia ndaj prindërve.” - “Po pastaj?” - “Xhihadi në rrugën e Allahut”." Po ta vërejmë me kujdes, Allahu i Lartësuar e ka nisur përshkrimin e atyre që janë në Xhenet me faljen e namazit me frikërespekt dhe i përmbyll ato po me faljen e namazit me kujdes e përkushtim. Kjo tregon për rëndësinë, vlerën dhe shpërblimin e madh të këtij adhurimi. Më pas, Allahu i Lartësuar na tregon se ata që përpiqen sinqerisht dhe maksimalisht për t’i përkryer ato cilësi: - “Këta janë trashëgimtarët e vërtetë, që do ta trashëgojnë xhenetin Firdeus dhe aty do të jenë përgjithmonë. - Në dy Sahihët është hadithi nga Profeti i Allahut, që ka thënë: 1889. “Nëse i kërkoni Allahut, kërkojini xhenetin Firdeus, sepse ai është mu në mes të xheneteve dhe më i larti i tyre. Sipër tij është Froni i Rrahmanit dhe prej aty burojnë lumenjtë e Xhenetit.” Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Ebu Hurejra, se i Dërguari i Allahut ka thënë: 1890. “Secili prej jush ka dy vende: një vend në Xhenet dhe një vend në Zjarr. Nëse dikush vdes dhe hyn në Zjarr, banorët e Xhenetit do të marrin në trashëgim vendin e tij.” Dhe pikërisht për këtë flet fjala e Allahut të Lartësuar kur thotë: “Këta janë trashëgimta - rët e vërtetë, që do ta trashëgojnë xhenetin Firdeus dhe aty do të jenë përgjithmonë.” Kështu, besimtarët do të marrin në trashëgim vendet e mohuesve dhe do të lumturohen në Xhenet. Ata, të gjithë u krijuan që të adhurojnë Allahun e Lartësuar si një të vetëm dhe pa ortak, por mohuesit iu shmangën dhe e shpërfillën këtë qëllim, prandaj dhe privohen nga kopshtet në Xhenet, për t’ua lënë ato besimtarëve. Besimtarët përkushtohen me sinqeritet për të përmbushur atë qëllim, për të cilin i krijoi Allahu dhe ato detyra me të cilat Ai i ka ngarkuar, ndërsa mohuesit i shpërfillin urdhëresat e Zotit dhe qëllimin përse u krijuan. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar ua dhuron besimtarëve pjesën e mosbesim - tarëve në Xhenet, nëse ata do t’i bindeshin Zotit të tyre Krenar dhe të Lartësuar. Një provë edhe më e fortë, që e mbështet këtë është edhe hadithi në Sahih-un e Muslimit, që përcjell Ebu Burdete nga Ebu Musai, dhe ky nga i ati, se Profeti i Allahut ka thënë: 1891. “Ditën e Kijametit do të vijnë disa muslimanë me gjynahe të mëdha, gati sa malet, por Allahu do t’i falë dhe do t’ua mbulojë. Ai do t’ua hedhë ato gjynahe jehudëve dhe krishterëve.” 69 Ndërsa në një version tjetër, Profeti i Allahut ka thënë: 1892. “Ditën e Kijametit, Allahu do t’i japë çdo muslimani një jehud ose një të krishterë dhe do t’i thotë: “Ky është shëlbimi yt prej zjarrit!” 70 Umer Ibn Abdulazizi i kishte kërkuar Ebu Burdetes që të betohej 3 herë

në Allah, që nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, se me të vërtetë i ati ia kishte treguar këtë hadith prej Profetit të Allahut, dhe ai i ishte betuar tri herë se kështu kishte ndodhur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:1–23:11

Allahu i Madhëruar flet për robërit e Tij besimtarë e na tregon për lumturinë e tyre, pasi kanë arritur çdo të mirë dhe kanë shpëtuar nga çdo e keqe. Gjithashtu, Ai na tregon se si e arritën këtë mirësi. Ky ajet është nxitje për t’u pajisur me cilësi dhe virtyte të larta. Secili le të krahasojë veten e vet me këta të zgjedhur e veprat e tyre dhe të shohë deri ku është në lidhje me cilësitë e përmendura. Kështu do të vlerësosh si duhet veten dhe të tjerët, në lidhje me plotësimin ose jo të gradave të imanit. I Madhëruari thotë: - Është e sigurt se kanë fituar besimtarët... - Domethënë, kanë fituar, sepse gjetën lumturinë dhe shpëtimin. Ata arritën qëllimin që kanë patur të gjithë besimtarët që kanë pranuar profetët e Allahut. Cilësia e parë e tyre është besimi i vërtetë, i sinqertë dhe korrekt në çdo gjë që Zoti ka urdhëruar të besohet. Cilësia e tyre e dytë është: - Ata, të cilët gjatë faljes së namazit janë të përulur; - Ata i karakterizon frikërespekti, nënshtrimi dhe përunjësia në namaz. Kjo do të thotë që të jesh i pranishëm me gjithë zemrën në namaz, kur qëndron para Zotit, ta ndiesh praninë e Tij dhe të qetësohesh me afërsinë e Tij. Me këto ndjenja qetësohet zemra e shpirti, madje shfaqet edhe në çdo lëvizje të gjymtyrëve. Një njeri të tillë nuk e sheh kurrë që gjatë namazit të hedhë shikimin sa andej e këtej, por vështron plot edukatë e përunjësi në vendin e sexhdes. Ai është

thellësisht i përqendruar në gjithçka që thotë në namaz dhe në çdo lëvizje që bën gjatë tij, nga fillimi deri në fund. Nëpërmjet këtij përqendrimi e përkushtimi, si dhe duke medituar në fjalët që thotë, largohen vesveset e shejtanit dhe çdo mendim i ulët e shpërqendrim. Ky është shpirti i namazit. Në fakt, pikërisht kjo kërkohet nga namazi. Ky lloj namazi i shkruhet robit si sevap dhe nëpërmjet tij arrihen qëllimet e larta. Nga ana tjetër, falja e namazit pa “ hushu” (frikërespekt) dhe pa qenë i pranishëm me zemrën tënde, - edhe pse merr njëfarë shpërblimi për të dhe të konsiderohet se e ke kryer si detyrë, ka vlerë veçse në varësi të përqendrimit të zemrës në të. Ai që kujdeset për të përkryer namazin, ka për të rregulluar të gjitha çështjet e tjera, me ndihmën e Zotit. Cilësia e tretë është: - ... Ata, të cilët i shmangen së kotës (fjalë a punë) ,... - El-legu janë të gjitha ato fjalë që nuk kanë hajër dhe nuk sjellin asnjë dobi. Kështu, të fituarit dhe të shpëtuarit janë larguar dhe i kanë kthyer shpinën të tilla fjalëve, sepse duan që të ruajnë veten nga gjërat e kota e të ulëta. Madje, edhe kur gjenden në vende ku ka fjalë të kota, ata largohen shpejt, duke respektuar veten. Kuptohet se, ata që u largohen gjërave të kota dhe të padobishme, kur bëhet fjalë për gjërat e ndaluara, janë më të kujdesshëm e më të ruajtur. Nëse njeriu është i aftë të ruajë gjuhën, nderin e dëlirësinë e tij, atëherë ai mund të jetë i ruajtur në të gjitha çështjet e tij. Kështu i ka thënë Profeti (a.s) Muadh ibn Xhebelit, kur i dha disa porosi: “A të tregoj atë gjë që ruan të gjitha punët e tua?” – “Po, o i Dërguari i Allahut!” – i tha Muadhi. Atëherë, Profeti (a.s) kapi me dorë gjuhën e tij dhe i tha: “Ruaje këtë!” Pra, ruaje gjuhën dhe kujdesu për çdo fjalë që thua. Kështu një prej cilësive më të lëvdueshme të besimtarëve të vërtetë është ruajtja e gjuhës nga fjalët e kota dhe ato të ndaluara. Cilësia e katërt e tyre është: - ... Ata, të cilët janë të rregullt në dhënien e zekatit;... - Ata e pastrojnë pasurinë e tyre nëpërmjet dhënies së zekatit, për të gjitha llojet e pasurive të tyre. Kështu, ata jo vetëm pastrojnë dhe shtojnë pasurinë e tyre, por pastrojnë edhe veten e tyre nga ndonjë mangësi dhe e keqe, të cilat, nëse iu largohesh për hir të Zotit, vetëm lartësohesh e zbukurohesh. Këta fatlum janë bamirës në drejtim të adhurimit të Allahut dhe plotësimit të hakut të Tij duke e kryer namazin me përkushtim, por janë edhe bamirës ndaj krijesave duke dhënë zekatin. Cilësia e pestë e tyre është: - ... Ata, që e ruajnë ndershmërinë e vet... - Ata ruajnë veten nga imoraliteti dhe marrëdhëniet intime të jashtëligjshme. Madje, që të jenë sa më të sigurt, ata largohen edhe nga çdo shkak apo rrugë që të afron pranë zinasë, si shikimi në harame, prekjet etj. Ata e ruajnë nderin nga çdo gjë e ndaluar, përveç: - ... dhe shkojnë vetëm me gratë e veta ose me robëreshat, që kanë në zotërim, për të cilat nuk fajsohen. – Pra, përveç marrëdhëniet me gratë e tyre ose robinjat, që janë pronë e tyre. 17 Allahu i Madhëruar i ka bërë të lejuara këto dy lloj marrëdhëniesh, prandaj njeriu nuk është i qortuar për to, nëse i bën sipas dispozitave të caktuara nga Zoti. - Ndërsa ata që kërkojnë më tepër - ata janë të shfrenuarit. - Çdokush që kërkon të kënaqet me rrugë tjetër, - veç marrëdhënieve dhe kënaqësisë me gruan ose me robëreshat, - Allahu i Madhëruar e quan ‘ el adun ’, pra, njeri që e ka kaluar kufirin e caktuar nga Zoti. Të tillët si ai i kanë shkelur kufijtë e Zotit. Nga kuadri i përgjithshëm i këtij ajeti kuptojmë se martesa e ashtuquajtur ‘ el mut’atu’ (me kontratë e kohë të përcaktuar) është haram. Kjo është një martesë e përkohshme me kontratë, ku përcaktohet edhe kohëzgjatja e saj. Për shembull, palët bien dakord që të martohen për dy ditë dhe pastaj të ndahen. Kjo është një martesë dhe marrëdhënie e parregullt dhe e ndaluar, sepse, në këtë rast, gruaja nuk është bashkëshorte e plotë dhe e vërtetë dhe as robinjë dhe, si e tillë, janë haram marrëdhëniet me të. Po ashtu, është e

ndaluar edhe martesa e ashtuquajtur “Nikahul muhal -lil".18 Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar thotë: “...ose me robëreshat që kanë në zotërim...”. Pra, që të lejohen marrëdhëniet me një skllave, ajo duhet të jetë pronë tërësisht e një burri dhe jo e ndarë mes atij dhe burrave të tjerë. Nëse një skllave është në pronësinë e dy zotërinjve, nuk lejohet që të kryhen marrëdhënie me të. Pra ashtu sikur nuk lejohet që një grua e lirë të ndahet mes dy burrave, ashtu edhe një robëreshë nuk lejohet të ndahet mes dy padronëve. Ajo duhet të jetë tërësisht nën pronën e njërit. 19 Cilësia e tyre e gjashtë është: - Edhe ata, të cilët janë besnikë ndaj amanetit, që u është besuar dhe ndaj premtimit të dhënë. - Ata janë të kujdesshëm dhe të përkushtuar në ruajtjen dhe plotësimin e premtimeve. Këtu bëhet fjalë për të gjitha premtimet, dhënë Zotit dhe krijesave. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne ua ofruam amanetin qiejve, tokës dhe maleve, por ato nuk deshën ta marrin përsipër, madje u frikësuan prej tij. Ndërsa njeriu e mori përsipër atë amanet... Pa dyshim, ai është i padrejtë e i paditur.” [Ahzab 72]. Çdo detyrë që Zoti i ka dhënë njeriut është një amanet, që duhet respektuar dhe përmbushur. Po kështu duhet vepruar edhe me amanetet ndërnjerëzore, si ato pasurore, sekretet e ndryshme etj. I Madhëruari thotë: “Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin dhe, kur të gjykoni midis njerëzve, të gjykoni me drejtësi. Vërtet, sa të mrekullueshëm janë urdhrat që ju jep Ai! Allahu dëgjon dhe sheh si veproni.” [Nisa 58]. Kështu duhet vepruar edhe me premtimet, qoftë ndaj Zotit, qoftë ndaj krijesave. Këto janë përgjegjësitë dhe marrëveshjet që njeriu ka marrë përsipër që t’i përmbushë, prandaj është detyrim përmbushja e tyre me besnikëri e korrektësi. Nga ana tjetër, është haram mospërfillja dhe ndryshimi i tyre. Cilësi tjetër e këtyre të shpëtuarve është: - Edhe ata që ndaj namazit të tyre janë të kujdesshëm - Ata janë të rregullt me namazin, duke e falur atë në kohë të vet dhe duke i përmbushur kushtet, themelet dhe detyrat e tij. Allahu i Madhëruar i lavdëron këta fatlumë se e falin namazin me frikë, respekt e përunjësi dhe janë të kujdesshëm për rregullat e tij. Nga kjo kuptohet se namazi mund të kompletohet veçse me dy elementë: me frikërespekt dhe me kujdesin ndaj rregullave të tij. Nëse cenon një nga këta dy elementë, namazi është i mangët. Në fund, të gjithë ata që kanë këto cilësi: - Këta janë trashëgimtarët e vërtetë, që do ta trashëgojnë Xhenetin Firdeus... - Firdeusi është Xheneti më i lartë, më i bukur dhe qëndron mu në mes të të gjithë xheneteve. Ky është shpërblimi për këta fatlumë, sepse ata kanë cilësitë më të larta e më të mira. Por emri Firdeus mund të tregojë të gjithë Xhenetin, dhe kështu ky është një premtim për të gjithë besimtarët, e të gjitha gradave qofshin. Secili do të jetë në nivelin dhe gradën që i takon, sipas veprave që ka bërë. - ...dhe aty do të jenë përgjithmonë. - Ata kurrë nuk do të largohen nga ai dhe as nuk kanë për të kërkuar të largohen, sepse atje janë vendosur të gjitha llojet e kënaqësive e mirësive në formën më të plotë dhe të bukur. Gjithashtu, ato mirësi arrihen pa asnjë vështirësi e lodhje.

← Muminun 23:11