23. Muminun · Ajeti 31 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 23:23–23:52

Në ajetet e sipërshënuara përshkruhen pesë ngjarje, duke filluar që nga ajo e popullit të Nuhut, e për t'u lidhur pastaj me tregimin rreth Ademit, sepse Nuhu konsiderohet Ademi i dytë, ngase lloji i njerëzve është i kufizuar në pasardhësit e tij pas tij. Përmendet pastaj populli i Hudit e brezave të tjerë, i Musait dhe i Harunit, i Isait dhe i nënës së tij. Të gjitha këto tregime kanë për qëllim t'ia lehtësonin brengat e vështirësitë që i përjetonte Muhammedi nga kundërshtimi që i bënte populli i vet, derisa edhe pejgamberët e tjerë qenë përgënjeshtruar e torturuar prej popujve të tyre, siç ishte rasti i pejgamberëve të përmendur në këto ajete.

Siç mund të kuptohet nga kundërshtimet e popujve të mëparshëm, e edhe prej idhujtarëve në kohën e Muhammedit, si arsye kryesore e mosbesimit të tyre ishte: mundësia e ringjalljes në përgjithësi. Zakonisht, njerëzit kryelartë refuzonin si njërën ashtu edhe tjetrën mundësi nga shkaku se i frikësoheshin uljes së autoritetit të tyre ndaj atij të pejgamberit dhe përgjegjësisë për vepra pas ringjalljes. Veçanërisht mendjemëdhenjtë, të cilët jetonin në një komoditet, nuk dëshironin ta frenonin veten nga kënaqësitë e kësaj jete, edhe kur ato ishin jashtë rrugës se drejtësisë dhe jashtë humanitetit, andaj për t'i pajtuar veten dhe veprimet e tyre të padrejta, e mohojnë mundësinë e ringjalljes dhe përgjegjësinë para Zotit në jetën tjetër dhe kështu vazhdojnë rrugën e tyre të gabuar e përpiqen që t'i mashtrojnë edhe të tjerët dhe të formojnë shoqëri sa më të madhe, duke u paraqitur në sy të njerëzve i naivë, si fuqi e forcë e madhe. Prandaj Kur'ani ua tërheq vërejtjen kryelartëve se do të dënohen me Zjarr, se do të nënçmohen i e do të bëhen të paaftë mu si foshnja që vihet në djep prej të tjerëve, ashtu edhe ju do të veheni në xhehenem, aty ku dëshirojnë zebanijet e xhehenemit, duke mos patur kurrëfar fuqie mbrojtëse.

Në fund paraqitet detyra e të gjithë pejgamberëve, e që ishte se të gjithë thirren në një besim, se feja e tyre ishte një dhe se të gjithë ishin të dërguar prej një Zoti.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 23:31–23:41

- “Pas tyre, Ne sollëm një popull tjetër.” - Allahu i Lartësuar na tregon se, pas popullit të Nuhut, Ai solli breza të tjerë njerëzish. Thuhet se bëhet fjalë për Adin, të cilët jetuan pas popullit të Hudit. Thuhet, gjithashtu, se bëhet fjalë për Themudin, sepse Allahu i Lartësuar thotë në fund të këtyre ajeteve: “Atëherë, ata i përfshiu një oshëtimë ...” (dhe me oshëtimë u dënua populli i Themudit). - “Dhe u dërguam një profet nga mesi i tyre (që u tha) : "Adhuroni vetëm Allahun! Nuk ka zot tjetër, veç Atij. A nuk keni frikë ...” - Kështu, Allahu i Lartësuar u dërgoi një profet të përzgjedhur nga gjiri i tyre, i cili i ftoi ata që ta besonin Allahun dhe ta adhuronin Atë si një të vetëm, por ata e refuzuan, me pretendimin se ai ishte thjesht një njeri, njëlloj si ata. Allahu i Madhëruar thotë: - “Paria e atij populli, që nuk besoi dhe e mohoi takimin në jetën tjetër dhe të cilëve Ne u patëm falur begati në jetën e kësaj bote, tha: “Ky (Salihu) nuk është gjë tjetër, veçse një njeri, sikurse edhe ju. Ai ha , ashtu siç hani ju dhe pi, ashtu si pini ju. Nëse i nështroheni një njeriu që është si ju, atëherë do të jeni të humbur.” - Kështu, ata nuk e besonin ahiretin, ringjalljen pas vdekjes, për llogarinë e drejtë para Zotit. Allahu i Madhëruar na tregon fjalët e tyre: - “Mos vallë, ai ju premton se, pasi të vdisni, të bëheni dhé e eshtra, do të dilni sërish të gjallë?” Sa i pamundur është ky premtim!” - Pra, kjo është diçka e largët, shumë larg mundësisë që të ndodhë! - “Nuk ka asgjë tjetër, përveç jetës sonë në këtë botë. Në të do të vdesim e do të jetojmë dhe nuk kemi për t'u ringjallur

kurrë.” - Më pas, si për të arsyetuar këtë mosbesim të tyre, thanë: - “Ai (Salihu) nuk është tjetër, veçse një njeri që trillon gënjeshtra për Allahun, ndaj ne nuk i besojmë atij. ” - Ai thjesht trillon dhe mashtron në gjithçka që ai quan “shpallje”, paralajmërime dhe lajme rreth ringjalljes. Pastaj thanë: “... ne nuk i besojmë atij”, pra, nuk i besojmë në lidhje më këto kërcënime e paralajmërime. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon për lutjen e Profetit të tyre drejtuar Allahut: - “Ai tha “O Zoti im! Më ndihmo kundër atyre që më mohojnë!” - Profeti i kërkoi Zotit ndihmë dhe mbështetje kundër atij populli mohues të së vërtetës. - “Allahu tha: “Së shpejti ata do të dëshpërohen!” - Ata do të dëshpërohen dhe do të pendohen për mohimin që të bëjnë. - “Atëherë, ata i përfshiu një oshëtimë dhe Ne i bëmë ata si hedhurina gjethesh të thara.” - Ata e merituan ndëshkimin prej Allahut, sepse mohuan të vërtetën, kaluan çdo kufi dhe shkelën çdo parim. Ajo që kuptohet qartë nga ajeti është se atyre u erdhi një oshëtimë (es sajĥa) dhe një stuhi e fuqishme dhe e ftohtë (riĥun sarsar ). Allahu i Lartësuar thotë: “Ne i bëmë ata si hedhurina gjethesh të thara.” Pra, të shkatërruar, të vdekur, si shkuma që lë pas vala e detit. - “Larg mëshirës së Zotit qoftë populli keqbërës!” - Ata i bënë padrejtesi vetes, me mohimin e të vërtetës dhe të Profetit të Zotit. Kështu, le të kenë kujdes ata të cilëve u zbriti ky Kuran, që të mos mohojnë Profetin e tyre, në mënyrë që të mos i godasë ai ndëshkim që shkatërroi popujt e shkuar; le të nxjerrin mësime dhe dobi nga të tilla rrëfime.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 23:31–23:41

- “Pas tyre, Ne sollëm një popull tjetër.” - Nga ajetet vijuese duket qartë se ai ishte populli i Themudit, në të cilin u dërgua profeti Salih (a.s), sepse ka shumë ngjashmëri me historinë e tyre. I Madhëruari thotë: - Dhe u dërguam një profet nga mesi i tyre (që u tha) : "Adhuroni vetëm Allahun! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) veç Tij. A nuk i frikësoheni (dënimit)?” - Allahu dërgoi një profet nga mesi i tyre, të cilit ata ia njihnin prejardhjen, besnikërinë dhe sinqeritetin, në mënyrë që ta pranonin e ta pasonin me kënaqësi e bindje. Meqë Profeti ishte nga mesi i tyre, ky duhet të ishte një shkak më tepër që ata ta pranonin dhe të mos e urrenin. Edhe ky profet i ftoi ata në të njëjtin besim, ashtu si të gjithë profetët e tjerë me popujt e tyre. Ai u tha: "Adhuroni vetëm Allahun! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) veç Tij." Të gjithë profetët kanë qenë unanim në këtë ftesë madhështore. Kjo ishte gjëja e parë në të cilën ftuan popujt: ta adhuronin Allahun si Një e të vetëm, sepse Ai është i vetmi që meriton adhurimin. Ata i ndihmuan e paralajmëruan popujt që të largoheshin nga idhujtaria dhe idhujt dhe i njoftuan se adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Zotit është i dënueshëm dhe jo i dobishëm. Prandaj ai tha: "Nuk keni frikë?” Pra, a nuk i frikësoheni Zotit tuaj dhe t’iu largoheni këtyre idhujve? - Paria e atij populli që nuk besoi dhe e mohoi Takimin në Jetën tjetër dhe të cilëve Ne u patëm falur begati në jetën e kësaj bote, thanë: “Ky (Salihu) nuk është gjë tjetër, veçse një njeri, sikurse edhe ju. Ai ha (ushqim), ashtu siç hani ju dhe pi ashtu si pini ju.” - Paria e atij populli, të cilët kishin në vete edhe mohimin, edhe armiqësinë, duke kaluar çdo kufi për shkak të luksit e shfrenimit, shprehën kundërshtimin për Profetin e Zotit dhe mohimin për mesazhin e Tij. Ata filluan të manipulonin popullin dhe t’i largonin nga ndjekja e Profetit, duke thënë: “Ky (Salihu) është veçse një njeri, si edhe ju. Atëherë, çfarë ka ai më shumë sesa ju? Mos, vallë, është melek, që nuk ha dhe nuk pi? Ai ha ashtu siç hani ju dhe pi ashtu si pini ju.” - Nëse i nështroheni (dhe i bindeni) një njeriu që është si ju, atëherë ju do të jeni të humbur. – Nëse e bëni atë prijësin tuaj dhe e pasoni, kur ai është thjesht një njeri si ju, atëherë ju jeni të mangët në logjikë dhe keni për t’u penduar për këtë. Kjo është shumë e çuditshme, sepse pikërisht ata që nuk i nënshtrohen dhe nuk pasojnë një

profet të Zotit, ata duhet të jenë të dëshpëruar dhe duhet të pendohen. Mendjelehtësia është tipar kryesor i atyre që nuk pasojnë një njeri që Zoti e ka shquar duke i dhënë Shpalljen e Tij dhe e ka pajisur me mrekulli e shenja të vërtetësisë, por ndjekin rrugën e atyre që janë poshtëruar e sprovuar duke adhuruar pemë e gurë. Kjo ngjan me ajetin tjetër kuranor që flet për këta të mjerë: "Ata thanë: “A të shkojmë pas një njeriu, që doli nga mesi ynë?! Atëherë, ne do të ishim vërtet të humbur dhe të marrë!” Vallë, vetëm atij iu dha Shpallja ndër ne? Jo, ai është një gënjeshtar mendjemadh.” [Kamer 24, 25]. Pasi e mohuan dhe e refuzuan Shpalljen e Zotit, ata kundërshtuan paralajmërimin e Profetit për ringjalljen pas vdekjes dhe për llogarinë e shpërblimin me drejtësi për punët që bëjmë në këtë jetë. Ata thanë: - Mos vallë ai po ju premton se pasi të vdisni, të bëheni dhé e eshtra, do të nxirreni sërish (të gjallë) ?” Sa e largët (dhe e pamundur) është ajo që ju premtohet! - Është shumë e largët dhe e pabesueshme ajo që premton ai, pra, ringjallja. E si mund ta besoni që, pasi jeni tretur e bërë një me dheun e kockat t'ju jenë tharë, të risilleni në jetë?! Por ata të mjerë e kishin shikimin të kufizuar, prandaj mendonin për Zotin ashtu si për veten e tyre, që e kishin të pamundur të bënin diçka të tillë. Ata të mjerë e krahasonin pushtetin absolut të Krijuesit me dobësinë dhe aftësitë e tyre të kufizuara. Ata e mohuan fuqinë e Allahut për të ringjallur të vdekurit duke shpifur e përshkruar Atë me diçka që nuk i shkon madhështisë së Tij. Ata e harruan faktin se Zoti i kishte krijuar herën e parë, duke i bërë të ekzistonin kur nuk ishin fare. Kështu, rikthimi i tyre pasi të jenë tretur në tokë është më i lehtë për Allahun, për të Cilin gjithçka është e lehtë. Përse nuk e mohonin faktin që Ai i kishte krijuar herën e parë nga hiçi dhe kështu të tregonin se si ishin në të vërtetë: mendjemëdhenj dhe refuzues edhe të fakteve të prekshme dhe të dukshme! Më mirë le ta bëjnë këtë, dhe kështu diskutimi të bëhet fillimisht për ekzistencën e Zotit, Krijuesit të Madh dhe jo për ringjalljen. Për ringjalljen është përmendur edhe një argument tjetër, fakti që Ai e ringjall tokën pas vdekjes e shkretimit. Atëherë, është po Ai që do t’i ringjallë të vdekurit dhe Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka. Po kështu është edhe një argument tjetër që Zoti e ka sjellë si përgjigje ndaj mohuesve të ringjalljes, në ajetin kuranor: “Po. Ata u habitën që nga gjiri i tyre u erdhi një profet. Jobesimtarët thonë: “Kjo është, vërtet shumë e habitshme. Vallë, (do të ringjallemi) pasi të vdesim e të bëhemi dhé?! Ai kthim është larg.” [Kaf 2 – 3]. Në përgjigje ndaj tyre, Allahu tha: “Ne dimë se ç’ha toka prej tyre. Ne kemi librin që ruan gjithçka. Ata e mohojnë të Vërtetën, kur ajo u vjen, dhe janë vazhdimisht të luhatur. [Kaf 4]. Në vijim ata thanë: - Nuk ka asgjë tjetër përveç jetës sonë në këtë botë. Në të do të vdesim e do të jetojmë (brez pas brezi) dhe kurrë nuk kemi për t'u ringjallur. - Ky është realiteti: ca njerëz vdesin dhe të tjerë lindin, e kështu vazhdon jeta, kështu ka për të vazhduar përjetësisht dhe nuk ka për të ndodhur kurrë që ne të ringjallemi. - Ai (Salihu) nuk është tjetër veçse një njeri që trillon gënjeshtra për Allahun dhe ne nuk i besojmë atij. - Ai është veçse një njeri i çmendur, i cili pretendon se është vetëm një Zot dhe se do të vijë një ditë që krijesat do të ringjallen dhe duhet të japin llogari para këtij Zoti. Kështu që, prisni sa të vdesë! Me këto fjalë, ata jepnin të kuptohej se nuk po e ndëshkonin ose vrisnin atë për shkak se e gjykonin si një të çmendur, e jo sepse e nderonin dhe respektonin. Ai, sipas tyre, ishte thjesht një i çmendur, që nuk i viheshin re fjalët dhe as nuk merrej në përgjegjësi për ato që thoshte. Me fjalë të tjera: tashmë nuk kishte më vend për polemika e diskutim rreth pranimit ose saktësisë së shpalljes dhe ftesës së tij, sepse ata qenkëshin të bindur për kotësinë e saj, por tani çështja ishte që a ta ndëshkonin për

ato që thoshte apo jo? Në fund, më mendjen e tyre, e panë të udhës që të mos e ndëshkonin, edhe pse “e kishte bërë hak një gjë të tillë”. Subhanallah! A ka arrogancë dhe padrejtësi më të madhe sesa kjo?! Ky është kulmi i fyerjes që mund t’i bësh një profeti të Zotit dhe shprehje e madhe e mosbesimit te Zoti. Kur mohimi i tyre u ashpërsua dhe nuk mbeti më mundësi që ata të dëgjonin e përfitonin nga paralajmërimet, Profeti u lut kundër tyre: - Ai (Salihu) tha “O Zoti im! Më ndihmo kundër atyre që më përgënjeshtrojnë!” - Ndëshkoji dhe poshtëroji që në këtë jetë për mohimin e tyre, para dënimit të ahiretit, ku sigurisht që do të marrin atë që meritojnë. - Allahu tha: “Së shpejti ata do të dëshpërohen.”. - Kjo ishte përgjigjja ndaj lutjes së Profetit (a.s). I Madhëruari thotë: - Atëherë ata i rrëmbeu oshëtima (dënimi)... - Ky ndëshkim ishte mëse i drejtë. Ai nuk ishte i pamerituar. Ai erdhi si drejtësi nga Zoti për zullumet e tyre. Kështu, ata i goditi një oshëtimë e madhe, e cila i vrau që të gjithë. - ... dhe Ne i bëmë ata sikur të ishin hedhurina gjethesh të thara. - Ata u shndërruan në mbeturina, si ato që nxjerr lumi në breg. Në një ajet tjetër thotë: "Ne lëshuam kundër tyre vetëm një ushtimë, dhe ata u bënë si shtrojë vathi." [Kamer 31]. - Larg mëshirës së Zotit qoftë populli keqbërës! - Pas ndëshkimit, ata i ndoqi mallkimi i Zotit dhe poshtërimi para gjithë botës. I Lartësuari thotë: "Për ta nuk vajtuan as qielli e as Toka dhe as nuk patën kohë (që ti shpëtonin ndëshkimit)." [Duhan 29].

← Muminun 23:31