23. Muminun · Ajeti 12 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:12–23:22

Pas përshkrimit të cilësive të besimtarëve, kjo pjesë i bën një vështrim fuqisë krijuese të Zotit. Përmenden nëntë etapa, nëpër të cilat kalon njeriu dhe përfundon me ringjalljen. Origjina e njeriut të parë ishte prej balte, e për njerëzit e tjerë ajo zëvendësohet me një pikë uji dhe kështu vazhdon krijimi i tyre. Përmenden shtatë palë të larta që ne i quajmë qiej, e gjenden mbi ju, megjithse kur u krijuan ato, ne ende nuk ishim krijuar. Më pas, përmenden të mirat që vijnë pas shiut e edhe dobitë që kemi prej kafshëve, prej të cilave përfitojmë qumështin, leshin, mishin, e edhe bartjen e tyre. Të gjitha këto do të duhej t'i shërbenin njeriut si argument për respekt dhe falënderim ndaj Krijuesit fuqiplotë, që ta meritojë shpërblimin e madh në jetën e amshueshme. Duhet vërë veshin thënies: Ne nuk jemi të pakujdesshëm ndaj asaj që krijuam. E dihet se mbikëqyrja, kujdesi i Zotit ndaj çdo sendi e krijese, nuk përfundon me krijimin e tij, po kjo mbikëqyrje e ky kujdes janë të përhershme: Ai gjithnjë dhe në çdo çast udhëheq dhe orienton krijesat e veta, nuk i krijoi I e pastaj t'i lë pa mbikëqyrje të përherëshme.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:12–23:16

- “Ne e krijuam njeriun prej një balte të përzgjedhur ...” - Allahu i Lartësuar na tregon rreth fillimit të krijimit të njeriut. Ai na flet për krijimin e Ademit (a.s), të cilin, sikurse thotë, e krijoi “nga një baltë e ndenjur për një kohë të gjatë...” [Hixhër 26]. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Musa, se Profeti i Allahut ka thënë: 1893. “Allahu i Madhëruar e krijoi Ademin prej një grushti dhé, që e mblodhi nga e gjithë Toka. Kështu, bijtë e Ademit erdhën në varësi të tokës, nga e cila u morën. Prej tyre ka të kuq, të bardhë, të zinj dhe mes këtyre ngjyrave. Midis tyre ka të ligj e të mirë.” Ebu Daudi dhe Tirmidhiu e sjellin këtë hadith përmes Auf el Arabiut, me një version të ngjashëm. Tirmidhiu thotë që ky është një hadith hasen sahih. - “Pastaj e bëjmë (të shtohet) nga një pikë lëngu, që vendoset në një vend të sigurt .” - Përemri vetor i rasës kallzore “atë” aludon për llojin njerëzor dhe mënyrën e shumimit të tij. Kështu e ka vendosur Allahu i Lartësuar që të vijojë krijimi dhe shumimi i njeriut. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Është Ai i Cili e përsosi gjithçka që ka krijuar dhe që krijimin e njeriut e filloi nga balta. Pastaj i bëri pasardhësit e tij nga një pikë lëngu të përbuzur.” [Sexhde 7, 8]. Kështu fillon krijimi i njeriut në barkun e nënës, si një qenie e dobët. Sikurse thotë: “A nuk ju krijojmë nga një lëng i dobët, që e vendosim në një vend të sigurt, deri në një afat të caktuar?! Ne e bëjmë përcaktimin e krijimit. Sa përcaktues të mirë jemi! ” [Murselat 20 - 23]. - “Më pas, atë pikë lëng e bëjmë një droçkë gjaku ...” - E bëjmë si gjak të mpiksur. Është fjala për lëngun spermatik, që del me forcë, i cili del nga shpina e burrit dhe përzihet me lëngun e femrës, që del nga et teraib, që është dërrasa e kraharorit, nga pjesa e grykës deri afër kërthizës. Kështu, ajo pikë shndërrohet në droçkë gjaku, si vijë e përzgjatur, e cila i ngjan një gjaku të mpiksur. - “... dhe atë droçkë gjaku e bëjmë copë mishi.” - Bëhet si një copë mishi, e paformuar qartë. - “Pastaj, atë copë mishi e shndërrojmë në eshtra ...” - E formësuam, duke i dhënë konturet e dallueshme. Në këtë fazë dallohen koka e fetusit, dy duart, këmbët me kockat, nervat dhe damarët e shtrirë. - “... dhe më pas, eshtrat i veshim me mish.” - Mbi skelet vendosim diçka që e mbush, e forcon dhe e kompaktëson. - “Pastaj atë e bëjmë një krijesë tjetër ...” - Në momentin kur i fryhet shpirti, ai nis e lëviz dhe tashmë është shndërruar në një krijesë tjetër, që gjallon, dëgjon, shikon dhe ndjen. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi (r.a): 1894. “Na ka treguar Profeti i Allahut dhe ai është i vërteti, i sinqerti: “Një qenie njerëzore (lënda e krijimit të saj) mblidhet bashkë në mitrën e nënës për dyzet ditë, pastaj ajo shndërrohet në një droçkë gjaku po për kaq ditë, pastaj bëhet si një copë mishi (e shtypur me dhëmbë) po për kaq ditë. Pastaj Allahu dërgon një melek, i cili urdhërohet t'i shkruajë atij katër gjëra. Ai urdhërohet t'i shkruajë (krijesës së re) veprat, rizkun, ditën e vdekjes dhe se a do të jetë i mjeruar a i

bekuar (në jetën e pasosur). Pas kësaj, krijesës do t'i fryhet shpirti. ”. Hadithin e kanë sjellë Buhariu dhe Muslimi në dy Sahih-ët e tyre. Pasi përmendi pushtetin e Tij të plotë, butësinë dhe përkujdesin e Tij gjatë fazave të krijimit të kësaj pike, gjatë kalimit të saj nga një gjendje në një tjetër, nga një formë në një tjetër, derisa merr formën e plotë të njeriut, Allahu i Madhëruar vijon dhe thotë: - “I lartësuar qoftë Allahu, më i miri Krijues!” - Këto faza të krijimit të njeriut dhe meditimi rreth tyre tregojnë se ai është më i miri Krijues. - “Pas kësaj, në fund ju do të vdisni ...” - Pas këtij krijimi të parë dhe sjelljes tuaj në jetë, pasi nuk ekzistonit, ju do të shkoni pashmangshmërisht drejt vdekjes. Më pas: - “... dhe, përsëri, Ditën e Kijametit, ju do të ringjalleni. ” - Do të ringjalleni Ditën e Premtimit, ditën kur shpirtrat do të kthehen në trupat e tyre, kur çdokujt do t’i jepet shpërblimi për çfarë ka bërë: nëse keni bërë mirë, do të shpërbleheni me mirësi dhe nëse ka bërë keq, do të merrni shpagimin e merituar.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:12–23:16

- Ne e krijuam njeriun prej një balte të përzgjedhur (nga e gjithë toka) . - Në këto ajete, Allahu i Madhëruar na tregon fazat e krijimit të njeriut, nga fillesat e tij deri kur të përfundojë. Në fillim përshkruhet krijimi i babait të llojit njerëzor, Ademit (a.s). Ai u krijua, siç thotë Zoti: "...prej një balte të përzgjedhur (nga e gjithë Toka)." Ajo baltë u mor nga të gjitha llojet e tokës, prandaj edhe njerëzit më vonë do të dilnin të ndryshëm, si llojet e tokës. Disa prej tyre janë të mirë, por ka edhe të këqij, ka miqësorë, por edhe të ashpër, ka të butë, por edhe të vrazhdë, ashtu siç ka edhe të tjerë që qëndrojnë mes tyre. - Pastaj atë (njeriun) e bëmë (të shumohet) nga një pikë (fare), që vendoset në një vend të sigurt (në mitër). - Pastaj Zoti bëri që lloji njerëzor të përhapej dhe të vazhdonte jetën nga një pikë fare, si ka thënë: "Le të shikojë njeriu se prej çfarë është krijuar! Ai është krijuar prej një lëngu, që hidhet fuqishëm, që del nga mesi i shpinës dhe dërrasa e gjoksit." [Tarik 5 -7]. Kjo pikë qëndron në një vend, që Zoti e quan: "...vend të sigurt", pra, në mitrën e nënës, ku është i ruajtur dhe i mbrojtur.

- Më pas, atë pikë (fare) e bëmë një droçkë gjaku dhe atë droçkë gjaku e bëmë copë mishi (fetus). - Pasi kalojnë 40 ditë në gjendjen e asaj pikë fare, Ne e kthejmë atë në një droçkë gjaku të kuq. Pastaj pas dyzet ditësh të tjera, Zoti e kthen atë në "mudgatun", pra, në një copë mishi të vogël, që duket si një kafshatë mishi e përtypur, sepse mudga do të thotë ‘kafshatë e përtypur’. Pastaj, këtë copë mishi të butë e shndërron në strukturë kockore: - Pastaj atë copë mishi e shndërruam në eshtra dhe më pas, eshtrat i veshëm me mish. - Pastaj ato kocka i veshim me mish. Në fillim, nga mishi i butë, formohet kocka e fortë, pastaj këto kocka Zoti i mbush ose i vesh me mish. Kjo ndodh në dyzetditëshin e tretë. Më pas, i Madhëruari thotë: - Pastaj atë e bëmë një krijesë tjetër (me shpirt). – Kur i fryhet shpirti, ajo shndërrohet në një gjallesë me shpirt. - I lartësuar qoftë Allahu, më i miri Krijues! - U lartësoftë, u madhëroftë dhe u shtofshin mirësitë që vijnë prej Allahut! Ai është më i miri Krijues, si thuhet në Kur'an: “Është Ai i cili e përsosi krijimin e çdo gjëje, Ai që krijimin e njeriut e filloi nga balta. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të krijoheshin prej një pike uji të përbuzur. Ai e formëson atë plotësisht (në barkun e nënës) dhe i fryn prej shpirtit të (krijuar prej) Tij. Është Ai që ju pajis me dëgjim, me shikim dhe me zemër. Por ju, shumë pak falënderoni!” [Sexhde 7]. I gjithë krijimi i Allahut është i mirë, por nuk ka dyshim se njeriu është më i miri krijim i Tij, ashtu siç thotë i Madhëruari: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” [Tin 4]. Prandaj të zgjedhurit e Zotit (profetët dhe besimtarët) janë krijesat më të mira dhe më të plota që ekzistojnë. - Pas kësaj, në fund ju do të vdisni... - Pasi të plotësohet krijimi juaj dhe t’ju fryhet shpirti, do të vijë çasti që ju do të vdisni. Vdekja është një nga fazat që do të kaloni të gjithë. - Dhe përsëri, në ditën e Kijametit ju do të ringjalleni. - Atëherë do të shpërbleheni për veprat tuaja të mira ose të këqija. I Lartësuari thotë: “A mos mendon njeriu se do të lihet pa dhënë llogari?! A nuk vjen ai (njeriu) nga një pikë lëngu, që hidhet me forcë, e pastaj bëhet gjak i trashë, që Ai (Zoti) e krijon dhe e përsos, dhe, prej atij (lëngu), Ai krijon mashkullin dhe femrën?! A nuk është Ai i Plotfuqishëm për t'i ngjallur të vdekurit?!” [Kijame 36 – 40].

← Muminun 23:12